Sot kur po përkujtohet Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në rastin e ndërrim të jetës së tij 17 vjet më parë, në KlanKosova emisioni “FAKTE me Adnan MEROVCIN” i është kushtuar në tërësi jetës dhe veprës së tij.
Pas rrëfimit ekskluziv të nënës së Ibrahim Rugovës më 1993, Sofë Rugova dhe djalit të axhës së tij, Rrustem Rugova, është publikuar për herë të parë edhe fjalimi i Rugovës më 1998 pas masakrës së Prekazit mbi familjen Jashari. Gjithashtu, janë publikuar edhe disa pamje ekskluzive të dëmeve mbi Kullat e Jasharëve.
Në këtë fjalim Rugova kishte dënuar ashpër sulmet e forcave serbe me pasoja të përgjakshme mbi regjionin e Drenicës, duke njoftuar edhe për masakrën në Prekaz. Ai gjithashtu atë kohë dëgjohet t’i kishte bërë thirrje përsëri bashkësisë ndërkombëtare që të marrin masa preventive në Kosovë, ndërsa kishte paralajmëruar që po atë ditë do t’i bënin thirrje edhe Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian që të marrin hapa të shpejtë preventivë në Kosovë.
“Ataku i djeshëm i forcave policore ushtarake serbe në Drenicë mbi popullatën civile solli edhe rreth 20 viktima të reja. Sot kemi informata se vazhdon sulmi në fshatin Prekaz. Kjo është masakra e dytë gjatë javës mbi popullsinë e Drenicës dhe të Kosovës. Siç e dini në këto masakra u vranë shumë shqiptarë të pafajshëm. Këto sulme mbi regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës. Dënojmë ashpër atakun e djeshëm me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes”, dëgjohet të ketë thënë Rugova.
Gjithashtu, ai kishte përsëritur apelin e tyre ndaj presidentit Clinton, kryeministrit britanik Tony Blair, presidentit Shirak që të bëjnë krejt çka është e mundur që ta shpëtojnë popullin e Kosovës.
Po ashtu, kishte përshëndetur të gjitha reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare që kishin dënuar masakrat në Drenicë.