U përkujtua sot 50 vjetori i revoltës së të burgosurve politikë të ish burgut të Spaçit, revoltë e cila tronditi regjimin komunist të kohës dhe u shoqërua edhe me revoltën e të burgosurve të ish burgut të Qafë Barit. Revolta e Spaçit u shtyp me dhunë nga regjimi i kohës, i cili pushkatoi 4 nga pjesëmarrësit e revoltës si dhe ridënoi 80 të tjerë. Në ceremonitë kushtuar revoltës së Spaçit ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Përkujtimi i 50 vjetorit të revoltës së ish të burgosurve politikë të burgut famëkeq të Spaçit nisi sot me pelegrinazhin përgjatë kilometrit të fundit të rrugës për në ish burgun e braktisur prej 32 vitesh, organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ceremonitë përkujtimore u organizuan nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës, në bashkëpunim me një numër institucionesh dhe organizatash që punojnë në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Duke folur në ceremoninë e organizuar në ish burgun e Spaçit, Presidenti Bajram Begaj tha se ngjarje të tilla dëshmojnë për qëndresën e popullit ndaj diktaturës komuniste.
Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë martirët e kësaj revolte. Në këtë ditë të shenjuar historike të mbijetuarit e revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se, pavarësisht vuajtjeve që kanë përjetuar, zgjedhin të përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë dhe për të gjithë betejat tuaja shoqëria jonë ju ka një borxh shumë të madh.
Revolta e burgut të Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste. Shkaqet e saj ishin jo vetëm kushtet çnjerëzore, puna e detyruar në minierë dhe torturat psikologjike dhe fizike, por edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturë. Revolta e Spaçit u shtyp me dhunë nga regjimi i kohës. 80 prej të burgosurve morën ridënime, ndërsa 4 prej tyre, Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai u pushkatuan.
Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit ka sjellë dokumente të rëndësishme mbi keqtrajtimin e të burgosurve politikë në ish burgun e Spaçit, përndjekjen dhe dhunën me të cilën u shtyp revolta e tyre.
Bëhet fjalë për rreth 2300 ish të dënuar, që kanë qenë duke punuar në këtë kamp-burg. Ne konstatuam elementin që ishte i padokumentuar më heret, që ishte puna e detyruar dhe e papaguar e këtyre 2300 personave. Për secilin ne disponojmë dosjet hetimore-gjyqësore dhe dosjet e ndjekjes se tyre të fshehtë.
50 vite pas revoltës së ish të burgosurve politikë, burgu i Spaçit vazhdon të rrënohet. Një numër shoqatash joqeveritare kanë apeluar vitet e fundit për ruajtjen dhe kthimin e tij në një muze të krimeve të diktaturës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar deri tani.
Ndonëse u shtyp me dhunë, revolta e ish të burgosurve politikë të Spaçit e 50 viteve më parë, ishte një sinjal i rëndësishëm për nevojën e ndryshimeve politike në Shqipëri.