Letër gazetarit Xhevdet Shehu, në mbyllje të debatit për Akademinë e Shkencave
I dashur Xhevdet,
Po të drejtohem ty me këtë letër, që mund ta konsiderosh pjesë të polemikës në të cilën jam përfshirë këto ditë me Artan Fugën, së cilës iu shtua papritur dhe Besnik Gjongecaj. Është një përgjigje e fundit, vërtet e fundit, që në mënyrë indirekte ia dërgoj, nëpërmjet teje, Fugës, aspak për ta injoruar, por thjesht për të ruajtur qetësinë e mendimit e të fjalës, në mënyrë që të respektoj në radhë të parë lexuesin, që nuk meriton shfaqjet tona herë-herë të dhunshme.
Paradoksalisht, shtytjen kësaj radhe nuk e mora nga Fuga e nga aberracionet e tij fejsbukale, as nga Gjongecaj, që vazhdon betejën e tij me mullinjtë e erës edhe pse e di se nuk ia ka kush ngenë. E mora këtë shtytje nga shkrimi i Prof. Rami Memushaj i botuar po dje në gazetën “Dita”. Nëse Fuga e Gjongecaj nuk arrijnë të futen në thelbin e problemeve që unë kam shtruar për problemet e Akademisë e të kërkimit shkencor, pasi i irriton emri im, fytyra ime, origjina ime, krushqitë, miqësitë, bindjet e deri edhe psiche-ja ime, dhe prandaj merren me to, le të lexojnë argumentat e qeta, të paqme e të mençura të Prof. Memushaj. I cili, veç të tjerash, nuk ka arsye të ketë ndonjë nostalgji për Akademinë e vjetër të Shkencave, pasi nuk ka qenë pjesë e sistemit të saj, nuk ka marrë pjesë as në ngritjen e as në rrënimin e saj.
Prof. Memushaj është profesor universitar, studiues i njohur i gjuhës, nga ata që kanë shkruar shumë libra, fare pak artikuj gazetash dhe asfare shigjetime tinzare fejsbuku. Ka të drejtë Prof. Memushaj, që fare butë më bën edhe mua një kritikë miqësore për të ruajtur qetësinë e klasin. Do ta bëj këtë, por jo përpara se t’i drejtoj një frazë të vetme Besnik Gjongecajt. Kundrejt lumit të etiketimeve të tij, direkte e indirekte, që i vjell edhe në shkrimin e djeshëm, unë për të e prish gojën vetëm një herë. Për të kam vetëm një përfytyrim e vetëm një emër.
Atë të një kaposhi të fryrë e të patru, sepse vetëm një specie e tillë do të guxonte të hipte e të këndonte “ecce homo” (unë jam autori!) mbi rrënojat e Akademisë së Shkencave dhe të vetë Universitetit të tij Bujqësor, të shkrumbuar nga urrejtja e barbaria e rekrutuar dhe e cytur prej, e përsëris, “sojit e sorollopit” të tij. Ky, pra, pasi e mbaroi arsenalin e sharjeve, e mbyll tiradën e djeshme, duke më kënduar një “de profundis” sikur të ishte prift i mafies siçiliane. Dhe pastaj lutet për mua (për shpirtin tim?). Është ky një mesazh? Nëse po, do t’i lutesha ndokujt që e njeh mirë të ma dëshifronte.
Problemi që unë kam me Fugën, i dashur Xhevdet, nuk është personal. Kam reaguar ndaj tij vetëm dy herë. Dikur përpara 3-4 vjetëve, kur ai hodhi i pari idenë e futjes së mësimit të fesë në shkolla. Alarmi im atëhere nuk paska qenë i kotë, sepse sot shoh se kjo ide e tij, antikushtetuese dhe e rrezikshme për kohezionin social dhe sigurinë kombëtare, është bërë sot një projekt në zbatim i qeverisë Rama, ku Fuga ka degëzimet e veta. Për herë të dytë kam reaguar ndaj tij në gushtin e vitit 2015, kur pa qenë mirë e qartë se cili ishte projekti i qeverisë për kryerjen e një reforme të re në arsimin e lartë, Fuga u hodh i pari dhe pa ndonjë argument (s’mund të kishte përderisa nuk kishte ndonjë projekt të shkruar për reformën në fjalë) duke e paragjykuar atë si një reformë “komuniste”, që do risillte praktikat “komuniste” dhe profesorët “komunistë” në universitetet tona.
Shpreha mendimin tim, mbi të gjitha shpresën time, që një reformë e re ia vlente barra qeranë edhe sikur të mund të realizonte një detyrë të vetme: të gjente një mekanizëm ligjor, siç ekziston në të gjitha universitetet e botës së përparuar, për të shkulur nga kolltuqet e mbingrohura drejtuesit e universiteteve publike, përfaqësues (mendoj unë) të një klase të paditur, të politizuar e të korruptuar, të cilët prej 25 vjetësh kanë marrë peng universitetin, dijen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Përsa i përket “tiradave” me komunistë dhe me “rrezikun komunist” që rrezikoka universitetin, vetëm sa i kujtova Fugës se nuk ka arsye të trembet për një mundësi të tillë, pasi komunistët janë dejà në Universitet, është ai vetë, anëtar i dikurshëm i Partisë së Punës, bashkë me shokët e tij të salloneve universitare.
E ndjeva me vend t’i kujtoj këtë pjesë të historisë së tij e të marr rolin e ekzorcistit (të atij që çliron nga xhindet), pasi e shoh që kompleksi i të qenit dikur anëtar i PPSH e shtyn të shajë e të sulmojë egërsisht si “komunist” çdo njërin që mendon ndryshe nga ai. E bëra edhe nisur nga një episod shumë domethënës, që ndodhi aty nga viti 1995 me një tjetër të kompleksuar nga e shkuara e vet, me z. Berisha. Kur në një nga takimet e tij me shtypin në Presidencë, pas shfryrjes së zakonshme kundër “komunistëve”, një gazetar i njohur, më duket z. Hamdi Jupe, e pyeti nëse ishte e vërtetë se ai kishte qenë për 25 vjet anëtar i PPSH, ish-Presidenti u hutua aq keq, sa edhe mua mu dhimbs.
I shkreti, kishte harruar vërtet që kishte qenë komunist! Dhe a të kujtohet, i dashur Xhevdet, që pas këtij “incidenti” z. Berisha e moderoi për pak kohë gjuhën. E pra, me shpresën e kotë se do ndodhte e njëjta mrekulli ia kujtova edhe unë Fugës këtë segment të historisë së tij. Përmendja e fundit nga ana e Fugës ishte në intervistën që më more ti para një jave. Për dreq (apo për shejtanllëk profesional) më pyete se si i gjykoja vërejtjet e Akademikut Fuga për Akademinë e Shkencave.
T’u përgjigja se bashkohem me to, por meqë si historian jam i lidhur profesionalisht me të shkuarën, kujtova edhe faktin që Fuga ka qenë një nga arkitektët e reformës së vitit 2007, që prodhoi këtë lloj Akademie me shumë gjeneralë (një pjesë e mirë të graduar nga z. Berisha), por pa ushtarë, pra pa institutet e pa studiuesit që realisht kryejnë punë shkencore, të cilët reforma i degdisi në periferitë e universiteteve vaj-medet të reformës berishiane. E cila, për hir të së vërtetës, nuk është vetëm e Berishës, por është edhe e PS së Ramës, që heshti si peshku kur ajo kaloi në Parlament, ashtu siç është padyshimshmërisht edhe reformë e Fugës dhe e të tjerëve.
Mirëpo, Fuga është nga ata intelektualë të tipit “noli me tangere” (mos më prek), të cilët në Romën e lashtë i gjeje rëndom jo në kohën e sundimit republikan, por në epokën e “perandorëvediell”. Dhe m’u turr, ashtu si ti e di (dhe në fakt, siç ti pak a shumë e urove, sigurisht për arsye profesionale). Duke përfituar nga qetësia që më frymëzon pamja jote olimpike, i dashur Xhevdet, më lejo të sqaroj edhe dy çështje të tjera, duke shpresuar se nuk do e mërzis tej mase lexuesin. Kur unë flas për Akademinë e dikurshme të Shkencave, për profesorët shqiptarë e të huaj që mblidheshin nën çatinë e saj, kur unë flas për nivelet e admirueshme të Institutit të Historisë, atij të Gjuhësisë, Arkeologjisë e Antropologjisë, të Institutit të Sizmologjisë, të Institutit të Energjisë Bërthamore, makar edhe për projeksionin ndërkombëtar të Institutit të dikurshëm Bujqësor, unë nuk dua t’i bëj elozhe regjimit të E. Hoxhës. Unë, sa më shumë njerëzisht, mundohem t’i tregoj respektin e duhur atyre shkencëtarëve, atyre profesorëve, shumica e të cilëve nuk ishin anëtarë të PPSH, të cilët na gatuan ne, mua dhe Fugën, madje Fugën pastaj mua. Sepse unë i kam kryer studimet universitare në Itali.
Dhe në Itali, unë dhe shoku im Shpëtim Çuçka, madje Shpëtimi dhe unë, megjithëse vinim nga një shkollë “spartane”, rezultuam të ishim ndër studentët më të mirë. Shpëtimi i pari, pastaj edhe unë. Dhe aty, në vendin e duhur, ne patëm rastin të vlerësojmë siç e meritonte profesorin tonë të latinishtes, Pashko Gjeçin, profesorin tonë të greqishtes së vjetër, Seit Mansaku e plot e plot të tjerë, mes të cilëve kishte ndonjë komunist, por kishte edhe të burgosur politikë, siç ishte pikërisht Pashko Gjeçi. Të cilin ai regjim, që të paktën e pati një projekt edhe për albanologjinë, e nxori nga burgu për të na mësuar ne, që ishim projektuar si albanologë të ardhshëm, gjuhën latine e greke.
Mua nuk më kujtohet nëse, kur ndonjë profesor na bënte komplimente për nivelin e mirë të njohjes së gjuhëve klasike, të kem përmendur emrin e profesorëve tanë e “t’i kem ndarë meritat” me shkollën shqiptare, nga vija. Nëse këtë nuk e kam bërë, nuk do të lodhem së korrektuari këtë gabim timin, edhe në vitet e pleqërisë së thellë (nëse Gjongecaj nuk do ma ketë kënduar “de profundis” në vitet e pleqërisë së hershme). Aq më shumë, që ndërkohë kam patur përvoja e ngjarje që më kanë bërë të reflektoj.
Kam marrë një mësim tronditës nga sopranoja jonë Inva Mula, në vitin 2003, kur shërbeja si Ambasador i Shqipërisë në Romë. Pas një shfaqjeje plot sukses e bujë që ajo dha në “La Scala” të Milanos (“Traviata”, në mos gaboj), e rrethuar nga gazetarët dhe e trajtuar prej tyre si një “princeshë franceze”, Inva i shtangu ata duke u thënë, jo pa nerv, se ishte shqiptare doc, dhe se suksesin e saj ia dedikonte shkollës së kantos shqiptare ku ishte formuar. Një vit më vonë një tjetër soprano e re, Ermonela Jaho, në Bienalen e Spoletos do të vetëprezantohej si produkt i shkollës shqiptare dhe po ashtu Kledi Kadiu nuk la rast pa shfrytëzuar për t’u identifikuar, me krenari, me shkollën e baletit shqiptar.
Këto që them, atë kohë mund t’i kenë parë nga ekranet e televizionit italian edhe shumë shqiptarë të tjerë, në Shqipëri e në Itali. E pra, në vështrim të këtyre shembujve domethënës, ne burrave që jemi tek të 60-tat (unë, po) nuk na ka hije, mendoj, të bëjmë “buzëhollin” e “të virgjërin”. Nuk kemi lindur me demokracinë, dhe të paktën përsa i përket arsimimit, më mirë kështu. Për të tjerat: aferim. Së fundi, mes të tjerash, këto ditë Fuga më shigjetoi disa herë si ziliqar, si i kurdisur nga dikush, si ambicioz. Përse të jem ziliqar? Shëndetin e kam, marshalla, jo më keq se ai, flokët më rezistojnë e po ashtu dhëmbët, dhe vetullat ende i kam të zeza edhe pa i bojatisur.
Ambicioz, përse? Për t’u bërë Akademik, për t’u bërë Drejtor i Qendrës Albanologjike? Jo mor zotni, nuk janë të miat këto ndjenja. Ndaj, i dashur Xhevdet, nëse e ruan miqësinë me Fugën e nëse të ecën fjala tek ai, të lutem thuaja: unë e deklaroj se nuk dua të bëhem anëtar i Akademisë së Shkencave, edhe pse një shtesë prej 40 mijë lekësh mbi pension nuk do të më binte keq. Do bëj si do bëj, do pi një kafe më pak. Por nuk dua të bëhem anëtar i asaj Akademie, për arsye parimore, sepse ajo Akademi ku unë kam edhe ndonjë shok e mik të rrallë, nuk është akademia ime, është akademia anti-shkencë e Fugës dhe e të emëruarve të tjerë si ai.
Nuk dua të bëhem, dhe nuk do të bëhem as Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, siç ka dalë ndonjë fjalë, që i ka prishur qetësinë Fugës. Më kanë mbetur vetëm pak vite punë, dhe për ta thënë me gjuhën e “lëshuar” që përdor ndonjëherë Fuga, unë nuk jam Herkuli që në 3-4 vjet të mund të laj bajgat që ka lënë këta 25 vjet në studimet albanologjike regjimi i antishkencës, i antidijes, i antiligjit, i antishtetit. Do përfundoj punët që kam në dorë, për ta pasur ndërgjegjen e qetë përpara vetes, familjes, njerëzve që më respektojnë, institucionit ku punoj dhe përpara shtetit, që mirë a keq, më ka paguar dhe ende nuk më ka hedhur në rrugë të madhe, si shumë e shumë të tjerë.
Miqësisht, Tiranë, 19 maj 2016
DITA
Jam dakort me gjithshka shkruan Pellumb Xhufi. Ka shume te drejte ne gjithshka mendon e shkruan.
Xhufi me vjen keq qe i jeni drejtu xhevdet shehut.Kujtdo mund t’i ishe drrjtuar,vetem atij,jo.Pse?Ka qene spiun i sigurimit te shtetit,me pseudonimin “Gaf……”,germat e tjera i ploteson vete ai.Merita e tij eshte se e ka siguruar dosjen,po harron se ka edhe kopje.Sigurimi qepte me 100 gjilpera……kaq.Sa per cfare shkruan eshte midis jush akademikeve……
Ju lumtë