1. “Atentat në Paris”,
2.”Tradhti bashkëshortore”,
3.”Shtatori i gjëmës së madhe”,
4.”Të korruptuarit”,
5.”Vdekja është midis nesh”,
6.”Tirani ngrihet nga varri”,
7,”Kukuvajkat e mesnatës”,
8.”Vrasës me duar të bardha”,
9.”Fotografia misterioze”,
10.”C-35 US”
1)KOMPOZICIONET E ROMANEVE
Tema e romaneve është realizuar bukur artistikisht nëpërmjet kompozicioneve të ndërlikuara, duke iu shmangur kompozicionit të thjeshtë. Në vend të hyrjeve, ka përdorur menjëherë pikëlidhjet, të cilat mundësojnë një njohje të shpejtë të personazheve, të cilët, në pikëlidhje, të krijojnë përshtypjen se i ke njohur më parë. Pikërisht në disa pikëlidhje shpaloset pika kulminante paraprirëse. Romanet kanë më shumë se një apo dy pika kulmore, kjo bën që lartësia e emocioneve të mos bjerë gjatë zhvillimit të ngjarjeve, por të ecin drejt në rrafshnaltë për të bashkuar pikat e tjera kulmore deri tek ajo e fundit.
Përfundimet tragjike të romaneve; “Shtatori i gjëmës së madhe”, “Të korruptuarit”, “Vdekja është midis nesh” dhe përfundimi komik “Tirani ngrihet nga varri”, janë përfundime logjike të shtjellimeve të romaneve; parandihen përfundimet tragjike ose komike nga mënyrat befasuese që shfaqen në faqet e para të romaneve dhe në vazhdim.
2)SHPËRTHIMET SJELLIN ANKTHE DHE KËNAQËSI
Shpërthimet në çastet e caktuara tepër të nevojshme për të rritur furtunshëm emocionet janë të shpeshta në të gjitha romanet. Vullkan shpërthyes është atentati i Avni Rustemit në Paris te romani “Atentat në Paris”, Dhënia e Vjollcës trupërisht simpatizantit të saj të dikurshëm në romanin “Tradhti bashkëshortore”; Goditja e kullave binjake te romani.
“Shtatori i gjëmës së madhe” dhe pasojat e të dashuruarve shoqërohen me dhimbje të mëdha shpirtërore; te romani “Të korruptuarit”, përdhunimi i egër i Rina Bendos dhe shkatërrimi i të korruptuarve në festënmbledhje të bashkisë janë tronditëse, përngjajnë me llavën shkatërruese të një vullkani. Vënia në lojë dhe demaskimi i Tollum Kalos, Sofo Onanit e shpurës së tyre nëpërmjet personazheve të tjerë apo duke i vënë ata kundër njeri-tjetrit, shpërfaqin aftësitë shpjeguese të të vërtetave të kohës nga shkrimtari Skifter Këlliçi. Aventura komike shpaloset me gjithë lakuriqësinë e saj në përfundim të romanit “Tirani ngrihet nga varri”.
Shpërthime të fuqishme të autorit Skifter Këlliçi vërehen edhe te romani “Vdekja është midis nesh”. Te ky roman tensioni i zhvillimit të ngjarjeve vjen duke u rritur nga fillimi deri në fund. Ligjërimi gjuhësor i autorit i përligj tërësisht zhvillimin e ngjarjeve. Prapaskenat janë rrëqethëse për lexuesin, ato shkaktojnë urrejtje për atë shpurë të blinduar dhe e përfundon me shpërthimin keqardhës për fundin tragjik të personazheve, si: Belul Xhafa, Fisnik Meta, profesorit Miti Pasha dhe të tjerë. Kënaqësia shpërfaqet furishëm tek qëndrimi në gjyqin triumfues të Avni Rustemit në romanin “Atentat në Paris”, triumfi i Rina Bendos në festën-mbledheje të bashkisë kundër të korruptuarve: Agim Çapanit, Krenar Rovinës, Loni Kostës dhe aventurierëve të tjetër. Tek romani “Shtatori i gjëmës së madhe” dyshimet e Sokolit dhe të Fetijes për disa rregulla të dyshimta në pranimin e pasagjerëve në aviona, sjellin shqetësime tek personazhet dyshues, por një kënaqësi tek lexuesi. Lexuesi mendon se paska punonjës të vëmendshëm dhe tepër të përpiktë për të shmangur disfata tragjike.
3)MENDIM I NXITUAR, VENDIM I GABUAR. MENDIM I SHTRUAR, VENDIM I PAGABUAR:
(Kohë e shkurtër,/Për të menduar,/Mendim i ngutur,/Shpesh i gabuar.) Mendime të nxituara dhe vendime të gabuara vërejmë te romani: “Atentat në Paris” në dëshmitë e dëshmitarëve pro Toptanit, të cilët bëhen qesharak me sjelljet e tyre ne sy të lexuesit: po kështu te romani “Tradhti bashkëshortore” vendimet që merr Vjollca për të plotësuar një dëshirë të dikurshme, në rrethana marrjemendësh, është vendim i gabuar. (Ëmbël i fliste,/Ndaj edhe e besoi,/ Dhunimin nuk e priste,/Që jetën ia shkatërroi). Gjithashtu te romani “Të korruptuarit” mendime të nxituara vërejmë në fillim te personazhi 15-vjeçar Rina, që, pa e menduar mirë, shkon në takim. (Vetëtimthi e kaloi,/Nuk priti ta gjykonte,/Drejt gjëmës shkoi,/Që kurrë nuk e mendonte.)
Te romani “Vdekja është midis nesh”, personazhi Belul Xhafa ndërmerr një veprim të gabuar, kur pranoi të shkonte në fshatin kufitar ku i thurën edhe kurthin vdekjeprurës. Mendimet e shtruara, të gjykuara mirë, personazhet i çojnë në vendime të drejta, të pagabuara.
Në romanin “Atentat në Paris” qëndrimi i Avni Rustemit pranë kufomës së tradhtarit, ishte i mirëmenduar, ishte një dëshmi se ai kishte qëlluar mbi tradhtarin si shpërthim i urrejtjes popullore; po kështu duhet vlerësuar dhe qëndrimi në gjyq, që u kthye në një akuzues që çoi peshë opinionin mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.
Personazhi Rina Bendo te romani “Të korruptuarit”, të gjitha veprimet që kryen për t’u hakmarrë me kundërshtarët korruptivë, janë tepër të mirëmenduara dhe me rrugëzgjidhje-vendimmarrje. Këto vendime e çuan Rita Bendon në triumf: shkatërroi sojën e të korruptuarve. Kurthet e mirëmenduara të personazheve negativë te romani “Vdekja është midis nesh”, veprimet e tyre të kujdesshme hakmarrëse realizohen, fatkeqësisht, siç i kishin menduar mafiozët me punonjësin e sigurimit.
Shembuj të këtillë mund të sjellim në kujtesë të lexuesit edhe për personazhe në romanin “Tirani ngrihet nga varri” që plotëson më mirë stilin letrar të shkrimtarit. Po kështu personazhi Jani Stefi te romani “Kukuvajkat e mesnatës” bënë veprime të nxituara në arrestimet që kryen, por ndiehet mirë para eprorit të tij, Thanasit, kur e lëvdon për punë-zezën e kryer gjatë mesnatës.
4) BURGU E KA NJË DERË, NDAJ EDHE JETA-BURG KA NJË SHPRESË.
Nga të burgosurit rëndë gjatë shekullit të kaluar, ka mbërritur në ditët tona shprehja shpresëmadhe: “Edhe burgu ka një derë, ndaj edhe jeta-burg ka një shpresë”. Megjithëse shkrimtari Skifter Këlliçi ka mbi 25 vite larguar nga Shqipëria në Amerikë, krijimtarinë e vet asnjëherë nuk e shkëputi nga tematikat shqiptare, bile, shpesh, i gërshetoi ato me temat ndërkombëtare.
Nëpër faqet e romaneve të shkrimtarit Skifter Këlliçi, kjo shprehje poetike shpresëmadhe shpërfaqet gjithë besim dhe shpresë. Ligjërimi i Avni Rustemit në gjyqin e Parisit me retorikën e tij triumfues e shihte derën shumë afër. Rina Bendo dhe Shpend Loku tek romani “Të korruptuarit” besonin dhe e shikonin derën e shpëtimit nga jeta-burg, ndaj dhe lufta për të dalë sa më shpejt nga ai burg i tmerrshëm i shoqërisë së pasviteve 1990, ishte intensive, ballore, triumfuese.
Te romani “Vdekja është midis nesh”, megjithëse personazhet që luftojnë për progres në fushën e krijimtarisë kanë një fund tragjik, besimi i tyre se një ditë blindimit partiak do t’i vijë fundi, u realizua pas viteve 1990. Çdo lexues i vëmendshëm, te romanet e shkrimtarit Skifter Këlliçi do të përjetojë dhe do të ndjejë një kënaqësi të veçantë, kur do të hyjë në botën e brendshme të personazheve, që kurrë nuk u hepuan, por natyrshëm me pune e luftë dolën fitimtarë. Pra e thënë më shkoqur: të gëzuar gjatë kohës, kur luftojnë dhe tepër të gëzuar pas fitoreve. Te romani “Tradhti bashkëshortore?” dera e burgut shpirtëror e personazheve: Vjollca, Bledari dhe Jola ka një derë të re. Personazhet i bashkojnë fatkeqësitë rastësore ose të pritura siç ishte rasti i Jolës, që nxitet nga bashkëshorti për t’iu dhënë dikujt tjetër, por ndihen të qetë se veprimet janë kryer në raste të pazakonta. Te romani “Tirani ngrihet nga varri”, burgut të tmerrshëm të demokracisë, atavizëm i burgut monist, ia hapen derën me demaskimin që i bëjnë inxhinierët: Bardi Verdeni, Hardi Napi dhe doktor Ardani. Te romani “Kukuvajkat e mesnatës” shumë të burgosur në vitet e Pasçlirimit të Shqipërisë, u torturuan, vdiqën nga torturat, u humbi dhe varri, por për një pjesë të burgosurish, si: Ylber Gerbi etj. shpresa u triumfoi. Shumë prej tyre që prisnin nga çasti në çast të shkonin në tejbotën tokësore, fituan lirinë.
5) MENDJEHOLLËT PRESIN TË MBARSET DHE TË RRITET URREJTJA PËR TË GODITUR NË KOHËN E DUHUR OSE PËR T’U DHËNË ZGJIDHJE SHQETËSIMEVE ME LOGJIKË E ME QETËSI.
Urrejtja popullore për tradhtarin Esat Toptanit, nga veprimet tradhtare, u ngjiz, u formatua, erdhi duke u rritur në gjirin e popullit shqiptar. Kur Avni Rustemi, mendjehollë, e përjetoi rritjen, vendosi të godasë. Goditi me pistoletë dhe e goditi me retorikë në gjyqin e organizuar për të mbrojtur “nderin” e Republikës së Francës.
Qetësimi që i bëri Bledari Vjollcës, bashkëshortes së vet në romanin “Tradhti bashkëshortore?” erdhi nga një mendjehollë që i analizoi gjërat me qetësi, pa se edhe ai kishte pasur një ndodhi të ngjashme, ndoshta fatkeqësisht kishin gabuar, por këto veprime i afruan më tepër. Afrimi i personazheve vjen natyrshëm dhe jo i imponuar nga autori. Gjykimi i ngjarjeve me pro dhe kundërshti në mendime realizohen arsyeshëm nga shkrimtari Skifter Këlliçi.
Urrejtja e Rina Bendos erdhi në rritje dhe shpërtheu në mbledhjen e bashkisë.
Me logjikën e qetësisë Rina Bendo dhe Shpend Loku u dhanë zgjidhje problemeve shqetësuese të jetës. Rina Bendo punoi në parukeri, pati kontakte me nuse dhe fëmijë që i ndezën dëshirën për jetën bashkëshortore dhe, në çastin e duhur, shpërtheu dhe e bëri realitet: u lidh me Shpend Lokun. Në romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” personazhet dyshues janë nxitës që lexuesi të kërkojë nëpër faqet e romanit të mëpastajmë se çfarë do të ndodhë, lexuesit ndeshen me kërcënimet e eprorëve për përjashtim nga puna. Të gjykuarit me qetësi nga Sokoli dhe Fetia bëri që t’i shpëtojnë ndëshkimit dhe të shohin më në fund pasojat e rënda, që nuk u morën në vëmendje shqetësimet e raportuara. Pra, zhvillimet e ngjarjeve në romane me shpejtësinë e të menduarit sollën fatkeqësi, ato janë të argumentuara nga mosha, nga mospërvoja, moskorrektësia, nga besimi i tepruar, por edhe nga ndryshimet e shoqërisë njerëzore në etapa të ndryshme, djallëzitë dhe dredhitë e keqbërësve, e vrasësve seksualë, e të korruptuarve si atavizëm i monizmit, i tradhtarëve të kombit goditen nga personazhet përparimtarë dhe të pathyeshëm deri në fitore.