BARI I PUTHJES SE PARE
Dhe zura vend në tavolinën,
Atje në qoshen, paksa e futur,
Ku si flutura kujtimet erdhën.
Aty ku herën e parë jemi puthur.
Eh, ëmbëlsinë e asaj puthje
Më kot dua ta sjell në mend!
Ditë, javë e vite ikën tutje,
Askush s’e zuri vendin tënd.
Ndaj qaj me shpirt të coptuar.
Mbi tavolinë lotët bien pik-pik.
Shok më bëhet lypsi në trotuar.
“Ç’ke?-thotë-Robo, mos u mërzit”.
As vetë se di, vesh nuk e mora!
Ah! Lotët më mbetën të pa tharë!
Cigarja më kishte rënë nga dora,
At’ditë te Bari i puthjes së parë.
“Endri – Bar”
SHIU
Dhe prap zuri shiu në Tiranë.
Çadrat si vjollca u hapën sërish.
Eh, sa doja të të kisha pranë!
Dhe duart në të mijat ngrohtësisht,
Të t’i mbaja, shpirt, si dikur!
Dhe ti nga buzët e bukura,
Kafen ëmbël duke rufitur,
Të nxirrje buzëqeshje si flutura.
“Grand-Bar”
E VETMUAR
Çdo ditë tek e njëjta tavolinë, vetmuar
Kafen rufit kjo bukuroshe flokverdhë.
Nuk e di me kë do të jetë zemëruar.
Keqas, vello e trishtimit e ka mbështjelië.
Dhe më pas ndez shpejt një cigare,
Gjithë afsh e thith, gati pa pushim,
Shikimin gjatë e mbërthen në dritare.
Kë pret vallë me aq shumë padurim?!
“Venus” Bar
KU
Ku je ti e ëmbla dashuria ime,
Lule e qëndisur mbi mëndafsh?
Ku je ti e ngrohta lumturia ime,
Ves e agut që shndrit me afsh?
Të kërkova sot në tylin e mjegullës
Që Dajti kishte ndehrë mbi qytet.
U vërsula, drejt imazhit të mjelmës,
Kur i lumtur zgjata duart, ishte tret!
Bar Restorant “Sokrat”
ZENKA
Ti, me eks e mllef, kthen një gotë,
Ajo këmbë mbi këmbë thith cigare.
Ju paska rënë keqas në kokë.
Ç’bëni kështu? Paski qenë fare.
Inatin e zënkës tuaj nuk e keni aty,
Në atë lëng a në atë tym të mallkuar.
Lëreni mërinë pra, shihuni sy më sy.
S’është mirë kështu, të rrini zemëruar!
“My baby”
MUZG
Sa lehtas bie muzgu mbi Tiranë,
S’besoj të ndodhë në tjetër qytet!
Nën farfuritje dritash an’e mbanë,
Nga maj e Dajtit, hij’e tij hijshëm zbret.
“Bar Sahati”
“JUNA-BAR”
Sa kohë kemi shpirt pa u parë?
Ku e kam dritën e syve të tua?
Vërtet tashmë ne jemi të ndarë.
Por, kjo s’do të thotë se s’të dua.
Nuk isha unë ai që thashë: Ik!
Ti, qe ajo, që befas u largove.
Vërtet s`e pate menduar atë ditë,
Që keqas në zemër më helmove?
Eh. kjo botë kështu qënka stisur!
Në dimër vapë, e në gusht acar.
Ndaj nga mëngjezi në të ngrysur.
Unë rri e të pres në “Juna-Bar”.
“Juna-Bar”
“MULLIRI I VJETER”
Ja ku është aty, “Mulliri i vjetër”,
I shtrenjti, i këndshmi bari ynë.
S’mund të ishte në vend tjetër
Kujtimet, puthjet të gjitha brymë.
Këtu vije mëngjezeve engjëllore
Vjollcë e spërkatur nga vesa e agut.
Bar i ëndrrave të shenjta hyjnore,
Ç’ke shpirt, pse rri ngrirë tej pragut?
Nuk më sheh? Me gotën jam në dorë
Te tavolina jonë në qoshen e kuvlis.
Të kujtohet, ti the: “Sot nga kjo orë.
Kjo do të jetë foleja jonë e dashurisë”.
Bar-Kafe “Mulliri i vjetër”
DITE GRI
Çdo ditë gri ngjan me mërzitjen time,
Por, edhe me trishtimin tënd sigurisht.
Ikën, shkuan ledhe puthje, përqafime
Tjetër herë nuk dihet, kur do të vish.
Dimri do edhe ca ditë, është ende larg,
Po të ftohtin që tani keq, oh, po e ndjej.
Refreni pambarimtë; “do të vish prap”
Nuk më ndahet më ndjek gjithandej….
Bar “Piazza”
VJOLLCAT E BARDHA
T’ju këpus, t’ju marr ndër duar?!
Oh, do të fishkeni! Mos o njeri!
I them vetes, keqas fort dyzuar.
Vjollcat e bardha burojnë mirësi.
E në çast m’u bë se ndjeva si vaj
Zën`e lehtë të Vjollcës së Gëtes 1
“…po vdes. Po vdes nga këmba e saj”2
Ndaj u shtanga. Jo, jo i thashë vetes.
“Glamour-Bar”
1)- “Vjollca” poezi e njohur nga poeti gjerman Johan Vilfgand Gëte
2)- Vargu i fundit nga poezia në fjalë
LARGIM
Kjo natë sonte,
Ka shumë gjëra
Nga një ndarje e papritur.
Por, edhe shumë më tepër
Nga një largim i paralajmëruar.
Ndaj kurrsesi nuk kish
Se si të ndodhte ndryshe.
Madje, dhe nuk kish
Se si të ndodhte tjetërsoj,
Ngaqë ndarja midis nesh
Prej kohësh ish.
Dhe largimi nuk e di përse,
Aq shumë vonoi.
Bar “Barcelona”
RRUGA
Tek kjo rrugë vazhdimisht kaloj,
Ngaqë shpresën kurrë se humbas.
Një ditë sërish këtu do të të takoj,
Dhe dy fjalë sigurisht me ty do t’i flas.
Të gjitha urat i ke mbyllur me mua.
Asnjë fjalë të keqe s’kemi këmbyer!
S’di si bëj pa dritën e syve të tua?
Mungesa jote, dhimbje e parrëfyer.
“B & B”
PAMUNDESI
Nuk ia them absolutisht fare,
për lamtumira.
Jam i prerë vetëm për rrugë të gjata.
Nuk e shfaq,
por ditën që kthehem në shtëpi
trishtohem keqas.
Ndërkohë, e kam të pamundur,
dhe pse jo, tejet të vështirë,
që edhe një metër
të rri larg teje.
“Tulip-Bar” Budapest
PIKA SHIU
“Ca pika shiu”, sot nuk “ranë mbi qelq” 1
Si në atë poezinë brilante të Kadares.
Pllakave të trotuareve prishur keq.
I pash të binin, kur i dhash fund kafes.
Dhe, pikat e tij të para aq nxituar,
Thashë se do më shuanin mallin tënd.
U bë kohë shpirt që m’ke munguar,
Thuamë të kujtohet i mallkuari vend?
Ku, eh, lamtumirë njëri tjetrit i thamë,
Dhe trokëllimë e hapave të tua u shua.
Atje, tutje në urën e vogël mbi Lanë,
Dhe të të kem sërish, dua edhe s’dua.
Bar “Eden”
1) Vargje nga poezia e Ismail Kadares “Ca pika shiu ranë mbi qelq”
DESHIRE
Të shtrihesh pranë teje!
O Zot, ç’mrekulli!
Të flesh pushtuar nga krahët e tua.
Sa ngrohtë, o Perëndi!
Dhe pas kësaj veç një gjë do të doja.
Mëngjezi të mos vinte kurrë.
Bar “Firence”
Marrë nga libri : “DHE PRAP ZURI SHIU NE TIRANE “ i Bedri Alimehmetit
Botim i shtëpisë botuese “ADA”