Kombëtarja është momenti i krenarisë për çdo futbollist. E kush më mirë se një ish-kapiten, një ish-portier dhe një ish-legjendë që e ka veshur prej dekadash ngjyrën kuqezi mund ta dijë këtë. Kristian Panuçi ka mbajtur një standard të lartë, edhe kur është bërë fjalë për një portier të Serisë A, i cili javë pas jave merr elozhet nga mediat italiane.
Trajneri i Kombëtares la jashtë grumbullimit Thomas Strakoshën, i cili humbi avionin për të mbërritur në mbrëmje në grumbullim në Durrës. Për këtë, pas publikimit të lajmit ekskluziv, “Panorama Sport” ka kontaktuar ekskluzivisht edhe me babain menaxher të portierit, Foto Strakoshën, ish-kapitenin e Shqipërisë.
Në bisedën telefonike, ish-gardiani i kuqezinjve kërkon me çdo mënyrë të shmangë keqkuptimet për situatën e krijuar, pasi në kryefjalë të asaj që thotë është Kombëtarja, edhe kur bëhet fjalë për të birin.
“Më mirëkuptoni, por e kam të vështirë të flas. Pavarësisht gjithkujt, Kombëtarja është mbi të gjithë”, shprehet Foto sapo nis fjalën e tij.
Si menaxher i Tomasit, cili është komenti juaj për vendimin e trajnerit në lidhje me të?
Edhe në karrierën time, por në të gjithë jetën time, mbi çdo gjë, ka qenë ekipi kombëtar. Dhe për të respektuar edhe momentin e ekipit kombëtar që ka ndeshjen të premten, duke marrë shkas edhe që unë jam prind, babai i Tomasit, nuk do të jem i bindshëm për asnjë. Kështu që, unë jo vetëm e kam për detyrë, por sinqerisht që e respektoj vendimin e trajnerit.
Çfarë ndodhi ekzaktësisht?
Tani nuk dua që të futem në ato debate. Që në momentin që rregullat e trajnerit janë ato, përderisa është thyerje disiplinore që për x arsye të mos arrish në orën e duhur, unë e mbështes dhe e respektoj vendimin e trajnerit.
Po cilat ishin arsyet e Tomasit për të mos u paraqitur në orar në grumbullim?
Juve jua kanë thënë. E keni bërë me dije.
Po, gjithsesi ju mund të keni versionin tuaj edhe si menaxher i tij…
Sado që unë mund të marr vendin tim si menaxher dhe si prind, nuk do të jem dot i bindshëm për njerëzit. Ndoshta ata që më njohin, edhe mund të më kuptojnë. Sado që të marr pozicion unë, të mirë apo të keq, nuk do të jem i bindshëm për opinionin publik. Kështu që, më lejoni me sinqeritet që duke qenë edhe në të mirë të ambientit të ekipit kombëtar të mbetem me kaq.
“Panorama Sport” ka shkruar sot (dje) se vonesa e Tomasit ka ardhur për shkak të një bllokimi në trafik dhe mosarritjeje në orar për avionin. E konfirmoni?
Pse ma bëni këtë pyetje? Po cila mund të jetë arsyeja tjetër? Nuk ka asnjë arsye tjetër veç kësaj. Ishte vonesë. E them me sinqeritet, nëse ishte faji i lojtarit që u vonua, le të mbajë përgjegjësi dhe të dënohet.
Ju personalisht a keni komunikuar me trajnerin Panuçi?
Jo nuk kam folur. Nuk kam as të drejtë komunikimi me të dhe vetëm një herë e kam takuar rastësisht kur ka ardhur për grumbullimin. Nuk e njoh dhe besoj edhe ai nuk më njeh. Vetëm një herë jemi parë.
OLSI TUJANI
INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”
Komentet