Studiuesi dhe kritiku Kosta Nake
Edhe pse 32 vite tranzicioni kanë arritur të shkarkojnë shumë duf, pakënaqësi, urrejtje, përsëri, kur dëshmitë vijnë nga brenda telave me gjemba dhe thellësive të minierave, ato jo vetëm të trondisin, por të bëjnë të mendosh se përvoja shqiptare e ushtrimit të diktaturës së proletariatit ka pjellë tragjedi të mëdha, ka sjellë plagë të pashërueshme, ka ushtruar dhunë të paimagjinueshme për depersonalizimin e njerëzve.
Kur këto rrëfime i marrin përsipër njerëz si Visar Zhiti që zotërojnë artin e rimishërimit në letër, atëherë ndjen thellë në shpirt atë dhimbje që nuk e ke provuar vetë, edhe pse ke qenë shumë afër saj. Këngëtari i madh Sherif Merdani zgjodhi fjalën “universitet” për atë ngushticën e rrethimit me kulla roje dhe armë të mbushura që mbanin në gojë fishekun e radhës, kurse Zhiti sjell termin “burgologji” duke nënkuptuar enciklopedinë e trysnisë psikologjike dhe fizike mbi të dënuarit e të gjitha llojeve.
Një kamp me 1200 të dënuar si ai i Spaçit ishte një miniShqipëri antikomuniste në këndvështrimin filozofik dhe miniShqipëri antisocialiste në kuptimin ekonomik, prandaj leximi i 470 faqeve të “Rrugëve të Ferrit” është një udhëtim stresues në një ferr shqiptar që mund të personalizohet si zhitian. Sikur të mblidhje vetëm reagimet e njerëzve që përmenden aty me emrat e vërtetë, vëllimi i librit do të trefishohej. Po sa të tjerë kanë qenë bashkëkohës të autorit dhe ato 10 vite i kanë kaluar në skuta të tjera me bashkëvuajtës të tjerë, duke përtypur vrerin e mundimet brenda pak
metrave kub ku dhe ajri dukej sikur ishte i privuar dhe i racionuar? Burgu fillonte që jashtë tij. Nuk po risjell akuzat nga nëpunësit shtetërorë që paguheshin për atë zgjedhje që kishin bërë për jetën, por dëshmitë e njerëzve me të cilën autori ndante ditët dhe netët dhe përftonin një kafaz eterik ku asnjë fjalë nuk tretej, as një lëvizje nuk shuhej, gjithçka regjistrohej në letër ose në kujtesë për t’u përdorur në çastin që, sipas trumpetave, fatet e revolucionit dhe të socializmit dukeshin të kërcënuara dhe sipas së vërtetës, froni i pushtetit kërciste nga tallazitjet e klaneve afër tij:
Dëgjonte lajmet te Radio Prishtina.
I mbante flokët e gjatë.
Thoshte se ne veriorët s’kemi tru.
Thoshte se s’jetohet në këtë fshat me varfëri të skajshme.
E të tjera, e të tjera.
Në burg nuk ka rrjedhë ngjarjesh, por përsëritje identike të ditëve, prandaj Zhiti ka zgjedhur të sjellë një kolorit tematikash duke u dhënë trajtat e prozave poetike, madje nganjëherë kufijtë midis realitetit dhe përjetimit, midis prozës e poezisë mjegullohen aq shumë sa përftohet një zhanër i ri zhitian. Po veçoj vetëm përftesat gjuhësore dhe kuptimore që përftohen nga loja e grafemave dhe që nuk janë të pakëta.
Ta fillojmë me interpretimin që i bën autori emrin të burgut: s-paç (mos paç) (f.133). Krijimet, vetëm me përdorimin e kllapave kthehen në krime, “kri(ji)me” (f.18); një gjendje alerti që na shoqëroi 30 vjet u importua me fjalën “zbor”, “zboret (ah, kjo fjalë acaruese sllave e futur në fjalorin tonë)” (f. 34), niveli intelektual i hetuesve zhbëhet me leximin e një fjale të huaj, poetin japonez Isikava Takuboku hetuesi e quan “taketuke” (f.78), dhe autori shkruan: nisi të lexonte keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike (f.98), kurse shkrimtarët befas kthehen në kriminelë “akt-ekspertiza e dy (sh)krimtarëve” (f.98). Ngandonjëherë leximi i librit duhet bërë me zë për të risjellë efektet tingullore të situatës: “Adi”. Kështu thirri befas njëri nga korçarët. Adi-i-i përsëriti dhe “i-ja” u zgjat si një shigjetë që çau ajrin e rënduar. A-a-a-d-d-d-i-i-iiiii-oh!” (f.131)
Fund e krye në libër shpaloset një urrejtje e papërmbajtur ndaj Enver Hoxhës. Autori luan me rrokjet: “Enveri, En-ferri.” (f.149) “Tallaziteshin parrullat… Rro…të Enveri.” (f.466) U shqyem gazit me një Enver të lajthitur gjeneralisht, e ndërkohë kështu drejton Partinë dhe vendin dhe është dishepulli më i lavdishëm sot i Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe i Dimitrovit. E qeshëm me lotë sepse duhej përmbushur emri M.e.l.s.e.d.
Ç’akrostish i shëmtuar, i tmerrshëm thuaj. (f.297).
Një dialog me tri replika është i barabartë me tri faqe shpjegim:
“Sa vjet je dënuar ti? – pyeti oficeri.
– 7.
– Sa ke bërë?
– 12.
– Dhe sa ke?
– 25. Sa t’jesi Partia.” (f.222),
Mjafton fjala “tiran” për të krijuar një familje fjalësh që nuk i lidh vetëm prapashtesa ~zaur, por edhe kuptimi ideologjik: “Të vdesin, të vdesin tiranozaurit, beogradozaurit, moskozaurit, pekinozaurit, komunistozaurit, po kur?” (f.305)
Një aliteracion me ngarkesë negative të skajshme: Mërzi e mërzitshme më mërzitshëm se mërzia! Merr-Zi! Zi-iiii. Ky është burgu, ky tani, asgjë ndryshe. (f.318)
Emri i njohur i poetit dhe dramaturgut Frederiko G. Lorka bëhet burim hamendësimesh blasfemuese: “L.O.R.K.A. Arkitekti kishte prerë gërma kapitale të kuqe nga revistat dhe i kishte ngjitur mbi librin tonë të ri. L-në me siguri do ta ketë marrë nga ndonjë sllogan, L-avdi…,Kujt? O-në? S’e di. R-në? Nga Revolucioni, gërma e fundit e emrit të diktatorit. K-ja? K-omunizëm. A-rmik. A-ja gjendej shpesh. (f.340)
Një copëzim i fjalës përfton befasira që mund të mos i kesh menduar kurrë më parë: “Qe rilidhur Prometeu, të cilit midis rënkimeve, oh, ohoh, nëpër sytë që nuk i mb…yll…te dot, ahaaahhh, i vagëllinin flakët pranë, te një sobë e kuqe… me derëzën… të ha-puur. Edhe qelia e zjarrit…d…erën të hapuuur e k…ish. Aaah, oooo! Ik, zjarr rob, çaj përpara, ndreqe ti botën ashtu siç di, sa pa e përpirë bora, harrimi i saj, ngrirja dhe ftohtësia e kufomës.” (f.360)
Amnistia që prisnin më kot të burgosurit, na kujton pritjen e Godosë: “Dita e parë pas amnistisë, (h)am-ham, nis, (çfarë nis?)-ti-tis që bie mbi krimin e madh.” (f.370) Ja dhe një transformim tjetër: “Qe mbajtur një plenium i veçantë. Pleh…hum-hum.” (f.408) Ja dhe një barazim me nazizmin: “Ndaal! …al-t!, dëgjohen britmat e ushtarëve përgjatë rrethimit.” (f.454) Tejqyrës së autorit nuk i shpëtojnë as numrat: “Viti 1982 apo 1902, (8- ta si prangë, 0-ja si varr)” (f.370)
“Rrugët e Ferrit” sjell edhe një ndihmesë të çmuar në pasurimin e fjalorit letrar të shqipes, fjalët e krijuara sjellin forma dhe kuptime të reja që përbëjnë një kthinë të pasur në funksion të burgologjisë, por edhe e ngrenë autorin në piedestalin e shkrimtarëve që jo vetëm e njohin shumë mirë gjuhën shqipe, por edhe e kapërcejnë cakun e përdoruesit për t’u kthyer në ndihmëtarë të domosdoshëm pikërisht në ditët tona kur shqipja trysnohet nga gjuhët e tjera dhe në mediat e shkruara dhe vizive ka vërshim shqipfolësish që s’e kanë për turp ta gjymtojnë gjuhën amëtare.
Para se të lexoja “Rrugët e Ferrit”, prapashtesën ~shëm e quaja kadarejane. Në këtë rrëfim të Visar Zhitit Kadareja lartohet si një idhull, prandaj përdorimi i prapashtesës në këtë rast ka një arsye më shumë. Nga ana sasiore vendin kryesor e zënë ndajfoljet dhe po sjell shumicën prej tyre: ankthshëm, ballëpërballshëm, cikshëm, dëshpërueshëm, dremitshëm, dridhshëm, durueshëm, fyeshëm, goditshëm, hakërrueshëm, hapërdarshëm, këputshëm, mosbegenisshëm, ngashnjyeshëm, ngjeshshëm, padukshëm, padurueshëm, pamëshirshëm, pandreqshëm, përbuzshëm, përhumbshëm, policët e përmatanshëm, poshtërueshëm, rëndshëm, rrëqethshëm, shpërdorueshëm, trandshëm, trembshëm, turlisojshëm, ulëritshëm,
Kam veçuar rreth 150 fjalë që tingëllojnë të reja tekstualisht dhe ndajfoljeve të mësipërme u bashkohen emra, folje dhe mbiemra të formuara me prapashtesa, parashtesa, me kompozita e përngjitje.
Durrës, 17 shtator 2022