Gjuhëtari e akademiku Bahri Beci u kthye për herë të fundit në Akademinë e shkencave, në një ceremoni homazhesh ku miq, të afërm, kolegë e politikanë u përulën para arkëmortit për ta nderuar.
Do ta mbajnë mend të qeshur, fisnik e qytetar siç qe në të gjallë me fytyrën e imët e botëkuptimin e gjerë të një njeri që kërkon përtej.
Profesor Seit Mansaku përmbledh kontributet e tij kryesore në dialektologji e në drejtshkrim duke risqaruar pozicionin e Becit
“(Beci) Është marrë me problemin e gjuhës letrare, ka qenë në kongresin e drejtshkrimit, ka bërë disa sugjerime e vërejtje e për përmirësimin e standardit por ndonjëherë është komentuar se e ka kundërshtuar standardin, nuk është e vërtetë. Çdo komb i qytetëruar ka nevojë për një gjuhë standarde, edhe shqipja kishte ardhur koha të kishte gjuhë standarde”
Profesori u shua në moshën 87-vjeccare në spital ku ishte shtruar pas ndërlikimeve shëndetësore nga të cilat vuante prej pothuaj dy vitesh, kohë kur ai pothuaj ishte tërhequr. Në përcjelljen e mbrame jeta e tij shënohet prej dy kohësh, gjatë dhe pas komunizmit, sepse sistemi shënjoi këdo. Studiuesi Ardian Marashi, profesor i Shqipes në INALCO (Paris) dallon vetitë e Becit, i cili shprehej se pas kërbaçit i dhanë kulaçin.
“Njeriu është kërkues ndaj vetes kur je kërkues shkencor dhe më pas je kërkues ndaj shkencës, dhe në momentin e mungesës së lirisë të dyja këto kërkimet, ai për t’u përsosur vetë dhe ai për të përsosur punën janë tepër të vështira. Ai pati maturinë e duhur dhe ndershmërinë e duhur ndaj vetes e kolegëve për të ecur në ato punë që mund t’i bënte më mirë”.
Beci studioi e punoi në Shqipëri dhe në Francë. Kërkimet e tij shkencore u morën me dialektologjinë, historinë e formimit të shqipes së njësuar, ligjësitë që ndikuan procesin si edhe në gjuhësinë ballkanologjike dhe pozicioni i shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.bw