Shkrimtarin e talentuar Bilal Xhaferri e ndoqën gjithë jetën fatkeqësitë dhe mjerisht vdiq i ri sikur të ishte pjesëtar i një liste fatlume të autorëve që vdekja i rrëmbeu herët si Migjeni, Qemal Stafa, Kristaq Tutulani, pa përmendur gjithë ata që u kositën nga plumbat dhe burgimet e gjata të regjimit komunist, si Nelaj e Blloshmi, apo të tjerë që u etiketuan si kundërshtarë të metodës së realizmit socialist. Partia-shtet i dënonte artistët, shkrimtarët dhe dijetarët, sa herë vërente te veprat e tyre shenja disidente, apo kritika të tërthorta për sistemin e kuq në fuqi. Ndërsa në Bashkimin Sovjetik edhe në Kinë, lavdërohej teoria e njëqind luleve, në realitet demokracitë popullore i përndiqnin me egërsi intelektualët dhe artistët që etiketoheshin antimarksistë. Zhdanovizmi, sic u quajt, kritika publike denigruese për autorët dhe veprat e tyre nga partia dhe fanatikët partiakë ishte shfaqja më tipike e presionit shtetëror për ta mbajtur letërsinë, artet dhe shkencën në binarët marksistë. Censura e rreptë e partisë lindi dhe lulëzoi nën diktaturën e Stalinit, por rrugën e kishte piketuar Lenini, me artikullin famëkeq të botuar më 1916 “Letërsia e partisë”, ku shtjellohej sesi letërsia dhe artet të bëheshin shërbestare të platformës politike dhe zgjatim i krahut të propagandës ideologjike. Pas fitores së Revolucionit të Tetorit, Lenini e jetësoi platformën e tij në program. Komunistët shqiptarë e kopjonin me zell të madh përvojën e Bashkimit Sovjetik dhe utilizonin me fanatizëm të gjitha mekanizmat e diktaturës së partisë – shtet.
Njohja me Bilal Xhaferrin
Në vitet 1964-65 isha redaktor te revista “Ylli” dhe meqë mbuloja sektorin e prozës kisha detyrë t’i sugjeroja kolegjiumit çdo muaj një tregim origjinal të denjë për t’u botuar. Nuk ishte e lehtë sepse tregime të mira vinin rrallë në redaksi. Duhet t’u vardisesha autorëve të njohur për t’u shkëputur ndonjë tregim, pa patur shumë garanci se do ta mbanin fjalën. Madje edhe për tregimet e përkthyera duheshin gjetur krijime që t’u përshtateshin kritereve ideologjike. Për autorët klasikë ishte krijuar nje lloj pakti sipas të cilit ata botoheshin me raste përvjetorësh të rrumbullaktë të lindjes ose vdekjes.
Në redaksine e revistës “Ylli” vinin krijimet e letrarëve te rinj ose amatorë, që shpresonin të debutonin në faqet e revistës. Dorëshkrimet e tyre të padaktilografuara ishin mjaft të vështira edhe për t’u lexuar. Si rregull, ne duhet t’i përgjigjeshim çdo bashkëpunëtori me shkrim. Poezitë i shqyrtonte, i përzgjidhte dhe i redaktonte me kujdes e durim poeti Vehbi Skënderi. Pas një përvoje katër- pesë vjeçare, e kisha bërë zakon t’i grumbulloja dhe t’i lexoja dërgesat javën e fundit të muajit, mbasi rrallë herë kisha gjetur në to ndonjë krijim proze me vlerë. I lexoja të gjitha tregimet e grumbulluara dhe u përgjigjesha autorëve me një letër standard. “Tregimin tuaj e morëm dhe e lexuam me kujdes. Krijimi ka dobësi artistike dhe nuk e arrin nivelin e botimit. Ju falënderojmë për bashkëpunimin. Presim krijime te tjera”. Vetëkuptohej se ishte letër shabllone, por formaliteti ishte pjesë e detyrës sonë si redaktorë.
Një ditë posta solli një zarf, i cili më tërhoqi vëmendjen për peshën e tij. Në zarf, emri dhe mbiemri i dërguesit, Bilal Xhaferri, krejt i panjohur për mua dhe në rreshtin tjetër numri i repartit ushtarak. E hapa zarfin dhe gjeta rreth njëzet faqe, për fat të mirë të daktilografuara. Për arsye të profilit të revistës dhe hapësirës së kufizuar që i kushtohej letërsisë artistike, “Ylli” nuk botonte tregime më të gjata se 10-12 faqe. Kështu e lashë mënjanë zarfin, aq më tepër se për atë muaj e kisha siguruar tregimin për botim. Për ditë me radhë sa herë hapja sirtarin për të stivuar tregimet e tjera që vinin në redaksi, e shihja me bezdi novelën me 23 faqe, dërguar nga një ushtar.
Së fundi, sado i mërzitshëm të ishte leximi dhe sado orë të donte, nisa t’i marr me radhë tregimet duke ruajtur adresën për përgjigjet standarde të redaksisë. Sërish tregimin e daktilografuar e kisha lënë për në fund, dhe kur arrita tek ai e mora në dorë duke ndjerë keqardhje për kohën që do humbja me të. Lexova faqen e parë, pastaj të dytën ku jepej përshkrimi i një udhëtimi me kamion. Kur arrita te faqja e tretë gjeta një pasazh fantastik dhe thashë me mend: “Ky është talent!” E mbarova leximin me kënaqësi, i befasuar dhe i entuziazmuar nga zbulimi i një pene të talentuar. Në vend të një letre formale me stampën e redaksisë më shkrepi në kokë t’i shkruaja letër personale. E përgëzova për tregimin dhe shpreha besimin se me talentin e tij ai do të gjente vend në fushën e letërsisë. E sqarova se tregimi i kalonte numrin e faqeve që lejonte revista por nëse më jepte leje ta shkurtoja tek – tuk, do të botohej numrin tjetër. E lusja të më takonte, sapo t’i binte rasti të vinte në Tiranë.
Pas dy-tri javësh në dhomën e redaktorëve hyri një djalë me uniformë ushtari dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin. Kishte trup mesatar, thuajse imcak, me sy bojë qielli, flokë të verdhë, me fytyrë të pjekur nga dielli, ku binte në sy hunda e kuqe pak e rrjepur. Sa e pashë me rroba ushtari u kujtova. “Bilal Xhaferri?” e pyeta. “Po, erdha sipas letrës që më dërguat”, m’u përgjegj. E luta të ulej dhe të priste pak, sa të përcillja bashkëpunëtorin me të cilin isha duke biseduar. Por pas tij erdhi edhe një letrar tjetër dhe m’u desh të humbja pak kohë edhe me të. Së fundi, i kumtova Bilalit se isha krejt i lirë. “E mendoja pak më ndryshe punën e redaktorit. Paske punë të mërzitshme”, qenë fjalët e para të Bilalit. “Nuk kemi përditë kësi ngarkese. Sot qëlloi që erdhën njëri pas tjetrit”, e sqarova. I thashë se tregimi “Në rrugë” më kishte pëlqyer shumë dhe më vinte keq që duhej shkurtuar për arsye vendi. Redaktimin ma besoi me fjalët “Shkurtoje sa të duash”. I thashë se mund ta botonte të plotë në një vëllim dhe për lexuesit do ishte njësoj sikur ta kishte ripunuar. Meqë po vinte ora dy dhe orari zyrtar po mbaronte, e ftova të dilnim së bashku. E pyeta nëse dëshironte të hanim diku jashtë, apo të shkonim në shtëpi. “Si të duash”, qe përgjegjja e tij, por s’ka pse të harxhohesh për mua”.
“Sipas traditës, më mirë në shtëpi, veç nuk e di se ç’kemi për drekë…” – i thashë. “S’ka rëndësi”, ma ktheu ai me mirënjohje. Nga biseda rrugës mësova se ishte ushtar në një repart pune. Meqë e dija reputacionin e atij vendi nuk e zgjata më tej, që të mos e lëndoja. Mësova se kishte punuar disa vjet në një kantier ndërtimi në Laç, si hekurthyes, apo hekurkthyes dhe se pas tetëvjeçares kishte vazhduar shkollën e mesme natën. Më tha se pasioni i tij ishte letërsia dhe se lexonte shumë dhe çdo gjë që i binte në dorë.
Pastaj më tha se tregimet e mia i pëlqenin për vërtetësinë dhe lirizmin dhe e habiste freskia që gjente në to. “Në asnjë tregim ti nuk përsërit veten, por sjell gjithmonë diçka të re”. Këtë kompliment nuk e kisha dëguar nga askush tjetër dhe më ka mbetur në mendje. Temat e bisedës sonë të parë ishin të kufizuara, sikur të tatonim terrenin e njëri tjetrit.
Djali i Ballistit
E takova disa herë kur punonte për asfaltimin e rrugëve, apo për mirëmbajtjen e tyre. Nuk e di nëse nuk e kishin pranua në kantierin e Laçit, ku ishte para se të shkonte ushtar, apo nuk kishte dashur vetë të rikthehej atje. “Pse ky trajtim?” e pyeta. “Se e kam patur babain ballist dhe ai u vra duke luftuar kundër partizanëve, kur unë isha tre vjeç. A mund të ndikoj një trivjeçar mbi babanë?”. E ashtuquajtura lufta e klasave fshikullonte edhe më rreptësi ata që aspironin të konfirmoheshin në fushat humane. Atëhere ambiciozët, ziliqarët, asetçinjtë, dështakët, suleshin me tërbim mbi të pafajshmit, të lindur e të rritur në atë pushtet që i denigronte.
Poet dhe Tregimtar i Talentuar
Bilal Xhaferri kishte fituar simpatinë e disa rretheve letrare dhe publicistike. Gazeta “Zëri i Rinisë”, ku kishte disa dashamirës të tij, i botonte tregimet e poezitë, qoftë edhe pë ta ndihmuar materialisht me anë të honorareve të vogla. Disa herë arriti të merrte edhe leje krijuese nga Lidhja. Ballkise Halili, gazetare te “Zëri i Popullit” e admironte dhe e përkrahte duke e konsideruar si përfaqësuesin më të talentuar të Çamërisë.
Vëllimi i tij me tregime “Tokë e Lashtë, Njerëz të Rinj” u prit si një eveniment letrar nga lexuesit. Nje prej tregimeve titulluar “Purpuranti” bënte fjalë për një bashkëluftëtar të Skënderbeut që kthehej nga lufta krenar, pa fituar as pasuri as trofe. Ai e preferonte epokën e Skënderbeut të cilës do t’i kthehej më vonë me romanin “Krastakraus” si ekskursion historik për t’i ikur realitetit të zymtë, të cilin ai e njihte aq mirë.
Për emancipimin ai kishte tjeter këndvështrim. Më la shije të hidhur vërejtja e tij se femrat s’kishin fituar asgjë nga emancipimi në shoqëri, përkundrazi ato ishin dyfish të skllavëruara, brenda shtëpisë dhe jashtë saj.
Gëzimi i autorit për botimin e vëllimit me poezi nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ishte jetëshkurtër dhe u pasua nga një goditje tronditëse. Libri nuk u shpërnda dhe të gjitha kopjet u dërguan në fabrikën e letrës në Lushnje për t’u grirë e për t’u kthyer letër ambalazhi ose karton. Dy pole të skajshme të fatit të librit. Kisha lexuar disa nga poezitë e tij të botuara në gazetë. Njëra prej tyre më kishte mbetur në mend për përshkrimin e tragjedisë së të ikurve çamë nga shtëpitë e tyre të lindjes në 1945. Në vargjet e Bilal Xhaferrit, ata iknin nëpër natë në dritën e flakadanëve të shtëpive të djegura dhe plumbat që u vinin pas u tregonin drejtimin nga duhet të merrnin arratinë. Nuk mund ta them me siguri nëse tema e tragjedisë çame si një temë tabu për vitet 1960 ishte shkaku i fatit të vëllimit me poezi.
Goditja e Pamëshirshme e Fadil Paçramit
Në Klubin e Shkrimtarëve Fadil Paçrami, në vend ta kundërshtonte me argumente diskutimin kritik të Bilal Xhaferrit për vlerat e romanit Dasma të Ismail Kadaresë, e spostoi problemin në sferën politike, duke e bombarduar diskutantin si birin e një ballisti, si armik të maskuar, dhe i kërkoi ta linte sallën menjëherë. Nën vështrimet keqardhëse të shokëve të tij, Bilal Xhaferri doli nga klubi. Diskutantët e tjerë e kuptuan se aty duheshin thënë vetëm lavdërime dhe mbledhja u mbyll me disa diskutime të vakëta. Sipas mendimit të disa shokëve të mi, që ishin pjesëtar të takimit, Bilal Xhaferri bëri gabim taktik pasi u nxitua të diskutonte menjëherë pas referuesit. Diskutantë të tjere që kishin vërejtje më të forta se ai për romanin, e mbyllën gojën pas incidentit me Bilalin. Për emancipimin ai kishte rezervat e tij, ca më shumë për atë që servirte Kadareja si çlirim nga zakonet e prapambetura. Fadil Paçrami po turfullonte duke dëgjuar kritika që nuk i priste e që mund t’i jepnin drejtim të padëshiruar mbledhjes. Ai u ngrit në këmbë dhe duke drejtuar gishtin nga Bilal Xhaferri, u tha pjesëmarrësve: “E dini kush është ky që foli keq për romanin? Ky është Bilal Xhaferri, të cilit ne i kemi vrarë të atin se ishte armik, ballist. Për ty nuk ka vend në këtë sallë dhe që tani kërkoj të dalësh jashtë. Jashtë!” uluriti Fadili. Salla u nemit. Qetë-qetë Bilal Xhaferri u largua i përcjellë nga vështrimet mëshiruese të shokëve të tij dhe ato plot urrejtje të partiakëve.
Nga ai moment jeta u bë edhe më e vështirë për Bilalin. E pushuan nga puna te “Rruga Ura” dhe i bënë presion të punonte në fermë. Ai nuk pranoi se s’kishte asnjë lidhje me fermën. Banonte te e motra në Shkozet përkohësisht, ngaqë ende s’e kishte strehuar asnjë nga ndërmarjet ku ishte punësuar. Laku po ngushtohej çdo ditë dhe s’i mbeti tjetër alternativë, veçse të arratisej me rrezik koke. Për t’i shpëtuar situatës që mund të shkonte drejt dënimit dhe burgosjes, ai gjeti rastin në ditët e festave përkujtimore të verës të mbajtura në fshatin Mërkat të Sarandës të arratisej në Greqi bashkë me kushëririn e tij.
Thashethemet e Kohës
Miqtë, dashamirësit dhe shokët e Bilalit mendonin se shkaktar për arratisjen ishte Fadil Paçrami dhe presioni i egër i tij mbi autoritet e Durrësit për ta dënuar. Mungesa e informacionit në Shqipëri i shtynte njerëzit të besonin lajmet që shkonin “vesh-më-vesh”. U fol se Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, qortoi rëndë komandantin e postës së kufirit të Mërkatit dhe ushtarët, duke u thënë se kapnin lepujt, ndërsa luanët u iknin, duke aluduar për Bilal Xhaferrin. Për sistemin ai si njeri i letrave ishte i rrezikshëm mbasi shkrimet e tij do të dëmtonin imazhin e Shqipërisë në botën e jashtme. Më ra rasti të lexoja në gazetën e rezervuar “Dielli” reportazhin e tij tronditës për internimin e një familje nga Shkozeti. Plaçkat e nxjerra në oborr, fëmijë që qanin dhe kamioni që priste t’i transportonte, në orët e muzgut pranë ujërave të detit Adriatik ishin skenat më tronditëse që kisha lexuar për tragjedinë e të internuarve nga regjimi komunist. Për Bilalin, këto krijime buronin nga përjetime personale dhe skena reale që i kish dëshmuar vetë.
U fol se Bilal Xhaferri i dërgoi letër Ramiz Alisë, ku i shkruante se mori rrugën e arratisjes nga atdheu kundër vullnetit të tij, i detyruar nga autoritetet lokale që e lanë pa asnjë mjet jetese dhe nga rreziku se do ta burgosnin pa shkas. U përfol se Fadil Paçrami ushtroi presion mbi prokurorinë e Durrësit, që të urdhëronte arrestimin e Bilal Xhaferrit. Ato lloj urdhrash ata i merrnin nga instanca të tjera, kryesisht nga Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë së Durrësit. U fol se Bilal Xhaferrin e vrau një nga njerëzit e sigurimit, ndërsa po zbriste nga aeroplani në një aeroport pa emër, sikurse më tha Bedri Myftari, një shoku i tij.
Kur erdha në Amerikë u interesova për të dhe mësova se Bilal Xhaferri vdiq në një spital të Michiganit më 14 tetor 1986, pasi kishte pasur një operacion për t’i hequr tumorin në kokë. Epikriza e tij mund të lexohet në arkivin e spitalit për këdo që interesohet të dijë me hollësi shkakun e vdekjes. A ka vepruar dora e Sigurimit jashtë shtetit? Sigurisht që po, por një pjesë të legjendave i përhapnin vetë punonjësit e sigurimit për të ngjallur frikë e panik te bashkëatdhetarët në diasporë.
“Krahu i Shqiponjës” në Amerikë
Të rrallë janë ata emigrantë politikë që kanë mundur të çajnë aq shpejt rrugën e suksesit sa Bilal Xhaferri. Në SHBA ai botoi revistën “Krahu i Shqiponjës” në Çikago, nga viti 1969 deri më 1986, me 17 vjet jetëgjatësi. Prirja patriotike dhe antikomuniste e revistës tërhoqi mjaft lexues. Bilali shkruante një pjesë të artikujve, redaktonte shkrimet e tjera, korrektonte bocat, e shtypte dhe e shpërndante vetë. Ishte një punë që kërkonte mund, dije, përkushtim, dhe ai ia doli mbanë me sukses. Koleksionisti i njohur i shtypit shqiptar në Amerikë, z. Idriz Lamaj, e ka ruajtur dhe më pas ia ka dhuruar Vatrës koleksionin prej 39 numrave si dhe numrin e 40-të të revistës përgatitur për botim nga Bilali. Z. Lamaj shprehet se nuk ka pasur organ tjetër përpara dhe pas revistës “Krahu i Shqiponjës” që të ketë paraqitur studime, hulumtime dhe ese historike mbi Çamërinë dhe çështjen çame si ato të publikuara në faqet e saj.
Projekti i Bilal Xhaferrit të përkthente vetë në anglisht romanin “Krastakraus” dhe ta botonte në Amerikë nuk u kurorëzua me sukses.
Kthimi në Atdhe – Eklipsimi i Fundit
Eshtrat e tij u kthyen në atdhe në kohën kur ishte Ministër i Kulturës, Teodor Laço, dhe me përkujdesjen e miqve të Bilal Xhaferrit. Fati edhe këtë herë nuk e favorizoi sepse në të njëjtën kohë u kthyen në atdhe eshtrat e kolosit të kulturës shqiptare, Faik Konicës. Për fat të keq, Bilal Xhaferri u eklipsua nga Konica. Ndërsa Konicës iu bënë nderimet e rastit me ceremoni madhështore në Boston, Bilal Xhaferri u zhvarros dhe eshtrat e tij u transportuan në aeroport, pa tubime dhe seanca përkujtimore. Miku i tij, Shefki Hysa u kujdesua për gjithçka. Ai meriton nderime për evidentimin e figurës së Bilal Xhaferrit, për botimin e revistës me të njëtin emër “Krahu i Shqiponjës”, si përlindje e veprës së tij në atdhe dhe për krijimin e Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”. Ajo ka riboutuar dhe botuar trashëgiminë letrare të Bilal Xhaferrit, midis tyre vëllimin me vjersha për Çamërinë dhe romanin “Krastakraus”.
Jam i bindur se një ditë krijimtaria e larmishme letrare e Bilat Xhaferrit do të gjurmohet me kujdes e do të studiohet për të zbuluar vlerat e saj, duke i dhënë mundësi lexuesit të njohë shpirtin dhe mendjen e këtij shkrimtari të talentuar me fat tragjik.
Komentet