Kur kanë kaluar 75 vite nga Kryengritja Antikomuniste e Postribës, ajo vazhdon të përkujtohet si një nga ngjarjet e rëndësishme të qëndresës antikomuniste të shqiptarëve.
Banorë të Shkodrës dhe Postribës u bashkuan në përkujtim të kësaj ngjarje, që cilësohet si kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri. Ata vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar kësaj ngjarje dhe vlerësuar mesazhin që ajo vazhdon të përcjellë për shqiptarët. “Nëse kthehemi pas 75 vite do të përballemi me hapat e para të një diktature shumë të egër, që do të shtrinte izolimin e saj në të gjithë Shqipërinë”.
Ish kryetari për shumë vite i komunës së Postribës, Fazë Shabaj, thotë se me ardhjen në pushtet të komunistëve, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Postribë nisën ekzekutimet dhe përndjekja e nacionalistëve dhe atyre që aspironin për liri e demokraci, gjë që nxiti prijësit dhe banorët e Postribës të ngriheshin në kryengritje të armatosur. “Ishte ideja për të fitu lirinë. U shtyp me dhunë. Pati pasoja shumë të mëdha. U pushkatuan mbi 22 burra nga Postriba, nga rrethinat e Shkodrës. Një nga këto edhe nga Kosova”.
Kryetari i shoqatës antikomuniste të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë, Nebil Çika, tha se Kryengritja Antikomuniste e Postribës është një simbol kujtese për të gjithë. “E përkujtojmë me respekt dhe me nderim të madh jo për faktin e viktimave, të cilat i nderojmë dhe i respektojmë, por për faktin e qëndresës. Theksojmë qëndresën, që oponioni publik shqiptar dhe ai botëror t’a dinë se shqiptarët kanë qëndruar kundër diktaturës më shumë se kushdo tjetër, pavarësisht se ajo ishte më e egra në Europën komuniste, Europën Lindore”.
Në përkujtimin e 75 vjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribes ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Alfred Rushaj, i cili tha se heronjtë e Postribës ngritën krye në emër të asaj që është e shenjtë për çdo shqiptarë; liria dhe orientimi drejt vlerave përëndimore. “Ka një mesazhë për të gjithë ne që mbijetuam. Ata na thonë se komunizmi u mundua të na trembë, por më të fortë na bëri. Na persekutoi, por nuk na pushtoi dot. Na vrau, por nuk na zhduku. Se nuk mund të zhduket ndjenja e lirisë e familjeve patriote.”
Kryengritja e Postribës e shtatorit të vitit 1946 nuk i’a arriti qëllimit dhe u shtyp me dhunë nga diktarura e sapovendosur në Shqipëri. Megjithatë, ajo mbetet një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Ndaj, në 62 vjetorin e përkujtimit të kësaj kryengritje, Postriba u nderua nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Nderi i Kombit”.
Komentet