Reshjet e forta që nisën që pasditen e djeshme kanë shkatuar edhe një viktimë në Laç, një nga zonat më të prekura nga vërshimet e ujërave. Policia njoftoi se një 48-vjeçar, Kol Menga, ka humbur jetën. Ai dyshohet të ketë rënë aksidentalisht në një kanal, prej nga nuk ka mundur të dalë dhe është mbytur nga ujërat e rrëmbyeshëm.
Në qytetin e Laçit ku vetëm gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së djeshme kanë rënë mbi 110 milimetra shi, kanë sjellë daljen nga shtrati të përroit që përshkon zonat e banuara. Mbi 50 familje janë evakuuar, ndërkohë që janë me dhjetra hektarë sipërfaqe të mbuluara nga uji. Për të përballuar sipërfaqen janë angazhuar dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, ndërsa siç njoftoi ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, po punohet për zhbllokimin e kanaleve nga inertet.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha përmes një deklarata të shpërndare sot akuzoi qeverinë se ka lënë në mëshirë të fatit banorët e zonave të prekura. “I bëj thirrje qeverisë të lerë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur çdo fatkeqësi tjetër dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të goditur”, u shpreh zoti Basha.
Komentet