Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi, ka qenë i pranishëm, sot, në ditën përkujtimore të masakrës komuniste në Postribë.
Gjatë fjalës së tij Boçi ka thënë se përmasa e kësaj kryengritje në çdo përvjetor të saj shfaqet gjithmonë e më e madhe, ndërsa reflektimi për mesazhet që ajo mbolli e shpërndau behet gjithnjë e më shumë aktuale, duke paralelizuar kështu autokracinë që ka kapluar Shqipërinë dhe Shkodrën veçanërisht e cila u vu nën pushtetin e bandave përmes Benet Becit.
Fjala e Plotë e Luçiano Boçi:
Të dashur banorë të Postribës.
Kjo treve këtu, treva juaj është një nga pikat kryesore të historisë sonë e të krenarisë sonë.
Emri i Postribës, u flet njëherazi të gjithë shkodranëve, të gjithë malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve me aktin e saj kryengritës dhe pathyeshmërinë e saj.
Këtu, më shumë se kudo tjetër, në këtë vend të mbushur me qëndresë e rezistencë Historia ka qenë tragjike.
Ka qenë tragjike por dhe heroike, sepse heroizmi mbetet bashkudhëtari i pandarë i kësaj krahine.
Burrat e kësaj të drejtuar nga Jup Kazazi e Osman Haxhia, nuk preferuan largimin nga atdheu por përballjen me të keqen, nuk pranuan përuljen, por kryengritjen, nuk pranuan robërinë sllavo-komuniste e dhanë gjithçka dhe jetën në emër të lirisë.
Prandaj Postriba ka qenë e mbetet zemra dhe simboli madhështor i antikomunizmit, i luftës për liri e dinjitet dhe i luftës për demokraci.
Nëse sot jemi mbledhur në këtë vend simbolik, kjo është për t’i bërë homazhe jo vetëm atyre burrave që me kurajë e vetëmohim u ngritën kundër instalimit të komunizmit, por për t’i bërë homazhe të gjithë Shqipërisë dhe luftës që shqiptarët kane bërë kundër diktaturës.
Komunizmi që sa vuri këmbë në këtë vend u dëshmua se kërkonte të ndërtonte murana gjaku mbi këtë tokë dhe frymë të shuara nën dhe, me pushkatime, burgosje e internime.
Më mirë se kushdo këtë e kuptuan atdhetarët, patriotët e intelektualët e Shkodrës, e krahinave të tjera, të cilët bënë gjithçka mundën që të shpëtonin vendin nga kjo murtajë.
Ata nuk kursyen asgjë dhe u martirizuan me ëndrrën e dëshirën për një Shqipëri të lirë.
Kryengritja e Postribës është më shumë se një ngjarje historike. Ajo është një simbol i rezistencës, i rezistencës për dinjitet e liri, për komb e fe, për familje dhe atdhe.
Ajo na kujton se çdo njeri ka të drejtën të kërkojë lirinë e tij dhe të luftojë për të drejtat e tij.
Permasa e kësaj kryengritje në cdo përvjetor të saj shfaqet gjithmonë e më e madhe, ndërsa reflektimi për mesazhet që ajo mbolli e shpërndau behet gjithnjë e më shumë aktual.
Ajo qartazi na mëson se historia është ndërtuar nga ata që nuk pranojnë të heshtin përballë padrejtësive dhe se ajo është në anën e guximtarëve.
Ndërsa shpirtrat e atyre burrave qe u sakrifikuan për ideale, ngjajnë sikur janë këtu midis nesh dhe na nxisin me kujën e tyre që ne të ngrihemi.
Të ngrihemi për ti dhenë fund një regjimi i cili në mos quhet sot komunist është po aq i zi sa dhe komunizmi.
Për t’i dhënë fund një sistemi që shtyp e përndjek e burgos politikisht kundërshtarët e tij.
Për t’i dhënë fund një qeverisje antiqytetare që bën gjenocid ndaj shqiptarëve e që vret e pushkaton të ardhmen e ëndrrat e fëmijëve e familjeve tona.
Lavdia e kësaj kryengritje do jetë e plotë, vetëm atëherë kur ne ecim në rrugën që këta heronj hapën me martirizimin e tyre.
Sepse, duke marrë pak përcaktimin e Mekulit për Kosovën, “Postriba mbetet gjaku ynë që nuk falet”sn