(Kjo esse e Elida Buçpapajt është e përfshirë në librin me kujtime nga autorë të ndryshëm “Ky është Driteroi im” kushtuar Dritero Agollit )
Nga babai im poeti Vehbi Skënderi, përveç vokacionit për të shkruar, kam trashëguar edhe mirënjohjen. Atij në jetë i kishin bërë mirë shumë pak vetë. Dhe nuk ua harronte kurrë. M’i ritregonte historitë se si e kishin ndihmuar, që të më nguleshin në mendje, duke u shtuar nga një hollësi. M’i përsëriste. Që t’i memorizoja në kujtesën time. E niste me Lasgush Poradecin, se si e kishte propozuar direkt anëtar të Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pa kaluar në fazën e ndërmjetëme si kandidat.
Shqipëria e diktaturës ishte një zoopark me ujqër dhe ulkoja të gatshëm për të shqyer prenë e rradhës. Ishte krejt e pamundur të gjeje një mik kur partia të kishte shpallur të padëshiruar, armik të saj. Automatikisht miqtë e tu ktheheshin në armiq të armikut që papritmas bëheshe. Lufta e klasave thellohej deri tek të afërmit e ngushtë. Edhe ata të dënonin! Me mënyrën më të pashpirt. Të bënin hasha dhe të bojkotonin. Atëhere gjendeshe rrethuar nga faunë egërsirash.
Kështu ndihesha unë në të gjitha periudhat e çerekshekullit të parë të jetës time. Pa fëmijëri, me rini të vrarë, e izoluar, përjashtuar, për fajin se isha trashëgimtarja e vetme e një poeti dhe gruas së tij! Na kishin vrarë për së gjalli. Na kishin futur në krematoriumet e luftës të klasave duke na bërë të ndjenim deri në palcë urrejtjen që shoqëria ushqente kundër nesh. Mëshira ishte e ndaluar! Prandaj i kishin shembur paraprakisht kishat e xhamitë! Kur nuk i duheshim partisë, nuk i duheshim askujt. Sikur në këtë botë të na kishte sjelle kriminelja, partia komuniste me vone partia e punës e Shqipërisë. Për të na depersonalizuar na kishin injektuar në çdo qelizë frikën dhe na kishin rrethuar me përçmim si të padenjë për shoqërinë që kishin ndërtuar mbi themele eshtrash të pafajshmish.
Kjo dramë njerëzore me tre personazhe kishte nisur që kur im atë poet dhe publicist ishte 37 vjeç, nëna ime 29 dhe unë 5 vjeçare, për dy pamflete të tim eti, që nuk u botuan kurrë. Njërin prej pamfleteve im atë e kishte mbështetur tek një grup pune me figura të ndritura shkencëtarësh, ku kritikohej Akademia e Shkencave që mbulohej nga Manush Myftiu. Im atë ia paraqiti shkrimin kryeredaktorit të Zërit të Popullit Todi Lubonjës prej nga varej edhe Revista Ylli ku ai punonte. Ai shkrim ishte si deklarim lufte kundër Partisë, që menjëherë shpalli armiq dhe i konsideroi “grup antiparti” të gjithë emrat që i kishin kontribuar, përfshi edhe familjet, me gra e fëmijë. Im atë kishte bashkëpunuar me Prof. Selman Rizën, Prof. Zija Shkodrën, Prof. Dhimitër Pilikën, kolonel Dilaver Radëshin e major Bektash Bendon, i cili nuk e përballoi dot presionin psikologjik në mbledhjet linçuese në KQPPSH dhe vrau veten. Tim atë e dërguan për riedukim në Vaun e Dejës, ndërsa më 1974, në prag të spastrimit të madh që partia bëri në ushtri, ekonomi etj, do ta varrosnin përfundimisht për së gjalli.
Familja jonë prej tre vetësh ishte e rrethuar mes ujqish. Ujq shkrimtarë, ujq poetë, ujq kryeredaktorë, ujq mësues, ujq nxënës, ujq komshinj, ujq shitësa, ujq ish shokët e miqtë e afërm. Ishim me damkën e armikut të klasës. Unë u rrita duke e vuajtur qarkun mbytës, që më shtrëngohej si litar pas qafës. I vuaja vuajtjet e poetit, tim eti, e torturonin nëpër mbledhje partie, pastaj e pushonin nga puna, ia hiqnin të drejtën e botimit, ia digjnin librat, pastaj e dëbonin nga Tirana, pastaj nuk e pranonin të shtrohej në spital kur ishte i sëmurë, pastaj e çonin të punonte sondist, pastaj të punonte hamall. Unë vuaja, më dridhej zemra prej fëmije kur e shihja tim atë të kthyer në kufomë, të transformuar në një plak kur ishte vetëm 40 vjeç e pak. Unë vuaja për vuajtjet e gruas së poetit, nënës time të bukur, që punonte me turne nëpër lavanteritë e komunales për të na mbajtur.
Por dikur kuptova se vuajtja e tyre kryesore lidhej me mua, sepse të dy nuk më mbronin dot nga ajo botë e përbindshme që na rrethonte. Që nuk na lejonte ta jetonim jetën në mënyrën tonë, të bukur dhe të pastër. Përpara se im atë t’i shkruante ato dy pamflete fatale, jeta e tim eti fokusohej e gjitha tek poezia, familja e profesioni i gazetarit. Jeta e nënës time, një nga gratë më të bukura të Tiranës, tek kujdesi për ne të dy, që im atë të shkruante dhe unë të rritesha e rrethuar nga dashuria. Ëndërrat e tim eti dhe nënës time për mua lidheshin me edukimin, të isha e shkolluar, e kulturuar dhe sa më korrekte në jetë. Edhe kur im atë deshi të vriste veten, pasi u kthye nga gjyqi që i kishin bërë në lagjen nr.8 ku e kishin thirrur për t’i dhënë urdhërin e internimit në një fshat të humbur pas Malit të Dajtit, ai sa hyri në shtëpi vrapoi drejt ballkonit në katin e tretë të apartamentit ku jetonim duke thirrur, “Po me Litkën”, se keshtu më përkëdhelnin të dy, “po me Litkën çfarë do të bëhet.” Për fat në shtëpinë tonë atë paradite qershori u ndodh xhaxhai im që e shpëtoi, sepse unë 14 vjeçarja nuk kisha forcë burri që ta ndalja. Në asnjë rrethanë, edhe të dëshpërimit të thellë, kur më fyenin, nuk e kam fajësuar kurrë tim atë. Edhe kur nuk më jepej e drejta e studimit apo kur isha e detyruar të punoja në Fabrikën e Pllakave në Kombinatin Josif Pashko bashkë me gra e fëmijë të burgosurish a në varrezat e Sharrës 19-20 vjeçare, nuk e kam fajësuar sepse e dija se im atë ishte i pafajshëm. I desha çmendurisht dhe i adhuroja prindërit e mi, e adhuroja poezinë e tim eti si lexuesja e parë prej kur nisa të lexoj. E dija që im atë ishte i pafajshëm prej kur isha 5 vjeç që kur i filloi linçimi që vazhdon edhe sot, paçka se ai më 13 qershor mbush 8 vjet që iku nga kjo botë. Si një poet i fyer dhe një burrë i zhgënjyer që e jetoi jetën sikur ia imponoi diktatura dhe lukunia e ujqërve që ka pushtuar jetën kulturore edhe në tranzicionin postdiktatorial.
Ne të tre ishim si një zonë e minuar ose e kontaminuar, një soj Çernobili. Kjo bënte që njerëzit të na mbanin sa më larg. I shihje në sy, e kthenin vështrimin në humbëtirë për të mos e takuar me atë të armikut të klasës. Dera jonë nuk trokiste. Dyert na ishin mbyllur. Të shokëve, miqve e kolegëve të tim eti. Nuk i flisnin kur e shihnin. Bënin sikur nuk e njihnin ose thjeshtë i kthenin shpinën, kishte nga ata që e fyenin. Shoqet e mia po ashtu. Kisha filluar gjimnazin Sami Frashëri. Shoqet me të cilat isha rritur nuk pranonin të shoqëroheshin me mua, nuk më ftonin në ditëlindjet e tyre, gjatë pushimit të madh preferoja të rrija vetëm në klasë se t’i shihja duke u hargalisur të lumtura duke m’u larguar, kapur njëra tjetrën për krahu. Ime më dhe unë e pranonim këtë verdikt. I largoheshim botës dhe mbylleshim në botën tonë, se ishim të pafuqishme të përballeshim. Ndërsa poeti Vehbi Skënderi jo. Trokiste nëpër dyer të mbyllura, të kthyer në mure të çelikta. Kërkonte punë, çfarë do lloj pune. Kur e punësuan në repartin e plehrave në Shtypshkronjën e re në Poligrafik, në familjen tonë u bë festë. Edhe kur e dërguan më 1967 për riedukim në Vaun e Dejës, sepse i frikësoheshin burgut. Them “i frikësoheshin” se unë isha tepër e vogēl asaj kohe të kuptoja burgosjen, por frikën e ndjeja. Pas 1974 kur e lanë pa punë me vite të tëra, ne të tre prisnim orë e çast të na vinte kamioni, sikur asaj kohe vinte aq shpesh në lagjen tonë, ku jetonin gjeneralët e ushtrisë dhe i internonin me familje njëri pas tjetrit. Edhe kur filloi punën në repartin e plehrave në Poligrafik, nuk pranonin të na regjistronin në lagjen 1 ku e ndërruam shtëpinë, se im atë e ime më mendonin që ishte më mirë të largoheshim nga syri dhe rrezja e Bllokut të udhëheqjes të partisë. Jetonim në vakuum. Në adresën e re gjetëm komshinj të rinj në moshë që nuk vinin nga zgafellat e lagjes 8 që na u bënë si të shtëpisë, por lufta vazhdonte. Kur im atë trokiste në dyert e Lidhjes të Shkrimtarëve kolegët i largoheshin dhe e poshtronin. Kishin frikë për veten e tyre natyrisht. Dhe frika i bënte përbindësha. Edhe sot u ka mbetur ajo fytyrë përbindeshore se nuk e tradhëtuan besimin e partisë në luftën e klasave ndaj poetēve edhe pas vdekjes së vetë partisë.
Dikush mund të jetë lodhur duke i lexuar këto rradhë e mund të më thotë se kam dalë nga tema. Por unë i them që jo. Se kjo ishte Shqipëria ku jetonim. Vetëm duke treguar një skutëz të asaj skëterre mund të kuptohet roli i dikujt që shtrinte dorën, për të shpëtuar dikënd nga mbytja, që i shtrinte dorën një armiku të partisë si Vehbi Skënderi dhe guxonte t’i hapte derën e zyrës të kryetarit të Lidhjes të Shkrimtarëve e ta priste. Ky ishte Dritero Agolli. Jo vetëm që nuk ia përplasi kurrë derën në fytyrë sikur të tjerët në të njëjtën ndërtesë, por përkundrazi, e afronte, e dëgjonte, duke i premtuar ndihmë, qoftë edhe duke e patur të qartë se edhe pse donte nuk mundte! Të tjerët në të njëjtën ndërtesë të Lidhjes të Shkrimtarëve e poshtronin Vehbi Skënderin, duke i dhënë urdhër Fadilit, portierit që të mos e lejonte të hynte ose ta nxirrnin përjashta kur vinte, ndërsa Dritero Agolli e fuste në zyrë, i jepte ndonjëherë të pinte ndonjë gotë, bisedonin shtruar, Driteroi tregonte durim dhe im atë e ndjente se atij i vinte shumë keq, se po të varej prej Driteroit gjithçka do të ishte ndryshe, por nuk kishte gjë në dorë. Im atë kthehej me krahë në shtëpi kur takohej me Dritero Agollin. Dhe unë lumturohesha kur e shihja tim atë të kishte pak besim tek e nesërmja. Në jetët tona hynte pak dielli. Dhe i ishim të tre mirënjohës. Im atë e kishte Dritero Agollin si dritë në fund të tunelit, errësirës. Prandaj e thërriste “Didero”. Si iluministin Denis Diderot, përballë obskurantizmit të elitës komuniste. Sepse Dritero Agolli dilte nga kostumi i hekurt konformist i zyrtarit të shtetit të egër dhe sillej si njeri duke sjellë shpresë në jetën e nxirë të poetit dhe të familjes së tij. Të mikprisje në zyrën e kryetarit të Lidhjes, sikur vepronte Dritero Agolli, poetin heretik Vehbi Skënderi ishte baraz të kryeje një herezi. Dhe kaq mund të kishte mjaftuar, ajo çikje e gotës të konjakut me atë të Vehbi Skënderit në zyrën e kryetarit të Lidhjes të Shkrimtarëve, që Dritero Agolli ta kish pësuar. Dhe jam e bindur se sa herë që Dritero Agolli e ka pritur tim atë në zyrën e kryetarit të Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve aq herë është spiunuar nga syri vigjilent i partisë brënda asaj ndërtese. Sepse me tim atë ishte marrë vetë diktatori e Manush Myftiu dhe kaq mjaftonte që t’i rrinin larg sikur të kishte leprozë! E Dritero Agolli kur i jepte dorën Vehbi Skënderit pa dorashka e me gjithë zemër, rrezikohej t’i ngjitej edhe atij leproza.
Një figurë e respektuar, Llazar Siliqi, pas vdekjes së diktatorit, kur u zbut disi lufta e klasave do t’i thosh tim eti me humorin e tij shkodran: “Pasha Zotin, ma lehtë me dalë me kallashnikov në Sheshin Skënderbe se me pas në krahë poetin Vehbi Skënderi.”
Im atë nuk ia harronte kurrë Dideroit – Dritero Agollit edhe kur i shkoi në zyrë për mua pasi mbarova gjimnazin. Tashmë ishte e qartë që e kisha vokacion letërsinë, shkruaja hartime e poezi të bukura, e kisha dërguar edhe librin e parë në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, libër që natyrisht nuk u botua. Ishte lufta ime për ekzistencë. Por kur im atë shkoi tek Driteroi dhe i kërkoi vërtetim për talentin tim, të një tetëmbëdhjetë vjeçareje, Kryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ia dha menjëherë. Edhe me rastin tim nuk ishte e lehtë sepse rrezikohej, por Dritero Agolli, Dideroja e firmosi atë dokument. Edhe sot e kësaj dite po dëgjoj trokitjen e tim eti në derën e shtëpisë nga ku kuptohej që sillte lajm të mirë, duke e ditur se ime më dhe unë po e prisnim me pa durim. Trokiste fort duke mbajtur në dorë pa e futur në xhep vertetimin e shkruar nga poeti e kryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë Dritero Agolli për vajzën e poetit Vehbi Skënderi, që kishte luftuar 14 vjeç kundër pushtuesit për liri, barazi e vëllazëri dhe i kishte humbur të gjitha betejat, duke u bërë shkaku i pashkak edhe për jetën me plot halle të së bijës e familjes. Atë vit vërtetimi i Driteroit nuk u mor parasysh, por do të më ndihmonte shumë pas disa vitesh, pas vdekjes së diktatorit, kur lufta e klasave do të ishte fashitur pak dhe tre miq të tjerë të tim eti, do të më ndihmonin të vijoja studimet për letërsi me korrespondencë. Ata ishin Rozeta e Prof. Alfred Uçi dhe Xhemal Dini.
Të gjithë ata shqiptarë që në mënyra të ndryshme i kanë ndihmuar viktimat e diktaturës të mbijetojnë, që ua kanë zbutur disi vuajtjet e lehtësuar traumat meritojnë mirënjohje. Dritero Agolli patjetër është njëri nga ata, që në vitet e inkuizicionit të diktaturës komuniste, ndihmoi sa mundi, kur mundi e si mundi në kohë të pamundur.
Më ka mbetur peng që nuk e kam falenderuar sa qe gjallë! Por po e falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen time tani që është në Parajsë bashkë me poetin Vehbi Skënderi dhe me plot poetë të mallkuar të tjerë nga diktatura. E falenderoj se duke rrezikuar veten i ka ndihmuar, ua ka kuruar plagët, i ka trajturar në mënyrë njerëzore shpirtrat e lënduar e torturuar nga mizoritë e regjimit, ku edhe një fjalë e ngrohtë merrte fuqi të mbinatyrëshme, u ka dhënë shpresë dhe u ka shtrirë dorën për t’i shpëtuar viktimat e pafajshme të regjimit diktatorial. Dhe unë jam dëshmitare e gjallë që e dëshmoj këtë !
Rrespekt për sakrificën e prindërve dhe tuajen zonjë ndaj diktaturës më të egër.
Një rrespekt edhe pēr shkrimtarin e madh z.Agolli.
Ju falenderoj shume.
Ju pershendes
Elida Buçpapaj
Rrespekt për sakrificën e prindërve dhe tuajen zonjë ndaj diktaturës më të egër.
Një rrespekt edhe pēr shkrimtarin e madh z.Agolli.
I nderuar Valter,
Ju falenderoj shume.
Ju pershendes
Elida Buçpapaj
Shkruar bukur dhe ndjenje, per keta dy poete me shpirt te madh, qe jetuan ne kohen e diktatures me te eger ! Respekt te vecante per poetin Vehbi Skenderi, qe me aq dinjitet perballoi perndjekjet e as kohe monstruoze! Respekt dhe nderim edhe per te madhin Agolli, qe me shpirtin e tij te madh dinte te gjendej prane halleve te miqve te vertete!
I nderuar Tani,
Ju shpreh falenderimet e mia.
Ju pershendes
Elida Buçpapaj
Respekt Lida. Mirënjohja është virtyt i njerëzve hyjnorë. Të përqafoj. Sandra.
I gjithë regjimi komunist ka qenë i keq, si ka mundësi që D. Agolli të jtë i mirë? D. Agolli ishte një komunist në nje detyrë të rëndësishme, vjen fjala pse nuk u shkrua për te sa ishte i gjallë?
Faleminderit Zonja Bucpapaj per kete shkrim dhe ndjenjen e se vertetes. Kane kaluar shume vite por une jam rritur ne nje pallat me vajzat e xhaxhait tuaj Abibit dhe i mbaj mend si nje familje shume e mire dhe gjithmone me buzeqeshje.
Faleminderit Zonja Bucpapaj per kete shkrim dhe ndjenjen e se vertetes. Kane kaluar shume vite por une jam rritur ne nje pallat me vajzat e xhaxhait tuaj Abibit dhe i mbaj mend si nje familje shume e mire dhe gjithmone me buzeqeshje. Dhe per babain tuaj kash shume respekt si njeri dhe talentin e madh e te vecante. Poezia e tij eshte vertete origjinale dhe do te lexohet gjithmone.
Te ka folur shpirti e dashur Elida. Psherëtimat e vuajtjetve shpirterore mbeten thellë e nuk shuhen kurre.
E dashur Elida nx.ime e mencur dhe e talentuar.Me dhemb zemra kur lexon shkrimin tend.Nga eksperienxa kujtime sidomos te hi dhurat qe lodhem me prinderit,dy njerzit me te dashur ne kete bote te shoqerojne gjithe jeten