Kjo ditë m’u zgjua si lule e bukur,
Po mos më pyesni më tepër si e qysh,
Lumturinë e statusit kaq të lumtur
Po prek sot me dorë, që po bëhem gjysh.
Fluturoj mbi Vlorë (si Vlora tjetër s’ka dy)
Me mua-shkëlqimi i mëngjesit nga vesa,
Asnjë tjetër bukuri s’po më hyn në sy,
Sytë e mi patjetër janë te mbesa.
Një ndjenjë me diell më çel në zemër,
E spërkatur me pjalmin hyjnor të shpirtit.
Si mbret fluturoj në krahët e këngës,
Të një kënge të rrallë, musht trëndafili.
Një thërrime buke, e dashur, e ëmbël,
E freskët si ajër, si gëzim i pastër,
Në gjumë do ta vërë nga lodhja Nënën,
Gjumin do t’ia heqë Babait natën.
Dhe ç’ e mban gjyshen, po mua, gjyshin ç’më mban!
Në qiellin e shtatë në këmbë shkela…
Figurat letrare që fjalori përmban
M’i eklipson mbesa sa një pikël-PERLA.
Gjyshi, Albert Habazaj
E diel, 3. 07. 2016, ora 05:30’- 05:41′
Komentet