Kam lexuar disa shkrime për librin tim “Drama shqiptaro-ruse” në gazetën “Dita”. Një lexues nga Lezha shkruan se Frederik Gjerasi “në kujtimet e tij sjell çfarë nuk njohim nga Konferenca e Moskës”. Kaq mua më mjafton për të mbetur i kënaqur nga botimi i librit. Lexuesi i thotë Muharrem Xhafës “kërkoji falje Gjerasit”, por kjo mua nuk më duhet. Sepse Muharremi thotë gjëra që dalin përtej krizës së kujtesës dhe përtej krizës së pluralizmit. Edhe Myfit Mushi duket se ka krizë të kujtesës.
Lajthitje apo ngatërresë?
Myfit Mushi nuk ka qenë asnjë ditë në sallën Georgievskaia ku zhvillohej Mbledhja e Moskës. As kur u çel Mbledhja, as kur foli Enveri, as kur foli Hrushovi e Ten Sjao Pini, asnjë ditë. Nuk besoj të jetë lajthitje e Myfitit, do ta ketë keqkuptuar gazetari. Me sa duket, Myfiti tregon çfarë ka ndodhur jashtë sallës Georgievskaia, në hotel “Moska” apo në ambasadë. Kur foli për herë të dytë Hrushovi me llafe të pista, Enveri e Mehmeti kishin ikur nga vila e rrinin në ambasadë e nuk vinin më në Mbledhje. Mbase transmetonte televizioni dhe Myfiti ishte thirrur në ambasadë t’i përkthente Enverit e Mehmetit. Unë shkruaj vetëm kujtimet ku kam qenë vetë. Po të ndodhej në sallën Georgievskaia kur fliste Hrushovi, Enveri do ta dëgjonte me kufje në frëngjisht dhe nuk do të kishte nevojë për përkthim, as nga Myfiti e as nga Gjerasi. Kurse Agim Popa vinte në sallën Georgievskaia, por jo si përkthyes, ai dhe Foto Çami ishin ekspertët kryesorë në grupin e punës që rrinte në hotel “Moska”, nën orë e fundit të Mbledhjes, kur Hysniu firmosi Deklaratën, në sallë ishin Ramizi, Foto, Agimi dhe unë.
Gazetari e pyet Myfitin: “Si u prit fjalimi i Enverit?” e ai përgjigjet: “sikur plasi një bombë në sallën Georgievskaia, të gjithë u vuvosën…”. Po Myfiti nuk ishte në sallë, nga e dëgjoi këtë “bombë”?! As unë nuk e shihja dot sallën e Mbledhjes që kisha përpara, sepse dëgjoja me kufje fjalimin e Enverit dhe e lexoja në rusisht. Kur mbaroi fjalimi dhe u mbyll seanca e paradites, unë pyeta Ramizin si kishte reaguar salla. Më tha se “asnjeri nuk pipëtiu, vetëm Hrushovi kruajti nja dy herë kohën”! Piktori i talentuar Guri Madhi në tablonë e tij të njohur ka paraqitur disa reagime të njerëzve në sallën Georgievskaia kur fliste Enveri, por jo aq sa do të shkaktonte një “bombë”; edhe atij i lypej t’i bënte qejfin diktatorit.
Para disa vitesh po më merrte në intervistë si përkthyes shkrimtari francez me origjinë spanjolle, Rekatala. Kur më pyeti për takimin në zyrën e Hrushovit, unë i tregova, por i thashë se përkthyes në atë takim ishte Myfit Mushi, unë mbaja shënime. I telefonova në shtëpi Myfitit që të vinte të na takonte, ai u ankua se ishte me temperaturë. Unë iu luta me këmbëngulje, ai erdhi e intervistoi. Doli se ato që thoshte Myfiti përputheshin me ato që kisha treguar unë më parë dhe, në fund, më falënderuan si Rekatala, edhe Myfiti.
Tani, kur flet për atë takim në zyrën e Hrushovit, Myfiti sikur e tepron me trimëritë e Mehmet Shehut. Dikush tjetër tha më vonë se Mehmeti nxori revolen aty në tavolinë dhe u futi tmerrin sovjetikëve. Këto fjalë u përhapën në Shqipëri. Po mirë, more Myfit, si i interpreton ti fjalët e Enver Hoxhës pas vetëvrasjes së Mehmetit se ky u ngrit me vrull nga karrigia kur Hrushovi përmendi Makmilanin, sepse e mori për aludim që ishte spiun e anglezëve?! Unë të kuptoj, ti ke vlerësim tjetër nga unë për shkaqet e prishjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, ti lavdëron Enverin dhe Mehmetin për guximin në mbrojtjen e marksizmit, kurse unë them se ai ishte guxim për të mbrojtur karrigen prej rrezikut që po i vinte nga Hrushovi e Tito. Ishin dhe situatat pas Kongresit 20 e kur dolën kontradiktat sovjeto-kineze, dhe Enveri priste rastin e volitshëm që të kishte një mbështetje për t’u prishur me Hrushovin.
Me Myfit Mushin kam ruajtur gjithmonë marrëdhënie shoqërore, gjithmonë më ka thirrur me emër, sikur nuk i shkon të më thërrasë tani Gjeras, siç bën Muharrem Xhafa. Nuk e kuptoj pse Myfiti përdor titullin e intervistës së tij “Ku gaboi Gjerasi në Mbledhjen e Moskës”, kur ai nuk ka qenë asnjë ditë në sallën Georgievskaia. Ai ka përkthyer në takimet me udhëheqësit sovjetikë para mbledhjes dhe këtë unë e kam shkruar në libër ku përmend se më erdhi keq kur Hrushovi në zyrën e tij me pa të drejtë tha: “A e di mirë rusishten përkthyesi”. Unë nuk e vë në dyshim se Mehmeti i paska thënë “ti je përkthyesi i parë” e nuk dua të komentoj arsyet pse e ka thënë këtë. Por Myfiti u vendos në hotel “Moska”, kurse unë gjatë gjithë kohës kam qenë në vilën e delegacionit, çdo mëngjes duhet të udhëtoja për në Kremlin me veturë ngjitur me Mehmetin e Enverin që rrinin me fytyra të ngrysura, t’u përktheja ditën, në darkë t’u organizoja shfaqje filmash e në mëngjes herët të lexoja gazetat e t’i informoja çfarë shkruanin ato për Shqipërinë.
E njoh dhe e vlerësoj Myfitin si njeri punëtor, që e dinte ndoshta më mirë se unë rusishten, veçse unë e shqiptoja më mirë. Ai dinte të përdorte edhe makinën e shkrimit në rusisht. Kishte vite që përkthente për Enver Hoxhën, por në pranverën e vitit 1960 e transferuan nga aparati i KQ në Ministrinë e Jashtme. Siç e kam shkruar në libër e siç e pranon vetë Myfiti, shkaku ishte se pas dënimit të Teme Sejkos nuk po shiheshin me sy të mirë kuadrot çame. Dhe atëherë Enveri më thirri mua si përkthyes. Unë isha me Hysni Kapon në Mbledhjen e Bukureshtit dhe në Komisionin e Redaktimit të projektdeklaratës në tetor 1960 në Moskë. Myfit Mushi nuk ka qenë në Moskë atëherë, ishin Hysni Kapo, Ramiz Alia, Todi Lubonja, Foto Çami dhe unë. Përsëri nuk besoj që në intervistën e tij ta ketë bërë këtë lajthitje vetë Myfiti, do të ketë ndonjë ngatërresë në redaktimin e materialit.
A kishte dramë?
Në libër unë përmend se më 8 nëntor, dy ditë para se të hapet Mbledhja e Moskës, sovjetikët shpërndanë një Letër të gjatë për kontradiktat me kinezët, kurse më 10 nëntor Hrushovi foli i pari për forcimin e unitetit me një taktikë djallëzore duke mos i përmendur ato kontradikta. “E çfarë ka këtu me rëndësi, Gjeras”, thotë Muharrem Xhafa. Atij nuk i pëlqejnë as “detajet” e as çështjet kryesore të taktikës që po ndiqej në Mbledhjen e Moskës. Isha unë në sallën Georgievskaja dhe paraqes disa kujtime e refleksione të miat, kurse Muharremi, që nuk ishte atje, i cilëson ato “mashtrime”.
Frederik Gjerasi
Ai thotë se “nuk kishte kurrfarë drame në “diskuret” e Ibarrurit kundër Enverit…”. Por në ato çaste kam qenë unë, e jo Muharremi, në tavolinën e delegacionit, vetëm 2-3 metra larg mikrofonit, nga ku Ibarruri i thërriste “qen” Enver Hoxhës. Sipas tij, Dolores Ibarruri ishte “shërbëtore e Hrushovit”. Nuk e di në çfarë mase pajtohej ajo me vijën e Hrushovit. Por unë në ato çaste kujtoja nënën time, që lexonte e ruante si hajmali librin e vogël “Pasionarja”, që ishte botuar në Shqipëri pas çlirimit për Dolores Ibarrurin.
dija se djali i saj ishte vrarë në frontin e Luftës së Dytë Botërore. Kisha shkëmbyer disa fjalë me vajzën e saj në korridoret e konviktit të vjetër të Universitetit në Moskë. Dhe ndieja një dhimbje kur ajo fliste aq rëndë kundër Enverit. Po thyheshin më tej idealet me të cilat isha edukuar. Për mua ajo ishte vërtet një dramë që po luhej në gjirin e lëvizjes komuniste. Enver Hoxha ishte prezent në sallë, afër mikrofonit, kur e shante Ibarruri. Por në librin “Hrushovianët” ai thotë se atë pasdite kishte vendosur të pushojë. Ndoshta kam bërë gabim që në libër përdor fjalën “gënjen”. Pas shumë vitesh, Enveri mbase ka harruar. Por jo, ajo skenë nuk mund të harrohej.
Muharremi thotë se “veç hamendjeve e sajesave të autorit, nuk ka pasur kurrfarë shtrembërimesh të këngëve labe të kënduara në vilën e delegacionit tonë në Moskë”. Por në vilën e delegacionit tonë në Moskë nuk është kënduar kurrë ndonjë këngë labe. Muharremi ngatërron vilën me ambasadën. Unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë Enverin të këndojë në Moskë, unë vetëm citoj një artikull të oficerit shqiptar të Sigurimit, që provonte mos kishin helm gjellët që hante Enveri në ambasadë, i cili thotë se e kishte dëgjuar të këndonte atë këngën gjirokastrite për “vashën bandille”. Unë vetë kam dëgjuar “qef o qef që bën dervishi, pi raki, hidh thela mishi”. Megjithëse nuk ishte në Moskë, Muharremi thotë se udhëheqësi “nuk kishte stres”, “ku pyeste Enveri për servile si Ibarruri?”.
Unë nuk kam dashur të jap vlerësime për figurën e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut, thjesht shkruaj kujtime e sjell të vërteta nga koha e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ata kanë pa dyshim meritat e tyre për kohën e Luftës Nacionalçlirimtare e të ndërtimit socialist. Veçse pranohet nga të gjithë se edhe njeriu më i mirë, kur rri në krye të vendit për 20 e 40 vjet me radhë do të prishet gradualisht, do t’i pëlqejnë servilët e dallkaukët, do të shpërfytyrohet e do të bëhet feudal, mbret, diktator dhe do të sjellë drama e tragjedi në jetën e shoqërisë. Sundimi i gjatë i udhëheqësve ishte një ndër shkaqet e përmbysjes së sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik, krahas me dobësitë e tjera të këtij sistemi, me rënien e ekonomisë, me qëndrimet e elitës sovjetike, me presionin e Perëndimit e të tjera arsye, që Muharremi nuk i ka kuptuar e nuk i kupton dot.
Si u përdor diktatura e proletariatit
Ai thotë se Enveri e njihte mirë teorinë marksiste dhe e mbrojti atë nga revizionizmi. Por në njohjen e zbatimin e teorisë marksiste kanë gabuar edhe burra më të mençur përpara Enverit. Marksi fliste për diktaturën e proletariatit dhe nënkuptonte elementin krijues të kësaj diktature. Kurse në Bashkimin Sovjetik ky element krijues i diktaturës ia la vendin dhunës dhe vendimeve radikale. Enver Hoxha e Mehmet Shehu e shtrembëruan më tej kuptimin e diktaturës së proletariatit dhe përdorën një egërsi të pashoqe në zbatimin e saj në Shqipëri.
Enveri lexonte dhe kishte në shtëpi një bibliotekë të pasur, sidomos me libra në frëngjisht. Dhe ka botuar dhjetëra vëllime me “veprat” e tij. Nisur nga këto “vepra”, unë vetëm vë në dyshim që ai t’i kishte studiuar volumet e Marksit dhe libra shkencorë mbi teorinë e marksizmit. Edhe Hrushovi nuk lexonte libra të tillë, po ndenji 10 vjet në krye të Bashkimit Sovjetik, edhe Brezhnjevi kishte alergji ndaj atyre librave, megjithatë sundoi e drejtoi për 20 vjet.
Muharremi lavdëron Enver Hoxhën për prishjen jo vetëm me sovjetikët, por edhe me kinezët. Dihet se për dramën shqiptaro-ruse ka mendime të ndryshme, por asnjë njeri i mençur në Shqipëri nuk e justifikon prishjen me kinezët, që e çoi ekonominë tonë drejt humnerës. Kinezët na dhanë ndihma të mëdha kur vetë ishin në varfëri, por Enver Hoxha u tregua mosmirënjohës.
Muharremi thotë se unë “lavdëroj” Ramiz Alinë e Liri Belishovën, ai nuk e fsheh alergjinë ndaj tyre dhe lavdëron “miqësinë” e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun. Nga shkrimi i tij i fundit në gazetën “Dita” del se ai bredh kafeneve të Tiranës për të afruar në PPSH-në e “vërtetë” të tij ndonjë nostalgjik të Enverit, por edhe të Mehmetit. Por e ka të vështirë sepse “drama” e vetëvrasjes së Mehmetit është shumë e rëndë, madje ajo është një tragjedi e vërtetë, me skena si ato të pjesëve të Shekspirit, ku nuk mungonte as Jago, siç etiketohej Ramizi në “letrën amanet” të Mehmetit. Le të përpiqemi t’i përfytyrojmë për një çast këto skena. Dihet se në Bashkimin Sovjetik F. Kozllovi, figura e dytë, priste të vdiste Hrushovi që të dilte vetë në krye. Edhe Mehmeti nuk mund të mos e lakmonte të njëjtën gjë. Më kujtohet se në shtator 1960 isha me 3-4 veta në zyrën e Ramizit. Hapet dera dhe në prag qëndron Mehmet Shehu e i thotë Ramizit: “Mollogjozh, nesër do t’i hipi Elizabetës!”. Dhe i vendosi gishtat në shenjë kalorësi. Ai e quante “rini” Ramizin. Mirëpo Enveri ishte shprehur se preferonte si trashëgimtar pikërisht Ramizin. Por si Enveri, edhe Ramizi e kuptonin se kjo nuk mund të realizohej për sa kohë ishte gjallë Mehmeti. Dhe do të luheshin prapaskena dramatike. Përgjegjësia kryesore ishte e Enverit, por, me dashje ose pa dashje, në ato veprime u përfshi dhe Ramizi, që i telefononte Mehmetit “të thellohej në autokritikën para byrosë”. Pastaj erdhi drama ose tragjedia tjetër që sajoi Enveri, kur do të bëhej gjyqi i Fiqrete Shehut. Një dramë apo një tragjedi ka personazhet kryesore, por ka edhe ata të dorës së dytë, në këta të fundit u fut dhe Llambi Peçini. Po pse do të shkonte Llambi në Paris me Fiqreten për të marrë helmin, kur ai rrinte çdo ditë pranë Enverit e mund ta vriste kur të donte?
Muharremi thotë: “Gjerasi ka pasë marrë një dhëmb”. Por ai ka punuar me statutin dhe e di mirë se përjashtimi nga partia ishte “pushkatim politik”. Mirë se mua më paskan hequr vetëm një dhëmb, po Llambi Peçinit, vëllait tim (se në disa gjuhë të huaja djali i hallës quhet vëlla), që i shkulën dhëmbë e dhëmballë në tortura? Ai ishte qen besnik i Enver Hoxhës. Kur qeni besnik ngordh, i zoti hap një gropë në fund të kopshtit dhe e mbulon me dhé, kurse Enveri e pushkatoi Llambin dhe e hodhi në një përrua rrëzë Dajtit. Sa njerëz nga shokët e vet vrau Enver Hoxha! Metoda të tilla, që nuk pajtohen me humanizmin dhe moralin, janë të huaja për teorinë marksiste, “të vërtetën”. Po Muharremi nuk e njeh marksizmin.
Ai përmend çfarë kam shkruar unë në kohën e monizmit. Në intervistë kam thënë: “Po, kam shkruar edhe gjëra të gabuara, edhe kundër bindjeve të mia, megjithëse u dënova si njeri liberal, revizionist, sepse mora guximin të tregoja diçka të vërtetë nga realiteti i vendeve të Perëndimit në atë kohë”. Unë dua të pranoj se nuk jam dalluar në shkrimet e asaj kohe, sepse më futën në detyra anësore dhe nuk pata fatin të thellohesha në punë studimore-shkencore. Pastaj, u dënova pa mbushur moshën 40 vjeç. Kam pranuar se si spiker e si përkthyes kam qenë një skllav, siç thoshte Levitani, kam lexuar e përkthyer çfarë thonë të tjerët, veçse me pak talent, diksion e zë të pëlqyeshëm dhe kam pasur fatin ta filloj mësimin e gjuhës ruse në pedagogjiken e Elbasanit me mësuese ruse, nga Leningradi e Moska. Nuk e di me çfarë kuptimi e jep Muharremi titullin e shkrimit të tij “Gjeras, i ke borxh Enverit”. Ai ndoshta nuk e di se unë vërtet i kam borxh Enverit, sepse nuk lejoi arrestimin e babait tim në moshën 70-vjeçare, kujtoi bukën e Shmilit. Veç kësaj, ndoshta një fjalë e tij ka ndalur edhe arrestimin tim që kërkonte Fiqrete Shehu. Por kjo nuk mund të më ndalojë të shkruaj të vërtetën për dramën shqiptaro-ruse.
Muharremi nuk pranon se Enveri i ndryshonte vlerësimet për ngjarjet në shkrimet e veta, kurse Myfiti e pranon. Po a nuk është e vërtetë që në fillim ai shkruante se revizionizmin hrushovian e luftuan Partia Komuniste e Kinës dhe PPSH, më vonë thotë PPSH dhe PKK dhe në fund vetëm PPSH! Sa herë e ka ndryshuar ai historinë për Nako Spiron! Edhe autorëve të huaj u ka bërë përshtypje ky ndryshim i vlerësimeve në shkrimet e tij nga njëri vit në tjetrin. Për të mos përmendur pastaj trillimet në “pasqyrat e tij sinoptike”, pas vdekjes së “poliagjentit” Mehmet Shehu.
A jam “këshilluar” për librin tim?
Sipas Muharremit, unë qenkam “këshilluar keq” nga dikush në përpjekjet “për t’u dhënë kujtimeve “tingëllimë” aktuale të kohës”. Unë nuk jam këshilluar absolutisht me asnjeri. Ka vite që unë nuk kam biseduar me ndonjë që merret me politikë. Madje për librin që po shkruaja, nuk dinin as gruaja e as djemtë e mi. Edhe redaktimin e librit e ka bërë vëllai im. Duket se vetë Muharremi merr këshilla të këqija nga dikush tjetër dhe na i servir si të vetat. Nga urrejtja e tij për Ramizin e Lirinë dhe nga lëvdatat për Enverin e Mehmetin, kuptohet se duhet të ketë grupe e tarafe, që unë nuk i di e nuk dëshiroj t’i di. Midis tyre, siç duket, ka “sherre”, si ato që vlonin në udhëheqjen e atëhershme shqiptare.
Unë në libër përmend fjalët e Hrushovit në mbledhjen e Traktatit të Varshavës në Moskë në mars 1961 se fshatarit shqiptar të varfëruar e të sfilitur po i vihej “kryqi për së gjalli ose turpi i paravdekjes”. Ato fjalë nuk i ka ditur kush në Shqipëri. Në libër shkruaj: “Turp për Hrushovin që ndërpreu marrëdhëniet me Shqipërinë e vogël dhe la në baltë fshatarësinë tonë të varfër, turp edhe për Enver Hoxhën që për karrigen e tij sakrifikoi interesat e popullit dhe i vuri kryqin për së gjalli fshatarësisë shqiptare!”. Unë fajësoj Hrushovin se u tregua hakmarrës ndaj Enver Hoxhës për sjelljet e tij brutale. Edhe ata që i bënë puçin e rrëzuan Hrushovin, ia vunë këtë në dukje. Çdo vit, pas rënies së Hrushovit, më 28-29 nëntor, sovjetikët botonin në gazetat qendrore artikuj për festat e shqiptarëve dhe bënin thirrje për pajtim. Por Enveri i refuzoi, sepse Brezhnjevi po e vazhdonte miqësinë me Titon. Ky nuk i kishte shumë besim Hrushovit emocional. Por pas vizitës së tij të parë në Jugosllavi, Hrushovi dërgoi atje Brezhnjevin, i cili e pranoi me kënaqësi një unazë të çmueshme që i dhuroi Tito. Kur vdiq Tito, Brezhnjevi, i sëmurë, shkoi në varrimin në Beograd, megjithëse mjekët donin ta ndalonin. Udhëheqja shqiptare i rrinte larg atyre.
Muharrem Xhafa më quan filorus. Në Mbledhjen e Bukureshtit po përktheja fjalën e Hysni Kapos, që ia kishte dërguar Enveri, se “po të ndodhë ndonjë kataklizëm në botë, arkeologët e ardhshëm do të gjejnë afër njëri-tjetrit shqiptarët me rusët”. Hrushovi ndërhyri “lëreni botën tjetër”! Dhe vërtet, “në këtë botë” Enveri e prishi miqësinë me rusët, dhe Muharremi sot qenka bërë rusofob. Kur në Kinë e pyetën Hysniun a dëshironi të takoni Maon, ai u përgjigj: “A ka të verbër që nuk e do dritën e syrit?!”. Kaluan pak vite dhe çfarë fjalë të rënda nxorën nga goja ai me Enverin e Mehmetin për udhëheqësit kinezë!
Në libër e pranoj se ndiej njëfarë nostalgjie për ata shokë rusë e ukrainas që m’u sollën me miqësi të çiltër në vitet studentore. Dhe shkruaj diçka për Rusinë dje dhe sot. Shpreh dëshirën e shpresën që e kanë dhe shumë njerëz të tjerë për përmirësimin e marrëdhënieve të Amerikës me Rusinë në të mirë të paqes në botë. Po nuk do të ndalem në këtë temë, se atë nuk e kupton dot Muharremi rusofob.
Nuk jam unë, po Muharrem Xhafa ai që “çon ujë në mullirin e antikomunizmit”, sepse i kupton mësimet e marksizmit në mënyrë dogmatike e vulgare. Të gjithë e dimë se Partia e madhe Komuniste e Kinës po e çon vendin drejt zhvillimeve të reja. Disa parti komuniste në vende të ndryshme pasqyrojnë në programet e tyre ndryshimet e kohës e nxjerrin mësime, ato kanë grupet e veta parlamentare dhe luftojnë për të drejtat e punonjësve. Kurse Muharremit tonë i ka mbetur ora në kohën kur botoheshin “veprat” e Enver Hoxhës.
Komentet