Këmbëngulja e Bidenit, e kthyer në kryeneçësi, u ndesh me rreptësitë e papritura t’urdhëruara nga mosha e tij e shtyrë. Së fundi presidenti i u dorëzua fakteve.
Një vendim i pritshëm, tashmë pashmangshëm, por që ka lënë për shumë kohë jo vetëm partinë demokratike dhe të gjithë Shtetet e Bashkuar në mëshirën e një heshtjeje tejet njerëzore të një udhëheqësi planetar të kthyer – nuk dijmë se sa shkallë shkallë apo për një rënieje të papritur – në një të moshuar ende në gjëndje të kuptojë e të kërkojë, i kthjellët në pjesën më të madhe të kohës, por mendërisht gjithnjë e më i ngadaltë. E ndoshta nuk është në gjëndje të vlerësojë plotësisht pasojat e ngurimeve të tij.
Tregimet anonime flasin për familiarë, gjithmonë mbështetës të ambicieve të tij politike dhe vendimit për t’u kandiduar për një mandat të dytë, që nga një javë kërkojnë t’a përgatisin për dorëheqjen. Duke gjetur sidoqoftë vështirësi në thyerjen e qëndresës së një luftëtari, të cilit nga rinia e parë i është dashur të luftojë me belbëzimet e përqeshjet e shokëve të shkollës. E që ka kundërvepruar ndaj ndeshtrashave duke i dhënë vetes synimin më ambicioz. “Do të bëhem president” tha duke i u paraqitur mamasë së të fejuarës së tij të parë.
Ia arriti kur dukej jashtë kohës së mundëshme mbas një jete suksesesh, tragjedish, hidhërimesh, gjithënjë i bindur se ishte i nënvlerësuar ngs partia e tij, deri edhe nga ai Barak Obama që e bëri zëvendëspresident e më pas qe përcaktuesi i zgjedhjes së tij, katër vite më parë.
Këmbëngulja e kthyer në kryeneçësi, vullneti për të qëndruar në skenë, për të sfiduar përsëri Trumpin, edhe se në 2020 kishte premtuar se ishte një urë kundrejt brezave të rinj të politikës demokratike. Tani shtangësitë e papritura të plakut kanë trasformuar atë që do të mund të kishte qënë një fazë e vështirë por megjithatë e mbarështueshme e kalesës politike në një dramë shekspiriane.
Anomali të demokracisë t’asaj që e kemi quajtur Bota e Re: kombi i ri dhe dinamik, në të cilin po bënin beleg dy tetëdhjetëvjeçarë për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vendimet shumë të rëndësishme të Gjykatës së Lartë u janë besuar 9 gjyqtarëve të moshuar, të emëruar përjetësisht. Ende: personazhet që ditët e fundit janë shqetësuar më shumë për të shtyrë Bidenin të tërhiqet (Nancy Pelozi) o për të qëndruar (Bernie Sanders) janë mbi tetëdhjetë vitesh.
Së fundi Bideni u dorëzua para hulumtimeve të porositur nga vetë Shtëpia e Bardhë e të vërtetuar nga besnikët e saj. Duke mbetur pa frymë deri atëherë,drejtuesit e partisë mbasi u liruan me një frymëmarrje të fuqishme i njohën Bidenit meritën që me flijimin e tij kishte shpëtuar demokracinë amerikane. Përtej mundit dhe emfazës së çastit, mbetet e gjitha për t’u parë, nëse duke u nisur me kaqë vonesë e me vështirësinë për të gjendur një zëvendës për t’a futur në biletën e Kamala Harrisit, a do t’arrijnë demokratët të ravijëzojnë një fushatë të efektëshme.
Duhet të gjejnë shpejt një marrëveshje politike, të lëshojnë një fushatë të vlefshme, të shmangin pengesa e kurthe ligjore që republikanët po mbjellin në ecjen e tyre, të kërkojnë në ligjet zgjedhore të Shteteve të Bashkimit, të gjithë të ndryshëm njëri nga tjetri, diçka që të lejojë pengimin ose kundërshtimin e hyrjes së kandidatëve të rinj në listat për zgjedhjet presidenciale.
Donald Trumpi, i shpëtuar nga martirizimi dhe i kthyer nga një mbledhje për të triumfale, mbetet i vështirë për t’u mundur. Por tani që Bideni u tërhoq, edhe ai papritmas duket shumë i vjetër, herë herë i çoroditur. Për popullin e tij ai është më shumë se një udhëheqës hirplotë, madje si lajmëtar i të Plotfuqishmit. Por ligjet e politikës janë të pamëshirshme e tradhëtitë gjithmonë mbas qosheve. Besnikut skajor Tucker Carlson, bri Trumpit gjatë gjithë konventës, i kanë bërë një pyetje se përse, së fundi, Donaldi ka zgjedhur si zëvenës ID Vance: sot një besnik skajor, në të shkuarën armik i tij i betuar.
Përgjigja: “Sepse ndërmjet gjithë atyre që janë marrë në konsideratë për çiftimin , JD është i vetmi që nuk e urren fshehtas”.
“Corriere della Sera, 22 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika