VOAL- Sot kolegu ynë Agim Xh. Dëshnica mbush 90 vjet. Në këtë lartësi të moshës së kolegut tonë, nga qindra e qindra krijime dhe përkthime që i ka botuar në faqet e portalit tonë, zgjodhëm poezinë e tij për qyteti e lindjes, Beratin.
Me këtë rast i urojmë kolegut tonë Agim Xh. Dëshnica jetë sa më të gjatë, të lumtur, të shëndetshme, plot energji dhe krjimtari, gjithnjë i mirseardhur në faqet e VOAL!
Humbi dielli pas Shpiragut,
mes muresh, hesht kala e gurtë,
fshatrat mbi kodra ranë në gjumë,
hijet zgjaten e kridhen në lumë.
.
Nga bregu përmatanë,
dëgjohet thirrja e Zarizanës
djemtë e rinj sulen te pellg i thellë
atje, ku uji fle, mbyten në shtjellë.
.
Osumi, rrjedh, murmurin,
mbi hon e urë hëna ndrin ,
në ato çaste vashë e flijuar,
lan sy e vetull, faqe e duar,
me lot yjesh valë mbi valë,
lundra e harruar dergjet në zall.
.
Dritaret ndizen një mbi një,
faqe Gorice në Mangalem,
në rrugë fenerët varg,
zhduket në terr Tomori larg.
.
S’jehon më kambanë e Shëndëllisë,
u mbyllën portat e xhamisë,
nuk ndrijnë as qirinjtë e Baba Aliut,
ndihet zëri ëmbël i Vexhiut:.
“Më pushton që prej së largu
dhe një shpirt prej lashtërie…”
.
Lisat pikojnë lot e gjeth,
kujtimi i trishtë shpirtin rënqeth,
kur krismat hijeve nën ullinj
vrisnin këngët, poetin e ri.—1)
.
Mbrëmje e vonë, pak nga pak
e lodhur, kotet, bie në shtrat,
flakë mbi kreshtë mjegull e re,
zogu i vonuar zbret në fole,
asnjë zë në muzg, as drita
dhe tej Shpiragut, shkrep dita.
———–
-1987
1)poeti Nako- Namik Mehqemeja
pushkatuar më 1945 në Berat.