Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plota disa nga relacionet sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe veçanërisht Ramiz Alisë e Hysni Kapos, lidhur me çështjen e përgjimit dhe survejimit që organet e MPB-së u bënin ambasadave dhe konsullatave të huaja në Tiranë, përsa u përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Përgjimi i ambasadave dhe legatave të huaja në Shqipëri, qofshin këto perëndimore ose lindore do të niste direkt pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit nga forcat komuniste të Enver Hoxhës. Të parat legata që do të përgjoheshin dhe do të survejoheshin vazhdimisht do të ishin ato të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe UNRRA-s në vitet 1945-1946. Më pas kjo do të vijonte me ambasadën jugosllave, sidomos pas vitit 1953 (vit në të cilin do të rilidheshin marrëdhëniet diplomatike) do të pasonte me ato italiane, franceze dhe për ta përfunduar me ambasadat greke dhe turke në vitet ’70-’80.
Dokumentet dhe relacionet sekrete në fjalë do të përpiloheshin nga vetë drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe Rexhep Kolli në lidhje me bisedat sekrete të disa nga diplomatëve jugosllavë, francezë, rumunë dhe turq të akredituar në Tiranë. Instancat e Sigurimit të Shtetit i trembeshin vazhdimisht një sulmi të mundshëm ushtarak frontal nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Traktatit të Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1968, vit i cili do të shënonte edhe daljen përfundimtare të Shqipërisë nga blloku lindor, por edhe nga një ndërhyrje e SHBA-ve dhe e bllokut të NATO-s nga ana perëndimore për të rrëzuar regjimin e Tiranës.
Këto raporte sekrete të vitit 1970 nuk tregojnë gjë tjetër veçse paranojën e zakonshme të Sigurimit të Shtetit për të survejuar vazhdimisht ambientet e këtyre ambasadave si dhe për të përgjuar deri në detaje edhe pjesët më të hollësishme dhe të parëndësishme të bisedave të zakonshme diplomatike që zhvilloheshin asokohe rëndom në përfaqësitë e huaja. Të shumta do të ishin edhe rastet e arrestimeve dhe dëbimeve të disa prej diplomatëve përfaqësues të atasheve ushtarake, tregtare dhe kulturore, të cilët në mënyra nga më të ndryshmet (shpeshherë të inskenuara edhe nga vetë Sigurimi i Shtetit) me materiale dhe prova kompromentuese për të cilat do të akuzoheshin për spiunazh dhe do të cilësoheshin “Non Grata”. Por të gjitha këto përgjime dhe survejime të godinave të ambasadave dhe bisedave të zakonshme të diplomatëve të huaj nga organet e MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit nuk do të tregonin gjë tjetër veçse kalbësinë dhe gjendjen paranojake të shtetit komunist shqiptar, që u frikësohej vazhdimisht reagimeve të ndryshme publike për gjendjen e mjerueshme ekonomike, për klimën e izolimit politik të Shqipërisë nga bota e jashtme, si dhe për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga jashtme që do të çonte edhe në rrëzimin nga pushteti të Enver Hoxhës. Por, një sulm i tillë ushtarak nuk erdhi kurrë.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
DREJTORIA E PARE EKZEMPLAR. Nr.1
Nr. I Prot. 759 Tiranë, më 16.II.1970
Lënda: Mbi një bisedë të zhvilluar në mes sekretarit të ambasadës jugosllave dhe ambasadës franceze
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA TIRANE
Nga biseda që ka bërë më datën 8.I.1970, sekretari i legatës jugosllave, Jovan Kërstiç me sekretarin e ambasadës franceze, Paskal Karmon, rezulton:
1.Jovan Kërstiç i shpjegon Karmonit se së shpejti do të niset ambasadori jugosllav për në Pekin duke thënë: “Ambasadori që do të shkojë në Pekin do të jetë nga ushtria dhe me përvojë të madhe politiko-diplomatike. Ai nuk është caktuar akoma, pasi janë faktorë të ndryshëm të strukturës sonë kombëtare në bazë të së cilave, kriteri i caktimit të ambasadorëve bëhet në bazë të republikave. Por, rasti i ambasadorit që shkon në Pekin është një rast i veçantë, nuk është aspak i thjeshtë caktimi i ambasadorit për në Pekin. Ai duhet të jetë me një përvojë të madhe politiko-diplomatike, me eksperiencë dhe jo thjesht një figurë sipas kriterit të caktimit të ambasadorëve në Jugosllavi. Ne duhet të kërkojmë edhe pëlqimin e kinezëve. Ambasadorët do të këmbehen, sepse në fakt është arritur marrëveshja midis dy qeverive. Ne jemi dakord, po kështu dhe kinezët, bile kinezët janë të parët që dhanë pëlqimin. Është interesante se Shqipëria është duke e shikuar të drejtë, e kupton?
2.Francezi interesohet mbi procedurën e caktimit të ambasadorëve në Jugosllavi dhe Kostiçi, duke i shpjeguar i thotë: “Ambasadorët caktohen nga republikat, të cilët propozojnë përfaqësuesin e tyre. Psh. tani ndodh në rastin e Kosovës, ku insistohet që të ketë ambasador edhe nga shqiptarët. Kosova do të ketë dy vende për ambasador dhe ata na dhanë një person, i cili mund të dërgohet në Tripoli (Libi) por Këshilli i Ministrave mund të diskutoj për ndonjë rregull themelor për caktimin e tij gjetkë që të mos ketë rrezikshmëri.
Duke folur për këtë problem, Kostiçi thotë se “Praktikisht Kosovën e konsiderojmë si një republikë, kurse formalisht me Kushtetutën tonë, jo. Kosovarët i kanë të gjitha kompetencat, jo si republikë sepse do të ishte e rrezikshme, mbasi në bazë të Kushtetutës, kosovarët mund të kërkojnë kurdoherë shkëputjen e tyre. Paskal Karmani shprehet se ai e kupton që dhënia e gjitha të drejtave kosovarëve, paraqet rrezikshmëri për shkëputjen e tyre, prandaj unë mendoj se është e pamundur që Kosova të konsiderohet republikë.
Jovan Kostiç: “Delegacionet kosovare në Shqipëri janë besnikë të Tiranës zyrtare”
Është e pamundur – thotë Kostiç – por në rast se do të donim të shtonim numrin e republikave, nuk do të kish aspak mundësi që të ndalonim kosovarët, sepse nuk mund që të argumentonim pikëpamjen tonë. Qeveria qendrore nuk do të kishte mundësi të ndalet nga një veprim i tillë kosovarët për shkëputjen e tyre. Kjo do të ishte e rrezikshme. Kosova përbën një pakicë prej një milion, por megjithëse një pakicë, dhe kjo bën që të ndiqet një lloj politike nga Shqipëria, që synon në zhvillimin e trazirave të brendshme nëpërmjet kësaj pakice, trazira përbrenda vendit tonë. Bile edhe në mënyrë të hapët synojnë këta që të ndezin trazira të brendshme. Këtë rrugë janë duke ndjekur këta. Që këndej ndërhyhet haptazi për të ndezur trazira të brendshme, jo direkt këtej, por nëpërmjet elementëve të atjeshëm, brenda vendit tonë.
3.Karmoini pyet se “çfarë mund të thoni ju lidhur me botimin në shtyp për kosovarët që erdhën në Shqipëri?”.
Kostiçi: “Është marrëzi, sigurisht marrëzi. Këta e bënë atë shpallje solemne për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në mbledhjen solemne të 25-vjetorit të tyre të çlirimit, për të plotësuar ciklin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Për t’u treguar vendeve të botës dhe qeverive të ndryshme dhe shqiptarëve të jashtëm se një delegacion, apo grup edhe nga Kosova merr pjesë në këtë festë të çlirimit të Shqipërisë. Është një veprim i tyre politik. Këtë i bënë të njohur botës për qenien e shqiptarëve të Kosovës dhe lidhjeve të tyre me Shqipërinë. Ne dhamë njoftimin se nga Kosova nuk ka pasur asnjë delegacion apo grup të caktuar përfaqësues për të marrë pjesë në këtë festë. Askush nga Jugosllavia nuk do të lejonte të vinte një delegacion apo grup i tillë, si përfaqësues i tyre. Por, këta insistojnë në shtypin e tyre, duke shpallur për një grup vëllezërish nga Kosova heroike dhe nuk pranojnë kurrë se janë shprehur për një delegacion. Ata pikërisht ngulin këmbë në pikën formale, duke thënë se nuk është menduar e thënë për delegacion, por thjesht për një grup vëllezërish nga Kosova heroike”.
Më në fund Karmoni shprehet se: “Këta më duket se duan të përmirësojnë marrëdhëniet, ndërsa Kostiçi jep mendimin: Po, praktikisht kështu është në nivel shtetëror”.
Theksojmë se Jovan Kostiçi dhe Paskal Karmoni ndiqen nga organet tona si kuadro zbulimi dhe zhvillojnë aktivitete armiqësore.
ZV/MINISTRI I PUNEVE TË BRENDESHME
REXHEP KOLLI
…………………………………………………………………………………………………………………….
Tiranë, më 28.V.1970
INFORMACION
MBI BISEDEN E ZHVILLUAR NDERMJET SEKRETARIT TE II-të TE LEGATES JUGOSLLAVE DHE KESHILLTARIT TE AMBASADES FRENCEZE
Më datën 25.V.1970, në shtëpinë e këshilltarit të ambasadës franceze, Juan Teste, u organizua një takim midis tij dhe sekretarit të dytë të ambasadës jugosllave, Jovan Kostiç, me kërkesën e këtij të parit.
Gjatë këtij takimi u zhvillua një bisedë nga e cila dolën këto probleme të rëndësishme:
1. Jovan Kostiçi e informon francezin mbi përmbajtjen e artikullit të gazetës “Zëri i Popullit”, dt.20.5.1970, me titull “Përse u bë kjo mbledhje”, të cilin e vlerësuan kështu:
“Mendoj se ky artikull është shumë interesant, sepse në të nuk flitet në përgjithësi dhe duke u shtrirë vetëm në parimet politike dhe parullat e sloganet, por rrëfen çështje dhe probleme ekonomike dhe tregtare. Kjo, sipas mendimit tim, po bëhet një lëshim në mënyrën e të menduarit. Artikulli përfshin çështje të ngritura dhe të diskutuara në një mbledhje me punonjës të tregtisë, ndërmarrjeve tregtare dhe degëve të tjera ekonomike të interesuara. Psh., ngrihen çështjet e humbjeve gjatë transportit dhe ngarkim-shkarkimeve, humbja e kohës nga mosshfrytëzimi i mjeteve të transportit me ngarkesë të plotë, si dhe për një shfrytëzim jo të mirë të kapaciteteve të mjeteve dhe të pajisjeve të porteve”. Dhe më poshtë vazhdon: “…Unë e konstatoj se këtu njerëzit kanë filluar të ndryshojnë mënyrën e të menduarit, nuk flasin si dikur vetëm për politikë dhe me parulla, por kanë filluar të flasin dhe për probleme ekonomike dhe tregtare, bile në këtë drejtim edhe hapur. Kjo ka rëndësi të madhe. Megjithatë, në artikull del në pah mungesa e organizmit të punëve. Unë mendoj se ata nuk duhet të hetonin një artikull të tillë, artikuj të tillë nuk ka zakonisht në shtypin shqiptar, sepse deri tani janë botuar artikuj të ngjashëm me njeri-tjetrin, kurse në këtë rast del diçka e re për mënyrën e trajtimit të problemeve ekonomike”.
Diplomati francez: “Jugosllavia duhet përmirësojë politikat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës”
Pstaj Jovan Kostiçi e informon francezin mbi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Kongresin e II-të Shoqatës për studimet e Evropës Juglindore, i cili i zhvilloi punimet në Athinë, e për këtë thotë: “Është shumë interesante që Shqipëria dërgoi një delegacion kaq të madh. Edhe në OKB nuk kanë një delegacion të tillë. Dy nga anëtarët e delegacionit janë deputetë, njëri ka qenë zv/drejtor i Drejtorisë nr. 4 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një tjetër diplomat, ndërsa të tjerët janë nga ministria dhe organizatat historike dhe shkencore në Tiranë.
Gjithashtu, Kostiçi i jep shpjegime francezit mbi paraqitjen e letra-kredencialeve të ambasadorit korean, duke dhënë mendimin si vijon: “Unë mendoj se mospritja e ambasadorit korean nga Presidenti, por nga një tjetër, mund të jetë një rast i zakonshëm largese, megjithatë mund të jetë edhe i sëmurë, sepse është plak”.
2.Duke bërë fjalë rreth qëndrimit në Shqipëri, Kostiçi i thotë francezit: “Ju vetë e shikoni se sidomos për ne diplomatët, është shumë e vështirë të sigurojmë një burim të dhënash për të studiuar jetën dhe zhvillimin e Shqipërisë. E kemi shumë të vështirë, prandaj mbetet të nisemi nga gjëra që ndoshta duken të vogla, por që kanë rëndësi se na japin mundësi të formojmë idenë për ndryshimin e jetës këtu. Prandaj duhet të shfrytëzojmë çdo burim e rast për të nxjerrë atë që jemi të interesuar dhe që është ndryshimi i jetës dhe të menduarit në Shqipëri. Unë mendoj se gjëja më e rrezikshme për ne diplomatët, por edhe për shqiptarët, është ushqyerja e mendimit se asgjë në Shqipëri nuk po ndryshon”.
3-Juan Teste gjatë gjithë bisedës dëgjon shpjegimet e Kostiçit dhe më në fund i thotë: “Ju duhet ta ndjeni vetën miku i ynë. Ne do të merremi këtu në Shqipëri dhe me gjëra të vogla, por do të flasim edhe rreth gjërave të mëdha. Ne duhet të takohemi midis nesh dhe me shqiptarë. Praktikisht do takohemi çdo dy ditë”.
(Vijon)
Komentet