Graz, me 7 Dhetuer 1952
I dashuni Mik,
Letren tande e mora dje e mejherë po vêhem me të pergjegjë, mbasi edhe vetë nuk po due me dalë i gjatë kso here.
Ktu në Graz jemi gjithsejt kater Shqiptarë: prof. Krist Maloki, i nenshkruemi dhe dy studenta shqiptarë. Njani nder to quhet Angjelin Kujxhija e âsht prej Shkodret, pra katholik. Tjetri quhet Fejzi Domni, edhe ky âsht prej Shkodret, por i kaluem mâ vonë në Tiranë. Me folë flet krejt si Shkodranë. Ky âsht i biri i nji hoxhës e shokët e thrrasin hoxhë. Të dy kta janë kund 27 vjeça e kanë ardhë në Vjenë qysh në 1944, pra janë gjetë kndej në kohen kúr armata e Balkanit e liroi Shqipnín, deshta të tham e la Shqipnín. Të dy studjojn medicinë ktu në Graz. Angjelini âsht krejt fukará e nuk ka kurrgjâ posë shpirtit. Tash njâ do muej merr prej kryesís së KOMITETIT SHQIPERIJA E LIRË 10 dollar në muej. Me 10 dollar ai nuk mundet veç me pague qirán kû gjindet. Fejzi Domni ka kenë nji vjetë n’ Amerikë e tash ka kthye prap në Graz e don me vijue studimet në medicinë. Pare ka boll, sa qi vetë çuditem se si ai ka lânë Ameriken e ka kthye në Graz.
As njani as tjetri nuk kanë interesë per gjuhë, prandej as vetë nuk dij se shka të tham per punë të librit t’and, dmth a t’ju a dergojsh ktyne apor jo. Angjelin Kujxhija nuk âsht në gjendje me i a hjekë asnji qindar gojës as per nji liber, as per ata të landës qi i duhet me xânë. Sa per tjetrin, nuk e dij se shka të tham. Malokit tash i a permendi punen e librit t’and, por nji herë nuk ké pse më dergon mâ teper se nji kopje, sa per vedi, pse vetë drue se as Maloki nuk vullnohet me harxhue pare per nji liber, pse ai âsht msue me i marrë librat shqip gati perherë falë.
Adresa e Marlekajt n’Australí âsht kjo: “Mark Marlekaj/ 149 Victoria Parade, Fitzroy 6/ MELBOURNE, Vic. (Australia)
Mos e harro edhe P. Jakob Marlekaj në Bologna.
Shum interesant, për mue qi mbledhi thânje e fraza të popullit shqiptar, ajo thânja në Krujën tande: “Qoftë mâ i madh se âsht!” Ket frazë nuk e kam ndie kurr e mue më duket fort e kthelltë e kuptimplote. Si thue edhe vetë, Anton Paluca ka pasë verté nafakë të madhe me gjith farefisin e vet qi ka lanë Shqipnín. Në ket rasë po t’a bâj nji pyetje, pse po hîn taman ktu. Kur Gjermant lán Shqipnín, shka âsht kenë qi shum Shqiptarë, fort të komprometuem, nuk e lán Shqipnín, si p.sh Anton Harapi e Lazer Shantoja e sá e sá tjerë? Kta qi janë kenë aq fort të komprometuem, shka kanë shpresue kúr u erdh e mbramja Gjermanvet? A kanë mendue se po vjen me i librue Hinglizi, apor shka kan mendue qi u ndalen në Shqipní, në vend qi me hikë me rob e robí? Ket pikë tash m’a tfillon në letren e ardhshme, pse m’intereson me e dijtë.
Sa per at shumë të vogel qi më ké borxh, paske bâ mirë qi paske zgjedhë ket rrugën e dergimit të pareve me postë. Ket rrugë kam pasë edhe vetë nder mend me të paraqitë, por, kúr e pásh letren e mbrame të cenzurueme, at herë thásh se nuk ka me hecë, pse nuk mund të dergohen pare perjashta. Edhe prej Austrijet âsht e ndalueme me dergue pare perjashta, pse letrat e porosituna janë të kontrollueme e do të dorzohen të çiluna në postë. Arsyeja: per të kontrollue a jânë banknota mbrendë. Nder letra të thjeshta mund të dergohen pare, pse kurrkush nuk i kontrollon. Edhe prej Ameriket nuk do t’ishte kenë nevoja qi të më dergohen paret me leter të rakomandueme, por tash, mbasi i paske pasë shkrue djalit t’and, kot se ndrrohet mâ kjo punë. Paret do të më kishin rá në dorë edhe me nji leter të thjeshtë, e kshtu do t’ i kishte kursye djali i yt do pulla.
E kúr po kalon ti n’Ameriken e madhe e bujare?
E si po e kalon Kerçiku n’Amerikë? Kam ndie se edhe ai e ka menden me kthye dalë n’Austrí, a âsht e vertetë? Po të kthehet ai, nuk kishem per t’u çuditë, pse grueja e tij âsht prej Graz-it e i ka prindt ktû. Vetem per Fejzi Domnin bindem qi ka lânë Ameriken e ka ardhë persrí n’Austrí.
Letra shkoi në fund e dhe vetë po e kpus me kaq. Ndoshta nuk më bjen rasa me të shkrue deri në kallnduer, prandej po t’a uroj qysh tash vjetin e rí 1953.
Shum shndete e gjith të mirat t’uron.
I yti nga zemra
- P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 21/ XII/ 1952
Mik i dashun,
Kjo âsht përgjegj’ e s’ates me 7 të këtij e letr’e urimeve të mija mâ të përzemërtavet për Krishtlindje e mot të ri.
Çudë si e paskam marrë vesht keq, sikurse ata dy studenta shqiptarë qi janë aty t’ishin dý studentesha! Interesante fort ato tfillime qi më shkruejshe për njanin sish. Por… ç’po na duhet?
Librin, tý e miqve të tu Marlekaj tash ju a nis shpejt e dorë për dorë tý njiherë po të dërgoj fotografinë t’eme qi t’a kam dam’e ruejtun këtu ka mâ se nji muej. Ke për t’i thânë dikur ndokuj: “Âsht e mbrapmja fotografí e Mustafa Krujës, mbasi vështirë se ka me më ramë me nxjerrë mâ.
Po, ajo frasa krutane âsht njimênd e thellë, e mbasi mblidhke fraseologjí popullore, po të diftoj qi flitet gjithnji për rasa e për punë para të cilavet mêndj’ e njeriut shtâng; shpesh herë frasa i drejtohet fill Perëndisë: “Qofsh mâ i madh se je, mre Zot!” E përdoret edhe në rasa ankimi për të liga qi na bien mbë krye e qi s’na duken të drejta.
Për Shqiptarët e komprometuem me dý regjimet nën pushtimet italjan e gjerman qi mbetën në Shqipní, s’ka njeri qi s’e ka vramë e s’e vret mênden gjithsa herë bie me folë mbi fatin e tyne. Mbas mendimit t’em s’ka burrë në botë qi mundet me dhânë nji spjegim të bindshem, sidomos për disa prej tyne, e janë shumica, posë atij qi besoj vetë : ashtu ka qênë vullnet’i të Lumit Zot e s’ka tjeter! Te na thonë: “e ka thërritun exheli”, nji frasë arabishte thotë: “Kur don me ardhun kazaja (kazá: arrêt immuable de Dieu; destin, sort), të mbyllen sŷtë”. D. Lazër Shantoja do të nisej bashkë me mue, dy muej para turmës qi ndoq trupat gjemane në të tërhjekun. U ndal, si me thânë, në minutën e mbrapme, pa asnji shkak t’arsyeshëm. Tha se kishte mik gjeneralin Fitztum e tash ikte me tê. Por s’iku mbandej as me tê as me shokë tjerë. D. Lazri, qi kishte ndoshta mâ tepër anmiq se un e qi ishte i sigurtë se do t’a gjênte kund nji famullí në botën katholike, sikur e pat pasë gjetun edhe parandej në Zvicer. Por s’kisha me mbaruem kurrë me ksi shêmbujsh. Shumë janë ata qi u rrêjtën se po vijnë e i shpëtojnë inglizët, por edhe mâ shumë ata, qi s’kishin shka pritshin të mirë as prej tyne. Ikën krenet e Ballit Kombtar e të Legalitetit, e si mbandej me ndêjtun në shpresë t’Inglizvet ata qi s’kishin luejtun asnji gisht dore për ta, madje qi kishin vepruem kundra politikës së tyne? Vetëm pse i kishte thërritun exheli.
Un s’jam aspak i sigurtë se kam për të mujtun me shkuem ndonji herë n’Amerikë. E kishte me më ardhun mjaft keq po s’mujta me u bashkuem me t’im bir. Por gjâ mangut s’i kam lânë punës, e pra le të bâhet si të ketë thânë Zoti. Kërçiku (Ingj. Hajdari qi njeh ti e për të cilin je tue më pyetun) s’e çon keq atje; ka gjetun punë sa me sigurue jetesën e familjes e sigurisht do të vejë tue e përmirosun gjêndjen ; por si po duket, e shoqja, bijë e vetme e prindve të saj dhe e rritun në nji tjeter klimë morale e me nji mendsí krej të ndryshme nga ajo e Amerikanvet, po e ka të vështirë me u adaptuem me jetën e re. Me gjithë këtê, s’kanë ende ndonji vendim të premë; madje un kujtoj mâ fort se kanë me qëndruem atje.
Me zêmër miku përsris urimet e mija e tu mir’u pjekshim me letrat qi vijnë.
Mustafa
Komentet