George Trakli u lind në 3 shkurt më 1887, në Salcburg, në Austri.
Qe i gjashti fëmijë nga familja e tregtarit të hekurishteve, Tobias Traklit me gruan e tij të dytë, Maria. Fëmijërinë e kalon në qytetin e lindjes.
Në gjimnaz, nuk e kalon klasën e gjashtë, i ati e regjistroi për të mbaruar një kurs trevjeçar për farmaceutikë.
George Trakli aktivizohet në shërbimin ushtarak, në spitalet e frontit.
Shkruan poezi ethshëm dhe me një imagjinatë të hatashme, me një pikëllim dhe trishtim kozmik!
27 vjeç, midis 3 dhe 4 nëntorit 1914, vdes, nga një dozë e madhe droge.
Eshtrat e poetit prehen në varrezat e bashkisë Myhlan, në Insbruk.
George Trakli është një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX të Europës dhe botës. Ai është simboli më inkandeshent i ekspresionizmit.
Më poshtë po botoj Parathënien time, për librin me poezi të George Traklit si dhe letrën e Dritëro Agollit që më shkruan mua, pikërisht për Traklin.
George Traklin
PARAFJALË
I
Përherë më ka shqetësuar ankthshëm deri në dhimbje motivi i shpërfytyrimit, d.m.th. i metamorfozës.
Proteu është heroi mitologjik, që mund të shndërrohej nga forma njerëzore në forma të ndryshme kafshësh, shpendësh, madje dhe në zjarr dhe në ujë.
Zeusi kur e dashuroi Dananë u shndërrua në një shi të artë, kurse hyjneshës Leda iu afrua në formën e një mjellme.
E çuditshme është, që subjekti i fundit i Ledës dhe i Zeusmjellmës është fiksuar në vulën sekrete të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ja një sekret gnostik më tepër se sa heraldik.
Një kryevepër e Onufrit është ikona e quajtur „Shpërfytyrimi“ që tregon Krishtin që kur hipi në malin Tabor (nuk tingëllon paksa si Tomor?) u kthye në një qenie njerëzore jo prej mishi por prej drite të hatashme.
Motivi i shpërfytyrimit ma ka torturuar fantazinë, por dhe më ka tërhequr deri në rraskapitje. Princi Buda dhe filozofi Pitagora thonin shpesh se dikur shpirti i tyre kishte qenë në formën e qenieve të tjera të mëparshme. Kështu lindi ideja e metapsikozës ose e metamorfozës panteistike. Këto mendime më janë thandruar në trup, por gjithmonë në një gjendje lëvizjeje të pakuptueshme.
Mendoj, që atributin e shpërfytyrimit përveç hyjnive e kanë dhe poetët.
Shpirti i Homerit ka lëvizur në forma librash të ndryshëm në gati të gjitha gjuhët e planetit.
Buzuku në 1555 qe metamorfoza antropomorfe e formave të dikurshme të profetëve biblikë por në substancën e gjuhës shqipe.
Çdo përkthim është një mbijetesë. Parapëlqej fjalën shqipërim.
Është më e bindshme, është me e kapshme, është më intriguese, është më shqetësuese dhe padyshim është më paqesjellëse.
Shqipëruesit, pa e ditur dhe ata vetë zotërojnë atributin e shpërfytyrimit si një univers simfonik të së njëjtës materie kozmike ose miniaturike.
II
12 gusht 2002, ora 10 e 17 minuta.
Më merr në telefon Dritëroi.
Më thotë se ndodhet me Sadien dhe Anën në plazhin e Durrësit.
I takoj në muzg. Dritëroi hapi dy shishe verë të purpurt.
„Është verë e mrekullueshme Moikom, nuk duhet të vdesim pa e pirë këtë verë“. Timbri dioniziak i Dritëroit nuk është zbehur, as dëshira e tij e pafundme për të jetuar. Shikonim detin Adriatik, më të përralltin dhe magjikun det në botë.
Në gazetat e ditës qe botuar një lajm tronditës.
Një student shqiptar në Itali kishte vdekur mjerueshëm dhe fare kot në një aksident. Prindërit e studentit bënë një akt të pabesueshëm. Ata pranuan që organet e djalit të vdekur të dhuroheshin për transplantime për disa të sëmurë që rrezikoheshin dhe ata për të vdekur. Na tmerroi indiferenca e mediave italiane, madje dhe mosmirënjohja, një shpërfillje e tmerrshme.
Por organet e trupit të shqiptarit tashmë do të ndaheshin në gati dhjetë trupa të tjerë, që do të vazhdonin të jetonin. Në një formë të papërfytyrueshme djaloshi shqiptar qe bërë pjesë përbërëse e dhjetë trupave njerëzorë.
Kjo parabolë nuk është e shpikur.
Askush nuk ka të drejtë të tregohet skeptik.
Mjaft më me fabulën e zvetënuar të humanizmit!
Sfida e të vdekurit është qortimi më madhështor, gati si Gjyqi i Mbramë, i pikturuar plot metafora apokaliptike nga Mikelanxheloja.
Fill pas një diskutimi të mundimshëm për këtë ngjarje Dritëroi më tregoi disa dorëshkrime të tij dhe në këtë çast me një zë të zbehtë dhe misterioz më tha se kishte shqipëruar poezitë e Georg Traklit.
Atë natë nuk më zuri gjumi.
Shqiptari i vdekur në lule të rinisë më njehsohej me imazhin e Georg Traklit.
Ndoshta poezitë e Traklit, nga dëshirë e epërme e historisë dhe e artit i kishte bërë të ngjashme me organet njerëzore për t’u transplantuar tek trupat e lexuesve të të gjitha moshave, popujve dhe gjuhëve.
III
Moikom Zeqo
Më kujtohet shpesh një takim që kam pasur në kabinetin e Aleks Budës në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Ishte vera e vitit 1978.
Unë kisha organizuar një ekspeditë arkeologjike nënujore në Karaburun dhe në Gjirin e Gramatës.
Shkova të firmosja një shkresë tek Aleksi.
Dijetari i thinjur pasi e firmosi shkresën më pyeti se çfarë po lexoja. I thashë se po lexoja Rilken. „Sonetet e Orfeut“.
Më pyeti se si më dukej ky poet.
I thashë se është një poet i mirë por nuk më pëlqen dhe aq shumë (mendim që fatkeqësisht e kam akoma dhe sot).
Aleksi u tkurr.
Befas u gjallërua.
Më uli pranë vetes dhe filloi të më fliste mrekullisht për Rilken, poetin më të madh lirik që kishte njohur në rininë e tij.
Ç‘fatkeqësi që nuk kisha me vete një aparat incizimi.
Mendimet e Budës m’u dukën të pabesueshme dhe me një finesë princërore. Prej tij dëgjova për herë të parë dhe emrin e Georg Traklit.
I rikthehem shpesh këtij kujtimi të shenjtë për mua.
Ligjërimi i Budës më ka ndjekur në vite, pastaj kam risjellë në përfytyrim gotët e lashtë që kanë qenë në lashtësi në brigjet e Ilirisë, madje dhe në Durrësin tim.
Sillja ndër mend peshkopin got Uiflli të shekullit IV i cili pikërisht në brigjet e Ilirisë bëri përshkrimin e Biblës së Shenjtë në gotisht por në formën e herezisë së Ariusit.
Dija ndërkaq nga studimet etimologjike moderne se fjala „Deutch“ qe përdorur për herën e parë në oborrin e Karlit të Madh dhe rridhte nga emri i lashtë „Thiuda“, dmth „Teuta“ që do të thotë popull, komunitet, bashkësi njerëzore.
Dija gjithashtu se Gëtja gjatë udhëtimit të tij në Itali kishte dëgjuar në një shkollë ku mësohej për teologji në Romë edhe një student shqiptar që për nder të tij kishte recituar dhe një poezi në shqip.
Kur kam lexuar romanin e Gëtes „Udhëtimet e Vilhelm Maisterit“ jam habitur që kam gjetur aty shtjellimin e mitit të Melusinës së ardhur nga brigjet e Albanisë, Shqipërisë.
Të gjitha këto përkime përbëjnë një kaleidoskop dhe në këtë kaleidoskop tashmë është ndërfutur si një substancë prej ylli edhe emri i Georg Traklit.
Kam dhe një arsye vetiake të pamohueshme: kam botuar dikur një tregim për arkitektin e madh vienez Adolf Loos.
Ky arkitekt ka bërë projektin e një vile për Aleksandër Moisiun që e kishte mik në Lido të Venedikut.
Projekti nuk u materializua asnjëherë.
Georg Trakli i ka kushtuar një nga poezitë më të frymëzuara Adolf Loosit.
A e ka njohur Aleksandër Moisiun?
Ah sikur të ringjallej Moisiu ynë dhe t’i shkruante ai këto rreshta për Traklin.
IV
Palimpsest i Traklit: Erdhi Magu i Bardhë për të na thënë përralla, lopa ëndrra sheh dhe vjeshta e djegur është plot merimanga, anija e argjendtë sjell pas vetes karvanin e sëmundjeve të përgjakura dhe nga dhomat e errëta engjëjt dalin me njolla kalbësire në krahë, me sandale të arta shkasin jetët e dikurshme, korbat janë kortezhi funebër, por kudo në heshtje hapen sytë e fosfortë të Zotit, atje ku vuan e trishtuar mëllenja dhe fëmijëria jetoi në shpellën e kaltër, o engjëll i zi që erdhe heshtur nga gjiri i drurëve, shpirti këndonte vdekjen, kalbjen e gjelbërt të mishit, o gjak që vrapon nga gryka këngëtare, me frymë egërsire errësira vjen erë, hije të thurura me shufra Hëne, psherëtimat tuaja thyhen në kristalin e shkretë të liqeneve malorë, një motër e erës fluturon e hazdisur, kuaj të zymtë vrapojnë, ferra kaçurrele del nga guri, fytyra grash më shfaqen duke feksur si vizatime larg në horizont, në ujërat e muzgëta peshku hedh valle – o çast pikëllimi, muzg shpirtëror në kaltërsi, mbi vetullat e bardha të të vdekurit mirti lulëzon, jam unë dhe vrasësi i vetes sime, duke u ngurosur në përqafime, pellgu është plot triton dhe flokë zambakësh, por kur do të thërrmohesh ti fytyrë fantazmore – në shkallët e vdekjes u copëtua mishi i qenies, ëndrrat duart dredhin dhe përdredhin, kur thonjtë e natë fytin tim e çjerrin, të vdekurit në varr mermerin kapin me gishtërinj dhe gratë e zbehta me gjijtë i presin dhëndurët qiellorë, engjëjt e kristaltë tingëllojnë lajthishteve, se floriri i ditës ndryshket, ajme, ndrisin në shteg hapat e dashurisë së ndaluar, rozedat mbushen me dridhje të freskëta shpirti, këmbanat me kërbaçin e tyre magnetik qëllojnë erërat, ura, ylberi i metaltë qan nga treni, Menada e pangopur mes muzgut copa mishi do të gëlltisë me gjirin e pisët të kënetës sulfurike, shpatat e zeza të Gënjeshtrës gërvishtin Portat e Hekurta, goja jote e trëndafiltë e dashur digjet si plagë në trupin e qenies time, të tremb katastrofa e racës njerëzore, vetmitarit do t’i gjelbërojnë tëmthat, në muzg Saturni fatet i var në peshore, ne jemi skifterët e pikëllimit, furtuna tund skeletin e fenerit dhe përhapet si thërrime ari kockat e fëmijërisë…
V
Georg Trakli është një nga poetët më të mëdhenj të botës që i takon rrymës së ekspresionizmit. Impresionizmi ka të bëjë me mbresat. Kurse ekspresionizmi lidhet me një subjektivitet dhe autonomi të mbresave për t’i kompozuar.
Në fillim të shekullit XX esteti gjerman Herman Bari pa disa piktura të Ludvig fon Hofman. Në njërën qe një dru i kuq – simbol i një ngjarjeje vendimtare në art. Për Barin ngjyra e kuqe e drurit si atribut pikturik i drurit nuk është vlera ndijore as abstraksion simbolik, është një ekspresion subjektiv dhe i epërm.
Për ekspresionistët arti nuk imiton natyrën, teoria e Aristotelit për Mimesin bie dhe humbet. Për natyralizmin është mimetizmi, për simbolistët është ezoterika, për ekspresionistët ndjeshmëria artistike është një dukuri enigmatike.
Kështu lindën fovistët Kirner, Nolde, Shmid dhe më pas artistët e penelit Kokoshka, Kandinski dhe Pol Kle.
Poeti bashkëkohor i Traklit, i quajtur Gotfrid Ben flet për Evropën ekspresioniste“, ku krijimi ka gjuhë të çliruar nga funksioni mimetic, se midis realitetit empiric dhe realitetit artistik realiteti i parë është pasiv kurse i dyti është gjithshka. Kështu ekspresionistët arritën deri tek vënia në dyshim e funksionit komunikues të fjalëve, te një asemantizëm i qëllimshëm, por tingëllor.
Patetika e ekspresionizmit është vuajtja, kurse ekstaza është emblema e tyre heraldike. Kemi pakufishmërinë e imagjinatës ku heronjtë e ekspresionizmit nuk janë psikologjikë por mitologjikë. Ata arrijnë kështu tek ideologemat.
Flasin për të kremten e seksit.
Ankorohem te emërtimi i quajtur „Dammerung“ që tregon një gjendje të dyzuar të kohës as perëndim, as agim, as muzg.
Georg Trakli nuk është kalorës dhe as profet i utopive shoqërore, në bashkësinë e ekspresionistëve ai është një lirik i vetmuar larg bujës letrare, larg publicitetit metropolitan. Natyrë jashtëzakonisht e ndjeshme ai ka një ind kozmik të fjalës.
Librin e parë që botoi në 1913 ai donte ta titullonte „Perëndimi dhe rrënimi“.
Ai reflektonte gjendjen pesimiste ndaj qytetërimit perëndimor, gjë që e ka shprehur në librin e tij tronditës « Rrënimi i perëndimit » filozofi Osvald Shpengler (1880-1936).
Sipas tij qytetërimi ishte i sëmurë dhe ishte larguar nga origjina e tij e mirëfilltë ekologjike dhe primitive.
Interesante është që Konica ynë, bën një koment për librin e Shpenglerit.
Franc Nopçja një gjeni i vërtetë ka lënë në dorëshkrim një libër me poezi të tij ku mendon se rëndimi i kulturës perëndimore është i pashmangshëm dhe vetëm në malet e Shqipërisë mund të gjente një romantikë ringjalljeje.
Këtë ndikim ka dhe poezia e famshme e Migjenit « Këngët e Perëndimit ».
Më furishëm filozofi Niçe më kryeveprën e tij „Kështu foli Zarathustra“ shpalli se zoti ka vdekur dhe se raca njerëzore është zvetënuar dhe duhet të krijohet Mbinjeriu.
Mbinjeriu është Mesia i vërtetë, është Shpëtimtari.
Ndaj Trakli shkruan:
Por në shpella me djersë të përgjakur,
Mundohet e heshtur raca njerëzore,
Nga metalet e forta bëhet matrica e emblemës së Shpëtimtarit
Edhe Migjeni ynë klithte „Të lindet Njeriu“.
Ideja e mesianizmit ka qenë thelbi i krishterimit madje dhe i socializmit.
Kjo krijoi të ashtuquajturën inxhinieri sociale ose utopinë e programuar.
Pak a shumë e ngjashme është dhe inxhinieria gjenetike, apo eksperimentimi ambikuid i klonimit. Karl Poperi është tallur me këtë utopizëm, ndonëse zanafilla e tij është që nga Platoni.
Por le ta lemë historinë ta rregullojë vetë të ardhmen e saj.
T’i rikthehemi poezisë si një status mesianik i një rendi krejt tjetër, jo i rendit kronologjik, as teknologjik por i rendit shpirtëror.
Trakli i përket rendit shpirtëror. Ai është i tmerruar nga trysnia e mediokritetit dhe shkatërrimi i racës hyjnore të njeriut. Për të poezia është një botë pa histori, sepse është vetë histori. Fjalët kanë kode hermetike. Harmonia estetike është më e rëndësishme sesa Kuptimshmëria e saktë. Vetë Trakli ka shkruar, pak kohë sesa të vdiste „nuk di më çfarë dua, është e pashprehshme fatkeqësia kur thyhet bota dhe koha“.
Për Traklin kanë thënë se punktualizmi stilistik ka qenë një shenjë e turbullimit psikik. Unë mendoj se jo.
Trakli e ka ngjizur njeriun me natyrë, një shpirtëzim pa kufi. Poezia e Traklit ka një simultanizëm si tek ikonat bizantine por duke qenë ikonoklaste.
Tek ai herezia krijuese është artikulimi i neveritjes së institucioneve dhe botëkuptimeve të vjetra. Ai e kërkon një Shpëtimtar.
Por do t’i përshtateshin më mirë fjalët e Robert Musilit se „e donim Mbinjeriun, por edhe Nënnjeriun“.
Kohë më parë e kam bërë dhe unë shqipërimin e një poezi të Traklit.
Ja, kjo poezi:
Mbi pishinën e bardhë të peshqve
Fluturuan tufat e zogjve të egër
Nga thelbi i yjeve doli dhe fryu era e acarit.
Mbi varret tona
Ranë copat e ballit të thyer të natës,
Mbi lisat luhatet një anije argjendi,
Përherë tingëllojnë urët e bardha të qytetit,
Nën kupat e zambakëve.
O vëllai im, ne treguesit e verbër, ngjitemi drejt zeniteve të mesnatës
Një poet i vërtetë nuk ka nevojë të shkruajë më tepër se sa kaq.
Është thënë gjithçka.
Na kujtohet befas kryevepra pikturike e Brygerit që tregon një grumbull të verbërish që udhëhiqen nga një i verbër.
A nuk ka qenë kështu në shumicën e rasteve vetë njerëzimi?
VI
Mendoj se Dritëro Agolli e ka përkthyer shkëlqyeshëm poezinë e Traklit.
Nga gjithë historia e shqipërimeve në letërsinë tonë mua më kanë mahnitur shqipërimi mjeshtëror i Gjon Buzukut, i Këngës së këngëve, “Rubairat” e Omar Khajamit të Fan Nolit, “Fije bari” e Whitmanit nga Skënder Luarasi, “Poezitë kineze” nga Ismail Kadareja dhe libri antologjik “Shekulli i argjendtë” me poetët e shquar rusë nga Dritëro Agolli.
Kam çmuar sidomos shqipërimin e poezive të Bagrickit.
Mendoj se shqipërimi më i suksesshëm i Agollit është ky libër i Traklit.
Kam biseduar shpesh me Dritëroin për sekretin e shqipërimit.
Dritëroi mendon se shqipëruesi duhet të dijë shumë më mirë gjuhën amtare se sa gjuhën e huaj.
Ai më ka treguar një hollësi, kur Çukovski përktheu Whitmanin në rusisht një varg nuk tingëllonte mirë ndonëse besnikëria e shqipërimit qe e saktë.
Majakovski që nuk dinte anglisht i tha Çukovskit se vargu duhet të qe shqipëruar ndryshe, duke iu afruar kuptimit të vërtetë të Whitmanit më tepër se sa Çukovski.
Kjo hollësi flet jo për trupin e poezisë por për shpirtin e saj.
Është rasti të citoj një mendim të estetit të mrekullueshëm Valter Beniamin: “nëse me përkthim kumtohet afërsia e gjuhëve, kjo nuk arrihet nëpërmjet ngjashmërisë së vargut mes kopjes dhe origjinalit, kështu përftohet mendimi se nuk është kusht që afëria të përfshihet në ngjashmëri.
Koncepti i afërisë është në përputhje me përdorimin e tij më të ngushtë në të gjitha rastet që nuk mund të përcaktohet përmes barazisë së prejardhjeve, megjithëse përcaktimi i përdorimit më të ngushtë i konceptimit të origjinës mbetet i pazëvendësueshëm, por kur kërkohet afëria e dy gjuhëve duhen përjashtuar faktorët historikë.
Në ngjashmërinë midis dy veprave ka aq shumë pak gjëra shpesh sa midis fjalëve të tyre.
Mund të thuhet se e gjithë afëria jashtëhistorike e gjuhëve qëndron në faktin se në çdo njërën si tërësi presupozohet gjithmonë njëra dhe madje po ajo gjë që megjithatë nuk është e arritshme për asnjërën në veçanti, por vetëm në tërësinë e ndërmjetësimeve të tyre në plotësim të njëra-tjetrës.
Të gjithë elementët e veçantë, fjalët, fjalitë, bashkëlidhjet e dy gjuhëve të huaja përjashtohen dyanësisht dhe vetëm kështu këto gjuhë plotësojnë njëra-tjetrën”.
Dritëroi është në këtë hulli.
Ai është një nga shqipëruesit e mëdhenj dhe të suksesshëm të kulturës sonë kombëtare, pa qenë ndonjë poliglot dhe filolog i thekur.
Ai shqipëron shpirtin dhe ia arrin kësaj gjëje.
Ai e ka rilexuar Traklin dhe na jep ne për ta rilexuar.
Dalim kështu pra, tek motivi i shpërfytyrimit dhe i metamorfozës.
Kur trupat fonetikë të gjuhëve janë të ndryshme, nga më të ndryshmet por shpirti i identitetit nuk shpërbëhet më.
VII
Letërsia e shprehjes gjermane mua më ka mahnitur gjithë jetën.
Gjatë leximeve të mia më ka tërhequr vëmendjen fakti një roli të veçantë të fantastikes me këtë kulturë.
Më ka tërhequr Hofmani me romanin e tij “Maçoku Mur”, me fantazinë si karnaval letrar dhe metaforik.
Hofmani ka qenë dhe muzikant dhe imitonte Moxartin.
Ai shkroi jetën e kompozitorit Gluk në formë përralle dhe e quajti Kalorësi Gluk. Libri i Shamisosë për Pjetër Shlemilin i cili ia shet hijen e tij Djallit më është dukur më tërheqës se sa tregimi faustian i Gëtes.
Një poet si Stefan Georgu (1868-1933) ka shkruar për perandorin romak Algabalin, në latinisht Heliogabalus.
Ky perandor nuk e përfillte ndjeshmërinë artistike.
Poeti e përshkruan atë duke ecur mes thesareve plot flori dhe diamante, duke i shkelur me urrejtje dhe neveri sepse bukuria e tyre estetike në vetvete nuk përfshinte asnjëfarë etike.
Për Georgun poezia kishte ndjeshmëri por pa pjesëmarrjen e një kuptimi social. Stili lirik i Rilkes gjithmonë mbartte një paradoks iluzor, pavarësisht se ai vargjet e tij i quante psikograme.
Georg Trakli është i ndryshëm nga shembujt e mësipërm.
Poezia e tij është një dukuri vërtet e ekspresionizmit, por ai është i dallueshëm në vetminë e tij të padiskutueshme.
Realiteti i tij është i përbërë nga realitete të ëndrrës por dhe ëndrrat e tij janë të përbëra nga elemente të realitetit.
Ai ka shkruar për mjerimin më tragjikisht se sa Bodleri.
Ai nuk shpërfytyrohet si njeri, por mbijeton përmes çnjerëzimit.
Migjeni ynë ka shkruar se “e hidhët është bota në majën e gjuhës së Kozmosit”. Trumcaku migjenian bën vetëvrasje në një peizazh ku në vend të degëve të drurëve janë brirët e kafshëve prehistorike.
Këto vizione kozmike janë të pashembullta mbase në krejt poezinë botërore. Migjeni është një bir i ekspresionizmit shqiptar por ndryshe nga Trakli ka një protestë shoqërore fisnike dhe të jashtëzakonshme.
Unë Migjenin e çmoj mbi të gjithë shkrimtarët shqiptarë por jo i nisur nga ideshmëria e tij.
Mjeshtëria konceptuale e Migjenit është më e dendura dhe më e veçanta në letrat shqipe.
Migjeni më duket i ngjashëm me Bitnikët.
Këtë vit kam lexuar vetëm poetët bitnikë amerikanë: Alen Ginsbergun, Karl Solomonin, Keruakun dhe Gery Shnajderin.
Ata krijuan poezinë më të fuqishme në mesin e shekullit XX.
Shnajderin kam pasur fatin ta takoj në Uashington D.C. në vitin 1997.
Bitnikët i ringjallën dhe njëherë fëmijët e egër të natyrës së Whtmanit dhe shpallën se qytetërimi teknologjik mund ta shkatërronte shpirtin, ndaj liria e poezisë është liria e shpirtit.
Migjeni është më afër bitnikëve se sa Trakli, por poezia e Traklit është një substancë tepër familjare në zanafillat konceptuale të bitnikëve.
Post Scriptum
5 shtator 2002: Në shtëpinë e Dritëroit.
Ai më tha se më kishte shkruar një letër të shkurtër ku thoshte se e kishte mbaruar shqipërimin e poezive të Traklit dhe ndoshta unë duhej të shkruaja diçka si parafjalë për këtë libër.
Pastaj e kishte grisur letrën dhe e kishte hedhur në kosh.
Unë iu luta që t’i merrja copat e grisura për t’i ngjitur dhe për ta kompozuar përsëri letrën.
E bëra këtë gjë dhe e ruaj si një relike të shtrenjtë.
Aty Dritëroi shprehet për konceptin e tij të shqipërimit.
Ndoshta një ditë do ta botoj.
I shkrova këto shënime sepse jam i bindur për ato që kam shkruar.
Në këtë kohë të çmendur plot paradokse politike, përmbytje shirash dhe ujërash në hartën e atdheut, plot zëra kasandrike, Dritëroit i shkrepi në kokë që të shqipëronte Traklin.
A është kjo gjë e rastit?
Mund të them se jo.
Poemën e Traklit për shën Sebastianin e kam lexuar si i nemitur duke dëgjuar një CD me muzikën e parrëfyeshme dot me fjalë përveçse me tinguj të Debysisë.
Kënaqësia estetike qe e pakufishme.
Durrës 2 tetor 2002
LETRA E DRITËROIT PËR MOIKOMIN
I dashur Moikom,
Po ta le ty librin me vjersha të Georg Traklit, të shqipëruar nga unë, – pra, po ta le, – për një parathënie, pasi në shumë anë poezia e këtij austriaku, afron me poezinë tënde -,jo vetëm në referimin e mitologjisë, por edhe në sendëzimin e abstragimit, apo të strukturalizmin, abstrakt të gjuhës në poezi.
Unë nuk di gjermanisht, por duke lexuar pa ditur, ndjej ritmin dhe tingullin e poezisë si në muzikë.
Dhe, në mënyrë të çuditshme, mendoj kështu: më mirë ta dish pak atë gjuhë nga përktheu poezi, sesa ta dish shumë, domethënë, më mirë ta dish si poet sesa si linguist (për të mos e tharë poezinë).
Fjala vjen, po të mos e dijë një poet gjuhën shqipe, duke përkthyer Lasgushin, por të dijë gjuhën e poezisë lasgushiane, ai i përkthen edhe vargjet:
Fluturoi dhe shtërg i fundit
Duke shkuar që me natë sipër malesh në dëborë.
Këtu ky përktheu mjafton të ndiejë muzikën dhe të kërkojë në fjalor fjalët: shtërg, fund, male, gjorë dhe me natë.
Të gjitha të tjerat e gjuhës pastaj i plotëson vetë.
Kështu edhe unë kam bërë me gjermanishten e Georg Traklit, doemos përmes gjuhëve të tjera. Dhe le të marr një shembull nga ti prej librit “Tempulli i Hënës”, që unë e kam çmuar shumë.
Do të marr vargjet e tua, që flasin për “Sakuntalen”:
Sakuntala, Dielli, Qielli, Toka,
Buka, Lulja, Heshtja dhe Puthja
të gjitha janë në emrin tënd
tërë emrat e botës të pasojnë,
përballë ke antiemrin Vdekje…
Edhe këtu ai përkthyes që pak e di gjuhën shqipe, por shumë e di gjuhën e poezisë, veçanërisht të poezisë tënde, mjafton të kuptojë fjalët: Sakuntala, Dielli, Toka, emri, bota, antiemri, vdekja, – i plotëson, të gjitha shprehjet poetike mes tyre si: buka, lulja, heshtja, puthja e me radhë.
Nisur nga këto që thashë, rëndësi në përkthimin e poezisë ka hyrja e përkthyesit në rrëkenë e vargjeve të poetit, që dashuron.
Përqafime
Dritëroi
15 gusht 2002
Komentet