Një ditë përpara se të shkoje për ndërhyrjen, folëm në telefon. Ti ishe besimplot se do ia dilje…, por paska qenë fatale!Sa shumë do na mungosh! Bisedat me Ty, mik, ishin aq të këndshme, aq me vlerë dhe aq të gëzuara! Arti yt na e bëri jetën më humane, sepse në filmat e tu ky ishte thelbi, zemra dhe shpirti, njerëzorja. Sa bukur e vizatoje si emocion, si vërtetësi, si jetësore! çfarë të them më parë te “ Udha e shkronjave”?
Tre aktorë, tri profile, tri botë të ndryshme njerëzore, tre aktorë të mëdhenj , në një ansambël filmik kulmor!“ Flutura në kabinën time”, një tjetër perlë e artit tënd filmik…! Njerëzit e thjeshtë të qyteteve të vogla dhe bota e madhe, ëndrrat dhe pasionet , brengat dhe dilemat…
“Dasma e Sakos”, një arritje e kinematografisë sonë… Me kamerën hungareze, metafora groteske e jetës së zbrazur…“Dhe vjen një ditë”, çfarë natyraliteti! Një skenë në stacionin e trenit, në dëborë, dhe një vëlla që pret me kalin shaluar vëllanë e veshur me luksin e kryeqytetit…
Po figurën e Petro Nini Luarasit, te filmi “Kush vdes në këmbë”? Një arritje e shkëlqyer e kinematografisë shqiptare…!
“Era e ngrohtë e thellësive”, oh, sikur ishe rritur në minierë, i dashur Ladi…!
Në biografinë tënde ka edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, por unë do doja të them sërish atë që të thoja:” Dokumentari yt për Skënderbeun është një nga kryeveprat më të bukura, që na le pas, jo vetëm ne, spektatorëve, por edhe kulturës e kujtesës dokumentare!”
Po e rrallon pyllin e artit filmik, mik i dashur! Iku Rikard Ljarja, iku Kristaq Dhamo, iku Petrit Ruka, iku Kristaq Mitro…, dhe tani ti, i dashur Vladimir…
Kjo pasuri kombëtare , e krijuar në dekada, ka qenë fryti i pasioneve, shkollimit, dashurisë për filmin dhe sakrificës.Vladimir Prifti, ky institucion i regjisë, provoi pothuaj të gjitha llojet e artit filmik…Na ke lënë si pasuri : filmin artistik, filmin televiziv, teledramën, dokumentarin televiziv, dokumentarin filmik.
Vladimir Prifti ishte artisti i ngjizur nga kultura, i ndërtuar nga punët e pangjashme, ka një art të butë, pa sforco, pa mjete joartistike që dëmtonin artin në shoqërinë e djeshme…
Do na marrë malli , mik…, shumë!
Njeriu i mirë, Vladimir Prifti, nuk do të jetë më mes nesh fizikisht…, por me artin e tij do i mbetet të gjitha kohërave…!
I paharruar artisti i madh, miku im dhe i gjithe shqiptareve ! Mirenjohje per artin qe na ka lene pas!