Nderi dhe lufta. Në OKB Shtetet e Bashkuara janë prishur me Izraelin: Joe Biden nuk mund të lejojë më të vdekurit në Gaza dhe ndjen trysninë e krahut të majtë të partisë demokratike, që urren Izraelin. Ka edhe zgjedhje për të fituar. Vetë Washingtoni nuk i dërgon Ukrainës 60 miliardë dollarë, thelbësorë për mbrojtjen e Kievit: republikanët e shtyrë nga Donald Trump e pengojnë dhe presidenti nuk e shtrëngon gjëndjen. Ka për të menduar për zgjedhjet presidenciale të nëndorit. Bashkimi evropian nuk bën hapa përcaktues në dobi të ukrainasve të sulmuar nga Vladimir Putini e nuk do t’i bëjë deri mbas votimeve për Parlamentin evropian në qershor, nëse do t’i bëjë. Mbi tragjedinë e Izraelit në Gaza, BE prej kohësh ka vendosur t’i japë të drejtë opinioneve publikë më pohuese e të lërë të humbur mundësinë e zgjedhjeve të tjera përtej deklaratave. Edhe këtu është në lojë vota.
Demokracia është sistemi më pak i keq ndërmjet atyre të njohur e sot, ndërsa është nën sulm nga shumë anë, funksionon kështu: e mbyllur në vetvete dhe e hutuar, nguron e vendos përgjysmë. Nuk është domosdoshmërisht fati i saj. ”Nuk është koha e lëkundjeve”, i tha kryeministreja britanike Margareth Thatcher presidentit George Bush (ati) kur Sadam Hyseni mësyu Kuwajtin më 1990. “Agresorët duhet të ndalohen e nxjerrë jashtë. Një agresor nuk mund të fitojë nga sulmi i tij”. Dhe demokracitë nuk u lëkundën.
Më parë shoqëritë e lira kishin bërë gjërat e nevojshme e të drejta të drejtuara nga Churchillër, nga Roosveltër, nga De Gaullër e nga të tjerë drejtues në lartësi të belegëve që kishin përballë. Jo gjithmonë me mbështetjen e parë nga opinionet publike të tyre.
Demokracia duhet të jetë e mbushur me bindje, me politika, me përgjegjësi, me vendosmëri morale. E me qartësi gjykimi. Me drejtim, mbi të gjitha në çastet më të errëta. Kjo është mungesë sot e Perëndimit.
Vladimir Putin nuk ka patur suksese të mëdha në dy vitet e shkuar. Por ka patur një me prurje të llahtarëshme. Mësyemja e Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ka hapur dyert që mbanin të mbyllur shpirtërat më të këqinj e më të egër revizionistë të botës: që nga ai çast, diktatorë, regjime autoritare, terroristë kanë arritur në përfundim se kaosi i përgjithshëm i shkaktuar nga mësyemja ruse ishte mundësia e tyre për të ndryshuar rrjedhën e historisë, për të bërë të mbaruar rregullat ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, bezditë e demokracisë zemërlepuri, me idetë e lirive të individëve e të ekonomive. Për të shpallur fuqinë e tyre dhe vështrimin e tyre të botës.
Fuqitë që rishpropozojnë luftëra për pushtime territoriale, që duan të hedhin krahina të tëra në errësirën e Meskohës e të këllasin datën fqinjëve me kërcënime bërthamore janë elektrizuar. Nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet mësyemjes së Ukrainës e plojës jonjerëzore të Hamasit në 7 tetorin e shkuar. Por vendimi për të çuar deri në fund një veprim të këtij lloji mund të ndodhë vetëm kur ai që e kryen mendon se klima është e përshtatëshme: në rastin e veçantë ajo e krijuar nga pasiguria e forcave demokratike tashmë nën sulm në Evropë. Nuk ka nevojë që Putini të ngrejë telefonin që shefat e Hamasit të mësojnë se çasti është i dobishëm. E kjo vlen për të gjithë luftarakët e çastit, cilëtdo qofshin ndryshimet mes tyre. Për terroristët Houthi në detin e Kuq, në zemër të Afrikës, për xhihadin islamik dhe për brigadën Wagner me mëmë ruse. Për taxhikët e Isis-it në Moskë. Për ajatollahët iranianë, financues copash terrorizmi, që furnizojnë me armë Rusinë dhe i aviten bombës atomike. Përudhëheqësin koreanoverior Kim Jong-un, tjetër diktator që i dërgon armë Putinit e zbavitet me bërthamoret.
Ndërkaq Kremlini vazhdon plojën e tij në Ukrainë, shkakton vdekjen e Aleksej Navalnit, shtyp çdo opinion të pavarur, bën zgjedhje të shtirura, çon kërcënime bërthamore, shfrytëzon në mënyrë cinike sulmin terroristik në Crocus City Hall të Moskës në hullinë e diktaturave më të zeza të së shkuarës. Në 25 vite Putini e ka kthyer Vendin më të madh të botës në një qëndër që rrezaton luftëra, paqëndrueshmëri, çrregullim.
Putini, Hamasi, Ajatollahët, Houthi-t e të tjerë shohin në Perëndimin, në ndrojtjen e tij, në pathemelësinë e tij e në gabimet e tij shënjën e një rënieje të demokracive, të së drejtës, të lirive. Në fakt Shtetet e Bashkuara janë prej kohësh të qëndërsuar në vetvete, mbi dasitë e brëndëshme, mbi politikën e polarizuar, dhe evropianët janë prej dhjetëvjeçarësh, të përgjumur në idenë se gjithë bota do të donte të ndiqte shëmbëlltyrën e tyre, të tejkalimit të Shteteve kombëtarë, ndërsa rreth tyre ngjiteshin kombëtarizma të llahtarëshme. Perëndimi nuk e kuptoi se çfarë po përgatitej dhe ka humbur kontrollin e ngjarjeve (edhe dështimi i trysnive mbi Netaniahun për veprimet në Gaza, në fund të fundit është bir i kësaj mungese strategjie).
Në kohët afatgjata demokracitë janë më të fuqishme se diktaturat e terrorizmi. Por drejtimet politike nuk lindin nga asgjëja, nga shkëlqimi i një burri apo i një gruaje. Lindin nga ideja se një Vënd ka belegë e kërcënime për të përballuar. Këto të tanishmet na i ka sqaruar në marsin 2023, në derën e Kremlinit, numëri një kinez Xi Jinping, që kështu përshëndeti mikun Putin: “Pikërisht tani ka ndryshime të tipit që nuk janë parë në njëqind vite; ne jemi ata që tok drejtojmë këta ndryshime”. A ka të drejtë Xi? Janë ai, Putini dhe autokratët më të vegjël drejtuesit e erës së re?
“Corriere della Sera”, 27 mars 2024 Përktheu Eugjen Merlika