“Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë!”
(Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko)
Përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, veç fakteve të mësipërme të të dy kapitujve të parë, si flagranca e madhe jugosllave ndaj të ashtuquajturës politikë shqiptare, që erdhi si pasojë e ndikimit të sllavëve të Moskës e Beogradit, të klerit grek dhe Internacionales franceze, në edukimin dhe rrënjosjen e ideologjisë marksiste- leniniste në Shqipërinë e para e pasluftës, si dhe për tradhtinë e madhe të PKSh me E.Hoxhën në krye, flet më së miri ditari i Nako Spirut i vitit 1944. Nako u demoralizua pasi me urdhër të Enverit e Koçi Xoxes u var në litar miku i tij Kostandin Boshnjaku pa asnjë faj. (K. Dervishi- shih Flagranca e madhe). Sehirxhiu me nerva të vdekura e shurdh-memeci i mashtruar, e meritonin të quheshin: “Të vdekun kanë lindë ata, që sot heshtin!”-siç thotë Fritz Radovani, shkodrani me banim në Australi. Nëse heshtim, ka për të na mbytur padrejtësia. Cilido e ka të qartë se Shqipëria ka pasur,ka dhe do të ketë nevojë për drejtësi… A mund të kyçësh gojën para fakteve të tilla?! Vivra)
“Drejtësia e një kombi nuk blihet me para dhe as dhurohet nga politikanët. Ajo vendoset duke u përballur me të vërtetat historike, me fakte e ndodhi reale, me vendngjarjet, kohën e zhvillimit të tyre dhe duke evidentuar klasat apo shtresat shoqërore dhe personat që kanë marrë pjesë në to, pra ata që kanë qenë apo janë pjesë e historisë. Theksoj se historia e një shteti nuk është ideale, ajo është reale dhe udhëton nëpër kohë, ku njerëzit duke u bërë faktor me aktorët e saj, do të sjellin ndryshimet cilësore dhe sasijore në çdo fushë të jetës . Ndaj nëse kërkon të vendosësh drejtësi, mos hesht kurrë…!” (Vivra: “Pa Koment” ese-publicistikë-2016- f-17-“Faktorët që kanë ndikuar në cungimin e tjetërsimin e historisë së Shqiprërisë”)
Për kohën që po jetonte dhe jeton Shqipëria gjej me vend thënien lapidar: “Ku ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria.” At Gjergj Fishta. Po për fatin tonë të keq shqiptarin e gjorë e zhveshën jo vetëm nga prona, jo vetëm i mohuan identitetin, por e zhveshën edhe nga çdo lloj besimi e tradite, duke i injektuar ideologjinë komuniste, si kancerin në gjak e në tru, e cila nuk ishte shkencë filozofike por një dogmë për të helmuar shpirtrat e dëlirë të shqiptarëve të hajthëm dhe për të pluhurizuar ndërgjegjen e tyre humane.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi humbjen e boshtit Romë-Berlin-Tokio dhe fitoren e koalicionit me në krye SHBA-në, BS-në dhe Anglinë. Udhëheqësit më liberalë dhe properëndimor të luftës çlirimtare në Shqipëri, si: Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Omer Nishani, Koço Tashko, Konstandin Boshnjaku, Shefqet Beja e me dhjetëra intelektualë e atdhetarë ishin të shqetësuar për fatet e Kombit të pasçlirimit. Ata e njihnin mirë gjendjen në vend, ndaj e kishin të qartë se shteti i ri shqiptar duhej të ecte duke zbatuar reforma demokratike. Të gjithë, por veçanërisht ata që kishin studiuar në universitetet më në zë të Evropës perëndimore, mendonin se gjendja e vendit nuk ndryshonte pa u lidhur me Perëndimin demokratik. Gjithashtu e kishin të qartë se rruga e kolkozeve ruse, qe e dëmshme për Shqipërinë e vogël kundër dëshirës së bashkëkombasve, vetëm për të realizuar pangopësinë e një revanshizmi të padrejtë të Fuqive të Mëdha ndaj kombit. Dhe e gjithë kjo për të ndryshuar hartën gjeopolitike të botës në favor të tyre, duke e ndarë atë në dy kampe: në të fituar e në humbës, nga njëra anë, si dhe në dy kampe ideologjikë : kampi socialist i lindjes dhe ai kapitalist i perëndimit, nga ana tjetër.Pas Luftës së Dytë Botërore, në perëndimin kapitalist, morën hov zhvillimet demokratike, duke u dhënë përparësi kulturës, zbulimeve të reja shkencore, teknologjisë moderne dhe metodave të reja të prodhimit, gjë që rriti nivelin jetik të popujve në shkallën sipërore.
Kurse Shqipëria e vogël,e zhuritur nga flakët e luftës, e uritur për kotheren e bukës mes fushave dhe arave prodhuese; e etur për një pikë ujë pranë burimeve dhe ujërave mbi e nëntokësore të kristalta si askund tjetër; e varfër kur ishte zonjë e pasurive të mëdha mbi e nëntokësore; e verbuar nga tymi i pishës e kandilit, duke qenë pranë burimeve energjetike të pasura si rrallë në ndonjë vend tjetër… Hajmedet moj Shqipëri! Një komb me Kulturë të lashtë ishte analfabet, sepse truri i kombit i vriste sytë dhe i trazonte mendjen Diktatorit paranojak; një komunitet i asfiksuar nga mungesa e oksigjenit edhe pse mes pyjeve mesdhetare, mes ullinjve dhe agrumeve, kishte nevojë për drejtësi. Po ku ta gjente vallë, për derisa shqiptari nuk njihte dhe as e dinte se ku binte Karta e të Drejtave të njeriut?
E.Hoxha dhe K. Xoxe kopjuan metodat vrastare të Stalinit në spastrime. Me urdhër të Titos, Hoxha zhduku gjithë intelektualët shqiptarë. Jo më pak kriminele dhe sadiste pa shpirt ishte Nexhmie Hoxha, komuniste dhe ndërkohë anëtare e partisë fashiste. Pas Konferencës së Pezës,Nexhmia me Kajo Karafilin udhëtojnë nga Tirana në Kavajë. Në rrugë ndeshin një rob italian që punonte në mirëmbajtje. Zbret nga makina dhe urdhëron K.Karafilin, dhëndrrin e Myslym Pezës, që t’i presë kokën. Pas aktit të tmerrshëm kriminal, thërret gratë e fshatit dhe bashkë me to kërcejnë rreth kokës së viktimës. Gratë u larguan të lebetitura. Nexhmie Xhuglini kishte disa funksione të njohura e të panjohura. Pa pëlqimin e saj, nuk hidhej asnjë hap në parti e në pushtet. Një rrjet i tërë sigurimsash i sillnin opinione dhe kryenin misione të posaçme, me porosi të drejtpërdrejtë të saj. Si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, iu besuan çelësat e ideologjisë, të historisë dhe të çdo gjëje që shkruante “klasiku i madh” si i fundmi i mohikabnëve. Nexhmija ishte peshorja e kuadrove të lartë e të vetë Byrosë Politike. Për çdo plenum apo kongres, ajo caktonte presidiumin, renditjen e tyre, ndiqte shtypin, televizionin dhe çdo veprimtari me synimin si e sa herë përmendej, citohej apo dilte në ekran Diktatori tiranë. Përgatiste terrenin për t’a shndërruar Enverin në një mit a idhull në përmasa hiperbolike. Një tjetër krim i kobshëm ka ndodhur menjëherë pas konferencës kur Ismail Petrela, një nacionalist i cili kishte marrë një qëndrim të vendosur kundër komunistëve në “konferencë” u vra nga djali i tij Xhevdeti përballë spitalit të Tiranës. Para se të godiste të atin, Xhevdeti tha: “Kjo është ajo që u ndodh atyre që kundërshtojnë Konferencën e Pezës”. (lajmpress- 23 nëntor 2016-Zbulohet dokumenti sekret i 1952 “Nexhmie Hoxha vallëzon me kokën e prerë të italianit. Shoqet i bëri prostituta …)
Deri në vitin 1948,vit i prishjes së madhe, shteti i ri shqiptar ishte i izoluar nga pikëpamja ndërkombëtare përfshi këtu edhe Moskën, rruga drejt së cilës kalonte përmes Beogradit. Për sa kohë modeli ishte ky i fundit, krerët e Tiranës ndoqën shembullin jugosllav në procesin e konsolidimit të pushtetit, ku përfshihej edhe qëndrimi ndaj institucioneve fetare. Kjo ndodhi se ortodoksia shqiptare ka qenë nën vartësinë e dy lidhjeve: * a-Ka qenë e lidhur me kulturën bizantine dhe *b- ka pasur lidhje me komunizmin. E para është historike, kurse e dyta ndërlikohet nga pretendimet greke si trashëgimtare e vetme e klerit ortodoks në Ballkan, gjë që shovinizmi e quan një të drejtë legjitime edhe pse popullsia ortodokse në Shqipëri është e vogël në numër, ndaj synimi i kishës helene ka qenë ky: “të rrisë në mënyrë fiktive apo farse numrin e popullsisë ortodokse në Shqipërinë jugore.” Pse në mënyrë fiktive?
Sepse synimet shoviniste kanë qenë dhe janë të thella, gjë që e tregon fakti i mëposhtëm: “Ndikimi grek për regjistrimin e popullsisë mbi baza etniko- fetare. Shqiptarët të detyruar nga varfëria e skajshme dhe izolimi i gjatë, me rënien e diktaturës, morën rrugët e mërgimit. Si në asnjë vend tjetër mikpritës, presioni që u është bërë emigrantëve shqiptar në Greqi, për të ndërruar emrin dhe fenë ka qenë tendencioz dhe i paramenduar. Ndaj tyre janë përdorur metoda dhe forma nga më të ultat, që nga operacioni fshesa, dhunë fizike dhe morale duke i fyer emigrantët shqiptarë me këngë dhe fjalor rrugësh. Qëllimi i tyre ishte largpamës, sepse duke ndërruar emrin dhe fenë e shqiptarëve, ata rrisin përqindjen e minoritarëve grekë në Shqipëri, e cila ka qenë e vogël në numër. Këto janë mjetet që përdor shovinizmi për të arritur qëllimin. Ka aq shumë fakte sa nuk gjendet stomak që t’i gëlltisë. Gradualisht po i rrisin këkesat, duke ngulmuar në Autonominë e Himarës, që më pas të bashkohet me Greqinë(Vivra-“Pa Koment”f-23)
Ndërhyrja e PK-së jugosllave në Shqipëri, pas Plenumit V të shkurtit 1945, që eliminoi Sejfulla Malëshovën, filloi të bëhej më brutale. PKSH-ja si një bisht i saj, me synimin që Shqipërinë ta kthenin në një republikë të shtatë të Federatës Jugosllave.
Kur Tito akuzoi N. Spirun si agjent të borgjezisë dhe të imperializmit dhe si shkaktar i prishjeve të marrëdhënieve PKSh, PKJ, E.Hoxha nuk priti shumë gajtë për shpjegime. Kur “Ai” mori masa të menjëhershme, Ambasada e BS-së bëri një sy qorr dhe një vesh shurdh. Në Byronë Politike nuk u thirrën dhe munguan Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Fadil Paçrami etj, ku e cilësuan Nako Spirun tradhtar.
Plenumi VIII i KQ-së së Partisë, i cilësuar njollë e zezë e historisë së Partisë, e avancoi skenarin e Beogradit.Shohim se 15 ditë pas vdekjes së Nako Spirut, më 15 dhjetor të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ku merrte pjesë i dërguari i Titos, Sava Zllatiç, protagonist kryesor, ka thënë: “Tani që e likuiduam këtë pengesë, d.m.th. Nako Spirun, duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin “de facto” të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri etj), se Shqipëria nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur dhe aq më pak, të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë. Shpalljen do ta bëjmë në rrethana dhe koniuktura të favorshme ndërkombëtare.Presionet ishin si në veri dhe në jugë të vendit…”(Flori-press-27 janar 2006-“Historia e ekzekutimeve nga Anastas Lula te Kadri Hazbiu”-, (dërgoi në shtyp Magjistër Xhafer Syla nga Prishtina- redaktoi Flori Bruqi & Engjëll Shehu)
Duke u mbështetur në shkencat fillozofike e sociale, unë do të perifrazoja këtë paragraf gjeniu:
“Më e arsyeshme është që secili të bëjë punën e vet për të cilën është lindur dhe ka mësuar të mos pengojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Këpuctari të merret me këpucët, bujku të lërojë arat e Princi të mësojë të qeverisë, se dhe qeverisja është një zanat që duhet mësuar…”Gëte.
Por mjerisht ballkanasit kanë një të keqe të madhe:” hanë bukën e tyre dhe boshatisin xhepat e botës!” Si të tillë i zë meraku se mos xhepat e të tjerëve, për të cilët nuk i zë gjumi, i janë shpuar fqinjit…Për ndërhyrjet e qëllimshme të Greqisë, dëshmon edhe shkrimtari Petro Marko, komunist i bindur, i cili kur ishte student në Shkollën Tregtare të Vlorës tregon se, literatura marksiste hynte në Shqipëri nga Greqia. Dokumentat janë të shumta se si botimet marksiste vinin nga Franca, ku botoheshin dhe gazeta komuniste shqiptare që propagandoheshin nga të krishterë me lidhje të forta greke.(shih Artan Hoxha, Bizantët shqiptarë)
Ja një dokument i vitit 1940 që flet shumë dhe s’ka nevojë për koment:
… Kur shpërtheu Lufta italo –greke, debatet e kishin mërzitur Faik Konicën i cili ndodhej në Amerikë që nga 1926-1939, i emëruar nga Ahmet Zogu si Ambasador i plotfuqishëm i Shqipërisë në ShBA. Më tepër e dëshpëronte fakti që diskutohej për atë krahinë, ku ai kishte lindur. Afër pesë shekujve të sundimit turkkjo krahinë përbënte vilajetin e Janinës, me kryeqendër Janinën. I shqetësuar nga debatet mediatike , si dhe debatet për çkombtarizimin e Çamërisë dhe krimet ndaj saj, ndaj shqiptarëve të kësaj treve autoktone Thesprote-shqiptare, me përndjekjen e banorëve të Janinës. Ja ç’thotë enciklopedia shëtitëse, duke dëgjuar lajmet e tmerrshme, të cilit nuk iu durua më dhe shkruajti në “New York Times”një artikull me titull “Ju rrëfej grekët”,ku kërkonte të njihte amerikanët me historinë e Shqipërisë, veçanërisht të Çamërisë dhe krimet që kishin kryer grekët ndaj shqiptarëve të Çamërisë:”Në lashtësi shqiptarët quheshin ilirë. Thesprotia apo Çamëria njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë nisur ta quajnë “Epir“,që do të thotë“kontinent”. Italia ngre çështjen se Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar si nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përsa flitej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”.
Përndjekja dhe eliminimi i shqiptarëve nisi në gjysmën e II të shek. XIV ,kur në Janinë qeveriste një despot bizantin,që quhej Thanas, të cilit i hipi në kokë ideja për të vrarë gjithë shqiptarët.
Këtë mizori e bënë të njohur një grek besimtar i ndershëm,Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine,i cili tregon se një nga lojërat e tij ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Ai i dërgonte Gjin Bue Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë. Së fundi, thuhet se Thanasi arriti“ta zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës.”
Traktati i Lozanës, i nxiti . Grekët për shkëmbimin e familjeve turke me ato shqiptare. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, (Anadoll-Konjë)duke i bërë objekt shkëmbimi. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”,Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm shqiptaro-grek, nuk mund të bëjë pa e lexuar këtë libër.
Pushtimi turk solli ndryshim në jetën shqipëtare.Shumë shqiptarë lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, gjë që vazhdoi dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë.Ka shumë fise shqiptare që e ruajnë në kujtesë përndjekjen me forcë nga Janina. (shih kap-II- të këtij shkrimi)
Në fillim të shekullit të XIX, një kishëtar Anglez,Stjuart Hjuz,ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri, i cili shkruan: “Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?!Në brendësi të Greqisë jetojnë mbi 1 milion shqiptarë,? “Faik Konica në “New York Times”-1940-shkruan “Ju rrëfej grekët.(telegraf-1 nëntor-2016.)
Për fat të keq fqinjëve tanë jugor dhe verior, nuk u mjafton tryeza e tyre, as pula dhe as punët e tyre, por synojnë gjithçka, madje lakmojnë edhe qoshenë e fqinjit…Për këtë arsye pretendimet gllabëruese greko –serbe ndaj Shqipërisë, nuk marrin fund kurrë. Nuk kanë faj ata, kur udhëheqësit bukëshkalur shqiptarë ua kanë dhuruar vetë? Nuk thotë kot fjala e urtë: “Po i dhe gishtin, kujdes se do të të rrëmbejë krahun” K.Dervishi /Admin -18-dhjetor-2016)
” E. Hoxha gjatë mbledhjes së Komitetit Qendror të datës 18 dhjetor 1946, pasi ka cilësuar Patër Gjergj Fishtën dhe Ahmet Zogun si “shovinistë”, të cilët kishin punuar kundër marrëdhënieve të mira me jugosllavët, vazhdoi…
“… Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi ynë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? – Jo…Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatë, përkundrazi kosovarët duhet të forcojnë marrëdhëniet me jugosllavët .Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi”.(” K.Dervishi botoi:Admin -18-dhjetor-2016) Arkiv-18-12-1946)
*Të shohim se ç’ drejtim mori politika e jashtme e PKSh-së…
*Në vitet 1946 deri më 1949 ishin të shpeshta vizitat e Hoxhës në Moskë.Në prani të Enverit, Molotovi i jep lajmin Stalinit që ta uronte mikun që po bëhej baba me një djalë. Në Moskë, Stalini dhe Enveri festonin mes tringëllimit të gotave lindjen e trashëgimtarit të diktatorit shqiptar, kurse në Tiranë vazhdonin vrasjet dhe spastrimet e bijëve të shqipes, kundërshtarët politikë të pranojakut shqiptar që s’ngopej me gjak.Për çdo vit nga 1946-1949 diktatura komuniste në Shqipëri vrau, burgosi dhe internoi njerëz, familje dhe dënoi fise të tëra. Koha e planeve të diktatorit për eliminimin e kundërshtarëve tek të cilët ndjente rrezikun e humbjes, si dhe të marrëdhënieve të PKSh me tri aleancat Moskë, Beograd dhe Pekin, politika e tij ndahet në disa periudha: (1908-36;1936-44;1944-48;1948-61;1961-78;1978-85.)
Kishte kohë që Stalini e hiqte për hunde E.Hoxhën. Kjo u duk në udhëzimet për ortodoksinë për t’u lidhur me komunizmin. Orientimi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë tani bëhej nga Patriarkana e Moskës, e cila ishte rivale me Patriarkanën Ekumenike të Stambollit për epërsi në ortodoksi. Është kjo një nga arsyet që kisha helene ka lidhje të ngushta me kishën ruse dhe serbe.Mbështetur në besimin fetar ortodoks i japin ngjyrë dhe formë kombit. Pë këtë është e lehtë të vëzhgohet nga cilido lidhja e ngushtë dhe mbrojtja e interesave Moskë-Athinë- Beograd. Në këto kushte regjimi i Tiranës, në përputhje me udhëzimet që vinin nga Moska, nis përgatitjet që në krye të kishës ortodokse shqiptare vendosën klerikë të lidhur ngushtë me kishën helene, të cilët ishin të gatshëm të ndiqnin kursin politik të regjimit komunist shqiptar. Më 23 qershor 1946 vizita e E.Hoxhës në Beograd, që atij iu duk shumë miqësore,në realitet u nënveftësua nga Tito, i cili, sa e spikati karakterin e dyzuar e pa taban të udhëheqësit paranojak shqiptar, më parë i shërbeu kafenë,ose e thënë shqip (sikterkafenë), sesa të shtrohej në bisedime për vendosjeen e alencave dypalëshe.
Teksti origjinal i E.Hoxhës me shumë gabime gjuhësore, ndaj autori e ka redaktuar.
Po në opinion u fol për një vizitë pa bujë, ku vetëm Ministri i BS u informua, sepse pa lejën e BS, nuk bëhej asnjë vizitë zyrtare në shtetet e kampit socialist. Pas njoftimit Enveri u përshëndet nga Molotovi për takimin e tij. Si pohon ambasada Franceze në Beograd edhe Jugosllavët e mbajtën sekret këtë vizitë. E.Hoxha 4 ditë pas vizitës në një deklaratë shtypi,falenderoi për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare Shqipëri-Jugosllavi që nisën më 10 korrik 1946. Hoxha i besonte Titos, madje i pohoi se “është e preferueshme që Kosova t’u lihej jugosllavëve”,-kjo ishte përgjigja e tradhtisë së tij ndaj kombit, pa thënë se për ç’arsye shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës duhej të jetonin të ndarë, kur ishin të një race, kishin të njëjtat gene, flisnin një gjuhë dhe kishin të njëjtat zakone e tradita. Pas pritjes pa asnjë përshtypje diplomatike të fjalës së E.Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris, 21-gusht 1946, ku ministrat e jashtëm francez, amerikan, anglez dhe sovjetik, nuk treguan asnjë interes ndaj tij.Por shumë vonë ai mësoi se Moska dhe Beogradi ishin kundër futjes së Shqipërisë në OKB. Për qëndrimin armiqësor të tyre jep një detaj Edvard Kardelj, mik i ngushtë i Titos dhe shef i diplomacies jugosllave. Në filllimvitin 1947, diplomati jugosllav pritet nga Stalini dhe në bisedë e sipër për Shqipërinë, i zoti i shtëpisë shpreh përbuzjen e tij, duke i quajtur shqiptarët “primitiv dhe të prapambetur, edhe pse janë besnikë”. Mysafiri i shpreh Stalinit: “Njeriu ynë i besuar atje është Koçi Xoxe.(shih në frëngjisht libri i rrallë biografik i E.Hoxhës nga Thomas Schreiber (panorama 14-12-2012).
Periudha 1945-1948, veç të tjerash karakterizohet nga procese politike të ashpra që dënuan kundërshtarët e regjimit. Në dy vitet e para të këtyre proceseve, më 1945 dhe 1946, për çdo vit kishte nga 300-400 të ekzekutuar me vdekje me proces gjyqësor të formës së prerë. Urdhri i Stalinit ishte që duhej dënuar një grup zyrtarësh të lartë, mundësisht anëtarë të Byrosë Politike dhe Këshillit të Ministrave. Se cilët do të bëheshin kokë turku për BS dhe Jugosllavinë. Orientimet jepeshin nga Moska e Beogradi dhe viktimat ishin në dorën e xhelatit Hoxha. Ndërsa Stalini deri më 1948 i kishte lënë dorë të lirë Titos mbi Shqipërinë, saqë PKSH-ja nuk kishte të drejta përfaqësimi jashtë vendit. Ajo në planin ndërkombëtar përfaqësohej nga Partia Komuniste e Jugosllavisë.” “sipas dokumenteve, thuhet se nuk ka dallim midis K. Xoxes dhe E.Hoxhës…Gjithashtu del e qartë se K.Xoxe nuk ka vepruar asnjëherë jashtë dijenisë së E.Hoxhës… E. Hoxha e ka shprehur në mbledhjet që ka zhvilluar se nuk e kishte të qartë independencën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, sepse sekretar të përgjithshëm mendonte Titon. Një historian i njohur kosovar, që kishte lexuar dokumente në Beograd mbi takimin e Titos me Enver Hoxhën në Vis të Jugo“…Ishte koha kur Stalini kërkoi procese kundër titistëve,por në Shqipëri të gjithë ishin pro jugosllavë”…sllavisë, i thoshte një bashkëbiseduesi se “një popull që i thur këngë një tradhtari, është i destinuar të vdesë…”(K.Dervishi Arkiv- libri i Koçi Xoxes)
Procesi ndaj Koçi Xoxes ishte rastësor dhe nuk varej nga rrethanat shqiptare. Ato kishin të bënin me zënkën midis Titos dhe Stalinit. Rritjen e pushtetit të Titos mbi Byronë Informative me qendër në Beograd, nuk e pranonte dot Stalini. Prishja e miqësisë Tito- Stalin ndaloi kthimin e Shqipërisë në vasale të Jugosllavisë. Për këtë arsye Stalini kërkoi të eleminonte njeriun e besuar jugosllav në Tiranë, Koçi Xoxen. Ashtu siç heshti për vrasjen e N. Spirut, Stalini meqë prishi marrëdhëniet me Titon, nxiti Enverin për vrasjen e Koçi Xoxes, për të prishur marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave. “…Koçi Xoxe u vra me urdhër të Stalinitt”(K.Dervishi) Pas largimit të H.Kapos e deri më 6 shkurt 1948, Ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi ishte Tuk Jakova, më pas Ramadan Çitaku, që u shkarkua pas “prishjes së madhe” madje u shkarkua edhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Prishja me Jugosllavinë në vitin 1948 dhe lidhja e drejtpërdrejtë me Bashkimin Sovjetik përkoi në momentin kur gjithë vendet e Evropës Lindore hodhën poshtë fasadën e aleancave të ndryshme ndërmjet komunistëve dhe forcave jokomuniste duke u rreshtuar përkrah BS–së si aleat të tij. Në të gjitha këto vende, përfshi këtu edhe Shqipërinë, nis paralelisht procesi i ndërtimit të sistemit komunist. (vo:Artan Hoxha-“Marrëdhëniet mes K.O. Autoqefale Shqiptare dhe komiunizmit 1945-67”)
*Cili ishte roli i Frontit Demokratik të Shqipërisë?
FDSh u krijua si një organizatë, që do të bashkonte në gjirin e saj shqiptarët pa dallim krahine, feje dhe ideje, por për fat ndodhi e kundërta, Këtë na e vërteton Misioni Britanik në Shqipëri, i cili në larminë e raporteve për Frontin Demokratik, me një memorandum të 8 marsit 1946, ka analizuar karakterin politik të Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe qasjen e komunistëve ndaj saj. Duke e konsideruar Kishën Ortodokse si themelin e pretendimeve greke për Shqipërinë e Jugut, përmes ngjarjeve historike dhe aktuale, britanikët analizojnë karakterin dhe lidhjet politike të secilit prej peshkopëve të asaj kohe në Shqipëri, dilemën e komunistëve për ta shpronësuar Kishën apo për ta zëvendësuar me ndikimin grek si dhe përpjekjet e figurave si Visarion Xhuvani dhe Fan Noli për një Kishë Ortodokse të Pavarur të Shqipërisë. Raporti i britanikve, zbulon peshkopët e shitur tek interesat nacionaliste greke dhe ata të shitur tek interesat ideologjike të Frontit Demokratik, duke theksuar shijen jugosllave të këtij të fundit në shugurimin e peshkopëve. Këtu kemi të bëjmë me orientimin dhe nënshtrimin nga Jugosllavia.Dokumenti ka një rëndësi studimore dhe historike pasi është nga të vetmit që analizon gjatë kësaj periudhe, në bazë të faktorëve e elementëve të tjerë F.D, përdori Kishën Ortodokse si një instrument për reelizimin e interesave greke, jugosllave dhe komuniste. Në një lexim të thelluar të dokumentit zbulohet se vetë Fronti Demokratik(FD) nuk ishte përkrahës i një Kishe Ortodokse të Pavarur Shqiptare. Përkundrazi, E. Hoxha është në krye të përndjekjes së figurave si Visarion Xhuvani dhe zëvendësimin me Peshkopin Pandeli Kotoko, filo-greku i zjarrtë ose me një filo-serb si Ireneu Banushi,tregon se FD ishte i interesuar për një Kishë Ortodokse të drejtuar nga Kisha Ortodokse e Greqisë apo e Serbisë sesa për një Kishë Autoqefale Shqiptare, mbase kjo si një pikë tjetër në “statutin” e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.(Shih-Gazeta-55-Redi Agolli-1-3-2014 (SPECIALE/ Raporti Britanik i 8 marsit 1946)
*“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër, është një kriminel”Bertold Brecht.
Po …a kishte besë Diktatura Komuniste dhe Diktatori famëkeq, që mbolli vdekje dhe fatkeqësi kombëtare, varfëri e izolim nga bota të gjallëve; urrejtje klasore dhe armiqësi mes shqiptarëve. I tejngopur me gënjeshtrat djallëzore të diktatorit famëkeq, që për të drejtuar si somnabul shtetin e ri shqiptar, ua shiti shpirtin sllavëve, serbit dhe rusit. Besimi i verbër te Mugosha dhe Popoviçi, i rriti diktatorit ndjenjën e persekucionit dhe bëri që ai eliminoi gjithë intelektualët e aftë që meritonin drejtimin e pushtetit të ri. Disa tipa lakejsh e servilësh si, Sevo Tarifa e Sulo Gradeci ishin ekzemplarë inferiotiteti, besnik të së keqes. I pari, në çdo muaj tetori, muaji i ditëlindjes së Enverit, jepte leksione nëpër shkolla e ndërmarrje të tejngopura me fjalët: “Komandanti legjendar”, “Arkitekti”, “Klasiku”, “Marksist-Leninisti i Madh” dhe shprehjet që kërkonin duartrokitje “Malet para tij ishin të ulët”, “Dielli para tij ndriçonte më pak”. (Prof. Myslym Islami,Panorama-23-4-2002).
Është sa domethënës dhe po aq me vend kjo thënie e Sami Frashërit: “Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe ëndje, është më i mirë se të qëlluarit e atij që punon pa dashur.”
*Diktaturat dhe diktatorët kanë një të përbashkët, krimin, eliminimin e njerëzve të afirmuar si intelektual të mirëfilltë, që kërkojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit pa interes. Diktatorët më parë vrasin besimin, i cili e shtynë njerëzimin që të arrijë të përsosurën ,më të mirën e të pamundurën që shkon tej synimit. Pastaj vrasin edhe individin. Pra pasi zhdukin vlerën njerëzore dhe më pas e zhdukin atë fizikisht. Ose anasjelltas, fillimisht përmes eliminimit të individit, të një komuniteti dhe bashkë me ta , vrasin besimin. Në vendin tonë kanë bashkëjetuar tri besimet në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Për analogji po mar si shembullin më të mirë Dom Gjon Gazulli,që pasi u kthye nga studimet nëRomë e Vienë, u shugurua prift. Menjëherë u lidh me rrethet përparimtare si: Luigj Gurakuqin, Atë Gjergj Fishtën, Hasan Prishtinën, Bajram Currin,etje. Kur Zogu hyri me hordhitë serbe dhe bjellogardiste të Vrangelit dhe vrau miqt e tij, Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin, ai nuk u largua nga vendi. Në zgjedhjet e vitit 1923 u zgjodh deputet. Myftiu i Hasit ishte një nga votuesit e parë të tij, të cilin e kritikuan: “po ti i dhe votën një prifti Katolik? Përgjigja e tij ishte: “Unë nuk ia dhash votën priftit , por njeriut që më mëson për ditë se ç’ka domethanë Shqipëni, ç’ka domethanë Atdhe !” Me varjen e Dom Gjon Gazullit, A.Zogu bëri një krim, që nuk ka për t’u harruar nga kujtesa humane. . Kurse shfarrosja e klerit mysliman dhe katolik nga diktatura komuniste është makabre dhe masive. Ashtu siç bëri në tetor 1945, Eduard Kardelj (nr-2 i Jugosllavisë), i cili porositi E. Hoxhën: “Nëse do të mbash pushtetin, së pari duhet të zhdukësh klerin katolik.” – dhe ai ndoqi porosinë e miqve të tij sllavë. Edhe Pashiqi e nxiti Zogun kundër katolikëve, i cili filloi të vrasë gjithë komunitetin katolik të Mirditës. Kurse vet Dom Gjon Gazulli ka lënë: “Nga 20 fytyrat ma në shej të kohës teme, trembëdhjetë janë muslimanë”-kjo ishte politika miqve të mëdhenjë serbë dhe pafytyrësia e politkës shqiptare që tradhtoi kombin, duke vrarë atdhetarët.Ç’tradhti kishte bërë vallë? Dom Gjon Gazulli në Qelës ( Pukë )hapi shkollën e parë mikse në botë për djem dhe vajza, për të krishterë e muslimanë”,kurse në Evropën e përparuar shkollat e para mikse janë hapur pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore: në Francë u çel më 1948, kurse në Itali më 1952. Si përparimtar ishte kundër A.Zogut, i cili e burgosi më 1926 dhe e varën më 5-3-1927. Vrasja e miqve dhe vetë atij, ishin të shtyra nga serbët. Hakmarrja dhe urrejtja e fqinjve tanë nuk njihte kufi…
Të pafetë, që kishin humbur rrugën e mirësisë, ashtu si me klerin katolik edhe me atë ortodoks me besim të mohuar nga verbëria ideologjike,në dosjet e nxira si shpirti i tyre katran, kanë lënë akuza materiale e morale, për të fajësuar me çdo menyrë e kusht klerin katolik para popullit, i cili, me kuturën që zotëronte e njihte mirë moralin e persekutorëve, perversitetin e tyre, duke filluar nga diktatori Hoxha, i përfolur qysh në Paris, dhe deri tek shembëlltyra e tij më bastarde, prokurori Aranit Çela. Diviza e përjetshme e Klerit ka qenë “Për Fe e Atdhe“. Patër Gjon Shllakun e paralajmëruan se do ta arrestonin dhe do ta masakronin, ndaj të merrte masa për të shpëtuar, por “jo”: “Të lusim Zotin që të na japë forcë e zemër që të durojmë provat e vështira që do të kalojmë…“ ishte përgjigja e tij. Shohim se jo rastësisht në qeverinë e parë shqiptare të Vlorës, 1912, vetë Ismail Qemali zgjodhi si nënkryetar të qeverisë së Vlorës Monsinjor Nikoll Kaçori.E pas shtatë vitesh, përfaqësues të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919, do të ishin Imzot Luigj Bumçi, Pater Gjergj Fishta e Luigj Gurakuqi. Në Deçiç e Kaçanik, trimat e Selanikut e të Kosovës luftuan për Shqipërinë dhe besuan në Perëndinë, si trimat: Ded Gjo Luli e Isa Boletini, Themistokli Gërmenji e Shtjefën Gjeçovi qenë besimtarë dhe fetarë; Thimi Mitko e Papa Kristo Negovani, Sali e Gani Butka nuk qenë ateistë e megjithatë luftuan dhe dhanë shumë për atdheun e tyre. Jo besimi, përkundrazi materializmi e dobëson dhe e ligështon njeriun.
*“Një komb duhet të jetë i virtytshëm po të dojë që të jetë i lirë”,- thoshte Xhorxh Washington
Sipas dokumenteve shitja e kishës autoqefale shqiptare te kisha greke është bërë nga Enver Hoxha më 1946. Kur Serbët i bënin presion për ta bërë Shqipërinë Republikë Jugosllave, ai ndërroi mendim , ose ta drejtojë Greqia ose Serbia dhe menjëherë nisi përndjekjen e Visarion Xhuvanit, gjithmonë sipas interesave të tij egoiste.Pas prishjes së miqësisë me Jugosllavinë shohim forcimin e lidhjeve Moskë-Tiranë .
Si dhe kur lindi kjo miqësi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik?
Një miqësi e tillë, nuk ka lindur spontane por ka kaluar nëpër rrjedhat e kohës Me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit më 1937, në Moskë u organizua një Kongres i miqve të BS-së. Fan Noli, si kryeministër i Shqipërisë dhe kryepeshkop I Kishës autoqefale Shqiptare, mori pjese në këtë Kongres si anëtar i delegacionit që përfaqësonte popujt e Ballkanit, Në vitet 1930 është Ali Kelmendi ai që solli për herë të parë në Shqipëri idetë komuniste ruse. Pas disa viteve emigracion në Rusi, Kelmendi cilësohet si njeriu që në mënyrë jozyrtare bëri lidhjet e para me B.S. Më pas më 1945 nisin marrëdhëniet zyrtare dhe diplomatike me Rusinë. Ambasadori i parë në BS ka qenë Koço Tashko, i diplomuar në Harvard. Ai ishte një nga drejtuesit e P.KSh , u vendos në këtë post për shkak të rëndësisë që kishin marrëdhëniet Shqipëri –B. S. Në vitin 1947, Enver Hoxha zhvillon vizitën e parë në Rusi. Gjatë kësaj vizite ai u takua edhe Stalinin. Pas kësaj vizite marrëdhëniet me Moskën shkuan drejt përforcimit. Duke filluar nga viti 1947, Hoxha u takua pesë herë me Stalinin.
Pas vitit 1948 marrëdhëniet Moskë -Tiranë arrijnë kulmin, sepse duke u prishur miqësia e B S me Beogradin, Shqipëria i duhej Stalinit për të’iu kundërvenë Serbisë. Gjatë vitit 1947, Hoxha u takua pesë herë me Stalinin prej të cilit mësoi shkollën e djallit, ndaj nuk ua kurseu jetën atdhetarëve. (Tirana observer,26-2-2016(Një histori e ndërlikuar e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Rusisë)
Prangosën 1, 2, 100, 5000…, 270 000 të pafajshëm, por kurrë një komb të tërë…
Sa më shumë rritej miqësia me BS, aq më shumë ngushtohej laku i litarit në fytin e kombit. Përballë miqësisë së madhe me Rusinë, rritej dhe forcohej diktatura e proletariatitnë vend, përmes egërsimit të luftës së klasave. Urrejtja dhe hakmarrja mes shqiptarëve arriti deri në armiqësi. Hendeku i ndarjes klasore vazhdon edhe sot si një sëmundje pathologjike e lënë trashëgim nga marksizëm -leninizmi, i cili e varfëroi shpirtin bujar të shqiptarit. Shqiptari, zot i nderit dhe i besës harroi se ç’ishte mirësia , e cila e udhëheq njeriun për vepra të bukura e madhore, që e çojnë atë drejt lumturisë dhe harmonisë mes bashkëkombasve. Porse mjerisht kombi ynë u shndërrrua në një burg gjigand, ku gjysma e popullsisë ishin të burgosur dhe gjysma tjetër ishin rojtarë. A mund ta shohin njëri –tjetrin në sy këto dy klasa dhe ç’ harmoni mund të ketë mes tyre? Atëherë kushdo me të drejtë mund të pyesë: “ cila do të jetë e nesërmja e kombit?!”
Le ta shohim në vazhdimësi…
Vetëm prej zonjave ekselente si zj.Vilhelme Vrana Haxhiraj mëson me saktsi, tuj u shmang grackës tinzare të urrjetjes, vrerit, ndaj autorve makabër të rregjmit komunist me gjakftohtsi e objektivitet kapitujt e periudhave të gjenocidit ndaj Atdhetarve me za për nga ditunia, trimnia dhe besimi në Zot! Me urrejtje dhe hakmarrje nuk rehabilitohet klasa e të përsekutuarve, të burgosurve e të torturuarve dhe atyne që i kan vdekë familjarët ndër burgje dhe në duart e xhelatve hetuesa.
Mendoj që kjo lloj shkrimit të vehen si leksione para bangave të gjitha niveleve të shkollave sepse aty ka vetëm edukim me të verteta e historis së kalueme nga nji zonjë heroike që i mbijetoi ferrit me aq zgjuarsi, formim patriotik e fetar ,…
Jemi shum të uritun prej Librave të zj. Vilhelme Vrana Haxhiraj!
Faleminderit Zj. Vilhelme Vrana Haxhiraj!