Takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përfundoi të hënën në Bruksel, me anulimin e një konference të përbashkët për gazetarë dhe me një komunikatë në të cilën Bashkimi Evropian kritikoi ashpër tarifat e vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe dhe nguli këmbë në heqjen e menjëhershme të tyre.
Në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thuhet se vendosja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe dëmton synimet e Kosovës për të qenë një vend tërheqës për investime.
Para takimit të sotëm, zonja Mogherini dhe dy komisionarë të saj, kishin kërkuar nga Kosova që të heqë tarifat dhe si kundërpeshë kishin ofruar vënien e emrit të Kosovës në vend të atij të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Marrëveshjen për tregti të lirë në Evropën Qendrore, të njohur si CEFTA.
Por qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar një ofertë të tillë.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha pas takimit se Kosova synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe nuk ka kohë për zgjidhje të pjesshme të problemeve siç është çështja e tarifave. Ai tha se ajo duhet të zgjidhet në një marrëveshje që nënkupton njohje, ulëse në OKB dhe anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë për Kosovën.
Ai tha se delegacioni i Kosovës ka kërkuar një trajtim të barabartë të saj duke vënë theksin tek liberalizimi i vizave. Ndërsa ka ritheksuar kërkesën që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të vazhdojnë, por me një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara.
“Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes evropiane”, thuhet në fjalimin që kryeministri Haradinaj ka mbajtur në takim e të cilin ai e shpërndau në rrjetin social facebook.
“Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet”.
“Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë”, thuhet mes tjerash në fjalimin e tij.
Kosova nënshkroi në vitin 2015 marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, si kundërshpërblim për angazhimin e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, por hapi bisedimet për anëtarësim për shkak angazhimit në bisedime.
Bashkimi Evropian kërkon nga të dyja palët një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh para së të përmbushin synimin për t’u bërë pjesë e bllokut.
Por bisedimet tashmë kanë ngecur dhe Serbia kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave, të cilat qeveria e Kosovës i vendosi më 21 nëntor në shenjë kundërvënieje ndaj siç u tha fushatës agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Parlamenti i Kosovës ngriti të shtunën një ekip negociues dhe miratoi një rezolutë për bisedimet e cila hedh poshtë mundësinë e diskutimit të tërësisë tokësore të Kosovës. Vendimi i cili nuk pati konsensus, nxiti reagimin e Beogradit i cili tha se ky është një veprim që i mbyllë dyert e bisedimeve.
Komentet