Institucionet e drejtësisë shqiptare, si gjykatat dhe prokuroria kanë pësuar përkeqësim të treguesve të transparencës në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas një raporti i të organizatës Mjaft, rezulton se Shqipëria renditet e treta në rajon përsa i përket indeksit të “Qeverisjes së Hapur” të institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Ky studim është bazuar në katër tregues, siç është transparenca, aksesueshmëria, integriteti dhe efektshmëria.
“Gjykatat dhe prokuroritë në Republikën e Shqipërisë kanë performuar 32% të hapjes institucionale, duke u renditur në vend të tretë. Krahasimisht me një vit më parë, ky pushtet paraqitet me një shkallë përmirësimi; 22% e treguesve të plotësuar në vitin e shkuar janë rritur me 10 pikë përqindje në studimin e dytë”, thekson raporti.
Sipas studimit treguesit e sistemit të drejtësisë i ka ulur performance e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që sipas “Mjaft” ka arritur deri në 2 % të kritereve të hapjes dhe transparencës ndaj publikut .
“Rezultatet e hulumtimit të kryer tregojnë një rënie të performancës së gjykatave në përmbushjen efektive të treguesve të hapjes. Mesatarisht, gjykatat rajonit shënuan 48% të treguesve të përmbushur në vitin 2016, ndërsa në vitin 2017 arritën vetëm 41.6% të treguesve.
Shqipëria (45%) dhe Serbia (39%) shënuan një rezultat më të mirë të gjykatave krahasuar me rezultatet e arritura në 2016 (Shqipëria 33% dhe Serbia 36%). Por Shqipëria tregon një rënie të jashtëzakonshme të rezultateve në lidhje me këshillin e gjykatës (KLD-ja) duke arritur vetëm 2% të treguesve, krahasuar me analizën e vitit 2016, me 45% të përmbushjes. Ndërsa të gjitha vendet e rajonit shfaqin një rënie në nivelin e hapjes, këshilli i gjykatës Malazeze dhe asaj Boshnjake ka arritur rezultate më të mira krahasuar me 2016, me 14% më të lartë.
Shkalla me të cilën gjykatat rajonale janë të hapura për qytetarët, bazuar në katër parimet e mëposhtme është si vijon: ndërgjegjësimi me 50% të treguesve të përmbushur, transparenca 40%, aksesueshmëria 40% dhe integriteti 37%”, thekson raporti.
Prokuroritë
Nivel të ulët të transparencës, efektshmsërisë, aksesueshmërisë dhe integritetit kanë dhe prokuroritë shqiptare në gjithë vendin.
“Prokuroritë në Republikën e Shqipërisë plotësojnë 10% të treguesve të hapjes institucionale, rezultat i cili paraqitet larg mesatares së rajonit, edhe pse kjo e fundit është në vlera të pakënaqshme. Në rastin e Shqipërisë, të gjitha prokuroritë e rretheve janë të listuara brenda faqes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ku mungesa e informacionit të detajuar mbi veprimtarinë institucionale të tyre është shumë e theksuar dhe shpjegon rezultatin e treguesve të përcaktuar për të matur hapjen institucionale të prokurorive.
Me rezultatin më të ulët, prej 3% të treguesve të plotësuar, paraqiten disa prokurori, si: Prokuroria e Apelit Durrës, Prokuroria e Rrethit Korçë, Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Rrethit Pukë, Prokuroria e Rrethit Skrapar dhe Prokuroria e Rrethit Tropojë. Ndërsa rezultatin më të lartë e shënon Prokuroria e Rrethit Durrës, me 25% të treguesve të hapjes institucionale të plotësuar.
Më konkretisht, për secilën kategori, prokuroritë e Shqipërisë kanë plotësuar 5% të treguesve të aksesueshmërisë, 31% të efektshmërisë, 34% të integritetit dhe vetëm 2% transparencë, gjë e cila e cënon ndjeshëm besueshmërinë e publikut ndaj këtij institucioni. Për sa i takon publikimit të një plani konkret integriteti apo nismave që lidhen me trajnimin e stafeve për parandalimin e praktikave korruptive, këto institucione kanë shënuar vlerat më të ulëta të integritetit, me 21% të rezultatit të arritur, gjë e cila lë hapësira diskutimi mbi përpjekjet e këtyre institucioneve për të përmirësuar punën e tyre”, thekson raporti i “Mjaft”.
Raporti i Gjyqësorit Në Shqip (1) by Gazeta Panorama on Scribd
Komentet