Në qershorin e 2013, pas humbjes të PD kam shkruar “nuk fitoi Edi Rama, humbi Sali Berisha”.
Dy mandatet e Sali Berishës kishin qenë me plot suksese: anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Rruga e Kombit, Liberalizimi i vizave, vizita e Presidentit George W.Bush, Tuneli i Krrabës, pavaresia e Kosovës. Normalisht me këtë listë të gjatë suksesesh Berisha do të duhej ta kishte të lehtë ta fitonte mandatin e tretë.
Humbjen e PD e kishim paralajmëruar kur Berisha ishte në kulmin e pushtetit dhe të euforisë.
Shkaku kryesor i humbjes që lidhej direkt me votën ishte braktisja e kësaj force politike nga baza.
Sali Berisha bashkë me Edvin Ramën më 2008 nëshkruan marrëveshjen për një sistem zgjedhor që eleminonte garën e lirë e të ndershme duke sanksionuar superfuqinë e Njëshit për të vendosur kontrollin e plotë për ligjvënësit!
Kjo kazmë që i vihej sistemit në themel u shoqërua me shfaqje eksplicite të korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit, tolerancës ndaj Lazaratit si dhe forcimit të profilit partiak të mediave, ca të PD e ca të PS, që thelluan degradën duke u bërë krah e palë me politikën, çka do ta gremiste rolin e shtypit të lirë si pushtet i katërt në mbrojtje të sistemit.
Dhe kjo histori vazhdon sa herë riciklohen. Drejtuesit e emisioneve shpërblehen si puthadorë të pushtetit, opinioni publik i sheh të dalin nëpër foto me kryeministra nëpër dreka e darka dhe kjo në vend se të krijojë rebelim, mjerisht shihet si vlerë! Të mos flasim pastaj për modelin dhe mesazhin që u jepet gazetarëve të rinj.
Në këto kushte, me një sistem zgjedhor që prodhon skllevër të Njëshit e padronë për Sovranin si dhe me media të komprometuara nuk do të ketë shpresë për ndryshime rrënjësore në Shqipëri.
Pikërisht këto ndryshime i premtoi Sali Berisha pasi u shpall non grata nga DASH dhe nga kreu i PD Lulzim Basha me shpurën e tij të deputetëve.
Sali Berisha në turin e tij të Foltoreve, bëri mea culpa dhe premtoi rithemelim të PD dhe legjitimitetin e votës të lirë e të ndershme.
Votë e lirë dhe e ndershme dmth largim nga skena politike e marionetave si Basha, Bregu etj. etj. që kanë qenë direkt zgjedhja e Berishës, që iu imponua bazës, model që e bëri copy paste Lulzim Basha sapo mori frenat e PD duke larguar të preferuarit e ish shefit të tij e duke i zëvendësuar me të tijët, duke e thelluar kësisoj injorimin e bazës, por – nga ana tjetër – duke e humbur votën e saj.
Media pranë PD, kryesisht Syri.net nuk i kishte plasur fare për degradimin e kësaj force politike, deri në shtatorin e 2021 kur filloi një mbulim serioz e me besnikëri të kronikave të ngjarjeve dhe Foltoreve, gjatë të cilave dëgjonim shpesh Dr.Berishën që e denonconte modelin e gazetarit si Baton Haxhiu, të cilin e etiketon rëndom si Baton Stanishiçi për shkak të lidhjeve me ish shefin e sigurimit serb UDBA, aktualisht SDB.
Dukej sikur Foltoret e kishin edukuar edhe Syri.net në rrugën e rithemelimit sipas standarteve të shtypit të lirë. Por mjerisht, kjo reformë ishte sa për sy e faqe, sepse zgjati deri kur PD bëri zgjedhjet e forumeve, në të cilat u reflektua ngërçi midis dy gjelave, sa i përket të preferuarve, por kritikuesit e metodologjisë së vjetër që solli humbjet e PD mbetën rishtas jashtë. Po përmend Ibsen Elezin.
Tani tek Syri.net ne shohim në krah të Çim Pekës dhe elitës politike të opozitës Baton Stanishiçin! Duket se Çim Pekës, tani që ka rregulluar edhe të vëllain me një post në PD as që ia ndin më për deklaratat e Berishës për rithemelim të PD apo nofkat e Doktorit për Baton Haxhiun. Berisha po rropatet duke i rënë rreth e qark Shqipërisë, me Facebook e Tiktok ndërsa seria e prodhimit të llojit të politikanit si Lulzim Basha brenda PD po ia përgatit largimin që në zgjedhjet lokale.
Tani Dr.Berisha që ka premtuar “e treta e vërteta” i takon të distancohet nga syri.net e ta quajë syri.stanishiç për ndryshe këto gafa “tolerance” me kalbësirat do të kenë çmim direkt për Berishën në zgjedhjet lokale, ku tashmë është sanksionuar në statut se kryetari humbës jep dorëheqjen.
Një kujtesë edhe për Dr.Berishën, edhe për Çim Pekën me strategë, se baza e Foltoreve që i dha besimin për të tretën herë duke mos marrë në konsideratë as vendimin e DASH, nuk ha më asnjë lloj bari. Ose PD do të rithemelohet, ose do të zhduket. Se edhe 9 vjet e udhëhequr nga trashëgimtari i Sali Berishës, Lulzim Basha, ishte de facto e zhdukur.
Komentet