Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës bëri të ditur se Agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings, ka dhënë vlerësim kreditor ‘BB-’ për Kosovën.
Vlerësimi kreditor mat aftësinë e Qeverisë për të shlyer borxhet e saj.
“Ky vlerësim kreditor do të shërbejë si një pasaportë për Kosovën për çdo investitor të huaj që është i interesuar që të shohë se a ia vlen të investohet në vendin tonë. Po ashtu do të ndikojë në uljen e kostos së financimit, që rrjedhimisht do të ketë mundësi më tepër për financim për bizneset tona”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një video-deklarate të publikuar në Facebook.
Kjo është hera e parë që është publikuar një vlerësim kreditor për Kosovën.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo po ashtu “merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera”.
Shkalla e vlerësimit të kredive sovrane: Ku qëndron rajoni?
Shkallët e vlerësimit të kredive nga Fitch bëhet duke përdorur kategoritë: AAA (Cilësia më e lartë e kredisë), AA (Cilësi shumë e lartë e kredisë), A (Cilësi e lartë e kredisë); BBB (Cilësi e mirë e kredisë), BB (Spekulative), B (Shumë spekulative), CCC (Rrezik i konsiderueshëm i kredisë), CC (Nivel shumë i lartë i rrezikut të kredisë), C (Pranë mospagesës), RD (Mospagim i kufizuar) dhe D (mospagim).
Një + dhe – shtesë nga kategoritë AA deri në CCC nënkupton dallimet relative të mundësisë së mospagimit ose rikuperimit.
Shqipëria ka nivelin e njëjtë sikurse Kosova, me vlerësim kreditor BB-, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë vlerësimin BB+, Bosnje e Hercegovina ka B+, ndërkaq Kroacia ka BBB+, Gjermania ka AAA, Italia BBB, Greqia BBB-, kurse Pakistani CCC+.
*Shënim: Vlerësimi i këtyre shteteve mund të jetë bërë nga agjenci të tjera të vlerësimit.
Në vlerësimin kreditor merren parasysh shumë faktorë ekonomikë, financiarë, institucionalë e politikë, andaj ai tregon nëse shteti ka qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare.
“Ky vlerësim kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare”, tha Ministria e Financave.
Vlerësimi Kreditor për Kosovën është mbështetur nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Radio Evropa e Lirë