Në rininë time, sporti për mue ishte gjithëçka, ishte investimi ma i madh i jetës.
Sporti ishte gëzimi, kënaqësia , krenaria, sakrifica, besimi dhe optimizmi i jetës.
Sporti ishte siguria politike , siguria e punës, siguria për konsolidimin e familjes.
Sporti ishte vetë jeta!
Në vjeshtën e vjetit 1966 në moshën 23 vjeçare, me punë, djersë, disiplinë e sakrificë pata mbrritë me u Diplomue për Matemetikë në U.SH.T. (1964) e njikohësisht me mbajtë mbi shpatulla nji bagazh rezultatesh sportive me peshë shumë të madhe në fushën e basketbollit.
Rezultatet sportive dhe tituj nderi:
* Dy herë Kampion Kombëtarë me Perfaqësuesen e Shkollave te Mesme të Tiranës, vitet 1959,
1960.
*”Medalje e artë e Spartakiadës Parë Kombëtare”, viti 1959 si basketbollisti ma i dalluem dhe me përespektivë
.* Pjestar i Përfaqësues shqiptare të basketbollit (deri 22 vjeç) në lojnat Rinore të Bukureshtit, (Kallnuer 1960).
* Katër herë Kampion Kombëtar në Basketboll ( të rritun); me ” 17 Nëntorin ” e Tiranës për vjetët 1961, 1962, 1963 dhe me Vllazninë e Shkodrës në vjetin 1966- 1967. ( Medaljen e katërt me Vllazninë nuk e pata marrë sepse më larguen politikisht prej sportit).
* Fitues i 4 ( katër) Kupave të Republikës; me skuadrën e ” 17 nëntorit” të Tiranës për vitet 1961,1962, 1963; dhe me skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës në vitin 1966.
* Fitues i 3 (tre) Kupave të Çlirimit të qytetit të Shkodrës në vitet 1961, 1962, 1963.
* Fitues i 3 ( tre kupave ) të qytetit të Tiranësnë vitet 1961, 1962, 1963.
* Në moshën 18 vjeçare pjestar i Përfaqësuese Shqiptare të Basketbollit.
* Mjeshter i Sportit në Basketboll në moshën 19 vjeçare.
* Fitues i Anketës së Gazetës Sporti Popullor si lojtar i ” pesëshes ma të mirë” që do të përfaqësonte Shqipninë në lojnat Ballkanike të Basketbollit të vjetit 1965 në Tiranë.
* Lojtar kryesor ( edhe i pesëshes së parë) i Përfaqësueses shqiptare ne Ballkaniadën e Basketbollit që u zhvillue në Tirane në Dhetor 1965.
Mbrapa në kohë
* “Mjeshter i Merituem” në Sportin e Basketbollit, viti 1993.
* ” Nderi i Sportit Shqiptar”, viti 2000.
. * Medalje e Mirënjohjes”, viti 2006
Në Dhetor 1966 shkova si çdo ditë masditeve në stërvitje me skuadrën e Vllaznisë në fushën sportive të Kandit Spartak Shkodër dhe para se me mbrritë te dhoma e çveshjes, jashtë, pak si në qoshe, po më priste trajneri Esat Haxhi i cili mu afrue dhe me tha se kishte diçka me më komunikue. Esati ishte i mpimë, u mundonte me shmangë shikimin sy në sy, dhe tue iu dridhë buza, foli me za të ultë: ” Filip jam i autorizuem me të komunikue përjashtimin tand prej aktivitetit sportiv të basketbollit për motive politike”, i shpëtuen lot prej syve…, aq ndiva keqardhje për profesorin, për të cilin kisha dhe vazhdoj me ruejtë respekt të veçantë, sa për momentin harrova hallin tim dhe u mundova me e qetësue tue i thanë: “Shndosh kjoshim profesor, në shtëpinë timë kam kalue halle shumë ma të mëdhaja se ky i sotmi, Zoti e baftë mirë” U ktheva mbrapsht dhe ma hapa të ngadaltë u nisa drejt shtëpisë.
Asnji shok i skuadrës nuk u afrue me më përshndetë…?! Ndoshta…, ishte friga e infektimit prej ” sëmundjes së zgjebes që lufta e ndytë e klasave përlyente të prekunit politikë” . Ajo që më ban të mos ndihem mirë edhe sot mbas kaq shumë vjetëve asht fakti disa shokë të sportit në Shkodër me të cilët kalojshim çdo ditë aq mundë dhe sakrifica së bashku në stërvitje dhe me disa prej tyne edhe orët e lira, nuk u bane ma të gjallë ! Njeni prej tyne, që po ja kursej përmendjen e emnit ( ka me u kujtue kur t’i lexojnë këto rreshta ) me të cilin kisha shumë konfidencë dhe e konsiderojsha shok të vertetë, nji ditë ma parë kishte pasë harrue kanotjeren e tij sportive në çanten time, dhe nana e kishte la së bashku me teshat e mija të sportit, nuk pat as burrni me ardhë në shtëpi për me marrë kanotjeren e me bisedue dy fjalë me mue… , por dergoi nji person të tretë !… Megjithse jetuem të dy në Shkodër nuk e pata takue për nji periudhë shumë vjeçare…! Ndryshe ishte sjellja e shokëve të sportit të Tiranës, me të cilët, pamvarësisht prej halleve që më patën ra mbi krye, miqësinë e ruejtne si në kohët e para.
Mbas disa javëvë prej përjashtimit tim me motiv politik prej sportit, kërkova takim me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë për Qarkun e Shkodrës, “shokun” Pjeter Kosta për më i paraqitë padrejtësinë që më ishte ba. E takova “shokun Pjeter” në zyrën e tij dhe argumenti që i parashtrova me dy fjale ishte tepër i thjeshtë;
” Si e spjegoni shoku Pjeter faktin që nji përson si rasti i im, me biografinë që kam , me meritat që kam demostrue në fushën e sportit dhe me rezultatet që kam mbrritë ( ia numrova shkurtimisht) që deri dje ishte i duartrokitun dhe i respektuem prej të gjithve kurse nji ditë mbrapa, pa asnji shkak dhe motiv dënohet deri me përjashtim prej sportit ?
Isha thellësisht i bindun që urdhni për largimin tim prej aktivitetit sportiv me motiv politik kishte ardhë nëpërmjet tij (ndoshta…?, i urdhnuem prej dikuj në Tiranë me qëllim dobësimin e skuadrës Shkodrane që në atë moment ishte ma e forta në basketbollin shqiptar) dhe ai e kuptonte që unë e kuptoj!
Pyetja e zuni ngusht , sepse përgjigjen nuk mund ta jepte ai që e kishte urdhnue padrejtësinë. Kjo e nervozoi, ose bani sikur u nervozue sepse me za te naltë dhe me arrogancë me bërtiti: “Çka kujton more se Sekretari i parë ka kohë me u marrë me punë kote a luejti a s’luejti lojtari , nisu e shko se s’kam kohë me hupë me kto punë!
Me kaq mbaroi takimi !
Për kët person me sjellje kaq arrogante dhe me paburrninë që demostroi në komunikim, formova dhe ruej nji opinion shumë negativ, shija e keqe e asaj dite ende sot më pshtjellohet në stomak !
P.S.
Mbas dy vjetëve ndërpremje të aktivitetit sportiv , falë ndërhymjes së Bilal Parrucës, asokohe Kryetar i Komitetit Egzekutiv i Rrethit Shkodër, fitova të drejten e riaktivizimit në sportin e basketbollit. Për fatin tim të keq, ndoshta pasojë e ndërpremjës së stervitjes për nji përiudhë dyvjeçare, mbas pak kohe u aksidentova në gju në mënyrë të pashërueshme.
F.G.
( Pjesë e librit ” Dromca kujtimesh” i derguem për botim)”
Fotot bashkangjitun: E para,me dy Mjeshtrat e Mëdhaj te basketbollit shqiptar, Bujar Shehu e Vaso Shaka, paraqet momentin mbas dekorimit me medaljen e trete të Kampionit Kombtar Shqiptar në basketboll, Qershor 1963. Dy te tjerat, paraqesin momente (personale) gjatë ndeshjes miqësore së Përfaqësuesës Shqiptare në Ballkaniadën e Basketbollit 1965 -Tiranë me skuadren kineze “Avangard”, Nandor 1965-Tiranë.
Komentet