Këto ditë u kremtua me një konferencë të përbashkët në Tiranë në selinë e Ministrisë të Jashtme të Shqipërisë 50 vjetori i marrëdhënieve Zvicër-Shqipëri.
Voal.ch i ka bërë një mbulim të plotë përmes videos zyrtare që përfshinte gjithë aktivitetin, kemi botuar po ashtu kumtesën e Prof.Dr.Nevila Nika dhe do të vijojmë edhe më tutje.
Pala zvicerane tregoi një angazhim shumë serioz, që kulmoi me video mesazhin shumë domethënës të Ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis.
Ndërsa pala zyrtare shqiptare, meqë ka hyrë në vit zgjedhor, nuk e la që t’i shpëtonte ky rast për të demonstruar qëndrimin partiak dhe përçarës ndaj Komunitetit.
Kjo u reflektua edhe në posterin kryesor me dimensione gjigande ku ishte vendosur foltorja përballë me auditoriumin.
Posteri ishte si një urdhër që i imponohej publikut të lartë përballë që ta shihte detyrimisht se cilët “ishin shqiptarët të suksesshëm në zemër të Alpeve”!
Për të krijuar një poster që kujton 50 vjetorin dhe lidhjet shqiptaro-zvicerane përtej kësaj periudhe, do të duhej të shfletohej historia.
Në poster mund të kujtohej Sami Frashëri që thosh: “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë”.
Në Zvicër ka jetuar Elena Gjika, Andon Zako Çajupi, Mid’hat Frashëri, Faik Konica, në Zvicër prehet Aleksandër Moisiu, këtu zhvillon aktivitetin e tij Tedi Papavrami, Klaidi Sahatçi, shkencëtarë, mjekë, inxhinierë, këngëtarë, orkestrantë, bankierë, gazetarë, avokatë etj. etj.
Histori suksesi në vetvete është çdo shqiptar që jeton i integruar në Zvicër.
Por ministria e jashtme në bashkëpunim me ministrinë e diasporës të Pandeli Majkos historitë e suksesit i zgjedhin sipas kutit të PS.
I vendos partia se cilët do të jenë!
Për t’u bërë një manipulim i vërtetë përzihet me ndonjë gjysmë të vërtetë.
Si konkluzion unë po them se ky poster nuk reflekton suksesin e shqiptarëve në Zvicrën Alpine,
por rrezikun që ka komuniteti shqiptar në Zvicrën alpine nga një shtet i korruptuar, të cilit i intereson një diasporë e përçarë.
Suksesi i shqiptarëve në Zvicër është i pavarur nga partitë politike në Shqipëri,
sidomos nga partia e Edi Ramës që, prej disa vjetësh, po përdor para, gradime dhe manipulime për të përçarë dhe ndarë diasporën.
Që ky poster të ishte i vërtetë do të duhej që në të të kishte të përfshirë 1500 shqiptaro-zviceranët me prejardhje nga Shqipëria që jetojnë në Zvicrën Alpine
plus ata që kanë lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre në Zvicër.
Por kurrsesi jo të përfshiheshin në poster emra që sapo kanë vënë këmbën në Zvicër dhe nuk kanë as dokumenta të përherëshme.
Unë po marr në diskutim dy personazhe nga “polifotoja”:
Njëri për shembull, BY, është i biri i një opinionisti në Tiranë që mbështet Edi Ramën. Ka vetëm pak vjet në Zvicër.
Tjetra për shembull, AH, ka rreth 3-4 vjet në Zvicër. Nuk di as gjuhën shqipe ta shkruajë, sepse ka jetuar në Greqi.
Është me dokumenta si qytetare e BE-së.
Punoi për ca kohë në një hotel, pastaj doli e papunë dhe tani shfaqet kudo nëpër aktivitete dhe me biznese!
Është një histori suksesi fake.
Histori suksesi në Zvicrën Alpine nuk do të thotë të kesh një vend pune dhe të bësh biznes të suksesshëm, sepse ky është sukses individual.
Histori suksesi në Zvicrën Alpine nuk do të thotë të përfitosh projekte dhe fonde nga Zvicra e t’i përdorësh si rrogë për të jetuar, se ky nuk është as sukses individual.
Histori suksesi në Zvicrën Alpine do të thotë se përveç suksesit individual të dallueshëm, të japësh një kontribut thelbësor në të mirë të komunitetit dhe sa më larg ndikimeve partiake nga Shqipëria me një qeverisje thellësisht të korruptuar.

Komentet