SHQIPTARËT E AMERIKËS I KËRKOJNË QEVERISË SHQIPTARE TË KTHEJË ESHTRAT E ABAZ KUPIT NË VARREZAT E DËSHMORËVE TË KOMBIT DHE DËNOJNË ARRESTIMIN E RAMUSH HARADINAJ/
Edhe pse moti ishte i ftohtë, me stuhi bore,tradita e përkujtimit të përvjetorit të vdekjes së Abaz Kupit, nuk u ndërpre as në përvjetorin e 41-të. Të Shtunën me 7 Janar 2017, në një nga sallat e ndërtesës së varrezave në Kew Gardens, ku prehet Abaz Kupi dhe dhjetëra nacionalistë të tjerë shqiptarë, u organizua përkujtimi i përvitshëm në nderim të heroit të 7 Prillit, Legjendës së Luftës së Dytë Botërore, qëndrestarit antikomunist në mërgim, Abaz Kupi. Organizimi përkujtimor u bë nga dega e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” për SHBA dhe Familja Kupi. Krahas legalistëve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organizatave të Komunitetit: Federata “Vatra”, që u përfaqësua me zv/Kryetarin Asllan Bushati, anëtarët e Këshillit Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Ramiz Mujaj dhe editori i Diellit, Dalip Greca. Morën pjesë edhe- Rrënjët Shqiptar , që u përfaqësuan me presidentin Marko Kepi, organizata e Grave” “Hope & Peace” e përfaqësuar nga Kryetarja Mimoza Dajçi, ndërsa komuniteti Çam, si çdo vit, u përfaqësua me aktivistin e saj Sali Bollati, Lidhja e Prizrenit me sekretarin e saj Tom Mriaj.
I pranishëm në veprimtari ishte edhe historian i njohur, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, i cili i dhuroi familjes Kupi Librin e tij për Historinë e Popullit Shqiptar gjatë luftës së Dytë Botërore.
Tubimin e ka hapë nënkryetari i degës së Lëvizjes Legalitetit , z. Ahmet Hoti, I cili ka kryer edhe rolin e moderatorit të veprimtarisë.
Pas ekzekutimit të Hymneve Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, është mbajtë 1 minut heshtje në nderim të Heroit të 7 Prillit, Abaz Kupi dhe të gjithë të rënët e Kombit shqiptar dhe amerikan.
Moderatori Ahmet Hoti ka sjellë shifra, fakte, beteja, thënie, dokumente arkivore, që provojnë kontributin e Legalistëve dhe Abaz Kupit në veçantë në shërbesën ndaj Kombit, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
ABAZ KUPI, KUNDËR VËLLAVRASJES
Fjaliminkryesor, që përkujtoi e vlerësoi heroin, e mbajti z. Muharrem Xhydollari(Hudënishti), veprimtar i njohur legalist, përfaqësues i një familje shembullore në shërbim të Atdheut dhe Mbretit Zog. Z. Xhydollari në fillim ka tërhequr vëmendjen për arrestimin e Ramush Haradinaj nga autoritet franceze dhe kërkoi që komuniteti shqiptar të reagojë me vendosmëri. Duke u fokusuar tek përvjetori i 41-të i vdekjes së Abaz Kupit, folësi tha se “Jemi mbledhur sot këtu, për ta kujtuar këtë ditë të shenjtë,që ka të bëjë me personalitetin e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, politikanit,diplomatit dhe luftëtarit legjendar Abaz Hasan Kupi. Ai, me sakrificën e tij bëri që të mos e njohë asnjëherë qetësinë dhe rehatinë e familjes për shkak të luftrave dhe aktiviteteve për Kombin, si në përballjen me armiqtë pushtues, ashtu edhe me demagogjitë e brendshme shqiptare.“
- Xhydollari tha se roli i Abaz Kupit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i përmasave Kombëtare. Ai vuri në dukje shqiptarizmin e Abaz Kupit, që u bashkua me Frontin për t’i shërbyer Kombit, dhe u largua prej tij, kur e pa se Jugosllavët manipulonin Lëvizjen shqiptare në kurriz të Kosovës. Abaz Kupi iu largua luftës vëllavrasëse që pat nisë në Shqipëri në kërkim të marrjes së pushtetit. Folësi komentoi një letër të dërguar nga Abaz Kupi për Legalistët e zonës së Pogradecit. Organizata Lëvizja e Legalitetit në Pogradec,që drejtohej nga akademiku Nuri Hudenishti, organizoi në fshatin Dunicë të Mokrës një nga Kuvendet e rëndësishme të këtij grupimi politik më 14 Shkurt të vitit 1944. Në Kuvend u evidentuan të gjitha udhëzimet e dërguara nga komandanti i përgjithshëm i Lëvizjes së Legalitetit z. Abaz Kupi. U lexua aty edhe letra përshëndetse që u kishte dërguar Abaz Kupi. Ndër të tjera në të shkruhej: “Nuri, veç të tjerash duhet të bësh kujdes, forca që drejtohet prej jush duhet të kenë në shenjë vetëm armikun, jo vëllezërit shqiptarë.Ju porosis, që jo vetëm të mos bini në vëllavrasje, por mundojuni që me ndikimin tuaj ta ndaloni vëllavrasjen. Kujdes nga përplasjet me grupimet e tjera, mbasi tash në Shqipëri, ajo ka filluar hapur.” Kjo këshillë dhe ky udhëzim i Abaz Kupit u përshëndet nga Kuvendi. Edhe përfaqësuesit britanikë që ishin në Shqipëri e lëvduan këtë qëndrim të Abaz Kupit. Abaz kupi luftonte për një rend që të respektonte njeriun, fenë dhe pronën, por aleatët e përkohshëm të tij, partizanët i merrnin porositë nga emisarët jugosllavë.Lufta vëllavrasëse u bë-platformë për partizanët e Enver Hoxhës. Abaz Kupi, nuk pranoi që pushka e tij të vishte me të zeza nënat dhe motrat shqiptare, tha Xhydollari.
Folësi kritikoi ashpër tranzicionin shqiptar, ku ish komunistët trashëguan pushtetin edhe në demokraci, ata aministuan vetëveten me justifikimin se në diktaturë paskëshin bërë vetëm detyrën sipas ligejve të kohës! Edhe drejtësinë ata e kanë në dorë, gjithçka.
Folësi e mbylli ligjëratën e tij me këshillën që vjen nga Abaz Kupi:”Lufta jonë, na këshillon Abaz Kupi, mbaron vetëm kur Shqipëria të dekomunizohet plotësisht.”
BUSHATI: NDERIM PER GJENERAL ABAZ KUPIN
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj Asllan Bushati. Po e sjellim të plotë përshëndetjen e tij: Që nga 9 Janari i 1976, bëhen 41 vite pa Gjeneral Abaz Kupin, këtë legjendë të Krujës e gjithë shqiptarisë. Por si për asnjë person apo personalitet tjetër, bashkësia shqiptaro-amerikane e NY, është mbledhur dyzet herë pas vdekjes për ta kujtuar e vlerësuar, këtë burrë të madh të Kombit Shqiptar. Kjo nuk ka ndodhur edhe në trojet etnike për asnjë njeri tjetër. Statistika ndoshta nuk është e përshtatëshme për tu përdorur në një evendiment të tillë siç është përkujtimorja e sotme, por brendija e faktit është se Gjeneral Abaz Kupi ka lënë gjurmë të thella në kujtesën , shpirtin ,ndërgjegjen dhe ndienjat e shqiptarëve kudo qe jane.
Për një periudhë të gjatë kohe, shteti totalitar komunist në Shqipëri dhe veçanërisht vetë diktatori Enver Hoxha ,u përpoqën me të gjitha mënyrat ,për ta tjetërsuar figurën, veprën dhe kontributin e madh të Abaz Kupit në historinë e Kombit tonë. Hodhën shumë baltë mbi të, nëpërmjet makinës tyre të propagandës , përhapën shumë gënjeshtra, trilluan e tjerërsua ngjarje, data, ndodhi, takime e konferenca . I burgosën, interrnuan e torturuan familjen, por nuk ja arritën qëllimit. Balta e llumi që ata gatuan e ngritën kundër Abaz Kupit, u ra atyre që e bënë. Sot figura dhe vepra e Abaz Kupit shkelqen e ndrit siç ju ka hije heronjëve të vërtetë.
Kjo erdhi sepse Abaz Kupi nuk u vetlavdru, nuk shtoi e tjetërsoi fakte e ngjarje siç bene komunistet, por përkundrazi foli me shumë modesti për luftën, përpjekjet, kuvendet dhe mundimet e veta e të familjes së tij. Sepse i tillë ishte ai në gjithë jetën e tij, i thjeshë i matur, modest e shumë trim, i gatuar e formësuar në odat e burrave të kupëve, krutanëve dhe shqiptarisë.
Në librin e tij “Bijtë e shqipes”, britaniku Julian Amery duke përshkruar figurën e Abaz Kupit thotë:..”Kupi ishte i qetë dhe i rezervuar nga natyra, ai kishte sjellje të përsusur dhe kurrë nuk i tradhëtoi ndjenjat me ndonjë gjest apo shenje të dukshme. Sa më shpesh e takoja, aq më shumë më hynte në zemër dhe midis nesh u lidh një miqësi që ai e përshkroi me këto fjalë:”Këta janë tre majorë, dy për politikë dhe një për luftë “ kur na paraqiste te ndonjë shok i tij shqiptar…Kupi ishte njeri i jashtzakonshëm. Përveç trimërisë së tij, që u bë legjendare, saqë për të u kënduan këngë, kishte një kujtesë të habitshme”.
Ka njerëz që hyjnë në histori me një akt të vetëm dhe kjo është normale dhe e pranushme kur dikush jep jetën me vetëdije për diçka që e vlerëson si të shenjë ose madhore. Por ka të tjerë që hyjnë në histori dalngadalë, pa zhurmë, pa bujë, pa mburrje, por me vepra , beteja, kuvende të njëpasnjëshme, të cilat ndryshojnë rrjedhat e historisë. Abaz Kupi u përket atyre që hyjnë ngadalë sepse ai ka bërë shumë beteja në jetën e tij dhe dashuria për atdheun e besa, kanë qenë motivet që e kanë shtyrë përpara . Ato i kanë përsosur karakterin si burrë zakoni e si udhëheqës popullor, e i kanë shumëfishuar energjine dhe elementët e trimërinë, duke e bërë hero në të gjallë e në jetën e përtejme.
Fillimisht- siç dihet, Abaz Kupi pati kontradita me Ahmet Zogun (ish Ministër i Brendëshëm), por kur ai e kuptoi se çfarë përfaqësonte dhe çfarë donte të bëntë Zogu për Atdheun, mori vendime të rëndsishme për tu rreshtuar përjetësisht në krah të tij. Kjo këthesë filloi që në qëndrimin me ish shokun e tij te ngushte ku i thotë:”Dëgjo këtu o Halit Lleshi! Me që e do e mira e Shqipërisë unë do të kthehem. Përpara Shqipërisë nuk pyes as për miqtë, as për mijtë dhe as për fëmijtë. Unë pyes vetëm për Shqipërinë…Kur Ahmet Zogun e njoftuan se si kishte reaguar krutani, kishte thënë-Abaz Kupi është njeri i mirë”. Pas këtij moment këta dy burra të medhej te Kombit Shqiptar, lidhën besë me njeri tjetrin, Ahmet Zogu Kryeministër, President dhe Mbret i shqiptarëve, kurse Abaz Kupi bashkpunëtor i ngushtë i tij dhe luftëtar i lirisë e prijës i madh popullor.
Të nderuar bashkatëdhetar, bëjmë mirë që mblidhemi këtu në NY, pranë varrit të gjeneralit Abaz Kupit çdo vit. Me këtë nuk i bëjmë nder vetëm atij, sepse të gjitha nderet ai i bart me vete edhe brenda mermerit të grinjta ku flenë në përjetësi, por i bëjmë ndere vehtes tonë e gjeneratave që vijnë pas, me respektin ndaj heronjëve që dhanë çdo gjë për Atdheun.
I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra madhore e Heroit, Gjeneralit dhe atdhetarit të madh të Kombit Shqiptar Abaz Kupi.
Në emër të komunitetit çam përshëndeti Sali Bollati.
Në emër të Lidhjes së Prizrenit sekretai Tom Mrijaj.
Ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjek Gjonlekaj solli mbresat dhe kujtimet personale nga njohja dhe bashkëpunimi me legalistët dhe komunitetin e Queens-it, me djemtë e Abaz Kupit, (veçanërisht Rustemin-Semi, që me shërbimin ndaj Nënë Terezës hyri në memorjen kombëtare), me Ramiz Danin dhe Ndrec Gjergjin me vëllezërit, me Bardhok Ndreun, e të tjerë. Ai veçoi kontributin e professor Nderim Kupit dhe shuëm legalistëve të tjerë. Në emër të organizatës së grave” “Hope & Peace”, përshëndeti sekretarja Mimoza Dajçi…
Në emër të Rrënëjve shqiptare përshëndeti Marko Kepi.
Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu solli një përshëndetje të veçantë dhe prezantoi librin e tij”Shqipëria nën pushtimin Italian 1939-1943”, ku zë një pjesë të mirë e zë edhe kontributi i Abaz Kupit.
Ahmet Hoti premtoi se së shpejti do të organizohet nga Legaliteti promovimi i këtij libri. Një kopje e librit iu dhurua familjes Kupi. Duke e marrë librin, djali i Fatbardh Kupit, nipi i Abazit, Arbeni tha se kjo ishte një dhuratë me shumë vlera për familjen. Ai falenderoi Prof. dr. Muharrem Dezhgiun për kontributin e tij në rishkrimin e Historisë Kombëtare.
***
MESAZH I KRYETARIT TË LEGALISTËVE SHQIPTARË
Kryetari I degës së Legalitetit Hakik Mena solli për të pranishmit përshëndetjen e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, drejtuar degës për sHBA dhe familjes kupi. Në të shkruhej: I nderuar Kryetar i degës PLL në SHBA, z. Hakik Mena,
E nderuar Familja Kupi,
Të dashur Legalistë, miq dhe të ftuar,
Me rastin e ceremonisë përkujtimore që organizoni sot për 41-vjetorin e vdekjes së Heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të nacionalizmit dhe patriotizmit , Gjeneral Abaz Kupit, kam nderin t’ju drejtohem nëpërmjet këtij mesazhi për t’ju shpreh se të gjithë legalistët bashkohen dhe përulen bashkë me ju para veprës së udhëheqësit historik të “Levizjes së Legalitetit” dhe nacionalizmit shqiptar.
Me plot arsye, PLL është krenare për trashëgiminë që na ka lënë Gjeneral Abaz Kupi, për rezistencën që organizoi kundër pushtimit fashist në zbatim besnik të urdhërave të Mbretit Zog, për luftën e pa kompromis që zhvilloi dhe udhëhoqi kundër diktaturave nazi-fashiste dhe sllavo-komuniste, për angazhimin e tij për t’ju ofruar Shqiptarëve lirinë, demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin në një shtet unitar, me institucione legjitime e legale, dhe për vendosmërinë e tij për ta radhitur Shqipërinë në kampin perendimor.
Jemi krenarë sepse veprimtaria e Gjeneral Abaz Kupit, në Shqipëri dhe në mërgim, ishte shembullore dhe e pa përlyer dhe si e tillë do të mbetet gjithmonë referencë dhe frymëzim për shqiptarët e ndershëm se si mund t’i shërbehet Atdheut dhe Kombit.
Në këtë vit jubilar të 41-vjertorit të vdekjes së personalitetit që bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij e emëruan “Kryetar nderi të përjetshëm i Legalitetit”, ne jemi më të vendosur se asnjëherë tjetër për të vazhduar përpjekjet tona derisa të realizohen idealet e Gjeneral Abaz Kupit dhe të Etërvë tanë shpirtërorë.
Pavarësisht se Legaliteti dhe legalistët kanë dijtë të vlerësojnë figurën e Gjereral Abaz Kupit duke organizuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij një ceremoni përkujtimore në shtetin mik Amerikan ku prehen akoma eshtrat e Tij, nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për faktin që qeveritarët Shqiptarë të tranzicionit, ende nuk janë shkëputur plotësisht nga mendësia komuniste sepse, po të ishte ndryshe, do të kishte qenë në nderin e tyre dhe të Shtetit Shqiptar që të riatdhesoheshin zyrtarisht eshtrat e Gjeneral Abaz Kupit dhe të shkruhej emëri i Tij në historinë dhe historiografinë zyrtare, krahas emërit të atdhetarëve dhe patriotëve më të mëdhenjë të vendin tonë,
Në këto kushte është pra detyrë e jona dhe e djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë, lirinë dhe nderin e Shqiptarëve në kohërat më të vështira, që të tregojmë se sakrificat e të parëve tanë ishin të drejta.
Duhet të vazhdojmë të mbrojnë, promovojmë dhe jetësojmë vlerat morale, politike dhe kombëtare të nacionalistëve si Gjeneral Abaz Kupi dhe të ndjekim shembullin e Tij dhe të patriotëve të tjerë me në krye Mbretin Zog, pasi vetën kështu do të kryejmë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurt, të zhvilluar dhe të bashkuar; – atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.
I paharrueshëm qoftë kujtimi i Tij !
Vëllaznisht i juaj,
Sulejman Gjana
Veprimtaria është mbyllë me falenderimin e nipit të Abaz Kupit, Arben Kupit ,në emër të familjes. Për të pranishmit si në çdo vit u organizua një koktejl. Një grup të rinjësh çuan kurora me lule tek varri i heroit të 7 Prillit, Abaz Kupit.
Veprimtaria u regjistrua nga Televizioni Kultura Shqiptare ne Nju Jork i Adem Belliut dhe u ndoq nga Gazeta “Dielli”.
Komentet