Që ka qytetarë kundër Presidentit të një vendi, është normale dhe e njohur në botë, por që të ketë President kundër qytetarit, hapur dhe fshehtas, me veprime dhe në mënyrë verbale, madje me shpifje ordinere, është vetëm një në botë sot, Presidenti i vendit tim, për fat të keq. Së pari nxitoj të them, me përgjegjësi ligjore dhe penale, që unë në burg kam qenë thjesht i burgosur politik, i persekutuar dhe nuk kam pasur asnjë bashkëpunim me administratën e atjeshme, me komandën e burgut dhe kurrë as me Sigurimin e Shtetit të diktaturës.
Ftoj në çdo gjyq që ta zgjedhë ai që më akuzon, ta dëshmojë këtë akuzë dhunuese presidenciale 26 vjet pas rënies së perandorisë komuniste, ku ndërkohë unë kam kaluar disa kontrolle të pastërtisë së figurës publike: jam zgjedhur deputet, kur u shmangen kandidimet e atyre që akuzoheshin si të tillë; jam emëruar ministër i qeverisë Berisha dhe u bë ky kontroll, madje dhe mediatik; jam dekoruar po nga ky President, që së fundmi iu desh të shpifë kështu për mua.
Presidenti i Republikës i ka të gjitha kompetencat, mundësitë, mjetet, bashkëpunëtorët zyrtarë etj., dosjet, burgjet, policinë, sigurinë etj., etj., që të shohë dosjen time dhe jo celularin, ku ai përthith pa filtër shpifje e pisllëqe. Siç kam treguar dhe herë tjetër, unë jam refuzues, duke pranuar dhe pasojat e rënda të bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit të diktaturës së Enver Hoxhës, kur Presidenti aktual ishte ushtarak i fundit i asaj diktature.
Respekti im për ushtarakët e vendit tim, që kanë kryer dhe kryejnë detyrën me përkushtim e patriotizëm, është i lartë. Po kështu, Presidenti është i detyruar të jetë i përgjegjshëm si shtetar dhe t’i kuptojë ata që u thyen nga diktatura e tij e u bënë bashkëpunëtorë, së pari i mashtruan se gjoja po i shërbenin vendit dhe partisë, apo i torturuan mizorisht dhe në kushte dhune, faji nuk ishte i tyre, por i atyre që i thyen dhe i përdorën e tani mos lejo të shpërdoren, por jepu kujtdo atë që i takon.
I them Presidentit në ikje që të ruajë dinjitetin e ikjes e të mos nëpërkëmbë qytetarët e vendit të tij e, sidomos, të ketë respektin e duhur për ish-të persektuarit politikë, të cilët i sollën vendit kultin e qëndresës, të drejtësisë dhe moralit të lartë, dashurinë për atdhe “edhe kur ai të vret”, siç porosiste dhe një shkrimtar i shquar, që ka qenë burgjeve të diktaturës, kur Presidenti aktual edukohej me frymën e urrejtjes dhe të luftës së klasave dhe përgatitej të përmbyste kapitalizmin botëror me kallashin e tij.
Ai është i detyruar të mos futë përçarjen, duke i goditur me forma katoviciane, por trashanike tashmë, ish-të persektuarit politikë dhe dekorimet t’i shoqërojë me vepra e jo me prapashpineri të së keqes, sepse, në fund të fundit, ai është në kohën dhe në sistemin që ëndërruan ata, domethënë ne të gjithë. Shqetësimi im nuk është vetanak dhe s’dua të mbetet si i tillë, dhe unë nuk u rebelova pse ai dekretoi apo jo një ministër të propozuar nga Kryeministri, këto nuk janë mundësi e shqetësimeve të mia, por desha si qytetar i vendit tim që Presidenti të jetë me një standard, atë të Presidentit, i drejtë dhe i vërtetë në ato që thotë, kompetent, jo sorollatës deri në mediokritete, të njohë kompetencat, etj., pavarësisht se unë nuk kam forcën dhe mundësitë dhe median e të gjitha ato që ka Presidenti kundër meje.
Përfitoj nga rasti të sqaroj që absolutisht kam qenë më i qetë që nuk jam emëruar prej atij si ambasador në Vatikan. Po e them këtë se këtu është zanafilla e sulmit të tij kundër meje. E ka thënë dhe vetë në intervistat e tij bezdisëse në fillim, që “s’kam gjë me Zhitin”, pra ishin interesat e tij vetanake, meskine, aspak parimore, që cenoheshin, siç dukej. Ndërkaq, e ndiej të nevojshme të them se Selia e Shenjtë më pranoi me përdëllim e në mirëkuptim të plotë, pra nuk gabuan ata që më emëruan, isha më pranë asaj që Vatikani pranon, besim dhe përvuajtje, etj.
Është ai, Presidenti, që e la vendin pa ambasador (dhe ky mund të mos isha unë, s’kishte rëndësi kjo) në Selinë e Shenjtë, por nuk ia doli që të mos përfaqësoheshim. Dhe kur ndodhi kjo? Në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, kur Shqipërinë e vizituan dy papë, në vitin kur u kanonizua Shenjtorja Nënë Tereza, 38 martirë të Kishës sonë Katolike u lumturuan, kur Shqipërisë iu dhurua një kardinal, bashkëvuajtësi im në burg.
Le të mësonte paksa nga Vatikani ky njeri! Ndjesë për zgjatjen, por lejomëni të flas dhe pak për ato që di dhe duhen për përgjigjen time e opinionin, që tregojnë dritëshkurtësinë mjerane të Presidentit aktual. Pikërisht ai është që e ka kuptuar më pak nga të gjithë Vatikanin, jam i detyruar ta them, dhe për rrjedhojë po aq pak ka kuptuar dhe interesat e vendit të tij me superfuqinë shpirtërore të botës.
Ai vetëm me një fjali, kur refuzoi dekretimin e propozimit dhe tha se “Zhitin nuk e pranojnë se është mysliman”, bëri furishëm tri gabime të rënda për një President. E para foli në emër të Vatikanit (?!); e dyta, kush i tha atij që Vatikani nuk pranon myslimanë (?!), kur Papa Françesku dhe Shenjta jonë Nënë Tereza thonë “vëllezërit tanë myslimanë”. Ai pse fut përçarjen fetare, kur Shqipëria jonë është emblema e kësaj vëllazërie dhe kujt i shërbente kjo frymë urrejtjeje, për ç’nishane turpi e bëri?
Dhe e treta, ku e dinte ai besimin tim? Gjej rastin ta them tani për ata që kanë qenë të interesuar për besimin tim, që Krishti është Presidenti im i vërtetë prej vitesh e vitesh, para se të lejohej feja në vend. Kryeministrit të vendit tim, z. Edi Rama, i jap të drejtë kur tha që ky (Nishani) po vazhdon ta persekutojë Zhitin, atë në fakt bëri dhe po bën ai. Mashtron rregullisht, në fillim tha, p.sh., se procedurat janë shkelur, “prandaj s’e emëroj’, kur më këto procedura ka emëruar dhe emëroi të tjerë para dhe pas meje. Pastaj shpërdori fjalën “inkuizicion”, ashtu siç e shtrembëronin faktin në gjyq, kur më dënuan në diktaturë.
Së fundmi u bë grotesk, duke thënë se i paskësh ardhur një mesazh në celularin e tij nga një i panjohur “P.V.” E përsëris, me përgjegjësi ligjore e penale, që kurrë në burg nuk kam qenë bashkëpunëtor i administratës atje, as i komandës dhe i Sigurimit të Shtetit dhe u kërkoj organeve kompetente ta dëshmojnë këtë. Nga që s’ka gjëkundi fakte të tilla, Presidenti Nishani shpif. Sa herë flet për mua, ai shton nga një argument të ri, si ky që nuk i isha dukur mirë psiqikisht.
Njihen këto metoda, mjafton të lexosh pak më shumë se një President. Absolutisht nuk dua të jem në unison me psikikën e tij e me interesat e tij të ulëta. Kaq! Në të ardhmen, po u desh, do të sjell dëshmi të tjera të mashtrimit dhe gënjeshtrave të Presidentit ndaj meje, jo nga celulari im, se si shkruajnë për të, as nga ato që i keni parë dhe ju nëpër komente, por si një qytetar i vendit dhe ish-i persekutuar politik, si një i përkushtuar i demokracisë, që kam kërkuar modestisht të jem shembull i bashkëpunimit me këdo e të çdo kahu, në dobi të detyrave, të demokracisë, të mirëkuptimit, ku kundërshtari politik është bashkëqytetar, shok, vëlla, ku pluralizmi i ideve është pasuri e përbashkët, ku kujtesa kombëtare dhe përvoja e vuajtjeve të shërbejnë që e keqja të mos përsëritet dhe të kthehet në vlerë e begati e vendit.
Si ish-i persekutuar politik kam dashur të dëshmojmë së bashku se jemi të denjë për çdo detyrë e mision, në politikë, kulturë, art e filozofi dhe për atdheun e demokracinë e tij jemi copërluar më shumë, të paktën se Presidenti i vendit. Pa hakmarrje së bashku drejt ëndrrës, ku më i afti, sidomos me të rinjtë, të na prijë drejt ëndrrës.
Po e mbyll me lutjen bashkëvuajtësve të mi, qytetarëve të vendit tonë, liderëve, deputetëve, që të bëjnë përpjekjet dhe të kërkojnë që Presidenti të mos jetë më nën nivelin kulturor e moral, por të mbartë dinjitetin e qytetarit dhe lartësinë e detyrës dhe vlerat dhe virtytet më të mira të popullit që i përket. Është e mundur!
Çikago, 22 mars 2017
Komentet