Ka fatosa me fat e fatosa të pafat. Të parvet u ngrehen përmendore, u vehet emni ndër udha të qyteteve, përmenden orë e çast në shkrime e në fjalime, u kumbon lavdia gojë më gojë ndërsa të dytvet u zbehet kujtimi padrejtësisht. Ata janë viktimë e rrethanave ndërrojsë.
Historia e Shqipnisë është mbushë me emna fatosash që u therorizuen për nji ide të naltë së cilës nuk i buzëqeshi suksesi ase i buzëqeshi shumë vonë, pas vdekjes së tyne. Tue lanë m’anesh Skanderbegun qi duel ngadhënjyes në 22 luftime por humbi luftën e madhe pas vdekjes së tij, kemi dhe fatosa të tjerë të cilve ua shkimi jetën ora e zezë e për do kohë ua mjegulloi vlerën atdhetare një mëni zyrtare prapanike.
Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli se herët a vonë në përfundim të stinëve historike, vlerat e njëmendta dalin në dritë tue i dhanë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të naltësimit kombëtar vendin përkatës sipas meritave por kjo nuk do të na ndalojë me shfaqë nji ndjesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave në të cilët spikaten vetitë eprore të gjakut tonë. Nji ndër ta ishte Mark Gjomarkaj.
Markun e njofta kur ishte student njëzet e katër vjeçar në Romë. Më bani përshtypje qysh prej takimeve të para pjekunia e mendjes së tij, nji pjekuni ku me squetni natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqnin shqiptare, shartohej pamja e gjanë realiste e problemeve të kohës e prej ksaj dhe kuptimi i nevojës m´u inkuadrue me qëllime e drejtime të përgjithshme kombëtare. Kapidani i ri, Mark Gjomarkaj.Shumicës së të rinjve të asaj kohe ia ndalonte vegimin e qartë të botës së mbrendshme e të jashtme ngujimi në rreth krahinuer. S´ishte faji i tyne, të gjithë ne ma mirë njifshim qytetet e botës sesa ato të Shqipnisë. Prej mosnjohjes së natyrës e të prirjeve të njanës palë prej palës tjetër rridhshin dhe mosmarrveshjet e shpesh dhe dasitë e paarsyeshme në bashkësinë shqiptare.
Tue kenë unë vetë, i rysyn prej nji mërgimi politik pesëvjeçar qi më kishte dhanë rasë më njoftë e me u miqsue me persona e personalitete të ndryshme të mbarë Shqipnisë, u përpoqa kur u bamë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistat tonë të spikatun. Në përshkrim temin, ai pëlqej mbi t’tjerë si njeri e politikan me ide të kjarta, të kthjellta e të preme, Mustafa Krujën, të cilit ia kishte ndigjue emnin. Kurrë në bisedime të denduna me mue, Marku nuk e sipërçmonte prejardhjen e tij nga nji Derë eprore, Dera e Kanunit të Lekë Dukagjinit, e njoftun gjithkund dhe e nderueme sidomos në Gegni. Mu m’asht dukun se prejardhja e tij e shqetësonte disi, ndoshta duke kenë aq i ri tutej se nuk do të mundej m´u tregue në naltësin e duhun kur t´i vinte rradha e prijes, si trashgimtar i Kapidanit të Mirditës. Shihej qartas se ndjenjën e detyrës së prijes e kishte thellë të rranjosun në shpirt. Ajo ndjenjë s’ishte për tè shkak i shprazët krenije, por shtytje m´u naltësue në vepra të mbara për fis.
I paharruemi eksponent i nacionalizmit shqiptar, Ali Klisura, disa herë m´i ka përsëritun fjalët qi Marku i pat thanë në Prefekturë të Shkodrës, në takimin e fundit qi pat me te. Aliu, mbasi që lufta e nacionalizmit kundra fuqive shkatrrimtare mund të quhej e humbun, e këshilloi Markun të dalë në mërgim, me vazhdue përjashtë orvajtet për nji çlirim të Shqipnisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Marku iu përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit qi nacionalistat të dalin e të vazhdojnë përjashtë veprimtarinë për të shpëtue Shqipninë nga robnija e randë e mizore qi po i kërcnohet. Shkoni ju, do t’u ap me vete babën qi asht në moshë të shtyeme dhe nji vlla qi ta përcjelli. Sa për vete, mendoj se vendi em asht këtu. Nuk mund t’i la Mirditasit vetëm tash qi nji shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta. Juve ju kjoftë udha e mbarë e bafshi punë t’mira n’at anë.” Këto fjalë nuk pushon së thani Ali Klisura, kujdo shqiptari që ka takue për mos me harrue çfarë djali lindi dera e Kapidanit.
Qindresa e Mark Gjomarkajt në male të Shqipnisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të nji çete luftëtarësh të lirisë, rrethue nga dashunija e mbarë popullit, me përjashtim të do kapulajve të pavlerë tërbue nga dëshiri m’u rritë tue shqymë njerëzit me vlerë. Ai dha provën e gjallë se s’ka fuqi, sado e tmerrshme të jetë, qi t´shkuli rranjët e traditës. Tradita ma e kulluet shqiptare lulzoi në Tè me trimni epike, nëpër veti kreu qi e dallonte, me shpirt therorizmi i cili ven nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën. U vra në nji pyll të Perlatit me 14 qershor 1946. Pranë Markut, vdiq Nikoll Perpjetri, 17 vjeçar. Ky tue ra pikëgjallë bri Prijsit, i cili vërtetoi tue vdekë, meritën për t´ushtrue të drejtën e udhëheqjes, dishmoi virtytin e besnikris, të nji besnikrije vullnetarisht të pranueme, qi nuk i shmanget rrezikut të dekës por shugurohet me gjak të derdhun. Edhe kjo asht dëshmi e rrallë, tepër e naltë e traditës shqiptare.
Shqiptarëvet u shkon për piri trimnija. Për shumë kohë, sidomos në motet më t’errta historike ajo ishte produkti ma i njoftun i vendit tonë. S’ka vis e trevë, jo vetëm në Ballkan por dhe përtej qi nuk çuditi njerzinë mënyra sesi shqiptari e bante dekën si me lè. Mjerisht, shpesh bijtë e shqipes e shkrinë jetën për gjana krejt pa randsi, nxitë nga sedra me ia kalue shokut n’mujshi. Energjina t’humbuna kot. Por ka dhe rasa t’shumta ku shqiptari e bani t´shkëlqejë trimninë tonë gojdhanore me mend e me vend. Historija e kombeve t’mdhaja e t’vogla, zhvillohet nëpër udha shenjue me murana t’përgjakuna trimash. Jeta kombtare njehet e përtrihet në gjak fatosash. Gjaku i derdhun për nji ide fisnike nuk thahet por njomë qind vjet në qind vjet, traditat jetësore të kombit.
Mark Gjomarkaj ra në moshën tridhjetë e tri vjeçare theror i traditave ma fisnike të rodit shqiptar. Ai, tue u flijue për liri, për at´ liri që visi i Tij kurrë nuk humbi as n´errsinën e sundimeve ma mizore të hueja, vërtetoi se me ç´brumë ngjeshen shqiptarët e vërtetë që e kanë ruejtë në vete vulën e papërçatun të fisit arbnor. Sundime e regjime t´egra kaluen mbi shpinën e gjindes shqiptare. Traditat mbajtën t´paprekun fizionominë e kombit. Nëpër stuhina shekullore, mbi shtigjet e nji historie fatkeqe, besimi në fisnikërinë njerëzore të trashëgimit stërgjyshuer, na shpëtoi nga kobi qi me ndrrue emën e veti e na mbajti me nji fizionomi tonën në rradhën e kombeve të botës. Si ishim jemi dhe kemi për t’qenë.
Gjaku i dy pinjojve të Derës së Gjomarkajve, i Markut dhe i Lleshit i cili ndoq trimnisht hullin dhe fatin e vëllaut ma të madh nji vjet ma mbrapa në male t’Mirditës si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kand nëpër treva shqiptare për të pohue para botës se shqiptari çmon ma fort lirinë, vlerat e traditën sesa jetën, vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbnuer. Ai tharm ka me ia shpërblye kombit n’ardhmëni vargun e vuejtjeve të djeshme dhe të sotshme, tue lulëzue n’bashkëjetesë vëllaznore të shqiptarve, rreth votrës s´Nanës Shqipni ku do të ndrrisi rishtaz e ndezun flaka e zakoneve nëpër të cilat e ndjejmë veten të pajisun me dy gisht nderi në ball në rradhën e kombeve të botës.
Ernest Koliqi
Qershor 1971
Komentet