Pavarësisht justifikimit të Edi Ramës se “hajdut 2 metra nuk ka” perceptimi i shqiptarëve është se ai qeveris përmes korrupsionit.
Indeksi i Transparency International për vitin 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e 101 sërish pranë vendeve si Ekuadori, Kazakistani, Panamaja, Peruja, Serbia, Sri Lanka, Tajlanda dhe Turqia.
Shqipëria ka 36 pikë, 1 pikë më shumë se viti i kaluar, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, tha për Zërin e Amerikës se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”. Bie në sy fakti se Kosova vazhdon të jetë më mirë se Shqipëria përsa i përket perceptimit të korrupsionit, e renditur në vendin e 84, me 41 pikë.
Pasojat e korrupsionit
Shpopullimi është një nga pasojat kryesore të korrupsionit qeverisës dhe gjatë vitit 2022 fenomeni kulmoi me dyndjet e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe. Pak javë më parë, BBC analizoi dyndjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në brigjet e Britanisë së Madhe.
Mendohet se 12 mijë shqiptarë mbërritën në Britani gjatë vitit të kaluar vetëm nga Kanali i La Manshit. Sipas BBC, korrupsioni i lartë ishte një nga shkaqet e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Ndërkohë sipas kreut të antimafias italiane Nicola Gratteri fajëson korrupsionin në vendin tonë për fuqizimin e mafias shqiptare.
Sipas tij, “mafia shqiptare është shumë e strukturuar dhe është bërë e pasur në vendin e saj, falë edhe një korrupsioni të frikshëm”.
“Inceneratorët” dhe “McGonigal”, skandalet e korrupsionit
Çështja e “inceneratorëve” është një nga dosjet më të mëdha të korrupsionit, por deri tani ka çuar në burg vetëm ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako. Nga dokumentat e publikuar, rezulton se pjesë e skemës së korrupsionit u bënë edhe ministra të tjerë.
Ndërkohë në Tiranë trajtimi i mbetjeve vazhdon të paguhet me dyfishimin e çmimit, megjithëse inceneratori nuk ekziston dhe plehrat thjesht groposen.
Një tjetër çështje që lidhet me korrupsionin është ajo e agjentit të FBI Charles McGonigal, i cili inicioi çështjen e lobimit të Lulzim Bashës në SHBA në bazë të informacionit që i dha qeveria shqiptare përmes Agron Nezës. Më pas McGonigal mori 225 mijë dollarë nga Agron Neza të cilat nuk i deklaroi siç ia imponon ligji në SHBA. Kryeministri Rama ka mohuar çdo akuzë për korruptimin e agjentit të FBI-së ndërsa ka thënë se paratë ishin dhënë borxh.
Korrupsioni me fondet publike ka qenë shqetësimi kryesor i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë. Gjatë vizitës në Davos, kryeministri Edi Rama e quajti të korruptuar presidenten e Parlamentit Europian. Ai tregoi se kur kishtë mësuar për skandalin e korrupsionit me eurodeputeten Eva Kaili, mendimi i parë që i kishte ardhur, ishte “Karma is a bitch”./Lapsi.al