Informacioni në Shqipëri është kthyer një domen nën kontrollin e kryeministrit të Shqipërisë që, në mënyrë implicite, i trajton shumicën e opinionistëve vetëm si klientë me rroga të majme.
Duke uzurpuar çdo shtyllë të shtetit, përfshi edhe pushtetin e katërt, Edvin Rama po e degradon Shqipërinë Londineze dhe prej disa vitesh e ka shtrirë axhendën destruktive edhe ndaj Kosovës.
Gjatë situatës më të fundit që përshkallëzoi dhunë në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë ka mbajtur hapur qendrim justifikues e në mbrojtje të Serbisë. Në Twitter e daljet e tij publike ai e ka barazuar me zero rrezikun e përqendrimit të forcave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën.
Ndërsa, sipas informacioneve të mediave, “Ushtarë, tanke dhe mjete të rënda luftarake janë grumbulluar në një bazë ushtarake në veri të Kosovës. Gjatë vizitës në bazë këtë të mërkurë, ministri serb i mbrojtjes, Milos Vuçeviç, tha që, nëse qoftë edhe një serb vritet në Kosovë, atëherë do të ketë luftë. Në bazën e Rashkës, trupat u rreshtuan para ministrit dhe komandantëve serbë, ndërsa demonstruan edhe gatishmërinë luftarake me tanke.”*
Por për kryeministrin e Shqipërisë këto kërcënime nga Milos Vuçeviç dhe përqendrimet ushtarake serbe në kufi me Kosovën janë nul.
Të njëjtën gjë bën edhe Dritan Hila, një prej opinionistëve të televizioneve të Tiranës, që luajnë rolin e portavoceve informalë të kryeministrit.
Lexuesit po i sjell dy deklarime të Dritan Hilës që përgënjeshtrojnë njëri-tjetrin.
Njëri i shqiptuar një vit më parë nga Dritare TV dhe tjetri mbrëmë tek Open TV24 që e drejton Eni Vasili.
Në videon e parë tek Dritare TV, Dritan Hila me Prof.Pëllumb Xhufin me të drejtë shprehin shqetësimin se ndërsa Serbia po armatosej deri në dhëmbë dhe kjo armatosje presupozohej me desinacion Kosovën, Shqipëria nga ana e saj është në gradën zero sa i përket armatosjes.
Në videon e dytë dje mbrëma nga minuta 1 orë e 32 ” i njëjti Dritan Hila, për të mbështetur deklaratën e Edvin Ramës se “përqendrimet e ushtarake serbe janë baraz me zero”, thotë se Serbia ka armatime skarso, “të vjetëruara, të tipit sovjetik.”
Cilin Dritan Hila duhet të besojë publiku?
Unë për vete besoj Dritan Hilën e parë.
Ndërsa Dritan Hila në deklarimin e mbrëmshëm manipulon të vërtetën.
A ka një ligj që dënon dezinformuesin, kur ky dezinformim manipulues bëhet me qëllim dhe ndërgjegje të plotë e bie ndesh me të vërtetën dhe interesat kombëtare të vendit.
A ka institucion në Shqipëri të mbrojë publikun shqiptar të mos indoktrinohen nga njerëz që shkelin çdo lloj kodi, moral dhe profesional dhe vihen me pagesë në shërbim të politikave të Edvin Ramës që janë sa antikombëtare aq antiEuroatlantike?
Po institucionet EuroAtlantike dhe të BE a kanë organizma për të perceptuar dhe ndalur çdo lloj dezinformacioni që tani shpërndahet me një shpejtësi marramendëse e që mund të precipitojë dëme të paimagjinueshme!