Më në fund, pas një pune më shumë se një dekadëshe, libri im me titull “Antropologjia e Artit”(1600 faqe) në dy vëllime me pothuaj 800 faqe se cili, pa dritën e botimit. Është shtëpia botuese Onufri që realizoi me shumë cilësi dhe përkushtim këtë botim, ndaj gjej rastin që të falenderoj këtë ent botues serioz dhe profesional. Libri është një punë e gjatë në kohë, me orë të të tëra ditën dhe natën, në udhëtim dhe në ëndërrime. Libri që të realizohej më kërkoi shumë dashuri por edhe më dha shumë dashuri nga ajo që të fal vetëm arti dhe artistët, të huaj dhe shqiptarë qofshin.
Arti, e bukura dhe filozofia janë një “trini” magjike veç e veç, por kur hyjnë në bisedë në shkëmbime dhe bashkëpunim, kur dhurojnë ndjenjat, mjetet e arsyetimit, kumtet dhe enigmat, krijohet një univers krejt i veçantë. Jeta e artistëve të vërtetë është arti i tyre i parë, më i bukuri dhe më sfidanti, atje në ato tallaze dhe ngjarje duhet të qëmtosh që të kuptosh se cilët janë detet e brëndëshme të tyre ku frymëzimi dhe vuajtja janë aq pranë në emër të lirisë. Në libër do gjeni studime të thella e të gjëra me referime të detajuara për artistë të shquar, ku janë të ndërkallura studimet filozofike të artit me përjetimet e mia si një “dashnor” besnik i artit.Eh…nuk po vijoj…E solla librin në jetë si edhe e kisha premtuar atë ditë qershori 2014, kur promovova librin tim “Epistolate-antropologjia e frymës”…Në fund të asaj mbrëmje u thash…Së shpejti takohemi me “Antropologjinë e Artit” dhe më tej me “Antropologjinë e Turmës.” Nga sot “Antropologjia e Artit” është në qarkullim dhe e gjeni në libraritë “Albania” dhe “Libri Universitar”….! Puna vazhdon për realizimin e premtimeve e tjera që i kam bërë vetes sime por dhe lexuesit pa të cilin asgjë nuk merr kuptim…
Përparim KABO
18.10.2020
Komentet