Pjesa e tretë
Liri Belishova, ish-funksionarja e lartë e Rinisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që nga mbarimi i Luftës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, deri në vitin 1961, e cila më pas u godit dhe u dënua nga Enver Hoxha, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve për tri dekada me radhë, në një intervistë të saj, pak kohë para se të ndahej nga jeta, do të rrëfente shumë episode që lidhen me jetën e saj, por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën atë familjarisht, deri në shembjen e regjimit komunist, në fundin e vitin 1990. Në këtë intervistë të gjatë, ajo tregon edhe shumë episode të tjera që lidhen me vdekjen e ish-të fejuarit të saj, Nako Spiru, por edhe shumë vrasje, burgosje, internime, e të tjera persekucione, që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, ndërmorën ndaj shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, njerëz dhe personalitete me shumë kontribut gjatë Luftës dhe pas saj.
Znj. Belishova, po deputetët e Kuvendit Popullor, që tentuan të krijonin një grup opozitar, jashtë Frontit?
Këtu është tjetër gjë. Këtu është haptas ana më negative e Enver Hoxhës, e partisë së tij dhe e diktaturës së proletariatit, që u instalua sepse, deputetët ishin jo vetëm patriotë dhe jo vetëm demokratë, por mbi të gjitha, ishin antifashistë. Kishe të bëje me Shefqet Bejën, që ishte nënkryetar i Frontit Demokratik; kishe të bëje me Riza Danin që, ishte Kryetar i Frontit të Shkodrës; me Gjergj Kokoshin, me Enver Sazanin. Këta ishin antifashistë, këta u vranë vetëm se nuk ishin për diktaturën komuniste.
Këta njerëz, nuk kanë qenë antikomunistë, këta njerëz kanë qenë për një bashkëpunim me komunistët, por e mendonin që komunistët do të instalonin një pushtet demokratik, do të respektonin disa rregulla të lojës. Sepse duhet të kemi parasysh faktin që, anglo-amerikanët bënë aleancë me Bashkimit Sovjetik për të luftuar atë që ishte rreziku kryesor, fashistët dhe nazistët, influencoi tek këta patriotë të bënin aleancë më komunistët për të luftuar fashizmin. Ata edhe kanë qenë duke menduar se Shqipëria e ardhme do të varej nga vota e popullit dhe do të ishte një Shqipëri demokratike.
Si arritët ju të ngjisnit shkallët hierarkike të karrierës, duke u bërë në fund të viteve ’50-të, një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit?
Nuk kam qenë, është opinion i gabuar. Anëtare e Byrosë, po kam qenë, por duhet të keni këtë parasysh që, nuk kanë qenë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike njerëz të fuqishëm. Unë u bëra anëtare e Byrosë në Kongresin e Parë në fund të vitit 1948 dhe pastaj më 1951-in, shkova në Moskë me një grup tjetër shokësh, si Ramiz Alia, Pirro Kondi, etj., dhe kreva shkollën e lartë të Partisë pranë Komitetit Qendror, që ishte si një lloj Fakulteti i Shkencave Politike dhe diplomën e merrnim nga Ministria e Arsimit të Lartë të Bashkimit Sovjetik.
Kur u ktheva që andej, pozitat e mia ishin përpara syve të Enver Hoxhës, të forcuara sepse, ai filloi të bisedonte me mua ndryshe nga më përpara. Në Kongresin e Parë, ku u bëra unë anëtare e Byrosë, besoj që Enver Hoxha donte në një mënyrë ose në një tjetër, vrasjen e Nako Spiros.
Po mbasi u kthyet nga shkolla e partisë në Moskë?
Pra, atëherë unë u bëra Sekretare e Propagandës dhe Enver Hoxha filloi të më trajtonte ndryshe, e dëgjonte më me vëmendje mendimin tim. Kjo është një gjë interesante, që më ka bërë përshtypje. Kurse, pas Kongresit të XX-të të Partisë, në takimet me këtë njeri, disa herë kur unë flisja për problemet që më dilnin dhe doja aprovimin e tij, ai më shikonte me njëfarë keqardhjeje. Nuk e di, si ta shpjegoj këtë gjë. Unë mendoj që Enver Hoxha, nuk ishte ai që është paraqitur, nuk ishte ai që thoshte ato që thoshte, kishte të tjera mendime.
A e dinit ju në atë kohë, që ju kishit ardhur tashmë në kokën e drejtuesve të lartë të komunizmit, se kjo kastë po krijonte një grumbull privilegjesh që ishin krejt e kundërta e propagandës që ajo bënte?
Unë kam gjetur një ndryshim të madh kur kam ardhur nga shkolla në fund të vitit 1954. Kishte ndryshuar premtimi i Byrosë Politike. Sa isha e martuar me Nakon, privilegje ka pasur Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Nakua. Pastaj, filluan të kenë këta që ishin më afër Enver Hoxhës: Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Bedri Spahiu. Duke i eliminuar këta, u ngrit Hysni Kapo. Ne të tjerët jo. Kurse, kur erdha që andej, kisha dy oficerë roje përveç shoferit.
Në shtëpi, ishte ajo praktika që të kisha shërbyese dhe kuzhinier. Përveç rrogës që merrnim, nuk paguanim qira, nuk paguanim drita, ujë etj. Ndoshta këto privilegje nuk kanë qenë shumë të mëdha, po t’i krahasoje me privilegjet, që mund të kishin udhëheqësit e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, po duhet të kemi parasysh edhe proporcionet si vende, që ishin 200 e ca milion, me 1 milion njerëz që ishim ne dhe zhvillimin ekonomik krejt të ndryshëm, ku dihej se në çfarë gjendje jetonte populli. Kishim dyqan të veçantë për ushqime, dyqan të veçantë për veshmbathje, shtëpi nëpër rrethe, shtëpi në plazh, etj.
A e njihnit ju realitetin në Shqipëri, a e dinit që vendi ishte duke u varfëruar?
Të them të drejtën, që ta njohësh “Ferrin” duhet të vesh në “Ferr”. Kur je në “Parajsë” është shumë vështirë ta kuptosh se si është “Ferri”. Pra, dua të them që nuk kam qenë shumë koshiente, sesi ishte gjendja e vërtetë e popullit.
Po a e dinit ju që në vend kishte filluar një mekanizëm i tmerrshëm shtypjeje, që kishte shumë krime që po bëheshin?
Ka qenë ajo, që ne u edukuam me urrejtje: që armiku i klasës dhe antikomunistët, duheshin likuiduar dhe shfarosur. Por, sidoqoftë, çdo njeri e ka instiktive ndjenjën e humanizmit dhe një lloj shpirti demokratik. Kjo gjë, dhe një lloj kulture që e krijon njeriu duke lexuar, influencuan tek unë, që të më bëjnë përshtypje shumë gjëra. Megjithatë, ishin gjëra, që unë i mbysja.
Të gjithë shokët e tjerë, që kanë pasur një konstruksion shpirtëror, mendor, pak a shumë si unë edhe kur na lindnin mendime kritike, për atë që bënte partia jonë, shteti ynë i diktaturës së proletariatit, ne përpiqeshim t’i mbysnim, i quanim si herezi.
Nuk e di a e keni parë filmin e një murgeshe, të cilës i lindin mendime krejtësisht njerëzore dhe ajo i quante herezi dhe pastaj në qeli me kamxhik, e rrihte veten deri në gjak. Unë nuk e kam rrahur veten me kamxhik, por sidoqoftë vuaja, mendoja se duke ardhur nga një klasë e pasur, nuk jam plotësisht komuniste si duhej.
Tani, a ndjeni përgjegjësi që keni qenë pjesë e atij mekanizmi?
Ndjej patjetër, madje përgjegjësi shumë të madhe. Jo vetëm që ne nuk i realizuam premtimet që i dhamë popullit; por edhe ëndrrat tona, për të cilat sakrifikuam rininë tonë dhe ëndrrat e shokëve që na janë vrarë nëpër duar, që nga Qemali, tek Margarita e, shumë shumë të tjerë. Dëshmor u quajt edhe Nako Spiro, sepse as ëndrrat e tij nuk i realizuam, por i shkaktuam popullit shumë dëme. Dhe pjesa më e dëmshme, më e dhimbshme patjetër, kanë qenë represionet.
Megjithatë, ende askush, nuk ka kërkuar një falje publike për këtë…?!
Unë gjej rastin për veten time, që të kërkoj ndjesë, t’i kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim sepse, duke u nisur që t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme. Unë për veten time, e ndjej veten krenare, që luftova pa kursyer asgjë, kundra okupatorëve dhe këtë e quaj pozitive, kur i bëj gjyqin Liri Belishovës.
E quaj pozitive që munda të kuptoj, nën ndikimin edhe të Nako Spiros, atë që po ndodhte në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe në rini unë kam mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe e kam mbështetur Nako Spiron, jo vetëm si bashkëshortin tim, por e kam mbështetur pikërisht sepse ai mbrojti interesat e Shqipërisë.
Dhe, atëherë, unë jam dënuar jo vetëm se isha gruaja e Nako Spiros, por se kisha mbajtur qëndrime, që u quajtën atëherë anti-jugosllave. Qëndrimet nuk ishin anti-jugosllave, ato ishin të mbroheshin të drejtat e Shqipërisë.
E quaj veten prapë, me një meritë që në vitin 1960, kur në lëvizjen komuniste filluan të kristalizoheshin dy rrugë, ajo e filluar me Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që u quajt revizioniste, por që ishte në fakt, një rrugë reformatore, liberale dhe një rrugë paqësore, një rrugë që e lehtësoi shumë rrugën e popujve të këtyre vendeve dhe e bëri më të lehtë tranzicionin.
Unë mbajta një qëndrim të drejtë. E justifikoj veten edhe me këtë gjë, që mosha ishte shumë e re dhe indoktrinimi nuk të lejonte, sepse ishte dhe mungesa e informacionit. A e dini që unë nuk e dija që ekzistonte një Oruell në botë, pale veprat e tija. Unë nuk dija se çfarë kritike i bëhej komunizmit.
Kur filluan mosmarrëveshjet e para tuajat me Enver Hoxhën?
Në brendësinë time, por jo të shfaqura. Unë thashë se më kanë bërë përshtypje represionet, për shembull kur kam marrë vesh se është pushkatuar pa gjyq S.Q., Për atë vajzë kam pasur simpati të madhe, sepse ka qenë me të vërtetë një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së asaj kohë dhe një grua e mrekullueshme dhe për të më ka folur shumë edhe Nako Spiro, i cili e ka njohur në kohën kur studionte në Universitetin e Torinos.
Një gjë tjetër, që më ka filluar të më shqetësojë, kanë qenë kritikat që bënte Stalini për Enver Hoxhën për sektarizëm dhe ky ka qenë Enver Hoxha i viteve ’60-të, jo Enver Hoxha që vazhdoi dhe sidomos, pas viteve ’60-të, se ekstremi nuk njohu më kufij. Një kritikë e Stalinit ka qenë, mos u shpejtoni me kolektivizimin sepse, jeni një vend i vogël, i varfër, malor.
Unë kam pasur dhe një eksperiencë personale, por po përmend njërën. Në kohën kur ishte dhënë direktiva që shpejtohej kolektivizimi, u ndodha rastësisht në Shkodër, për një aktiv për arsimin. Mirëpo, atje gjeta dy gjeneralët e parë të dëgjuar, Sadik Bekteshin dhe Qazim Kapisyzin, dy heronj të Shkodrës, të veshur “grand” uniformë, alamet djemsh, që i donte shumë Shkodra.
Dhe, ata më qanë hallin se nuk po ngrinin dot kooperativën në një fshat të Shkodrës dhe m’u lutën me insistim që, të shkoja dhe unë me autoritetin e bashkëpunëtores së Enver Hoxhës. Që kur vajta në atë mbledhje, që kishte vetëm burra, nga një për familje dhe ishin jo të rinj, më bëri shumë përshtypje se të gjithë nxinin, sikur kishte ndodhur ndonjë vdekje.
E hapëm mbledhjen, folëm për rëndësinë e kooperativave, si na mësonte Enveri etj. Nuk pranonin fshatarët që të ngrihej kooperativa dhe nuk flisnin, megjithëse flisnin Sadiku, Qazimi sekretarët e partisë. E mbaj mend njërin, që më ka mbetur edhe sot e kësaj dite në mëndje, zëri i tij, i cili tha: “Jo nuk jam kundra Partisë, nuk jam kundra shokut Enver, por ju lutem të më lini vetëm një ditë afat sa ta martoj vëllain dhe pastaj do t’ja dorëzoj të gjitha Partisë”.
Kështu e kuptonte ai kolektivizimin. Kur u ktheva në Tiranë, duke menduar më mirë si t’ia them në mënyrën më të pranueshme Enver Hoxhës, ia thashë këtë gjë dhe shkaktova një rrebesh të vërtetë, një furtunë: “Liri Belishova, ke shkarë në pozita… ata fshatarë janë patriotë dhe partia do t’i sqarojë dhe kooperativa do të ngrihet”!
Një gjë tjetër, që më ka bërë përshtypje, ka qenë edhe ajo kritika tjetër e Stalinit, që mos u nxitoni në kolektivizimin e zanatçinjve, biles përkundrazi, favorizoni shkëmbimin e tregtisë, zhvillimin e industrisë së vogël, etj.
Kurse ne, arritëm deri aty, sa u kolektivizuan edhe lustraxhinjtë, ne arritëm deri atje sa, fshatari e merrte qumështin në gotën e ujit në një fshat si Progonati, që ka pasur 80 mijë kokë dele, ku dhe fshatari më i varfër, kishte mbi 100 kokë dele.
Cili ka qenë shkaku konkret i prishjes tuaj me Enver Hoxhën?
Përplasja zyrtare me Enver Hoxhën ka ndodhur në pranverën e vitit 1960. Atëherë ishte 90 vjetori i lindjes së Leninit dhe u shpall si një vit jubilar për të gjitha Partitë Komuniste. Partia Komuniste e jona botoi një seri artikujsh me titullin “Rroftë Leninizmi”. Në fakt, ato ishin “Rroftë Stalinizmi”.
Godisnin revizionizmin modern pa emër, ose revizionizmin jugosllav, por ishte si t’i bije penxheres, që të dëgjojë dera. Këtu kritikohej Kongresi i XX-të dhe rryma që filloi nga ai. Atëherë drejtori i ATSH-së, ishte Thanas Nano, babai i Fatos Nanos.
Ai i dërgonte lajmet në dy zarfe: zarfeve speciale që kishin lajme shumë sekrete, njëri ishte blu dhe i shkonte Radios dhe gjithë gazetave, pra ata mund të botonin; kurse njëri ishte jeshil dhe atje botoheshin lajmet e Rojterit, që Sekretari i Propagandës, (që isha unë), mund të autorizonte botimin e materialeve, por që zakonisht nuk botoheshin.
Në këtë zarfin jeshil, duke kaluar koha, filluan të futen edhe lajme që vinin nga kampi socialist, por që ne nuk na interesonin dhe Thanas Nano, në këtë rast u tregua i zgjuar. E kuptoi që këto materiale ishin kundra qëndrimit zyrtar dhe i futi në zarfin jeshil. Kështu që gazetat nuk i botuan. Mirëpo, pasi kishin kaluar mjaft ditë në të vërtetë, dhe nuk e di pse u vonua kaq shumë, Enver Hoxha, më thirri një ditë në zyrën e tij dhe më tha: “Pse nuk janë botuar artikujt”.
Dhe unë fillova t’i them: “Shoku Enver, këtu në fakt është kritika kundër Kongresit të XX-të, mirëpo në Kongresin e III-të raportin e keni mbajtur ju dhe atje Kongresi i XX-të, quhet si një program historik; e dyta ju keni vënë firmën në mbledhjen e të gjitha Partive Komuniste që u bë më 1947-ën në Moskë, me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit dhe atë deklaratë, e keni firmuar Ju”, dhe argumente të tjera të këtij lloji. Enver Hoxha më tha: “Mirë nuk do t’i botojmë”.
Mirëpo, më thirri prapë dhe më tha: “Biseduam me shokët”! Shokët, kuptohet, ishin Enveri dhe Hysniu se, për të tjerët as që pyeste ai, “dhe thanë që duhen botuar”. Atëherë unë thirra në ndihmë arsenalin tim, marksist-leninist nga shkolla. Atëherë isha akoma me tru të freskët, sa isha kthyer nga Moska dhe i mbaja përmendësh Marksin, Engelsin dhe Leninin dhe prapë Enver Hoxha më tha; të mos botohen. Kurse, ditën e tretë e pashë që nga pamja, nuk kishte më vend për diskutim.
“Vendosëm me shokët të botohet një përmbledhje e shkurtër, që mos t’i mbetet qejfi shokëve”- tha ai. Tentova me gjysëm zëri e i thashë: “Shoku Enver, po do t’i mbetet qejfi shokëve sovjetikë dhe do të thonë se ne kemi rënë dakord”. “Jo, jo, kështu”, tha. “Është zor të shkurtohen”, tentativa e dytë, “sepse është shtylla vertebrore, është shumë zor”. “Jo, merr një shok, -tha- dhe shkurtoji”.
Atëherë shokun që mund të merrja, ishte zëvendësi im, Ramiz Alia, drejtor i Propagandës, dhe u ulëm bashkë Ramizin t’i shkurtonim. Nuk shkurtoheshin dhe unë në një moment u ngrita edhe thashë: “Këto nuk shkurtohen, do vete t’i them shokut Enver”. Ramizi më tha: Ulu. Në të vërtetë, kishim shoqëri që nga koha e Luftës, shkollën e kishim bërë bashkë, kishim punuar bashkë edhe kur isha unë sekretare e propagandës, ai lidhej me mua.
“Çtë duhet ty”, më tha. “Si ç’më duhet” thashë unë, “por këto janë haptas Rroftë Stalini”. “A ta dhanë urdhrin”, më tha- “ata e kanë përgjegjësinë”. “Po ne pse e bëmë shkollën?”, i thashë unë, “ne e bëmë shkollën për t’i ndihmuar shokët”, tha Ramizi. Unë nuk e dëgjova dhe vajta tek Enveri dhe pasi i thashë unë, atje e ka marrë vendimin për mua, se më pa në një mënyrë të atillë që, ishte e qartë se çfarë do të më ndodhte dhe më tha: “Ne Liri, nuk do t’i botojmë” dhe nuk u botuan artikujt, por u botuan pasi kisha ikur unë, i botoi ambasada kineze, sigurisht me sugjerimin e Enverit, në një broshurë.
Ka një koment sipas të cilit, në momentin ju keni qenë në një vizitë zyrtare në Kinë, keni pasur një qëndrim të ndryshëm nga ai që kishte delegacioni i Partisë së Punës së Shqipërisë?
Nuk është e drejtë. Në fillim, shkrimet që shkruhen për konfliktin sovjeto-shqiptar të vitit 1960, kanë një gabim ose moskuptim, sepse nuk vihet në dukje, ajo që ju thashë më përpara, që pas vdekjes së Stalinit në Kongresin e XX-të, në lëvizjen komuniste, filloi një rrymë e re. Ishte kjo rryma, e cila u quajt revizioniste, pak liberale, pak demokratike, po që pati një rëndësi të madhe që, ua lehtësoi jetën këtyre popujve.
Pas vdekjes së Stalinit nuk u pushkatua njeri, arrestimet ishin minimale, internimet minimale, u liruan me trena njerëzit e dënuar pa të drejtë dhe kështu dhe në vendet e tjera. Edhe niveli i jetës u ngrit dhe sidomos pati rëndësi kjo rrymë, për evitimin e luftës termo-bërthamore se ashtu siç e kishte nisur Stalini dhe ashtu si vazhdoi Enveri, po të kishte fuqi, se s’kishte fuqi, bota patjetër do të kishte shkuar drejt katastrofës atomike.
Kurse ajo vijë politikë që ndoqi Bashkimi Sovjetik, për një bashkëjetesë paqësore, për një marrëdhënie midis Lindjes dhe Perëndimit, për dialog në fushën e Çarmatimit etj., unë them që i solli njerëzimit një fitore shume të madhe, evitoi Luftën e Tretë Botërore, që ishte Lufta Atomike. Luftëra ka patur dhe ka, por të paktën luftë botërore nuk pati. /Memorie.al