Faslli Haliti është një poet i shquar i letrave shqipe, që paraqitët me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm edhe në këtë libër të ri me poezi e poema të titulluar «Dielli dhe rrëkerat». Si edhe në lbrat e tjerë edhe në këtë libër Haliti, nuk është i ngjashëm me askënd, është plotësisht dhe thellësisht vetvetja.
Vetë krijimtaria e tij madhëron të thjeshtën dhe të vërtetën.
Në poetikën shqipe kish ndodhur një ndryshim konceptual i madh. Ismail Kadare kishte ndryshuar sistemin figurativ poetik, ndryshim ky tepër i veçantë dhe i guximshëm, mbas ndryshimit epokal, që beri Migjeni në vitet 30′. Të gjithë poetët e rinj, merrnin frymë, duke ndjere dhe shqisuar erën e ndryshimeve poetike, sipas përmasave të talentit vetjak. Është e habitshme, por tepër interesante të themi se, poetët e rinj ishin të rrezikuar të binin në ndikime, apo dhe në imitime, për t’u vetëparaqitur si modernë.
Faslli Haliti qe ndër të paktit poetë, i cili që në fillim synoi origjinalitetin dhe jo imitimin, konstruktoi vetveten, për të mos qenë i ngjashëm. Ky projekt përbën thelbin e tipologjisë krijuese të Faslli Halitit. Që në fillim poezitë e tij përfaqësonin fragmente të një moderniteti jo të sforcuar, larg komplekseve, apo kultizimit të modeleve paraardhëse. I çliruar nga komplekset, Faslli Haliti, krijoi stilin e tij, meritë kjo historike. Faslliu është ai, që është i papërkulshëm, unitar në idetë e tij, por edhe i paimitueshëm në stilin e tij. Ai ndoshta mund të jetë i vetmi poet shqiptar, që mund t’i botojë poezitë pa i nënshkruar, por që të gjithë e kuptojnë, se i ka berë vetëm ai dhe askush tjetër.
Përditshmëria, jeta e gjalle “Contagium Vivu” ( “Kontakti i Gjalle”) ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe sot në librin e ri poetik «Dielli dhe rrëkerat», vizioni i botës për Faslliun. Kjo përditshmëri lidhet me vendlindjen e tij, me Lushnjën, me token, me natyrën e gjalle, të kërthneset, potenciale, plot të papritura figurative dhe metaforike. Faslli Haliti, kurrë nuk ka mëtuar arratisjen ideore dhe përmbajtjesore në lashtësi, as në mistiken misterioze, ai nuk e parapëlqen temën okulte, as vjeljen e strukturave të çuditshme dhe hermetike. Këtu qëndron humanizmi i tij i madh, humanizmi i përditshmërisë, i patosit të tij të gjithanshëm, të ecjes me dituri e kulturë drejt progresit. Ka poetë që e mallkojnë përditshmërinë dhe synojnë botën e epërme, madje mërgojnë edhe në futuristike, për të shprehur kështu protestën e tyre të thekshme ndaj përditshmërisë ambikuide, të dyshimtë. Faslli Haliti është poeti, njeriu krijues, që e shikon ndryshe përditshmërinë. Me guxim i zbulon paradokset e saj, ka një demokraci të lindur dhe të gjere të motiveve. Nuk e ndan botën e gjalle në dy pjese: në atë që pëlqehet dhe në atë që nuk pëlqehet. Instinkti dhe ndërgjegjja e jetës të ky poet janë të plotfuqishme.
Por përditshmëria e tij ka një karakter të thelle filozofik. Ai i bën monument të thjeshtë, por dihet, që e thjeshta nuk është gjithmonë e thjeshtë. E thjeshta e vërtetë, është e ndërlikuar, polivalente. Poeti zbulon semantikat inkandeshente, përplasëse me njëra tjetrën. Ai nuk ngurron të hyjë në dialog me botën, me gjithçka, madje dhe me perënditë, duke bërë kriticizmin e teogonisë, duke na dhënë kështu kozmogoninë e tij poetike, ku njeriu është qenia me tragjike, por dhe me madhështore, ku sistemet politike janë të lëvizshme si dekoret e një teatri, por përtej butaforive ngrihet lart shpirti i njeriut që njëson poezinë me lirinë, artin me dinjitetin, që lufton të Keqën, të Dëmshmen dhe i jep fuqi të shpirtit dhe gjakun e tij të trupit të Mirës dhe të Bukures.
Kjo mund të na çojë drejt një përkufizimi më origjinal të së vërtetës si zbulim. Në ketë pike vepra e artit shfaq me shume sesa anën e saj të dukshme, kurse ana e padukshme nënkuptohet, artikulohet emocionalisht dhe mendërisht. Ajo që ekziston në vargje është, shume me tepër sesa kaq. Subjekti krijues është dhe objekti krijues, thelbësorja në krijim është lëvizja me koncepte të fuqishme të zhvillimit, duke parakuptuar kështu rendin konceptual të ëndrrës, apo projektit artistik të autorit.
Stili i Faslli Halitit i takon estetikes natyrore dhe jo estetikes artificiale. Është e vërtetë që njeriu lind esteticien, mund ose nuk mund të behet poet. Çdo vlerësim i botës edhe tek njeriu me i rëndomtë ka karakter estetik, pavarësisht nga kuotat e lartësisë. Poeti lind për ta vërtetuar ketë gjë. Faslli Haliti ka lindur për të krijuar artin e tij. Është vendi të theksoj, se Faslli Haliti është një poet lakonik, stili i tij është ai i proverbave, që bartin mençuri të madhe në fjalët e shkurtra. Poezitë e Faslliut janë si miniatura dramatike, ku hetohet dhe nuk mohohet kontradikta. Stili i tij është muskulor, ndërtimi i poezive mbaron me një varg të formës se epilogut. Vesku i epigramave është në laboratorin krijues. Poeti ruan koherencën, por jo njëtrajtshmërinë. Poezia e Faslli Halitit, mund të klasifikohet si një poezi modernë, pa paraardhës dhe pa pasardhës. Duke mos qenë i imitueshëm, ai është i vërtetë deri në fund.
Dogmat e realizmit socialist, dëmtuan, por qenë të pafuqishme për t’i rrënuar, thërrmuar, pluhurizuar dhe zhbëre këto individualitëte.
Dua ta mbyll ketë vështrim paraqitës me thënien latinë: “Suus cuique mos” (“Secili ka natyrën e vet”). Edhe Faslliu ka natyrën e tij edhe në këtë libër të ri që po paraqet për botim.
Komentet