Ndryshe nga dasmat dhe fejesat ku gëzohej vetëm fisi e rrethi familjar, në ditën e festës gazmonin të gjithë dhe gjithkush mund të këndonte e vallzonte sipas dëshirës. Madje kjo festë popullore i kishte kapërcyer kufijtë vendorë, aq sa aty vinin edhe vizitorë e mysafirë nga krahina të largëta dhe dhera të panjohura.
Ditën e Festës, kur gratë dhe vajzat e qytetit, ashtu si nga mot, luanin valle të kënduara në sheshin e kishës, nëna e nëntë djemve shkoi te varrezat të qante nëntë djemtë e saj të vdekur. Tek varrezat ajo fjalosej me djemtë e saj sikur t’i kishte rreth zjarrit të vatrës. Mbi varrin e Kostandinit qëndroi më gjatë.
-Ta sjell unë sa herë ta kërkosh, – i pati premtuar Konstandini.
Oh, fjalë..rënkonte Nëna mbi gurin e Konstandinit që pati ngulmuar më shumë se vëllezërit e tjerë ta martonin motrën larg, në një mbretëri të Evropës që nuk i kujtonte dot as emrin. Qante Nëna nga dhimbja për nëntë djemtë e mbuluar me dhe, qante edhe nga malli për vajzën e gjallë, që s’e kishte parë qysh ditën që e përcolli nuse. Ta dinte Garentina gjëmën që pllakosi nënëzezën, do të kishte pasë ardhur një herë që të mos e linte të tretej çdo vit e më shumë në lotët e vet.
Pa djemtë, rruga e saj ishte shtëpi varrezë, varrezë shtëpi. Nëna zhuritej prej mungesës së vajzës. Ta kishte pasë pasur pranë, do të kishte një prehër ku të vinte kokën, një zemër ku të zbraste dertet, një krah ku të mbështeste duart. Mirëpo ajo ishte martuar larg dhe nëna kish mbetur fillikate e zemërshkrumb.
Shtatë vjet më parë, mes mysafirëve të festës pati ardhur një djalë i pashëm, veshur me rroba të shtrenjta, ngjeshur në arme të lara, hipur mbi një dori pullali. Dukej që atje tej se qe prej derë bujare. Sa e pa Garentinen duke hequr vallen, u befasua nga hiret e saj, nga harmonia e vallëzimit dhe ëmbëlsia e zërit sa fisniku shfaqi dëshirën të njihej me të.
-Rriji larg sherrit, o mik, – e këshilloi shoqëruesi, – se këtu në Arbëri për aventura asisoji të shkon koka.
– Njohja është respekt, jo aventurë, – ngulmoi vizitori i largët.
– Asaj s’guxon t’i afrohet kush, sepse ka nëntë vëllezër me armë në brez, të gatshëm të mbrojnë nderin dhe dinjitetin e familjes.
-Atëherë ajo qenka Garentina! – tha fisniku i huaj, sepse nami për bukurinë e saj kishte kapërcyer sinorët e qytetit të vogël.
Ai e kërkoi dorën e saj dhe në familjen e Garentinës u ndez diskutimi pro e kundër atij propozimi. Tetë vëllezër e quanin fatlum martesën e motrës me një princ evropian. Ata ishin të zellshëm të shpalosnin zotësitë e tyre luftarake në beteja e fushata ushtarake, ndërsa nëna dhe vëllai i madh arsyetonin se largësia do t’i ndante për së gjalli me Garentinën.
-Fat më të mirë s’mund të lakmonim për motrën tonë, – ndërhyri Konstandini. – Jepu uratën Nënë se princa fisnikë nuk trokasin çdo ditë në portë. Kjo krushqi me një familje të nderuar e lartëson edhe emrin tonë. Garentina do t’ia jetë zonjë në një derë fisnike dhe ne do jemi krushqi me një princ që gëzon prestigj te madh në vendin e vet.
-E di se fati është si zogu që të vjen në dorë vetëm njëherë – ia ktheu nena. Garentina për vete do t’i ketë gjithë te mirat, veç zemra me rreshken kur mendoj se nuk do ta kem pranë. Një vajzë kam, njëzë te vetme, si ta katis në fund të rruzullit? Vajza për nënën është shkop i pleqërisë, kasaforta e brengave, ku ta gjej kur dua të zbraz dertet e shpirtit tij?
-Po të jap besën para vëllezërve dhe Garentinës se edhe i vdekur të jem, nga varri do të ngrihem e do ta sjell, – i tha Konstandini .
-Nëna u bind, tha “U trashëgoftë!” dhe pas dy javësh Garentina u nis nuse bashkë me dhëndërrin në mbretërinë e largët.
Pas katër vitesh ngjau mënxyra e padëgjuar që s’ka gojë njeriu ta rrëfejë. Për të kënaqur djemtë pas kreshmimit, Nena gatoi kulaçe gruri dhe vorbën me thela mishi e la anës zjarrit te vakur, mezet dhe ëmbëlsirën në cep të dollapit. Kur u fut në ashef të merrte mësallat, lugët e misurët për të shtruar dreken, pa nje stihi që po spërdridhej pranë oxhakut. Mori fshesën ta godiste, por gjarpri i nëmur shkau sakaq poshtë derës së oborrit dhe humbi sysh sikur ta kishte përpirë dheu. Nena u kthye në kuzhinë ku e përgatiti sofrën dhe pastaj shkoi te nxirrte prej dollapit lagjinin me vere. Djemte sa u burbuletën me lugën e parë të gjellës, ndjenë therje të forta barku, nisën të përpëliten dhe zbehen, e humbën vetëdijen dhe njëri pas tjetrit dhanë shpirt se stihia kishte shtënë helmin e saj në vorbë pa e parë askush. Kur u kthye nëna dhe pa të nëntë djemtë meit, lagjini iu thërmua copë e çikë dhe rrëkejtë e kuq të verës u krijuan sakaq në këmbët e saj të mpira. Prej pamjes së mënxyrshme, nëna u drunjëzua sa lotët i ngrinë në sy dhe zëri iu shua.
Nëntë trima mbuluar me dhe, nëntë varre dhe nëntë plagë në zemër. Nëna vajtonte me ligje të cilat i buronin vetvetiu nga shpirti i shkrumbosur.
Qysh duron moj zemra ime?
Qysh duron e nuk pëlcet,
Nëntë djem shtrirë në dhe.
Mbeta kërcure përjetë:
Si një lis pa degë e fletë.
Pse s’vjen morti të më marrë;
Të shpëtoj, të mos jem gjallë.
As vajzën pranë s’e kam;
As ajo nuk ma qan hall;
Konstandin më dhe fjalën,
Të më sjellësh Garentinën,
Konstandin, a po dëgjon,
Nënë-zeza ç’ të kërkon?
Kur e shprazi vajtimin, kur i derdhi lotët dhe i shfreu ngashërimet, u ngrit duke shikuar malet e lindjes andej nga kishte ikur Garentina, i vetmi ‘evlat’ për Nënën e zhuritur, i vetmi ngushëllim i shpirtit.
Kostandini dëgjoi vajet rrënqethëse të Nënës dhe qortimet e saj për premtimin e dhënë dhe namëta u ngrit në këmbë. Kryqi i gurtë iu bë kalë, rrasa e gurit shale, lulja e lirit fre dhe ai u nis fluturim te e motra.
Kur ia afrua portave të mbretërisë dëgjoj ahengun e festës që vinte nga turmat e njerëzve në sheshin pranë katedrales. Ai e kërkoi me sy Garentinën, dhe i bëri shenjë të afrohej. Ajo doli nga rrethi i valles dhe rendi drejt tij ta përqafonte. Me butësi ai iu shmag duke thënë se qe gjithë pluhur.
-S’ka gajle, – ia ktheu ajo dhe për t’i treguar se edhe pluhuri mbi faqet e vëllait qe i dashur për të, u zgjat drejt tij dhe e puthi. Faqja e tij e ftohtë akull.
-Vëllai i motrës, ti ke ngrirë. Faqet i ke akull… – iu dhimbs asaj.
– Nga thëllimi i maleve, – e qetësoi ai. – Po ftohtë nuk ndjej aspak.
Vëllai qe paksa i zbehtë sikur reflektonte një dritë hënore, edhe pse pasditja ishte plot ngrohtësi.
-Eja të shkojmë në shtëpi, të marrim një afsh të ngrohtë, – e luti ajo, – edhe tryezën e festës e kemi gati.
Përsëri me ton të butë, ai nuk pranoi duke i thënë se kishin rruga të gjatë përpara dhe duhet të arrinin pa rënë nata. Pastaj shtoi:
-Nënën e ka djegur malli për ty dhe nuk i durohet më pa të parë.
Për të shuar kureshtjen dhe dyshimin se nxitimi i tij kishte shkas ndonjë fatkeqësi, ajo e pyeti:
-Në qoftë rruga për ndonjë kob, – zot, si ma nxe goja këtë fjalë? – të vishem për mort, në është për gaz e festë të nisem si gjeraqinë.
-Kështu si je motër, me te mira s’ke ç’i do. Nena erdhi vetë dhe m’u lut…- pastaj heshti menjëherë se e ndjeu se foli pa menduar.
-Pse nuk jeni bashkë në një shtëpi? Ku të erdhi Nëna? – e pyeti e motra e shqetësuar.
-Në dhomën ku po flija, motër, – e qetësoi duke e ftuar të hipte me të në kalë.
Garentina vërejti ngjyrën e pazakonshme të doriut, që ngjante sikur të ishte stisur me fije bari të sapokositura.
-S’kam parë kurrë kalë të gjelbër, si ky yti. Në ç’vend e ke blerë këtë soj pa soj? -pyeti duke hukatur.
-U zhgrye në një livadh dhe u ngjyros si mos më mirë. Pak ujë do dhe boja ikën menjëherë, – shpjegoi ai.
Garentina deshi të merrte kalin e saj, por Konstandini i tha se gjokun ishte i fortë dhe mund t’i mbante të dy per bukuri. Ai kërceu mbi shalë i lehte si pupël, si të ish një pelerinë ajri. Ai i zgjati dorën për ta ndihmuar të hipte në kalë dhe Garentinës iu duk sikur dëgjoi disa kërkëllima të lehta kockash si të uleshe mbi jastëkë mbushur me ashikë.
Konstandini dhe Garentina u nisën për rrugë. Rruga nga kishte ardhur nuse kishte lënë gjurmë në kujtesën e saj për shkak të fushave pjellore, pllajave të buta, plantacioneve të pemëve, urave të gjata mbi lumej ku ujët dukej sikur flinte i patrazuar me shekuj, bujtinat e pastra, kështjellat me pirgje të lartë që shfaqeshin dhe zhdukeshin në horizont. Pas një kohë bukur të gjatë udhëtimi, Garentina nuk po haste asnjë nga ato peisazhe ndaj e pyeti vëllain:
-Konstandin, ku po shkojmë? S’më ngjan të kem ardhur kësaj rruge…- foli e shqetësuar se mos po shkonin në drejtim të gabuar.
-Kam zgjedhur një rrugë tjetër se kjo pret më shkurt. Do të habitesh sa shpejt do te arrijmë, – e qetësoi vëllai.
Garentina u kujtua se kishte ikur pa u përshëndetur me askënd. E kishte humbur mendjen aq sa t’i lejonte vetes një pakujdesi të tillë. “Unë jam shushkë,” e qortoi veten me zë. Konstandini qe shfaqur papritur dhe ata qenë nisur me ngut, por familja e bashkëshortit do të pezmatohej që Konstandini kishte ardhur deri aty dhe ishte firasur pa u takuar.
Kishte gabuar dhe nuk mund të shfajësohej kurrsesi prandaj duke shtrënguar duart pas mesit të vëllait, i tha;
-Konstandin, po ti si nuk u takove me tim shoq? – sado që u mundua të tregohej e matur, në zërin e saj ndihej qortimi.
-Duhet të kthehemi pa …
-Gjahtarët nuk lënë adresë… – ia ktheu Konstandini me të qeshur.
Të djelave dhe festave princi me shokët e tij dilnin për gjah. Garentina u lehtësua nga fjalët e vëllait që iu dukën arsyetim i logjikshëm dhe lëshoi një pshehrëtimë të shkurtër.
Kali qe lëshuar galop e jelja tundej përpara e prapa si një tufë bari kur e fryn era. Patkonjtë nuk dëgjoheshin fare sikur të shkelnin mbi një qilim pelushi. Garentina kishte ndjenjën sikur po notonte në ajër, e liruar nga rëndesa e gravitetit si në ëndrrat fluturuese të fëmijërisë.
Ndihej aq e lumtëruar sa nuk dëshironte gjë tjetër vec të jetonte në këtë udhëtim sa më gjatë të cilin e përjetonte pa vetëdije si përtëritje e një kohe të tejkaluar.
-Nuk po mund t’i dëgjoj potkonjtë e kalit. A mos e ke lënë pa mbathur? – e pyeti Garentina e sigurtë se ky kalërim nuk kishte asnjë lloj troshitje, asnjë lloj lodhje..
-Doriu im i ka thundrat me flatra, nuk e di ti?
-Mos do të thuash se fluturon? – vërejti Garentina me pak ironi. –Si mund të fluturojë pa krahë?
-Oh, kali kur merr vrull fluturon pak caste në erë. Pra kur grumbullon shumë vrull, fluturon më gjatë, – shpjegoi i vëllai përsëri me arsye.
-Atëherë do t’i tim shoq të blej një kalë të tillë….- shprehu dëshirën Garentina.
-Të tillë nuk mund të gjenden … – tha Konstandini pa lënë të kuptohej nëse ishte përgjigje me shpoti apo dredhim.
Garentina mbylli sytë dhe mbështeti kokën në shpinën e vëllait. Ndjeu një erë myku, sikur pelerina të kishte qëndruar e mbyllur gjatë në një sepet me lagështirë. Ajo e ngriti kokën vërtik dhe vuri re disa njolla të hirta e të çngjyrosura mbi copë.
-Vëllathi im Konstandin, pelerina jote ka zënë myk! – e thëna e saj qe alarmuese sikur po zbulonte diçka te frikshme.
-Është nga tymi i barutit, motër. Kur shkrehen dyfegjet tymi pahitet mbi rroba e duket si byk, edhe erën e kane aty-aty. – e qetësoi ai.
Sa të marra ishin pyetjet e saj! Sikur nuk e dinte si pahitej tymi i barotit mbi rrobat e leshta. Sa mirë që vëllai nuk zemërohej dhe nuk mërzitej me pyetjet pa kuptim.
Garentina ndjeu se po i vinte gjumë. Nuk e kuptoi nëse fjeti apo dremit, veç kur hapi sytë ndodhej përpara një liqeni të kaltër që vezullonte si pasqyrë në mes një gjelbërimi mahnitës. Buze tij mund të qëndronin një copë herë sa për t’u freskuar dhe aty mund t’ia hiqnin doriut bojën e gjelbër, dhe ta lanin me ujë, siç i kishte thënë vëllai parzi.
Por Konstandini nuk ia ktheu frerin as djathtas as majtas, dhe dukej se rrezik të binin mbi liqen.
-Konstandin, do mbytemi! – klithi ajo duke u shtrënguar pas tij.
-Harrove se po fluturojmë? – e qesëndisi pak. Ajo u qetësua menjëherë dhe hodhi sytë të sodiste liqenin. Mbi sipërfaqen e shndritshme të ujit hija e tyre shkiste si një njollë ku dallohej koka e kalit, trupi, këmbët, bishti i nderur prapa, kurse sipër kurrizit kalëronte vetëm një hije. Hija e saj. Ajo shkundi kokën për të larguar tufën e flokëve mbi fytyrë dhe briti:
-Vella, sa çudi! Ti s’bën hije… shiko mbi liqen!
Ai lëvizi paksa kokën anash dhe ai ktheu buzagaz:
-E kush mund të bëjë hije pranë një bukurie të tillë?
E ledhatuar nga komplimenti e falënderoi duke e pushtuar me krahë, por përsëri ndjeu sikur gishtrinjtë e saj hasën vetëm kocka nën pelerinë.
-Konstandin, t’u bëftë motra kurban , vetëm brinjët të paskan mbetur! Pse je dobësuar kaq shumë, ç’merak të bren? – e pyeti ajo.
-Prej disa vitesh jam kështu, po ndonjë dhimbje a sëmundje s’kam, – e qetësoi vëllai.
Garentina deshi t’i shihte sytë se iu duk sikur ia tha me qesëndi, po ai atë çast i grahu kalit. Peizazhi i rrugës së tyre ishte ende i panjohur për të dhe horizontin e priste një mjegull e dendur mur të cilës iu afruan edhe më. Garentina dalloi shtjella mjegulle që vërtiteshin anash si sprija për të përpirë ndonjë viktimë. Do të ishte mirë të mos zhyteshin përmes mjegullës, se me vrullin e galopit mund të përplaseshin pas ndonjë shkrepi ku do mbeteshin pre korbash. Mirëpo sa herë e kishte këshilluar të vëllain, kishte gabuar, ndaj vendosi ta mposhte frikën.
Ndjeu bulëza të imëta t’i zbrisnin mbi flokë, qerpikë, lëkurë e faqe. Ajri u ftoh sa i shkonin bromza dhe ajo u kujtua për thellimin e maleve që ndjeu kur e puthi të vëllanë në faqe. Kur e kur midis të çarave të mjegullës shkrepte një gjysmë hëne e kuqe gjak ndonëse në vakum nuk mund të përcaktohej nëse ishte ditë apo natë. Kur dolën prej mjegullnajës dhe dielli u shfaq në horizont, Garentina u shtendos dhe u mbush me frymë.
Por dielli filloi të digjte fort ndërsa kaluan mbi një shkretërirë me rërë e gurë të nxehtë përvëlues. Nuk shihej asnjë fshat, asnjë nga hanet prej druri e guri ku kishin bujtur me burrin në rrugëtimin pas dasmës! Atë çast u kujtua se vëllai i pati thënë se kishte zgjedhur tjetër rrugë që të arrinin sa më shpejt te nëna e malluar.
Larg në horizont u ngrit përpjetë një vijë malesh të thepisura me shkrepa e qafa, një vijëz aq e njohur të cilën Garentina mund ta shihte edhe me sytë mbyllur. Ishin malet e vendlindjes! Aty edhe ajri, edhe aromat e natyrës, edhe fëshfërimat e pemëve qene të njohura dhe tokësore, kurse pak më parë sapo kishin dalë nga shurdhëria e plotë dhe e gjithëpushtetshme e një boshësie kumbuese ku humbet zëri dhe tjetërsohet uni.
Duke shkuar mes një pylli të pacënuar, me drurë shekullorë, Garentina dalloi kurorat e tyre që bashkoheshin si ombrella të hapura dhe hijedrirat larushitnin lëndinat dhe trungjet me ngjyra fantastike. Zogjtë cicëronin nëpër degët e pemëve, duke iu gëzuar dritës e ngrohtësisë.
-Ciu ciu, ciu, sa çudi! Shkon i gjalli me të vdekurin.
Konstandini i grahu kalit te largohej prej atij zogu qe fliste me gjuhe njeriu, mirëpo zogu u lëshua fluturim pas tyre, me cicërimën e tij për kalërimin e një të gjalli me një të vdekur. Pastaj edhe zogjtë e tjerë, nisën te këndonin ne kor:
-Sa çudi, sa çudi, ciu ciu, shkon i gjalli me një të vdekur!
Pa e ditur se si mund ta kuptonte gjuhën e zogjve, motra e shqetësuar e pyeti Konstandinin:
-I dëgjon shpezët çfarë po thonë?
-Ç’iu vë veshin, motër? Këta mësojnë një avaz dhe e përsëritin përjetë, – iu përgjegj ai. – Edhe pas njëqind vjetësh te kalosh këtu, këtë cicërim do të dëgjosh.
-Të keqen motra, sa më qetësove, – u çlirua ajo, – Ktheju pak të t’i puth motra sytë.
Brenda lutjes kishte dhe një dredhi të vogël për t’i parë fytyrën vëllait, por ai ia ktheu:
-Ke harruar kujt i puthen sytë? Atyre që s’shihen më… – e qortoi ai butësisht.
-Më fal njëmijë herë më fal. Fale motrën tende shukllano se s’di c’thote… –iu përgjërua ajo e ngashëruar dhe me lot ne sy.
Ai e porositi të ruhej nga lanuret që mund t’i fshikullonin faqet dhe trupin tek kalonin një shteg mjaft të ngushtë. Garentina e ndjente se po i afroheshin vendlindjes. Përhedhja e sertit të maleve, luginat, kodrat valë-valë, zallishtet, përrenjtë, pllajat dhe arat qenë ashtu si i kishte ruajtur në kujtesën e saj, si i kishte lënë ne vashëri, si i kishte parë në fëmijëri.
“Zemër mbahu!” foli me vete. As te lëndina ku e kishin zakon të prisnin e të përcillnin nuset, ashtu si e kishin percjelle ditën e dasmës, as në hyrje të qytetit nuk po dukej asnjë njeri i vetëm. Lëndina dukej krejt e shkretë dhe e braktisur, sa asaj iu rrënqeth zemra prej angushtisë.
-Konstanin, vëllathi im, nuk po shoh njeri te na prese – i tha e pezmatuar. – Ku janë vëllezërit, pse nuk ka dalë asnjeri?
-Nuk mund ta dinin kur do te arrinim, prandaj kot brengosesh motër. A do të doje të ngujoheshin këtu gjithë ditën e ditës?
Me sa lehtësi ia teratiste Konstandini mendimet e zymta që e kapullonin herë pas here. “Lum si unë për ty vëlla! tha me vete motra duke mbështetur kokën në supin e tij. Ia qukiti hundën një erë dheu e freskët, që vetëtimthi e coi në funeralin e gjyshes kur ishte vajzë. U mat ta pyeste vëllain por sakaq dalloi varrezat e qytetit me kryqet e hirtë dhe s’pati asnjë dyshim se aroma e dheut vinte prej andej.
Pranë kishës së Shën Gjergjit, bardhësia e mermertë e varreve përzihej me gjelbërimin e barit dhe lulet e egra. Konstandini nduku frerin fort dhe Garentines iu bë se dëgjoi serish kërcitjen e kockave te gishtrinjeve.
-Zbrit motër se arritëm. Rrugën e shtëpisë ti e di.
-Pse, nuk do shkojmë bashkë? – guxoi ta pyeste.
-Sa të ndez një qiri në kishë dhe t’i heq frerin kalit, – i tha Konstandini.
Garentina zbriti prej kalit dhe shpejtoi t’i dilte përpara që të bindej se vëllai nuk ishte aq i zbehtë dhe aq i hequr si i qe dukur kur e takoi te sheshi përpara udhëtimit, mirëpo Konstandini i grahu kalit duke u larguar nxituar pas cepit të kishës. Garentina u mundua ta mbante shikimin mbi të dhe të kujtonte ngjyrën e pelerinës së vëllait. Nuk kishte kaluar vecse një grimë që ishin ndarë dhe ngjyra i kishte shkarë nga kujtesa.
Garentina mori rrugën e shtëpisë ndërsa zemra i hovte prej gëzimit e padurimit që do të takohej me vëllezërit, me Nënën, që do të flinte në shtëpinë e saj ku gjithçka ishte e njohura që nga çupëria. Ja tek u duk edhe shtëpia. Vec dritaret qenë mbyllur me kanata dhe mbi rrasat e catisë kishte mbirë bar e barishte. Garentina ngjiti një palë shkallë me vrap dhe trokiti te dera. Askush nuk erdhi ta hapte. Atëherë thirri:
-Nënë, hape portën!
Heshtje sikur shtëpia te qe e shkrete. Trokiti dhe thirri përsëri më me forcë. Pas një shurdhërie sfilitese, nga brendësia u dëgjua një zë i mekur si të vinte nga thellësia e dheut.
-Kush është?
-Jot bijë, Garentina! Nuk ma njeh zërin, Nënë?
Priste t’i hidhej e ta pushtonte nenen me krahë sa te hapej dera. Nenen e mundonte dyshimi se te dera kishte ardhur nje hije. Nga vonesa shpirti i Garentines mbeti pezull, sikur te ndodhej ne nje hapesire boshe, dhe pa menduar hodhi sytë rretheqark për të parë se mos kishte ardhur në shtëpi tjetër.
Flegra u hap ngadalë me kërkëllimë dhe matanë u duk nëna me fytyrë të bardhë si shkumës, sytë me rreth të zi, e veshur krejt në të zeza, shaminë lidhur nën gushë, shenjë e një zie të thellë.
-O bije, po ti nga dole në këtë ditë të shënuar? – dukej se donte të gëzohej dhe nuk mundte. – Kush të solli? Nuk po e shoh tet shoq këtu… – tha duke hetuar oborrin pas Garentines mos dallonte aty dhëndërrin e vetëm duke rregulluar kuajt.
-Më solli Konstandini, -e kujtoi Garentina e hutuar nga reagimi i Nënës.
Në sytë e saj kaloi një hije dyshimi.
-Cili Konstandin? – e pyeti sikur të mos kujtohej as për emrin e djalit të saj dhe Garentina ndjeu zemrën t’i rrënqethej nga kjo lajthitje që kishte pësuar e ëma.
-Konstandini, nene, yt bir, a nuk e porosite ti? Apo harrove? – e pyeti qortuemshëm që ta nxirrte nga ajo përhumbje e thellë.
Nëna u mbështet pas shtalkës së derës sikur t’i qene marrë mendtë e për tu mbajtur diku.
-Bijë e nënës, ti flet përçart, apo une s’po dëgjoj mirë dhe i marr tjetër për tjetër ato që më thua?
Garentina provoi sërish ta sillte ne vete.
-Nënë. Konstandini po vjen pas meje.
-Bijë e nënës, – i foli ngadalë e me dhimbje, – asaj rruge që ka shkuar Konstandini nuk është kthyer njeri deri më sot… që të kthehet ai.
-Konstandini hyri në kishë sa për të ndezur një qiri dhe do lëshoj edhe kalin në kullotë, – ngulmoi Garentina. – Ne sa u ndamë, më beso, – e luti.
Për Nënën kjo ndihej si një goditje tjetër e fatit të pamëshirshëm. Edhe vajza e vetme e kishte mendjen ujem, dhe me një dëshpërim të thellë prindëror tha:
-Sa do të doja ta besoja, sa do të doja të përqafoja një nga djemtë e mi.
-A nuk iu lute të më sillte në shtëpi se të kishte marrë malli? A nuk i vajtët në dhomë…? – e pyeti ajo duke përsëritur fjalët e Konstandinit.
-Oh, a-tje ku vaj-ta u-në, tje-tër në-në mos vaf-të e gja-llë… belbëzoi nëna vajtimshem.
-Ku janë vëllezërit? Pse nuk po shoh asnjë këtu?
-Ja-në e s’ja-në a-tje ku va-në… në-nën kër-cu-re e la-në,- vazhdoi vajin ajo.
Ajo u fut ne cardhak, mori nga një kamare nëntë qirinj, nëntë tufa borzilok, nëntë vezë të kuqe, doli në krye të shkallëve dhe i bëri shenjë t’i vinte pas. Mbase nëna po e çonte të takonte vëllezërit te sheshi nga ku dëgjohej hareja e gazi i festës. Mirëpo me të zbritur poshtë, ato u kthyen për nga rruga që nuk shpinte te sheshi, por për aty ku Garentina qe ndarë me Konstandinin.
Garentina e ndiqte Nënën nga pas dhe e pa sesi me thjeshtësinë e një rituali ajo u përkul mbi tetë varre, vendosi te koka e secilit një qiri e një vezë të kuqe duke shkundur sipër dheut fara nga një tufë e thatë borziloku. Te varri i nëntë, u ndal dhe e vërejti sikur të shikonte për ndonjë të carë a plasaritje, nëse guri kishte lëvizur nga vendi a plisat ishin prerë.
-Kush the se të solli? – e pyeti sërish nëna vajzën pa i ngritur sytë.
-Kon-sta…- nuk e mbaroi dot fjalën mbi varrin e tij. Garentina ishte e sigurt se kishte udhëtuar aty hipur mbi një kalë të gjelbërt bashkë me Konstandinin. Dhe mbi atë gur filluan t’i kujtoheshin e t’i vinin në mend me radhë dyshimet e rrugës, zbehtësia dhe dritëza hënore mbi fytyrën e vëllait e cila i shkiste vazhdimisht nga kujtesa si një ekran që nuk e fikson figurën, myku në supet e tij, hija e saj vetmitare mbi liqen, zogjtë në pyll, dhe sidomos këngët e tyre. E kaploi dyshimi se nuk qe ajo që kishte udhëtuar, po dikush tjetër në vend të saj. Aq shumë mendime e kundërshtonin atë udhëtim fantastik, me një kalë fluturues në një botë të panjohur ku koha nuk ekzistonte si kohë, dhe prapë aq hollësi e pohonin se kishte ngjarë: shkretëtira, mjegulla, liqeni, pyjet, bisedat e këmbyera me të. Qysh nga fëmijëria, Garentina frikësohej nga vdekja dhe nga çdo i vdekur, tmerrohej nga çdo hije të vdekurish, dhe lemeritej nga çdo ëndërr me të vdekur. Ajo kishte udhëtuar me Konstandinin, – dhe kjo nuk mund të vihej në dyshim, sepse për herë të parë pas shtatë vitesh ndodhej pranë nënës, – vdekja e kishte humbur krejt misterin e frikshëm. Tani s’donte asgjë tjetër më shumë veç ta përsëriste edhe njëherë atë udhëtim me të vëllain hipur mbi të njëjtin kalë, duke ndjerë frymën dhe zërin e tij, tek fluturonin mbi vende e peizazhe të panjohura, dhe ngarendnin nëpër pyll ku të vetmet gjallesa ishin shpendët sqepshkurtër që cicëronin papushim për një të gjallë me një të vdekur.
Ai ishte udhëtimi më i mrekullueshëm që ia kishte falur fati vetëm asaj ndaj e pushtoi varrin e të vëllait me mirënjohje të pakufishme dhe mbeti atje si një përmendore e përjetshme e dashurisë njerëzore që nuk njeh kufij midis jetës dhe vdekjes.
Komentet