Plaku i Madh i kanabisit është një burrë rreth 65 vjeç, i cili banon në një zonë të panjohur të Shqipërisë, i rrethuar nga njerëzit e tij dhe, nga sa duket, i mbrojtur nga Policia, që i lejon të jetojë lirisht, ndonëse në Itali është dënuar me 25 vjet për trafik ndërkombëtar droge.
Kur në dhjetor të vitit 2016 një bos i Ndranghetas kalabreze erdhi ta takojë për të folur për bashkëpunim, ai u përul para Plakut të Madh, duke konfirmuar kështu lajmin se kriminaliteti shqiptar tashmë respektohet edhe nga më e vjetra mes mafieve italiane. Emri i tij, çuditërisht, nuk dihet, pasi, kur Guardia di Finanza italiane provoi t’i kërkojë ndihmë Policisë shqiptare për ta identifikuar, autoritetet e Tiranës nuk deshën, ose nuk ditën, të bashkëpunojnë. Kjo ndodhi më 2016. Plaku i Madh mbetet pa emër, pavarësisht nga fakti që hetuesit italianë madje dinë edhe numrin e telefonit të tij, por as kjo deri tani nuk i ka mjaftuar Policisë shqiptare për ta identifikuar.
Pergjimet/Si bosi plak i jepte urdhra mafiozit Italian
Bosi kalabrez erdhi në Shqipëri për të kërkuar falje për vonesën e pagesës. Ja përgjigjja që mori: Nuk jeni as të përpiktë me pagesat dhe as të zotë për të shitur. Ik e puno për veten tënde, do të bësh më shumë para’’.
“Shqiptarja.com” publikon bisedën e përgjuar në 12 dhjetor 2016 në Kalabri të Italisë midis bosit të Ndrangheta, Salvatore Pititto dhe të dashurës së tij ukrainases, Oksana Verman. Këtu Salvatore Pititto i rrëfen të dashurës së tij gjithë bisedën që ai ka bërë me Bosin shqiptar të cilin e quante “Shefi”. Gjatë kësaj bisede bie në sy se mafiozi italian sillet si inferior ndaj shqiptarit, madje Bosi Plak i flet me ton kritik, duke i kërkuar llogari për vonesat në pagesa dhe duke i sugjeruar se si duhet të punojë për furnizimin e shitjen e drogës.
Shefi: Si është puna, Salvatore?
Salvatore: Po ja, erdha për të sqaruar, ti na dhe mallin dy herë, ne nuk arritëm me pagesat, nuk duhej të ndodhte kështu…
Shefi: Rri i qetë, këtu je si në shtëpinë tënde, por nuk e prisja këtë nga ju, unë bëra të gjitha ato që më kërkuat dhe ju, asgjë nga ato që kishit thënë. Në fakt, këto duhej t’ia kisha thënë xhaxhait tënd, Palladinos, duhej të kishte ardhur ai këtu të fliste me mua, ti nuk ke gjë në këtë mes. Megjithatë, më bëhet qejfi që ke ardhur
Salvatore: Po ja ndodhi kështu e kështu, mua më vjen turp, por edhe Andrea (Indriti), nipi tuaj në Kalabri, më tha t’ua them gjërat qartë, duhet të shkojmë shpejt tek 1.000
Shefi: Salvatore, thuaji xhaxhait që unë nuk jam lypsar, sepse ju më keni trajtuar si lypsar. Unë iu dërgova 520 mijë euro mall dhe, sipas marrëveshjes, duhej të më jepte 200 mijë euro për kamion, sepse paguaj 500 euro kilen vetëm për transportin që të udhëtoj i qetë. Kurse ju patët guximin të më paguanit 40 mijë dhe 20 pas dy ditësh. Ndërkohë, më kishit thënë se paratë për kamionin do t’i jepnit me të mbërritur mjeti dhe 4-5 ditë më pas, si të shisnit mallin, do të jepnit pjesën tjetër dhe nuk dhatë asgjë.
A e di çfarë, Salvatore? Ti nuk je as hajdut dhe as mashtrues, por xhaxhai yt (Palladino, një anëtar tjetër i klanit mafioz “Ndrangheta” – shënim i redaksisë), në rast se është, pasi nuk është xhaxhai yt, ty të trajton si një lodër. Ata nga Brindizi nuk ekzistojnë më. Ti eja sa herë të duash, merremi vesh; sa herë të vijë kamioni, ti duhet të japësh paratë për transportin. Ti, jo ai (Paladino) bën më shumë se 400, merre jo me 1.300, por me 1.250, më jep paratë e kamionit dhe pastaj, çdo 20 ditë, çdo muaj, atë që arrin të shesësh fute në xhup – tani është dimër – merr vetëm kartmonedha të mëdha – 100, 200, 500 – dhe do të shohësh që nuk do të kesh probleme.
Po të kesh probleme, çoji një mesazh Andreas dhe vimë ne e i marrim dhe ti paguan çdo dy ose tre muaj. Por xhaxhi yt duhet të paguajë sipas asaj që jemi marrë vesh dhe me mua ka marrë fund. A e di sa kam? 9 ton marihuanë të gatshme, por ju nuk jeni në gjendje të bëni atë që premtuat. Nuk jeni as të përpiktë me pagesat dhe as të zotë për të shitur. Ik e puno për veten tënde, do të bësh më shumë para’’.
Arrestimet
Të gjithë ata akuzohen se kanë importuar nga shtatori deri në dhjetor 2016 rreth pesë ton marihuanë nga Shqipëria. Por në listën e trafikantëve të zbuluar nuk del shefi shqiptar, Plaku i Madh, që sërish mbetet pa emër.
Ndërkohë, një nga urdhër-arrestet është nxjerrë ndaj atij, që gjithnjë u paraqit si “nipi” i shefit, Indrit Buja, 35 vjeç: duket se ka arritur të ikë para se të arrestohej nga italianët. Kur, më 11 nëntor 2016, bosi i Ndranghetës Salvatore Pititto, 48 vjeç (i lidhur me klanet mafioze të Vibo Valentias dhe nje nga te arrestuari tani) zbriti në Durrës për të tretën herë, duke ardhur nga Bari, për t’i kërkuar falje Shefit për vonesën e një pagese prej 520.000 eurosh marihuanë, italiani mbeti i shokuar nga Plaku: “Ishte Shefi … pikërisht Shefi … folëm gjatë bashkë; ai ishte ulur në kolltukun e tij me pistoletë në brez dhe kishte para vetes 18 celularë, të gjithë njësoj; mendo pak: të gjithë njësoj. Po kjo është normale, pasi ai ka gjithë ato kontakte”.
Plaku i Madh, në atë takim me bosin italian, u tregua i prerë: “Unë kam 9 ton marihuanë … të gatshme … mund të të furnizoj me 500 kile në javë … e rëndësishme është që ta shesësh drogën sa më shpejt … në vend të 1.300 eurove për kile, do të ta jap me 1.250; pagesat m’i bëj një herë në 20 ditë, me kartmonedha 100, 200 dhe 500 euroshe, kështu mund të kalosh kufirin pa problem. Nëse nuk nuk arrini dot ju të m’i sillni paratë, mos u bëj merak, dërgoi një SMS nipit tim dhe vjen ai e i merr në Itali”.
Detajet e atij takimi të fshehtë janë zbuluar nga vetë Salvatore Pititto pasi u kthye në Kalabri, duke folur me të dashurën e tij ukrainase Oksana Verman: në banesën e tyre ishte vendor një “çimkë” dhe e gjithë biseda e gjatë u regjistrua nga Guardia di Finanza. Pas arrestimit të tij, ajo vendosi të pendohej dhe të bashkëpunonte me drejtësinë. Sot është edhe ajo një nga akuzuesit e bandës italo-shqiptare. Por as Oksana nuk ka qenë në gjendje të japë qoftë edhe një detaj mbi Plakun e Madh. Gjatë leximit të mëse 1.000 faqeve të dosjes, kupton se as ata që e kanë takuar, nuk kanë përmendur kurrë emrin e tij, as edhe me nofkë.
Giuseppe Petitto i thotë gruas së tij: “Nuk u nda një minutë nga mua, u zu edhe me vëllain e tij, e përzuri, e trajtoi si një qen. Ishte ulur me një marsup, ku kishte pistoletën dhe unë numërova 18 celularë, të gjithë njësoj. Është normale, kur ke kontakte me atë e me këtë. Më pagoi biletën e kthimit. Thirri një punonjës, djalë të ri, të cilit i tha të porosiste tek agjencia një dhomë në traget ku janë dy krevatë, por të mos fuste njeri tjetër në dhomë, të vinte shënimin “i zënë”.
Plaku i Madh, i cili drejton trafikun e marihuanës nga Shqipëria me kalabrezët, mban kontakte me bosët e Ndranghetës nëpërmjet Indrit Bujës, të cilin Prokuria e Catanzaros e tregon si “nipin” e tij, pasi ai fliste për Shefin si “daja”. Por, nëse ekziston apo jo vërtet një lidhje e tillë afërsie, apo kjo ishte vetëm një mënyrë konvencionale për të quajtur njeri-tjetrin, kjo nuk është zbuluar.
Në nëntor 2016 Buja shkon të jetojë me kalabrezët, si mysafir i tyre, duke levizur ndërmjet Kalabrisë dhe Lombardisë, për të ndjekur furnizimet me drogë. Salvatore Pititto ua beson atë dy nipërve të tij, të cilët e mbajnë me të mira, e çojnë të pijë nëpër lokale dhe njëherë kanë shkuar sëbashku edhe në stadium. Plaku i Madh nuk flet asnjëherë në telefon dhe kështu, Guardia di Finanza, e cila ka vendosur gjithandej çimka, nuk arrin ta përgjojë.
E vetmja herë që Plaku përdori telefonin e tij është më 24 nëntor 2016, kur i telefonon Pitittos dhe i kërkon që t’i kalojë nipin. Veçse nuk e bën me zë, por nëpërmjet një SMS-je. Ky është teksti i mesazhit të regjistruat: “Bona sera poso cambiare sms con mio nipote cesta con voi” (“Mirëmbrëma, mund t’i bëj një SMS nipit tim që është aty, me ju?”). Kështu e flet italishten bosi plak, me atë edukatë të ftohtë dhe të përzemërt, të cilën e kemi parë nëpër filma ta përdorin padrinot e Cosa Nostras në Amerikë.
Indriti bën ndërmjetësin mes Plakut të Madh dhe bosëve kalabrezë dhe, kur merr paratë, jep sinjalin që të niset droga nga Shqipëria. Ja se çfarë shkruan Prokuroria e Catanzaros në dosjen që “Shqiptarja.com” publikon: “Më 27 nëntor 2016 emisari shqiptar ka marrë paratë në Rosarno për ngarkesën e drogës, që do të sekuestrohej të nesërmen. Paladino, duke iu drejtuar Bujës, në momentin e dorëzimit të parave, tha: ‘5.000 janë dhjetëshe, mendoj që të fillojmë me 100 kile’. Kjo koincidon pikërisht me ngarkesën e dërguar të nesërmen. Përfundimi i marrëveshjes bëhet në darkë dhe Salvatore Pititto i thotë Oksanës: ‘Po luftojmë si zezakë, do të ikim të martën në Milano të shohin se ku është depoja ku të çojnë drogën’”.
Ngarkesa e parë, 100 kilogram, niset më 28 nëntor por, kur kamioni mbërrin në portin e Ankonës, Guardia di Finanza, e cila po ndiqte gjithë operacionin, bllokon marihuanën dhe arreston korrierin. Sekuestrimi nuk e shqetëson organizatën, pasi pas pak ditësh niset një ngarkesë e dytë me 400 kile. Por këtë herë Indrit Buja flet me një telefon tjetër që nuk përgjohet.
Guardia di Finanza i kërkon ndihmë Policisë shqiptare, në përpjekje për të zbuluar diçka më shumë, por “pavarësisht nga informacionet që dhamë – shkruan Prokuroria e Catanzaros në dosjen e saj – nga pala shqiptare nuk morëm asnjë përgjigje të dobishme”. Ngarkesa prej 400 kilesh mbërriti në Itali më 7 dhjetor 2016 dhe këtë herë askush nuk arriti ta bllokonte.
Por këtu nisën edhe problemet, pasi kalabrezët nuk paguajnë me korrektësi drogën dhe Plaku i Madh nxehet. Indrit Buja, duke ndjekur ato që i thotë “daja”, bertjtet e kritikon bosët kalabrezë. Është kjo arsya që e shtyn Salvatore Pititton të niset më 11 dhjetor për në Shqipëri për t’i kërkuar falje Plakut të Madh për vonesat në pagesa.
Njerëzve të Ndranghetës duket se ju bën përshtypje, jo vetëm cilësia e marihuanës shqiptare (“është e jashtëzakonshme, shumë e mirë, është ajo që na duhet, është shumë më e mirë se ajo që prodhohet në Kalabri”), por edhe nga organizimi, me të cilin punojnë kriminelët shqiptarë. Dhe të mendosh që nuk është fjala për personazhe të vegjël: po ata kalabrezë, ndërkohë që ishin në negociata me shqiptarët, mbajnë marrëdhënie edhe me narkotrafikantët kolumbianë për të importuar në Itali kuintalë kokaine.
Pikërisht nga kolumbianët ka mësuar mafia kalabreze metodën e ‘’marrjes peng’’: çdo ngarkesë droge “garantohet” nga një anëtar i organizatës kriminale që e blen drogën, i cili mbetet në duar të organizatës që shet, dhe anasjelltas. Një teknikë, që fillon të zbatohet edhe me shqiptarët. Në prag të vizitës së tij të vështirë në Shqipëri, kur do të duhet të sqarohet me Plakun e Madh se pse pati vonesa në pagesën e marihuanës, bosi Salvatore Pititto i tregon të dashurës të fshehtat e shqetësimeve të tij: “Përsa kohë kemi këtu nipin e Shefit, ata nuk kanë ç’të më bëjnë … nuk kam frikë se më arreston njeri në Shqipëri.. frika ime e vetme nuk është as se më vrasin, por vetëm se më mbajnë aty, me ta, derisa këta këtu të dërgojnë paratë”.
Në të vërtetë, Salvatore Pititto qendroi në Shqipëri më pak se 12 orë. Po atë ditë që ai takoi bosin shqiptar, hipi në targetin, i cili e kishte sjellë në Durrës dhe u kthye në Itali. As Policia shqiptare dhe as bota e krimit nuk e preku. Vetëm 16 ditë pas atij takimi, më 27 dhjetor 2016, Petitto u arrestua nga Policia italiane, e cila e kapi me 300 gram kokainë në makinë. Plaku i Madh e mësoi këtë gjë nga nipi, por vazhdoi të qendronte i qetë në shtëpi, me pistoletën e tij, me 18 celularët e tij dhe me 9 ton marihuanë në pritje të klientëve të rinj.
SHQIPTARET E IMPLIKUAR NE DOSJEN ITALIANE
TË ARRESTUAR
Shefik Muho 35 vjeç nga Vlora
NË KËRKIM
Indrit Buja 37 vjeç, i cili njihej me emrin Andrea
Elvis Hajdini 25 vjeç nga Vlora
NËN HETIM 7 VLONJATE
Vladimir Leskaj 51 vjeç
Adrian Licaj 51 vjeç
Vilson Nelai 32 vjeç
Astrit Paskali 45 vjeç
Alban Sinani 35 vjeç
Gentian Sulejmani 41 vjeç
Luan Tahiraj 39 vjeç
Shqiptarja.com
Komentet