Çështje e një milimetri. Po të kishte shkuar në shenjë goditja e Thomas Matthew Crooks, Shtetet e Bashkuar do të ishin zhytur në një luftë civile. Me gjasë, me çështjen Biden ende në hava do të kishin dështuar edhe zgjedhjet presidenciale të parashikuara për 5 nëndorin e ardhshëm. E me sistemin e Shteteve të Bashkuar të paralizuar, i gjithë Perëndimi do të ishte gjunjëzuar. Më shumë se sa është tani. E pamundur, në gjëndjen e tanishme, që të dalë në dritë diçka e sigurtë rreth identitetit të “fshehtë” (duke hamendësuar që të jetë një) i shtënësit. Do të na furnizoheshin tregues të përkatësive të tij të shkuar për ditë të tëra. Për vite, për dhjetëvjeçarë. Mbetet e panjohura se si Crooks, i pajisur me një shënjestër shumë të mirë e një aftësi të padyshimtë të përdorimit të armëve, ka mundur të avitet i patrazuar në një distancë prej njëqindenjëzet metra nga shenja e shënuar, të vihej në pozicion zjarri e të shtinte. Edhe këtu do të gjejmë, siç ndodh gjithmonë, dhjetra njerëz që do të thonë se kanë parë, parashikuar, lajmëruar e nuk i kanë dëgjuar. Një skenar i stërnjohur, që secili prej nesh do t’i a përshtasë lehtësisht bindjeve të tij të hershme, shumë përpara sesa veprimi të kryhej.
Ndërsa ai që na duket i qartë është kuadri i përgjithshëm që qëndron në sfondin e atentatit ndaj Donald Trump-it. Prej vitesh një Perëndim i mbetur pa drejtues – duke bërë një përjashtim për Joe Biden pa marrë parasysh problemet e njohur – është në vështirësi kundrejt Kinës, Rusisë dhe Iranit që fitojnë idhtarë të grabitur në t’ashtuquajturin Jugë të botës. Kemi përmëndur fillimisht Kinën sepse është me Vendin e drejtuar nga Xi Jinpingu që do të arrihet në bejlegun përfundimtar. Pekini ndan letrat, blen zona të tëra ekonomike në çdo pjesë të globit, i hap dritën jeshile luftërave nga të cilat mendon se ka leverdi. Ka, veç të tjerave, në gjithë botën atllantike personalitete, që në mënyrë pak a shumë të hapur (gjithmonë në mënyrë të dukëshme, sidoqoftë) janë vënë në shërbim të saj. E ka përcaktuar takimin strategjik të ndeshjes së shekullit që qëndron në ripushtimin e Taivanit brënda e jo më larg se viti 2049. Mundësisht shumë më parë. Pa shprazur asnjë fishek nëse gjërat do të shkojnë siç janë duke shkuar.
Brënda asaj date Perëndimi dhe partnerët vartës të Kinës do të jenë përgjakur në luftëra pa mbarim, të tilla që kur të kërcasë ora e Taivanit, askush nuk do të dojë të dijë për luftime, raketa, ploja, as për Vënde ndërmjetës. Evropa ka treguar buzë ndodhisë ukrainase, se nga çfarë brumi është gatuar. Ndonjë e papritur e mirë ka ardhur nga Vendet fqinj të Rusisë, ka patur një qëndresë thelbësore të Britanisë së Madhe, pjesërisht të Gjermanisë e paparashikueshmërisht të Italisë (por deri pak ditë më parë). Për të tjerët lloqe, shtyrje dhe mungesë gatishmërie për të shpenzuar në armë të reja. Duke plotësuar gjithshka nga thirrje korale për paqë (pra për dorëzim), të pritura nga Putini me dashamirësi e ndonjëherë me ndonjë shenj talljeje.
Duke mbetur në kontinentin tonë duhet të përmendim pozitivisht figurat në krye të BE e të NATO-s, që janë treguar në lartësinë e kohëve. Të kompensuar nga dy drejtues, Orbani (në shoqëri të sllovakut Robert Fiko) për më tepër Erdogani (vetëm NATO), që me qejf kanë luajtur në spondë me trekëndshin e sipërpërmendur. Ndeshja, t’a themi sinqerisht nuk është mirë. Por mbetet e panjohura më e rëndësishme, ajo e Shteteve të Bashkuar. E këtu përqëndrohemi. Bideni, me të gjithë problemet mbi të cilët po kthehemi për herë të tretë, është treguar një shkëmb edhe se ndoshta tejet i matur në dërgimin e armëve Zelenskit në kohët kur i shërbenin. Me arsye shumë të mira, ju lutem. Nuk donte që t’i ngarkohej shpërthimi, qoftë edhe për shkak të ndonjë rrëmbimi ukrainas, të një lufte të vërtetë e vetiake me Rusinë.
Por Trumpi është e panjohura m’e madhe. Putini në çdo deklaratë të tij mundohet t’a paraqesë si një kukull të tij, sikur të ishte një lloj Marine Le Peni ose ndonjëri nga ata evropianë që kemi zënë në gojë e që prej kohësh janë vënë në dispozicion të kinezëve. Por njeriu, me trillet e tij mund të zbulohet një befasi. Nuk është e thënë që – duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë – do të kthehej në një zbatues të bindur të urdhërave ruse , iraniane e kineze. Vetëkuptohet: për sa na përket e quajmë Bidenin të besueshëm e Trumpin jo, absolutisht jo. Por për të shkuar në të sigurtën, në Moskë, Pekin e Teheran, një luftë civile që të përmbysë Shtetet e Bashkuar leverdis në çdo rast shumë më tepër se sa paparashikueshmëria e Trumpit.
Me këtë të jetë e qartë se nuk kemi ndërmënd të pohojmë se ata tre Vende ose të tjerë të lidhur me ta kishin diçka për të ndarë me atentatin e Butlerit në Pensilvani. Duam të themi se sikur e shtëna e Crooksit të kishte shkuar në shenjë, Kina, Rusia, dhe Irani do të kishin arsye për t’u gëzuar. Mundet që një kaos i madh në Washington të jetë më shumë i parapëlqyer edhe se vetë Donaldi.
PS. Debati politik mbi atentatin Trumpit këtu n’Itali u monopolizua nga një diskutim i zjarrtë mbi volinë e spostimit të një gazetari nga drejtimi i një emisioni të veçantë të kanalit 1 mbi rastin e ditës. Kjo po është një mënyrë për t’u treguar në lartësinë e kohëve në të cilat jetojmë.
“Corriere della Sera”, 14 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika