© Peter Kenny
Caku i tretë dhe i fundit i këtij cikli të udhëtimit tonë me kolegët e APES (Shoqatën e Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn, ku ne të dy jemi anëtarë nga më aktivët prej më shumë se 20 vitesh) është Hôtel du Léman, një nga perlat e Rivierës së Lemanit. Vetë Riviera e Lemanit është më e bukura e Rivierës Zvicerane. Ajo shtrihet në brigjet e Liqenit të Lemanit, i quajtur ndryshe Liqeni i Gjenevës, ngaqë fillon në zemër të qytetit të Gjenevës.
Po ta vështrosh në hartë, Liqeni i Lemanit ka formën e gjysmëhënës. Njëri cep i saj fillon në qytetin e Gjenevës, ndërsa tjetri cep mbaron në Villeneuve (Vilnëv).
Këtë zonë e ka vizituar më 14 shtator 1915 Mid’hat Frashëri (1880-1949), diplomat, shkrimtar (i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo) dhe politikan shqiptar dhe e ka zbuluar për publikun shqiptar në një reportazh të gjatë të asaj kohe. Mid’hat Frashëri, një ndër bashkëkombasit tanë më të shëtitur, më të ditur e vizionarë, sapo e vështron, e quan Liqenin Leman “një ndër më të bukurit e dheut”. Ai rrëmbehet krejtësisht nga bukuria e liqenit dhe është menjëherë një poet i vërtetë:
“Në qoftë se malet kanë më tepër bukuri se fusha, edhe ujët ka më tepër poezi se malet; det ose liqen qoftë: ujët gjithmonë ka një tërheqje të veçantë. Ky liqen i hijshëm më duket si një det i vogël. Ujët është më i gjallë se dheu, ngjyrat e tij, temperamenti i tij ndërrojnë, herë vrenjtet, buçet, thërret, verdhet dhe nxihet; herë tjatër është i butë dhe i qetë, si sy i një foshnjeje që nuk ka bërë kurrë ndonjë faj.
Anë këtij liqeni mbështeten, shtrihen, vargosen fshatra të shumtë; mund të them se është një fshat i vetëm i paprerë, i pandarë, por me emra të ndryshëm. Të gjithë të këndshëm, të stolisur. Duket që janë fshatra për zbavitje, për dëfrime, për të ndërruar ajrin, klimën. Kuptohet se mijra e mijra njerëz vijnë që të shkojnë ca javë, ca kohë të qeta dhe të ëmbla. Hotelet e shumtë dhe të mëdhenj, pensionet e panumërt dëshmojnë për këtë.
… në të djathtë të udhës brigjet ngrihen mbi liqen; po brigje të butë ose, më mirë të themi, të zbutur prej njeriut, mbuluar me vreshta, asnjë pëllëmbë e papunuar, asnjë copë tokë lëndinë. Mbi brigjet ngrihen hotele, pyje. …shioh tramvajet dhe udhët e hekurta që ngrihen mbi brigje… Se Zvicra, tekdo ku është gjendur një vend i këndshëm, ka ngritur një hotel dhe kudo që ka hotele, vete edhe një tramvaj ose një tren.”
Mid’hat Frashëri shkruan më tej se ky liqen i përngjan liqenit tonë të Ohrit, “po pakëz më i madh…. Volteri thotë se liqeni i Lemanit është më i bukuri liqen i dheut. Por edhe një udhëtar anglez që ka parë shumë vende, thotë se nuk ka parë kurrë liqen të bukur si ai i Ohrit, pra s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kishte qenë në Ohër a në Starovë.”
Liqeni i Lemanit, kur ne po e shikojmë prej lart, nga Hôtel du Léman, është i gjelbër dhe po aq i hijshëm, po aq i gjallë, po aq sy foshnje e po aq i pafajshëm, po aq frymëzues, po aq përtëritës sa kur e shikonte bashkëkombasi ynë i madh Mid’hat Frashëri rreth 1o9 vjet më parë, ndoshta disi më pak temperament se atëherë, disi më ëndërrues, disi më intim e disi më meditativ se atëherë. Një bardhësi të kthjellët, të dlirë e të pafajshme kanë edhe Alpet Zvicerane kundruall nesh. E dlirë, e kulluar, zbavitëse dhe çlodhëse është edhe e gjithë hapësira mes këtyre bukurive mahnitëse të natyrës zvicerane.
Nga presin dy zonja: Tiffany Duc, e komunikimit me mediat, dhe Lusi Wüthrich, koordinatore projekti. Hôtel du Léman është një nga përkryerjet e raporteve shpirtërore mes njeriut dhe e natyrës, një histori e bukur e harmonisë mes veprës së njeriut dhe veprës së natyrës. Është një perlë, ndër më perlat e Rivierës së Lemanit.
Zonjat na tregojnë se, në shekullin e 18-të një manastir i quajtur Saint-Laurent. Vizitorët ende mund të admirojnë qemerët dhe muret shumë të trasha të manastirit në Carnotzet. Më pas, historia është paksa e errët, por dihet se ishte një familje e ardhur nga Kanadaja që e bleu pronën në liqenin e Gjenevës rreth vitit 1920. Pronarja tjetër ishte zonja la Comtesse de Schneour. Më në fund, në vitin 1930, zonja ua shiti të gjithë pronën prej rreth 51 000 m2 kooperativave të konsumit (aktualisht Coop Suisse). Më 1965, Hôtel du Léman ndërmori zgjerimin, modernizimin e kuzhinës dhe dhomës së ngrënies, si dhe ndryshimin e funksionit të Villa Praz Verdan si një vartësi e Hotelit. Kompleksi mund të strehojë rreth njëqind klientë dhe të qëndrojë i hapur për publikun.
Gjatë verës, turistë nga e gjithë bota vijnë në Jongny për pushime me afate të ndryshme kohore. Nga vjeshta në pranverë, në Qendrën e Trajnimit Coop organizohen kurse, të destinuara si për punonjësit e tyre ashtu edhe për ata të organizatave private. Përballë kërkesës vazhdimisht në rritje nga kjo e fundit, Qendra duhej të modernizohej dhe zgjerohej edhe një herë. Në fund të viteve 1990, Villa Praz Verdan iu nënshtrua rinovimeve të mëdha. Aktualisht, një pjesë e ambienteve të saj janë marrë me qira nga Bâloise Assurances dhe Allianz Assurances, të cilët kanë krijuar qendrën e tyre të trajnimit atje. Në vitin 2011, për t’i dhënë një drejtim më të madh industrisë së hotelierisë dhe restoranteve, menaxhmenti vendosi të riemërtojë kompleksin “Hôtel du Léman and Seminar Center”.
Në prag të largimit, në përmbyllje të udhëtimit, ne duam të bëjmë foto. Nuk dimë cilin kënd magjepsës të zgjedhim më parë që ta kemi për sfond të këtij udhëtimi kaq mrekullues e mbresëlënës. Nuk dimë se kush më shumë na ka dehur: vera, mikpritja që gjetëm këtu, apo bukuria e rrallë e natyrës.