Librat e ambasadorit Shaban Murati janë përherë një rast i veçantë i përqëndrimit të të dhënave historike dhe diplomatike. Personalisht për mua janë rileximi i ngjeshur i një informacioni të përqëndruar. Një reflektim i tillë profesional ma kursen kohën e një pune në një rrafsh krejt tjetër.
Duke mos qenë e mundur të mbuloj gjithçka në lidhje me sasinë e përditshme të informacionit dhe me përjetësinë e cilësisë së dijes, llojet specialë të librave vendosin në hapësirën e pak ditëve ngjarje që kanë zënë kohë dhe që për t’u përdorur mirë kanë nevojë për korrektësinë kronologjike. Secili prej nesh është ose duhet të jetë në vete kolektiv disiplinash
Besoj se në kushte të tjerë, ambasadori nuk do të na propozonte kronika analitike, por vetëm monografi mbi temat. Në aktualitetin tonë të cekët, ambasadori Murati na vë në letër atë çka i mungon kujtesës institucionale, kujtesës historike, kujtesës gjeopolitike dhe kujtesës në të drejtën ndërkombëtare. Nga fusha ime do të preferoja të lexoja monografi, por nga këndi i ndërgjegjes publike aktuale, e ndaj tërësisht qasjen e ambasadorit.
Ndaj dhe më poshtë do t’i kosideroj dy librat, që po analizoj, si përfaqësues të gamës në të cilën lëviz reflektimi i ambasadorit, gamë në të cilën gjejmë një lëndë sa të re për shkak të harresës, po aq edhe të domosdoshme për shkak të mungesës. Lokalizimi i faktit, si lëndë gjithnjë e re dhe si moment që thyen perceptimin, kërkon një aftësi specifike.
Nuk është hera e parë që përdor enumeracionin e fakteve për të dëshmuar vlerat e librave të z. Murati. Faktet që përzgjedh nuk janë shterues, por mjaftojnë, në opinionin tim, për me ilustru përthyerjet e mendimit në një të tashme aktive. Perceptimi kyç që na ofrohet nga tekstet e ambasadorit Murati lidhur me diplomacinë mund të thuhet shkurt: e shkuara është më afër se ç’duket.
Do të thoja se dy librat ndryshojnë në optikën e tyre: do të vlerësoja se “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare” ka përbërësit e ditarit historiko-politik, ndërsa “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” ka përbërësit e ditarit gjeo-politik.
Shënime mbi librin Antitabu
Në letërsi librat me fakte janë të shpeshtë, por jo shumë shpesh ata ia mbërrijnë të ndërtojnë faktologji. Dhe nuk është radhitja e fakteve që dështon, por më shumë lokalizimi i diçkaje si fakt. Fakti përcaktohet, në mbarësinë e vet si fakt, nga aftësia e përceptimit. Ndërsa vetë aftësia e perceptimit varet nga dija e fushës. Nga dija e fushës kalohet tek aftësia për të shquar simptomat. Në fund të fundit, të dish do të thotë të dish të shohësh, të dish çfarë të shohësh, të dish të gjykosh mbi çka sheh.
Ky mund të jetë fare mirë përcaktimi i autoktonisë së dijes. Autoktonia sjell mbi fushat atë faktologji lokale që e bën një shkrimtar të domosdoshëm. Në shoqërinë tonë, aktorët autoktonë të dijes janë shumë të rrallë. Por ç’mund të na ofrojë autoktonia e dijes?
– Aftësi shqyrtimi të së drejtës kombëtare nisur nga e drejta në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
– Njohje të thellë informuese, sidomos nga rajonet që prodhojnë rrezik ekzistencial.
– Përvojën e zbatimit në misionin si ambasador të një ndjeshmërie estetike dhe aftësia për të krijuar emfazën e nevojshme për rrokjen e kuptimit.
– Aftësi të shtrimit logjik dhe ekonomik të problemit.
Të gjithë këto pika shërbejnë si momente përbërës të dijes autoktone dhe sjellin natyrshëm faktologjinë në shkrimet e z. Murati. Nga ky pozicion autoktonie ne mund të ndërtojmë një përvojë tjetër, rrëfenjën e kthjellët të humbjes së ekzistencës në përfaqësim.
Dy vëllimet e librit “Antitabu” lëvizin nëpër dëshmi telegrafike, por të thukta, mbi aleancën e madhe mes ligësisë përfaqësuese dhe injorancës masive në lidhje me çështjet publike dhe politikën e historisë. Nëse injoranca masive e ka burimin te pasiviteti dhe prodhon kompleksin e inferioritetit, ligësia është aktive dhe zbeh rolin e subjektit.
Z.Murati e artikulon kompleksin e inferioritetit, zhbërjen e institucionalizuar të përfaqësimit në qindra tekste të vegjël dhe kuptimplotë. Janë telegrame që i dërgohen lexuesit emergjent. Veç të tjerash, propozimet e tipit “Këshilla për miqtë” janë një akt i kulluar pedagogjie për vë-mendjen.
Në këtë paraqitje, rëndësinë e dy librave do ta shpreh përmes shembujsh ose faktesh, duke qenë i vetëdijshëm se nuk janë aspak shterues. Shembujt më poshtë janë temat më të shpeshta në shënimet e ambasadorit Murati.
Shembull 1: Ne përkujtojmë viktima dhe heronj, por kurrë nuk themi se cili ishte armiku, që i prodhoi viktimat tona dhe kundër të cilëve luftuan deri në vetëmohim heronjtë tanë. I pari akt që ndërmerr një shtet i papërgjegjshëm institucionalisht, është prodhimi i një historiografie anonime: shumë luftë, por pa armiq.
Shembull 2: Ne biem në cikle të mbyllur, duke kërkuar me ngulm “Ballkane të hapur”. Cikli që po përmbyllet në këtë dekadë është ai i kalimit nga Tito te Vuçiçi, duke konsumuar besnikëri perandorake ideologjike (Rusi e Kinë, Stalin e Mao) në bazë të të cilëve prodhuam viktima së brendshmi.
Nga integrimi i ekonomik me Jugosllavinë në 1946-n, te Ballkani i hapur në vitin 2020, me qëllimësitë tona zyrtare të importuara duket se ekzistenca e shqiptarëve është mjet për projektet jugosllavë, projektet e sllavëve të jugut. Jemi pra një popull, që shërben sipas regjimeve, shqiptarë si lëndë e parë për afirmimin e sllavëve të jugut. Le ta konsiderojmë si qark të shkurtër por si kurth të përjetshëm.
Shembull 3: Ne nuk marrim kurrë mësim nga sjelljet e shteteve, por shpikim teprinë e shtetit në lidhje me shqiptarët dhe mangësinë e shtetit në lidhje me ndërkombëtarët. Pra, prirja e shteteve tanë është zvogëlimi i kombit në mënyrë shtetërore.
Shembull 4: Ne e paraqesim botën si një perandori në të cilën jemi fatalisht viktimë, autoktonisht viktimë – vetia e vetme që kemi si autoktonë. Ne rrekemi për shtetet tanë, por që këta shtete t’i japin frymë perandorive të të tjerëve. Por, për ta përmbyllur në mënyrë koherente këtë kurth që i bëjmë vetes, na duhet ta reduktojmë më së pari shoqërinë shqiptare në grumbull krahinash. Pra së jashtmi viktimë perandorake, së brendshmi agresivë krahinorë.
Shembull 5: Ne themelojmë nën emrin shkencë një masë njohurish që flasin për mohimin e vetes. Më vjen keq që shprehem kështu, por ky është përdorimi më i ndyrë i subjektit: ne organizojmë me shkencë dhe historiografi zhdukjen e subjektit tonë. Pasiviteti i shoqërisë prodhon papërgjegjshmërinë e përfaqësimit. Ky përfaqësim i dobët bëhet së brendshmi pushtet i nënshtrimit të potencialeve dhe së jashtmi objekt i nënshtruar pa dijen më të vogël të reciprocitetit.
Pasivitetit të shoqërisë i kundërvihet autoktonia e shkencës. Dhe meqë autoktonia e shkencës është albanologjia, kohët e fundit Akademia e Shkencave ndërmori sulmin dhe eliminimin e Institutit të Antropologjisë, ashtu si qeveria zhduku në mënyrë sistematike të gjitha qendrat e artit dhe institutet. Kështu që shohim sesi shkenca jonë institucionale është kundër autoktonisë, me një shenjues të madh: shkenca jonë zyrtare u vendos dyfish kundër kombit: me mënjanimin e Kosovës nga të drejtat e pavarësisë dhe integritetit teritorial; me harrimin e Kosovës si çështje kyçe.
Shembulli 6: Dija jonë zyrtare, që nuk është kurrë vetëdije, e bën një popull të deklarohet kundër vetvetes nëpërmjet gojës së udhëheqësit të vet. Kompleksi i inferioritetit i edukuar në dekada e kthen këtë popull në refugjat potencial ose mercenar aktiv.
Nëse ju lexoni me vëmendje rilindasit shqiptarë, Shaban Murati bëhet drejtpërdrejt anëtar me të drejta të plota i aradhës së rilindasve. Ndërkohë shteti, institucionet shkollorë deri tek Akademia prodhojnë një histori ku gjejnë frymëzim vetëm kontabiliteti i mercenarit dhe fataliteti i refugjatit.
Shembulli 7: Lehtësia dhe efektiviteti me të cilët z. Murati analizon sjelljen e armikut na shpie në konkluzionin se me punë sistematike dhe kolektive është shumë e thjeshtë të jemi shtet normal ku mund të organizohen burimet dhe inteligjencat individuale. Përkundër qëndron: indiferenca e përgjithësuar e opinionit ndaj terminologjisë, vendosja në pritje të përcaktimit nga të tjerët, zgjedhja për të mos zgjedhur një qëndrim.
Shembulli 8: Ligësia operon me format e levantinëve kozmopolitikë dhe trashëgimtarëve të komunistëve tashmë pa ideologji. Të dy shpallin se kurthi historik është Kosova, dhe se shpëtimi është një botë lindore.
Shembulli 9: Zhbërja institucionale në tri dekada, por me hapa të shpejtë në dekadën e fundit: dëmtimi i përfaqësimit të Kosovës, dëmtimi i kufijve të Shqipërisë me detin, dëmtimi i njësisë politike të truallit me varreza ushtarësh grekë, dëmtimi i jugut të Shqipërisë me idenë e një asociacioni të mundshëm grek për të relativizuar dhe përgjithsuar republikën serbska në veri.
Shqipëria zyrtare zotëron dijen enciklopedike të vogëlsisë së vet, duke shfaqur pareshtur shenja përuljeje ndaj shtetit grek në jug, nga i cili merr si përgjigje ligjin e luftës dhe mohimin e masakrës ndaj popullsisë çame, dhe një shteti në veri, Serbisë, nga e cila merr si përgjigje mosnjohjen e gjenocideve të kryer mbi shqiptarët, në veri e në lindje të kufijve tanë londinezë.
Shembulli 10: Dëmtimi zyrtar i anëtarësimeve tanë në strukturën euro-atlantike të NATO-s me dy sjellje:
1. përkëdhelje e Greqisë që mban ligjin e luftës, akt me të cilin ne vetë e shtyjmë shtetërisht NATO-n në paradoks;
2. përkëdhelje e Serbisë me projekt të hapur ndaj jugosllavizmit, projekt i përbashkët me shtetin më kundër NATO-s, projekt me të cilin ne vëmë në dilemë NATO-n në lidhje me anëtarësinë tonë.
Ne fyejmë të gjithë federimet që janë jetikë për ne, i tillë fjalimi një orësh i kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës, pikërisht kur Kosova po përgatiste aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Për shqiptarët e tabuve, “Ballkani i Kapur” prej Serbisë është më i rëndësishëm se evropianizimi i Kosovës së pavarur.
Shembull 11: Shpërbërja e popullit shqiptar në pakica, me cense të shpikur e të sponsorizuar, ndërkohë që lihen pa mbrojtje pakicat tona në shtetet që na rrethojnë.
Shembull 12: Krijimi i një populli imagjinar, atij jugosllav, duke dëmtuar zyrtarisht, në çdo rast që ofrohet, popullin shqiptar në vijimësinë e vet fizike dhe historike. Me deklaratën e tre liderave të “Ballkanit të Hapur”, në 18 dhjetor 2021, e cila nis me fjalët “Dëshira e popullit tonë…”, ambasadori Murati na dëfton një prej akteve më të përsëritur edhe pse më të papërgjegjshëm të aleancave me armikun ekzistencial. Në vend të dhjetëra notave proteste që duhet të kishte bërë ministria e jashtme për deklaratat serbe dhe greke, ne bëjmë deklarata kundër qeverive në Kosovë. Për këtë, Z. Murati formulon konstatimin e rëndë dhe të rëndësishëm: “Zhbërja e kombit nis me mohimin e shumicës së kombit”.
Shembulli 13: Shumë shpesh rikthehen në shënimet e ambasadorit dëshmitë se për marrëdhëniet mes shteteve të shqiptarëve është e domosdoshme dakordësia e Serbisë, ndërsa për marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë, Kosova është një prani e tepërt ose edhe e panevojshme.
Shembulli 14: Detyrat që nuk ka kryer shteti shqiptar në cilësinë kushtetuese të shtetit shqiptar, përkundër mbrojtjes së paepur për Serbinë në të gjithë organizmat ndërkombëtarë, ku ajo ka forcën e fjalës. Pra, në Perëndim, falë deklaratave të përfaqësuesit të Republikës së Shqipërisë, ndërkombëtarët njohin një popull shqiptar që nuk përkon aspak me popullin shqiptar.
Le të themi se korruptimi i politikës shqiptare në çdo rrafsh ka nisur me korruptimin e idesë së kombit. Ndaj, cilido prej nesh, që habitet se përse ne jemi shoqëri e korruptueshme, harron se ne kemi lindur dhe jemi edukuar, në mënyrë sistematike, shkencore, historiografike dhe arsimore, me idenë e kombit të korruptuar: me pranimin fatal të idesë së kombit të ndarë që në pikënisje.
Shkenca zyrtare është e themeluar mbi idenë e korruptuar të kombit, e ka instaluar këtë korruptim në vullnetin e popullit, funksionin e shtetit dhe reflektimin e shoqërisë. Kosova po tregon një shembull të ri, i cili nuk i shërben aspak kryeministrit aktual të Republikës së Shqipërisë dhe as idesë së “Ballkanit të Hapur”.
Për të gjithë faktologjinë lidhur me mangësitë shtetformuese, shënimet e ambasadorit Murati i takojnë një pedagogjie sa efektive edhe të domosdoshme. Unë i përdora në mënyrë shumë të shpejtë e të shkurtër, por ju mund të zbuloni vetë tema të tjera, përmes shembujsh të tjerë.
Lëvizje në rrafshin e librit “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”
Tjetër temë, tjetër gamë. Ky është rasti i një libri që i kushtohet marrëdhënieve rajonale, specifikisht marrëdhënieve me Kroacinë si me një model në sjelljen diplomatike dhe juridike sovrane. Përdorimi si model është dhe vektori kryesor i miqësisë. Modeli me të cilin vendosim marrëdhënie përbën karakterin e marrëdhënieve.
Ose ndryshe: subjekti me të cilin vendosim një marrëdhënie, është modeli i vetë marrëdhënieve. Për publikun e gjerë, që e jeton kohën politike dhe diplomatike në kontekstin klaustrofob të debateve dhe replikave, që mbushin çdo mbrëmje studiot televizive, të përfytyrimit të politikës në inteligjencën afatshkurtër të analistëve, librat e ambasadorit janë riaftësimi i mendimit, janë një forcim i imunitetit të vetëdijes.
Tema e këtij libri është e hapur në titull: nëse duam një Ballkan të paqes dhe drejtësisë, atëherë aleanca orientuese perëndimore, integruese në rrafshin gjeo-politik, strategjik, ekonomik, ushtarak, politik, demokratik, historik, është ajo mes Shqipërisë/Kosovës dhe Kroacisë. Çdo aleancë tjetër e imagjinuar është dëm në kohë, në energji dhe të ardhme. Pa kujtesën institucionale, ne rrezikojmë të përvetësojmë imagjinatën e rrezikshme të ndonjë bashkëpunimi të dëmshëm.
Strategjia e çdo pushteti të përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, ka lindur dhe është ushqyer në cektësinë afatgjatë të shoqërisë. Çka do të thotë se ajo ka vendosur aleancën e moshës së shkurtër të një pushteti në harresën e armikut historik. Tema që rend nëpër tekstet e z. Murati është përdorimi i gabuar i aleancave: aleancat zyrtare kanë qenë mohim i historisë së armiqësisë.
Ku e ka burimin kjo cektësi afatgjatë Natyrshëm, në devizën se korruptimi i brendshëm duhet të vazhdojë si korruptim i jashtëm. Dhe për këtë nevojitet ushtrimi afatgjatë i vesit të cektësisë.
Kjo cektësi na vjen vetëm burimisht nga harresa e faktit, nga mungesa e prirjes për faktologji. Të rrethuar prej medieve, që fabrikojnë qëndrimin më imediat dhe replikat më imediate, ne kthehemi në një shoqëri që njësohet me vendin e harresës së librave më memorialë. Në medie na fabrikohet ditë për ditë e njëjta metodë: telenovela. Kjo metodë ka për funksion të vet zhdukjen e arsyes, ndërsa për sukses ka rrënimin e shkakësisë së ngjarjeve. Mbi harresën dhe ngatërresën mbështetet vijimësia e saj.
Telenovela përkëdhel mungesën e vullnetit për ndjeshmëri dhe besnikëri të lartë… ndaj vetes. Ajo i kundërvihet filmit të vërtetë duke mobilizuar shijen për banalitetin. Debati i përditshëm ka për mision të përkëdhelë përtacinë për me lexu librat memorialë. Mediet janë ndihmësi kryesor i heshtimit politik dhe publik të kombit në mënyrë zyrtare në opinionin e brendshëm. Misioni i tij është i qartë: publiku duhet të projektojë mbi veten vetëm çka është banale në skenën publike.
Ndihmësi i dytë i heshtimit politik dhe publik në opinionin e jashtëm, është diplomacia jonë. Me sinqeritet, me ndërgjegje të qartë, me njohje të sendit e deklaroj fare thjeshtë se ne kemi dhe kemi patur masivisht ambasadorë me kompleks të fortë inferioriteti. Ky kompleks inferioriteti ka për synim me lehtësu kompleksin e dhunës që shefi i madh ushtron ndaj shoqërisë sonë. Një diplomaci e heshtur jashtë, vë në gjumë një popull brenda.
Cektësia e shoqërisë është ushqyer dhe ka ushqyer mungesën e diplomacisë: kompleksi i inferioriteti ndaj të huajit, është besnikëri ndaj një kryetari shteti me kompleksin e superioritetit ndaj popullit të vet.
Për me e ndryshu dinamikën e deritanishme shqiptare, i bëj thirrje Ministrisë së Jashtme të Kosovës, të dërgojë urgjentisht librat e zotit Shaban Murati në të gjitha ambasadat tona. Diplomatët tanë duhet t’i lexojnë sistematikisht. Mund t’ju garantoj se një diplomat që lexon libra të tillë – të shkruar nga z. Murati e nga një numër i vogël studiuesish të tjerë – nuk do të mbartë më me vete asnjë kompleks inferioriteti. Ai do të kuptojë se krenaria e dijes dhe fuqia e faktit flasin edhe në shqip. Kjo është dija sovrane.
Kështuqë me lehtësi, në komunikimin e çdo rendi, diplomati ynë do të mposhtë lehtësisht çdo interlokutor, çdo bashkëbisedues evropian që, në të vërtetë, nuk di sistematikisht asgjë për Shqipërinë, Kosovën apo kushtin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi.
Mjafton që diplomati ynë t’i radhisë një ndërkombëtari nja 10 fakte dhe do të fitojë kohë, prani dhe rëndësi për aq kohë sa ndërkombëtarit do t’i duhet të gjejë ndonjë këshilltar e ca përgjigje. Ndërkohë diplomati ynë do të ketë kohë të aktivizojë njohjen e vet në lidhje me dhjetëra fakte të tjerë. Kjo është loja agresive në diplomaci, diplomacia e faktit. Këtë ne nuk e kemi bërë kurrë. Për ne diplomacia është arti i urtësisë, jo në kuptimin intelektual të reflektimit, por në kuptimin moral të përunjësisë. Diplomati ynë duhet të jetë i zgjuar e jo i sjellshëm.
E them sërish, ne nuk i kemi lexuar librat e rilindasve. Emri i rilindasit nuk ekziston në mediet shqiptare. Sjelljet e rilindasve tanë nuk janë shembull që studjohet nga diplomatët gjatë edukimit të tyre. Analitika rilindase nuk bën pjesë në edukimin shkollor. Vetëm në kohë lufte ne e ngjallim përkatësinë rilindase.
Sipas një vëzhgimi filozofik, çdo kohë e ringjalljes është një neo-klasicizëm (Badiou). Çdo përfytyrim që e nxjerr një komb si të domosdoshëm në pejzazhin botëror është një rilindje, qoftë edhe romantike. Rilindasit janë aty dhe në çdo kohë. Rilindasit nuk janë në të shkuarën, janë gjithmonë. Lypset t’i mendojmë dhe vlerësojmë librat, ata që na rilindin si libra, si libra rilindasish.
Zyrtarisht, misioni shtetëror është të shuajë ekzistencën e tyre duke e vendosur emrin e Rilindjes mbi formacionin ekzekutiv të ndonjë partie, mbi qeverinë e saj. Jo! Rilindasi është subjektim, dhe vetëm subjektim.
Gjatë gjithë kohës së këtij reflektimi, unë mbaj në mend se fakti që e zotërojmë një ambasador të tillë, një shkrimtar mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbi peshën institucionale, përbën modelin e duhur të diplomacisë: atë të zbulimit të temave të gjithkohshme, pra të Rilindjes.
E meqë puna rilindase është e çdo dite, edhe diplomacia është punë e përditshme, jo punë e urgjencës.
Me ndërhyrjet tona shoqërore, diplomatike, dhe mediatike, sidomos nga Republika londineze, në vend që të sulmonim qeverinë e Kosovës, ne duhet të sulmonim çdo opinion sado minimal të prodhuar në qarqet ndërkombëtare mbi natyrën e moderuar të udhëheqjes serbe. Ambasadori Murati e ndërton në mënyrë të përbashkuar vëzhgimin e tij, në të dy Republikat tona. Kjo është vetia e dytë e një vështrimi rilindas.
Perceptimi rilindas nuk e pranon shumësin e qenies shqiptare. Shënimet e ambasadorit qartësojnë se politika e integrimit evropian të shqiptarëve nuk është punë provincash, por çështje kombëtare.
Pika e tretë e një perceptimi rilindas qëndron në një mësim më global. Ne duhet të kuptojmë se duhej t’i shpallim zyrtarisht shoqërisë evropiane se as që duhet ta çojë ndërmend anëtarësimin e Serbisë në Evropë. Duhet ta themi kudo se në një rast të tillë, bashkë me Serbinë, në truallin e Evropës, do të integrohen varrezat masive të pazbuluara dhe rrugët me emra kriminelësh gjenocidalë.
Kjo nuk është vetëm punë e qeverive tona, por punë e shoqërisë, e medieve, qoftë edhe e mërgatës. Ndaj dhe duhet të përsërisim se zvetënimi zyrtar, politik dhe publik, i interesave të kombit shkon bashkë me cektësinë e përfytyrimit politik të shoqërisë. rilindasit e kuptonin se çlirimi nga perandoria kërkonte një kalim nëpër temat iluministe, pra në Evropën më të pastër të kohës së tyre.
Nuk po e vonoj më shumë hyrjen në lëndën e fakteve, apo simptomave, sepse ç’kam për të thënë gjendet si e tërë në veprën e ambasadorit si simptomatologji. Janë simptomat ato që na shtyjnë të mendojmë.
Le të lexojmë lidhur me Kroacinë dhe aleancën dhe le të përthyejmë mendimet me ambasadorin tonë. Faktet mbi peshën e sjelljes kroate dhe mbi mungesën tonë në aleancën e domosdoshme në gadishullin ballkanik po i jap në formë telegrafike, por në rëndësinë e tyre do të qëndrojë ca më gjatë:
1. Le të ndalojmë në rastin e lirimit të drejtuesve të luftës çlirimtare të Kroacisë prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krimet në ish-Jugosllavi. Mendoni distancën e sjelljes mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre kroatë. Luftëtarët kroatë lirohen nga akuzat, ndërsa tanët, dy dekada më pas, shkojnë me dhjetëra përpara gjyqit. Ky dallim vjen si rezultat i dallimit në sjelljet tona.
Ne mendonim përmes ministrit të drejtësisë në Kosovë, apo edhe kryeministrit në Shqipëri, se ka shkuar koha e luftës dhe se është koha për amnisti të përgjithshme e për paqe të përjetshme. Ne e vendosëm zyrtarisht simetrinë mes xhelatit dhe viktimës, gjë që Kroacia nuk e bëri kurrë.
Sot Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian. Kroacia ka mbërritur në këtë stad, sepse nuk nguronte të dërgonte në Parlamentin Evropian notë proteste për gjuhën e famëkeqit Sheshel. Parlamenti Evropian miratonte rezolutën, ku i kërkonte qeverisë serbe të dënonte gjuhën e Sheshelit. Kroacia e njeh mirë diçka: një shtet që nuk e korrupton dëshmorin dhe viktimën e vet, nuk mund të korruptojë institucionet e tij.
Kështu që sot, falë gjuhës sonë institucionale të dy dekadave, Serbia ka mundësi të projektojë terrorizmin mbi viktimat, që bëri dy dekada më herët, ndërsa çlirimtarët tanë janë diku në Evropë, në bankën e të akuzuarve.
Duke mos e vendosur si aleate Kroacinë, duke mos ndërtuar planin e një aleance të duhur, ne bëmë të kundërtën në rrafshin e vlerësimit të luftës dhe krimeve, të çlirimtarëve dhe armikut.
Duke shpallur publikisht, brenda dhe jashtë, në medie dhe konferenca, kudo ku na jepej pra rasti dhe fjala, amnistinë e krimit të të tjerëve, ne bëmë vetë që pesha e krimit, 20 vjet më pas të bjerë mbi ne, duke vërtetuar se krimi, ashtu si energjia, shndërrohet dhe këmbehet, por nuk zhduket. Ne shpallëm, mediatikisht dhe publikisht, në vend të gjenocidit serb, amnistinë për krimet dhe harresën për historinë, duke treguar se shtetërisht ne kemi frikë nga mosha e pjekur. 20 mote na dukeshin shumë.
Përmes institucioneve tanë ne deklaruam se nuk duam të kalojmë qoftë edhe dy dekada në moshën shtetërore të reflektimit të krimeve që janë kryer mbi njerëzit tanë. Deviza zyrtare e harresës është e thjeshtë: “Kanë kaluar 20 vjet tashmë”. Me shtet ne deklarojmë se memoria jonë institucionale nuk e duron një periudhë më të gjatë se 20 mote. Por kjo është njësoj si të deklarojmë se dija jonë shtetërore e ka autoktoninë të krahasueshme me dy dekada.
Nuk bëhet fjalë për foshnjëri dhe naivitet. Mungesa e aleancës me Kroacinë dhe thirrja e amnistisë shkojnë bashkë sipas një politike të koordinuar kundër kombit shqiptar dhe paqes. Mediet dhe zyrtarët tanë më të lartë të dy Republikave shqiptare na thanë se kanë kaluar 20 vjet prej luftës dhe krimeve. Lypset vetëm pak sens komun: qoftë edhe në jetën time si person përmbahen dy 20 vjeçarë e gjysëm. Asnjë inteligjencë normale nuk mund të gëlltisë faktin që unë mund të harroj se ç’bëhej e ç’bëja 20 vite më parë.
Si mundet që diçka që unë nuk e harroj individualisht, do të mund ta harroj shtetërisht në moshën e një kombi që përmban breza të tërë viktimash e dëshmorësh? Një shtet që harron krimet, ka harruar viktimën dhe dëshmorin e vet. Nuk është pra diçka rastësore që, në të dy Republikat tona, harrimi dhe heshtimi përfshin tërë aktet e lartë që nga Rilindja e deri te Epopeja e UÇK-së.
Sjellja e Kroacisë duhet të ishte aleancë e vendosur me shembullin e mirë. Por siç dihet nga i gjithë publiku shqiptar, aleanca e parapëlqyer nga pushteti në Tiranë nuk është Kroacia, por Serbia e Vuçiçit. Dhe, nëse ndërtohet një rrafsh të tillë aleance, kjo do të thotë se nuk po synohet lartimi i çlirimtarëve tanë, por amnistia e krimeve të aleatit të paduhur, ose armikut historik.
Le të kaloj në shembullin e dytë.
2. Lokalizimi i faktit nga ambasadori me emrin “operacioni Shtorm në Kroaci” mund të lexohet me indiferencën e kureshtjes së ftohtë. Si i tillë ai nuk ofron asgjë më shumë se një detaj në dijen tonë enciklopedike. Por një lexues më aktiv dhe më i integruar shqiptar e kupton idenë e fortë të ambasadorit Murati lidhur me stabilitetin e një rajoni të tërë.
Le ta lexojmë haptas. Operacioni “Shtorm” pati një efekt për rajonin, për Perëndimin dhe sidomos ne shqiptarët: një “Republikë Sërpska” më pak. Kështu lypset ta lexojmë. Krajina nuk u bë “Republikë Sërpska”. Një “Republikë Sërpska” më pak në Ballkan, një rast më pak për luftë në të ardhmen. Një përbërës më pak në maninë e serbëve për “botë serbe”. Operacioni “Shtorm” është kontributi i madh për stabilitet rajonal. Efektet e këtij kontributi duhet t’i mendojmë thellë për të kuptuar se rajoni mund të ishte më keq.
Kroacia nuk lejoi që e tashmja të paraqitej edhe më e vështirë. Ky dallim në gjendjen e faktit nuk duhet të anashkalohet pa vlerësimin dhe kuptimin e duhur. Kroacia, në vend që të ishte një faktor i cënueshëm në rajon, është tashmë një faktor i fuqishëm. Ndaj na duhet aleanca me të. Po aty, duhet të kuptohet edhe më mirë nga ne se si duhet të shmangim deri në fund përpjekjet e Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre ndërkombëtarë për prodhimin e Zajednicës në Kosovë si qendërzim strategjik të luftës së ardhshme.
3. Modeli kroat i anëtarësimit në BE, përmban disa elementë, që duhet t’i kthenim në pyetjet drejtuar organizmave tanë të përfaqësimit për me gjetë se përse ne nuk jemi ende pjesë e Bashkimit Evropian. Po i rendis shkarazi, duke respektuar sado pak shkallën e rëndësisë, përbërësit e politikës kroate, disa prej të cilëve marrin peshë në librin “Aleanca e duhur”.
Shkarazi pra: është vendimtar shkatërrimi i çdo mundësie të rikthimit të jugosllavizmit, me burim te nostalgjia ksenofobe serbe dhe melankolia evropiane; vendosja e një standarti zhvillimor, demokratik dhe përfaqësues në një rajon që ka mbi supe emrin “fuçi baruti”; lufta kundër korruptimit institucional të shtetit dhe spastrimit të gjyqësorit; realizimi korrekt i procesit të zgjedhjeve; zgjidhja normale e çështjes së kufijve me fqinjët dhe sjellja e drejtë me historinë e tyre; sjellja e drejtë me vlerësimin gjyqësor të luftës së vet; qëndrimi i dinjitetshëm me institucionet evropianë të çdo rangu.
Duket se, në çdo drejtim, Republika e Shqipërisë është prapa, ndërsa Kosova po hedh hapa të shpejtë e madje të guximshëm vetëm kohët e fundit. Kroacia mund të jetë pra modeli më i afërt ekzistencial për të taruar aparatin e sjelljes së dy shteteve tanë shqiptarë.
Mund të themi pra se Kroacia shërben edhe si model për gjendjen politike të brendshme të shqiptarëve. Por mund të themi se përvoja kroate tregon gjithashtu pikat dhe linjat e veprimit që të shpien në integrim, sende që Republika e Shqipërisë për tri dekada, dhe ajo e Kosovës për dy dekada, i lanë pas dore. Aleanca e shprehur në “Ballkanin e Kapur” dëshmon thjesht se një republike të korruptuar i nevojitet si aleate një republikë e korruptuar. Ramës i nevojitet Vuçiçi.
Në këtë kuptim, ambasadori Murati ka të drejtë në mënyrë themelore që ta risjellë në plan të parë aleancën me Kroacinë si aleancën më të duhur, si në kuptimin e modelit që duhet ndjekur, por edhe të aleatit që cilëson natyrën e republikave tona. Mendimi i një aleance i shërben një pedagogjie diplomatike sa dhe një riformatimi politik të brendshëm.
4. Nga mënyra e ndërtimit, libri “Aleanca e duhur” na dëfton edhe diçka: agresivitetin diplomatik të Serbisë sa herë që një shtet çlirohet prej ëndrrës së saj për një botë serbe. Shkëputja e Sllovenisë në fillim, si dhe përmbushja e shkëputjes së Kroacisë me hyrjen në BE dhe NATO, e përshpejton dhe e bën më agresive Serbinë në ëndrrën e vet.
Kështu që këtej e tutje, Serbisë i ka mbetur të përdorë edhe deri agresionin në tre shtetet rrethues të saj. Surpriza më e këndshme për Serbinë është sjellja e Republikës së Shqipërisë që ka pranuar të regjistrohet, përmes zërit të zellshëm të kryeministrave të vet, në projektin jugosllav, aty ku kanë thirrur përherë Serbia ose evropianët jugonostalgjikë.
Nuk dihet se përse Shqipëria, e cila duhet ta nxirrte veten jashtë rrethit të shteteve ish-jugosllave, paraqitet zellshëm e para në projektet e botës sllave, të cilat i liston si nisma të vetat. Z. Murati e ka regjistruar në tërësinë e librave të tij këtë dëshirë morbide të një republike shqiptare me vesin në strukturën shpirtërore. Por le ta citojmë shkurt vesin në politikën e jashtme të Shqipërisë sa i takon horizontit jugosllav:
“Përse kryeministri serb Nikolla Pashiç e përfshiu në marrëveshjen e tij me Ahmet Zogun bashkimin doganor mes dy shteteve; përse Tito e përfshiu bashkimin doganor të dy shteteve në marrëveshjen e tij me Enver Hoxhën; përse Aleksandër Vuçiç shpluhuros një marrëveshje shekullore për bashkim doganor e tregtar, të cilën e shet si ide të re në vitin 2016?”
Këtë pyetje që duhet ta shtronte historiografia jonë, e shtron ambasadori ynë. Sepse ambasadori mund të shquajë atë që historia zyrtare e mban si vesin e vet. Vesi ynë ushqen përgjatë një shekulli horizontin jugosllav të Serbisë.
Emrat e bujshëm si “Ballkani perëndimor” vendosen gjithnjë në bazë krahasimesh të pamundshëm, si për shembull me vendet nordikë dhe me Beneluxin, për të na treguar se janë mashtrime që mund të fitojnë vetëm falë tabuve të paracaktuar nga ne vetë si kufizime për inteligjencën tonë. Çfarë nuk dëgjuan veshët tanë, por, për sa gojët e përfaqësuesve tanë nuk flisnin, serbët dhe bashkëpunëtorët e tyre në perëndim mund të sajonin formula deri edhe si Unioni ballkaniko-perëndimor, me parlamentin dhe policinë e përbashkët.
Vesi i një shteti të vogël, kur është një ves apo cen afatgjatë, mund të sëmurë edhe perceptimet më fuqiplotë. Për të ndërtuar një gjeodezik të dëmshëm politik, nuk ka nevojë që shteti mbartës i vesit të jetë i madh e i fuqishëm. Mjaft që të jetë i vendosur strategjikisht në nyje gjeopolitike. Pozita e rëndësishme gjeografike është e fatbardhësi apo fatkeqësi, sipas natyrës kushtetuese të politikës së vendit në fjalë.
Kështu që kur luante mençuria dhe vigjilenca e Kroacisë kundër nismave të këtij lloji, pra në horizontin e kthjelltësisë kroate, kryeministri Rama nuk mund të gjente ndonjë gjë më të vyer se deklarimi mbi Jugosllavinë si planeti i lirisë për shqiptarët gjatë regjimit komunist.
5. Në libër kuptojmë gjithashtu se strategjia serbe organizohet në dy etapa: njëherë punon për degradimin e shtetësisë së shtetit fqinj, në një hap të dytë harton propozime për nisma të përbashkëta. Që prej Platonit e dimë se për me qenë kriminel, duhet të jesh më së pari i pacipë dhe gënjeshtar.
Mendimin se ekzistojnë kriminelët e moderueshëm, kriminelët e besës, apo mashtruesit e njerëzishëm, mund ta dëgjojmë vetëm duke shprehur mosaprovimin tonë të menjëhershëm. Që një shtet të jetë i besueshëm, duhet të gëzojë standartet demokratikë, standartet e integrimeve, orientimin gjeopolitik liberal-demokratik. Mësojmë nga përvoja kroate se gënjeshtrat serbe rriten në përpjesëtim me heshtjen tonë ndaj emrave dhe drafteve që shpik Evropa.
Rasti i Kroacisë na mëson edhe të vëmë re shpesh se burokratët e BE-së, për mungesë imagjinate, vullneti dhe dijeje historike, përmes emërtimeve që vendosin mbi sajesat e ballkaneve të bashkuar kërkojnë me zëvendësu nismën e tyre themelore të Evropën së Bashkuar. Si shqiptarë ne kemi gjithsesi diçka në dorë: mund t’u themi se në vizionin tonë Evropa nuk mund ta zëvendësojë vetveten me bashkime të llojeve të tjerë, sepse i vetmi integrim ku ne mendojmë të marrim pjesë si shoqëri është Evropa e Bashkuar.
Kroacia dinte të punonte për një edukim të tillë, ndaj dhe sot është prej një dekade anëtare e Evropës së Bashkuar. Ndërsa ne, duke edukuar zyrtarisht mungesën e besimit te vetja, rrënimin e politikës publike, korruptimin e institucioneve qeveritarë, dobësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, patëm vetëm një shpërblim, kotësimin në rrafshin e Bashkimit Evropian.
6. Ambasadori na adreson edhe në një natyrë tjetër të aleancës me kroatët, kësaj here në prizmin e përfytyrimeve të dinjitetit historial. Kroacia është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka pse të vjedhë historinë e dikujt tjetër. Asaj nuk i lypset pushtimi i ndonjë të shkuare historike. Ndërkohë serbët edhe maqedonët (njëri duke vjedhur Konstandinin e tjetri duke rrëmbyer Justinianin) kërkojnë të pushtojnë historinë për me legjitimu territoret e fituar me agresion dhe gjenocid.
Formula e pushtuesit është kjo: në fillim ka për strategji të të pushtojë të tashmen, më pas të të pushtojë të shkuarën, në fund të të bëjë fatale të ardhmen. Duke mos patur nevojë të rishpikin historinë, kroatët edhe në kuptimin dhe planin historik janë aleanca jonë e duhur.
7. Këtë pikë mund ta quaj pika e vonesës. Libri “Aleanca e duhur” nis me nënshkrimin shumë të vlefshëm, më 16 shkurt 2017, të partneritetit strategjik mes ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kroacisë, e njoftuar edhe te sekretari i NATO-s. Ambasadori Murati liston motivet e këtij partneriteti strategjik. Marrëveshja për partneritet strategjik përbënte përgjigjen e duhur ndaj partneritetit strategjik Rusi-Serbi, ndaj aneksimit të Krimesë si shembull që mund të përhapej, ndaj rritjes së ndikimit rus në Ballkan dhe ndaj shndërrimit të Serbisë në bazë logjistike të Rusisë.
Duke e risjellë këtë fakt si hyrje në libër, ambasadori na dëfton se jemi në një vonesë 6 vite lidhur me këtë partneritet, 10 vite lidhur me aleancën me Kroacinë, një shtet i BE-së, 14 vite me një anëtar të NATO-s i cili ka të njëjtët interesa në fushën e sigurisë. Po e quaj këtë vonesë subjektive. E nënvizoj për të vënë në dukje se është një vonesë më e dëmshme se çdo vonesë objektive. Si e tillë, ajo përbën një gabim logjik moral, që vjen prej faktit se kur hap një udhë të mirë dhe nuk e ndjek, vonesa, duke qenë subjektive nuk është thjesht vonesë, por kthehet menjëherë në faj publik dhe kombëtar.
Vonesat tona dhe aleancat e vlefshme e të papërdorura riaktivizojnë ëndrrat më të këqija të armikut dhe nxisin dembelinë burokrate të perëndimorëve. Po aty shtyhet pa afat edhe integrimi i mendimit tonë politik. Për pasojë projektohet si mision mbi një brez të ardhshëm, dhe më të largët me aktualizimet, mendimi i integrimit tonë në vete. Ky integrim i fundit ka përbërësit e vet: integritetin në ekzistencë, integrimin tonë në bashkime të rangut evropian, integritetin në shprehje, në deklarim. Vonesa në ekzistencë – në të tashmen e aleancës – dhe vonesa në shprehje – në të ardhmen perëndimore të orientimit tonë – përbëjnë dy shtresat e vonesës sonë subjektive.
Një veti të dytë të vonesës duhet ta kemi në vëmendje e ta pedagogjizojmë për politikën dhe diplomacinë e ardhshme: vonesa nuk është sterile, ajo është pjellore, por për të keqen tonë. Prandaj dhe ambasadori Murati sjell gjatë librit shumë shembuj për të treguar se Serbia kërkon të anëtarësohet në nismat ballkanike, jo për t’u integruar, por:
1. për të prodhuar sa më shumë vonesa në lidhje me integrimin e shteteve të tjerë të Ballkanit në Evropë;
2. për të lehtësuar rritjen e ndikimit ruso-kinez mbi BP.
Gabimi i ndërkombëtarëve të perëndimit është se mendojnë se me kësi bashkimesh rajonalë do ta nxisin Serbinë të shpejtojë hapin drejt BE-së. Duke mos aderuar në nisma të tilla, si rasti i “Ballkanit të Hapur”, ne e pengojmë burokracinë e Evropës t’i lejojë vetes iluzione të tillë. Vonesat që vijnë prej mendjelehtësisë burokratike të Evropës do t’i quaja vonesa objektive.
Një nga aleancat më të vyera kundër këtyre iluzioneve, zakonisht në Komisionin Evropian, është shtrirja e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Kjo aleancë është më e duhura për të relativizuar fuqinë e Serbisë në Ballkan. Aleanca e kthjellët me kroatët do ta shuajë gabimin tonë subjektiv dhe do të nxisë rrënimin subjektiv dhe objektiv të ëndrrës serbomadhe.
Le ta themi hapur: fuqia e Serbisë, për hir të vonesës së shtetit shqiptar në aleancat e duhura dhe në shtetndërtim, është frika e BE-së. Ndërkohë, le të ndjejmë se frika e BE-së e ka një pjesë të madhe të burimit të saj në vonesën tonë subjektive. Nuk ekziston asnjë objektivitet që të mos e ketë rrënjën e tij në ndonjë subjektivitet.
9. Përmes leximit të librave të ambasadorit Murati mund të përvetësojmë edhe vlerësimin e faktorëve psikologjikë në lëndën e veprimit diplomatik, qoftë edhe të përmasës së shteteve. Kështu që do të vëmë re se aleanca jonë me Kroacinë mund të ketë edhe efekte, që nuk i kemi marrë parasysh më herët.
Rritja e bashkëveprimit me Kroacinë, e bind këtë të fundit të jetë e shprehur më vendosmërisht në BE. Këtu duhet të nënvizojmë faktin e dallimit mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Sllovenia duke u ndjerë më e mbrojtur dhe duke e veçuar veten historikisht prej Ballkanit, është edhe më indiferente ndaj fatit të Ballkanit. Kroacia, edhe pse anëtare e Bashkimit Evropian, është ende e kapur prej intrigës ballkanike. Për të fituar edhe më siguri, asaj do t’i nevojiteshin shqiptarë më të integruar dhe më të sigurtë në vete. Me shqiptarë më të fuqishëm, ajo do të ishte më e fuqishme në BE dhe më e lirë në Ballkan.
9. Në aspektin e komunikimit diplomatik, ne duhet të arrijmë t’i bindim euro-deputetët mbi dëmin. që u sjellin atyre burokratët e Komisionit. Ne duhet t’u shtrojmë e t’u shtojmë argumentet se çdo Ballkan i cënueshëm nga Serbia është një dëm i brendshëm për vetë shtetet e Evropës. Duhet t’i bëjmë të kuptojnë se integrimi i shqiptarëve është domosdoshmëri për stabilitetet e tyre të brendshëm, dhe jo vetëm shpërblim e fitim për shqiptarët. Në këtë rrafsh, le të theksojmë po ashtu se integrimi i Kroacisë në BE e bën vetë Evropën më të drejtë ndaj shqiptarëve… nëse ne dimë ta përdorim dhe nuk humbim më kohë si deri tani.
Ndërkohë mund të arrijmë përmes komunikimit edhe një rezultat tjetër. Bashkimi Evropian mund të kthjellohet e të kuptojë një herë e mirë se nuk mund të ndëshkojë shtete e popuj të tjerë për fajet e Serbisë, veprim i kryer disa herë, qoftë edhe tani së fundmi.
Nuk janë pak shembujt në librin “Aleanca e duhur” që sjellin këtë gabim të Evropës dhe ndërkomëtarëve të tjerë ndër vite. Le të kujtojmë frazat që rikthehen në gjuhën e emisarëve: Olli Rehn thoshte në 2005-n se ishte i kënaqur me progresin e Serbisë. Mos harroni se në Serbi ishte vrarë pak më parë kryeministri Gjingjiç. Para do kohësh dëgjuam shprehjen se Vuçiçi është një bashkëpunëtor i frytshëm. Në kësi rastesh, ne nuk duhet të heshtim, por të themi të vërtetën.
10. Në këtë rrjedhë, leximi i librave të Shaban Muratit na lehtëson të shohim sesi përsëriten taktikat e Serbisë. Z. Murati na kujton se loja me hartat është kryer edhe nga Milosheviçi në restorantin londinez tek darkonte me Tuxhmanin një çerek shekulli më herët. Milosheviçi e vizatoi hartën mbi mbulesën e tryezës së restorantit dhe, paralel me oreksin e vaktit, nisi të ndante territoret e shteteve fqinjë. Ne kemi treguar se kemi udhëheqës që bien në lojëra vaktesh. Ky nuk është thjesht fati ynë i keq, por fataliteti i zgjedhjeve tona të cekëta.
Kujtesa institucionale nuk është vetëm e brendshme, por edhe e jashtme. Nëse këmbëngulim, ne do t’i dëshmojmë elementit ndërkombëtar se sa më shumë e lë ritmin e integrimit të shteteve të Ballkanit në shpejtësinë dhe standartet e Serbisë, aq më shumë ajo i lë zonë të lirë Rusisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar disa herë para përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ai ka thënë pak a shumë se çdo vendosje në distancë të baraslarguar mes Brukselit dhe Moskës, është deklarim pro Moskës dhe njëherësh shpërdorim i zemërgjerësisë evropiane.
Adresimin e gabuar të zemërgjerësisë evropiane ne e kemi të regjistruar në historinë tonë si shtete dhe komb. Duke mos e nënvlerësuar kurrë njohjen tonë të historisë, ne bëjmë një nga shpalljet më të larta të subjektivitetit politik dhe diplomatik: u bëjmë të ditur evropianëve se ne dimë për veten më shumë se ç’dinë për ne evropianët. Sipas kodit logjik platonian, evropianët duhet të dijnë për ne dijen që prodhojmë ne për/mbi veten.
11. Duke e falenderuar zotin ambasador për faktin se na shtyn të shquajmë sesi konceptet fantazmë kanë gjithsesi efekte konkrete, po ndalem pak edhe në një pasojë tjetër të këtyre koncepteve.
Fakti e kërkon më ngulm që të hiqet dorë progresivisht nga koncepti francez i Ballkanit Perëndimor. Për kontekstin ku shpien këta konceptesh fantazmë, mjafton të citoj një metaforë të z. Murati: “Integrimi paraprak rajonal është si pëlhura e Penelopës”.
Por këtu duhet të lexojmë edhe produktin psikologjik të dëshpërimit. Konceptet fantazmë sigurisht që shpiken për me rikriju ndonjë Jugosllavi pro-ruse dhe për me e afru Rusinë e Kinën në qendër të Evropës. Por dëmi i shtuar dhe i pareflektuar mirë nga ana e projektuesve është degdisja në dëshpërim e të gjithë shteteve mes nesh dhe Lindjes. Nuk ka bashkëpunues më të madh për projektet amiqësorë sesa dëshpërimi. Rusisë e Kinës i nevojitet dëshpërimi në zonat mes tyre dhe Perëndimit. Nëse mes Evropës perëndimore dhe Azisë shtrihet një zonë dëshpërimi, ajo zonë do të kthehet në ruso-kineze e jo në demokratike-liberale. Dëshpërimi është arma më hibride kundër demokracisë.
Po i risjell edhe një herë faktet dhe sjelljet: presidentja e Kroacisë bëri thirrje të hiqej ky term dhe të zëvendësohej me “Evropa jug-lindore” edhe kur kishin kaluar 15 vite; pothuaj në të njëjtën kohë, në vend të mbështetjes për qëndrimin kroat, nga Shqipëria erdhi e kundërta, mbështetja për nismën serbe të “Ballkanit të Hapur”; nga Rusia, Lavrovi përsëriti thirrjen e vitit ’97 për rikthim të NATO-s në kufijtë e mëparshëm, thirrje që rusët e përsërisin me forcë dhe bindje aktualisht me gjuhën e agresionit mbi Ukrainën.
Pra, nëse serbët marrin përsipër të pakësojnë fuqinë e fqinjëve të tyre në NATO, Rusisë ky fakt i shërben sepse e do Bullgarinë dhe Rumaninë, si dhe vendet balltikë, pa NATO. Edhe këtu përgjigjja më e fortë vjen nga figura e Kroacisë si shembulli më i mirë i domosdoshmërisë së NATO-s në rrafshin e stabilitetit.
Në peizazhin e “Aleancës së duhur” zë fill një zgjerim së brendshmi i Evropës, që e shtyn jashtë e larg botën sllave. Aleanca me Kroacinë do ta bindë Bullgarinë të mos jetë në asnjë element të saj pro-ruse. Rumaninë po ashtu. Aleanca Shqipëri-Kroaci është vektori më i drejtë i veprimit gjeopolitik demokratik dhe liberal. Kjo aleancë është semantikisht dhe substancialisht shkatërrimi i çdo përpjekjeje për rikthim te forma të jugosllavizmit. Në libër unë nuk lexoj vetëm se ç’është bërë dhe ç’po bëhet në rrafshin e kësaj aleance, por më shumë se ç’duhet të ndodhë në të ardhmen.
Dhe kjo imagjinatë mund të thuhet në pyetjen: ç’mendim gjeopolitik rajonal dhe botëror prodhohet në qëllimësinë tonë kur mendojmë sipas kësaj aleance? Sa për teknokratët e BE-së si dhe euro-deputetët e saj, leximi sipas një aleance të tillë është kthjellim më i thellë i aleancës Serbi-Rusi.
Duhet të mësojmë po ashtu, në rendin praktik, të luajmë me dy shpejtësitë: njëra parimore që thotë se integrimi është sipërmarrje individuale e shteteve, tjetra, që është shpejtësi e propozuar nga qëndrime taktike, thotë se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në bllok. Kur Kosova të hedhë hapa më tej në integrime, atëherë ajo duhet ta braktisë mbështetjen e taktikës dhe t’i bashkohet tërësisht parimit. Deviza e dytë, ajo e taktikës bën që të ngadalësohet integrimi i Ballkanit.
Sot që flasim, 53% e serbëve janë shprehur kundër integrimit në BE dhe vetëm 35% e tyre pro. Unë mund ta kuptoj se është e papranueshme psikologjikisht për BE-në një Serbi që nuk joshet prej saj. Me sa di unë, Bashkimi Evropian nuk është themeluar si bashkim psikopatologjik. Pra, nuk mund të kuptoj se si BE-ja mund të vijojë në habinë e saj. Një ditë ky bashkim i madh do të zgjohet me një psikologji aktive dhe do ta kuptojë se Serbia nuk ka vend në BE. Vetëm atëherë Bashkimi Evropian do t’i kthehet idesë që e solli në jetë, duke mos qenë më vendi ku gëlon psikologjia dhe shkëmbimi i interesave.
Ne duhet të pranojmë se ideja e çdo integrimi të brendshëm në Ballkan përmban në thelbin e vet, në çdo nxitje të ndonjë lobi evropian, një dozë të lartë racizmi. Duke u larguar prej vlerësimit të aftësisë integruese individuale të shteteve ballkanikë, evropianët e këtij lloji i largohen vlerave dhe na vendosin si kusht dhe horizont, përpara dhe kudo, bashkimin përmes tregtisë. Ata e zëvendësojnë pafuqinë e tyre për zgjerim në bazë të vlerave me fiksionin e një tregtie që bashkon të pabashkueshmen, duke shprehur po aty një padije të thellë në sinoniminë mes kampit komunist dhe bllokut jugosllav.
Monedha nuk mund të mbushë hapësirat që janë krijuar nga qindra mijërat e viktimave të etnocideve. Shqipëria ka qenë komuniste, por jo jugosllave. Kryeministri i Republikës londineze ua ka lehtësuar këtë gabim evropianëve dhe ndërkombëtarëve në përgjithësi. Përkundrazi, rezistenca e qeverisë së Kosovës po kthehet në punë pedagogjike mbi vetë ndërkombëtarët e BE-së.
Më lejoni tani të kaloj në një hamendësim më të gjerë lidhur me veprën, për të treguar se dija autoktone e ambasadorit Murati nuk është i vetëm. Por para se të nisë këtë hamendësim duhet të deklaroj edhe një herë dy devizat e moralit politik, që propozon z. Murati e që i ndaj unë dhe një organizatë e tërë ku bëj pjesë: “Fqinjësia nuk mund të vendoset mbi interesin shtetëror dhe kombëtar”, “Integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar janë më të rëndësishëm se integrimi evropian”. Nëse i zotërojmë devizat tona të veprimit, atëherë të jemi të sigurtë se do të integrohemi në Evropë.
Që ne pikënisje unë isha i qartë mbi idenë se duhet të evidentojmë po ashtu një stil, jo thjesht të shkrimit, por të vështrimit. Siç e thashë pra në nisje, në çdo kontribut të zotit Shabani mbi analizën e diplomacisë ndihet aftësia e tij për me prodhuar faktologji. Le ta quajmë faktologji aftësinë për të lokalizuar, në mjedisin e turbullt, tepër kompleks e rrethanor të ngjarjeve të përditshme, diçka që shërben si fakt, si pikënisje reflektimi.
Në filozofi termi fakt, i preferuari i dijes anglo-saksone, nuk është lehtësisht i integrueshëm në proçeset tona të njohjes dhe ndërgjegjësimit. E pra, për të lokalizuar faktin, ose për të thënë se ç’nuk është fakt, do të thotë të kesh një aftësi të veçantë perceptimi. Çdo qenie percepton, por perceptimit i lypset një dije, një dije e fushës. Dija e fushës është problematike sepse aty priten mes tyre një dije dhe një prirje: dija që e marrim nëpër vendet e specializuar dhe prirja që orienton përvojën. Ne jemi ndoshta një nga vendet në botë me më shumë vende të specializuara, universitete, por me më pak regjistrim të përvojës së prirur, përvojës së orientuar.
Aspekti i fushës është problematik, sepse dija e fushës në përgjithësi përvetësohet në mënyrë abstrakte, pa ndonjë lidhje me terrenin. Marrëdhënia zë fill kur nisim e krijojmë gradualisht ndërgjegjen mbi aftësinë dhe mundësinë për të prodhuar dije autoktone të fushës. Implikimi i përvojës në dije e krijon fushën. Po e ripërsëris, intriga mes fushës së dijes dhe fushë së përvojës prodhon autoktoninë. Këtu qëndron prurja e librave të zotit Shaban Murati. Në bazë të perceptimit të tij, perceptim që ka kaluar nga fusha e dijes te fusha e përvojimit gjatë një gjysmë shekulli, fusha është prirur drejt interesit kombëtar të diplomacisë.
Kur deklarojmë pra se kemi dije, sasi të madhe dijesh dhe dije të fushës, nuk jemi deklaruar aspak mbi natyrën autoktone të tyre. Natyrshëm, dija autoktone, dhe po aty perceptimi sovran i lëmisë, i përket drejtpërdrejt dhe menjëhershëm poetit. Fakti i poetit gëzon ndoshta cilësinë më të lartë të perceptimit.
Lypset pra një shije poetike kudo nëpër disiplinat, që ato të prodhojnë autoktoninë e tyre. Përmes dijes autoktone dhe perceptimit sovran mund të lokalizojmë asi faktesh që për nga vlera e tyre marrin fuqinë e simptomës. Vëllimi i shkrimeve të zotit Shaban Murati është leximi i simptomave. Diçka mes mjekësisë dhe poetikës. Ashtu si për mjekun, edhe këtu diagnoza fillon me simptomën.
Analiza e dy librave, të largët mes tyre sa dhe ura historike-ideologjike që mbahet mes Tiranës dhe Prishtinës, mund të na shërbejë edhe për një përqëndrim më të fortë të disiplinimeve të autoktonisë: libri “Antitabu” përshkruan në formë ditari cenin e shqiptarit në lëndën e bonsensit publik; libri “Aleanca e duhur Shqipëri – Kroaci” përllogarit cenin në lëndën e bonsensit diplomatik. Vesi qëndron pra në lëndën e brendshme të identitetit dhe atë të jashtme të aleancës. Po përdor cilësorin bonsens, sepse kemi të bëjmë pikërisht me dëme në aspektin formal të logjikës.
Kur zotërojmë ndjeshmërinë, zotërojmë aftësinë për me lokalizu simptomat, identike me aftësinë perceptuese që shquan nëpërmes lëndës së mjegullt gjeopolitike. Sepse kjo lëndë shkon prej medieve të rajoneve më armiqësorë ekzistencialë për shqiptarët, deri te sjellja jonë, si i treti i vetë-përjashtur prej marrëdhënieve në botën… e diplomacisë. Ambasadori është sigurisht njohësi më i detajuar i botës ruse nga na vjen integralisht rreziku.
Po përfitoj nga rasti i duhur për t’u ndalur pak në pikën e marrëdhënies mes subjektivitetit dhe aleancës. Rëndomë ne rrekemi ta harrojmë armikun nën idenë se jemi besnikë të ndonjë aleati. Kur, në fakt, me qenë besnik i ndonjë aleati do të thotë të jesh njohës shumë i madh i armikut. Aleatit i nevojitesh kur ti e njeh shumë mirë armikun tënd. Në analizën e shkruar gjatë tri dekadash ambasadori Murati e ndjek dhe e shtjell këtë temë reflektimi. Ju ftoj në një lloj imagjinate të thjeshtë dhe të shkurtër.
Një njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare i ngjan një patologu, ose më mirë një mjeku të përgjithshëm. Ai nuk e sheh botën vetëm nga perspektiva e mbyllur e politikës ekzekutive, por e vlerëson edhe si rezultat i mbetjeve që mund të prodhojë rajoni përrethues. E sheh ekzekutivin edhe si përcaktim të kontakteve me ndonjë ekosistem.
Ambasadorët tanë, të cilët duhet të jenë psiko-motorr i zgjatur në mjedisin e huaj, nga padija lidhur me zejen e tyre, shkëputen prej trupit. Ne i dërgojmë që ata të na dëftojnë sesi mund t’ia përshtasim mjedisin trupit, ndërsa ata shëtisin nëpër mjedis pa kodin e trupit prej nga vijnë. Në zonën e përvojës harresa e trupit është e lehtë kur nuk e kemi të stërvitur perceptimin sovran.
Ambasadori Murati, i një lloji krejt tjetër, një kohë drejtues i Akademisë Diplomatike dhe sektori në Ministrinë e Jashtme, ambasador në disa vende të kulturave të ndryshme, ka studjuar mjedisin. Duke vëzhguar zonat ku prodhohet politika më antishqiptare, ka zbuluar edhe direktivat e sjelljes që do t’i rekomandojë trupit të cilit i përket. Direktivat kanë të bëjnë me publiken (Antitabu) dhe me aleancat (shembulli i Kroacisë).
Së pari, nga reflektimi i tij afatgjatë unë nxjerr si tezë se aleanca nuk është aleati. Kjo do të thotë, në një hap të dytë, se subjektiviteti është më i fortë e më unanim tek armiku. Prej një pamjaftueshmërie afatgjatë në reflektim ne e kemi vendosur subjektin tek aleati, duke ia hequr armikut. Rastin më të shprehur të këtij gabimi zyrtar prof.Donik Sallova e thekson duke cituar një moment te “Antitabu”: “kemi shkruar për të gjithë heronjtë dhe viktimat tona, pa përmendur kurrë armikun, atë që i vrau”. Kaq i trashë është gabimi, faji. E zhdukim armikun zyrtarisht dhe historiografikisht si subjekt.
Së dyti, sa më shumë e fshehim armikun, aq më shumë e përmendim aleatin. Duke e bërë aleatin subjekt, përmes përsëritjes së emrit të tij, ne relativizojmë subjektivitetin e tij, dhe po ashtu absolutizojmë njëjtësinë e përhershme të botës. Zhdukje e armikut si subjektivitet, subjekt pa subjektivitet i aleatit, vijimësi e heshtur dhe e paqtë e botës.
Ambasadorët tanë kanë të drejtë të shëtisin në një botë që mendohet e qetë. Jo më kot para do vitesh, shumica e tyre dhe e analistëve në medie na deklaronin se nuk do të kishte më luftë. Rezultati politik dhe publik: zhdukja e vetes si subjekt. Këtu qëndron thembra e Akilit.
Carl Schmidt bënte të qartë se (në gjeopolitikën si fusha ku është reduktuar politika aktuale nëpër plotësinë e shekullit XX) ekziston vetëm një subjekt, që prodhon fushën e ekzistencës së vetes, subjekt i vendosur në nocionin e armikut dhe në dallimin mik-armik. Ndërsa shteti shqiptar, në mënyrë institucionale, pra shteti substancial i shqiptarëve, e ka zhdukur apo tretur figurën e armikut në dijen e fushës.
Në bazë të një dijeje naive, përfaqësimi i shqiptarëve ka menduar një botë që është e mbushur me aleancë. Idili i një bote të paqtë i ka ndihmuar republikat zyrtare të shqiptarëve të jenë të dhunshme mbi vullnetet e vetë shqiptarëve. Në horizontin cinik intim të gjeopolitikës, përfaqësimi politik dhe diplomatik shqiptar vepron, si në trevat tona edhe në ato armiqësore, i drejtuar nga ideja se mund të relativizohet armiku.
Relativizimi i armikut nuk është i mundur përmes harresës së subjektit të tij. Çdo përpjekje e jona për të relativizuar armikun është një faj. Zhveshja e armikut prej subjektit përfundon në humbje të vetes si subjekt, pra si fuqi perceptimi dhe sjelljeje. Opinioni ynë se bota na përgjigjet përherë në formën e aleancës me amerikanët, ka qenë një strategji përmes së cilës ne kemi zbehur veten, kemi zbrazur aleatin prej kompleksitetit të subjektivitetit të tij. Po ashtu si historia jonë nuk i përmban emrat e armiqve, që na detyruan të kemi heronj, edhe diplomacia jonë e zhvesh së brendshmi aleatin.
Fusha e përcaktimit të armikut dhe njohja e kompleksitetit dhe kundërthënieve brenda aleatit kanë sjellë vetëm një produkt: zbehjen e karakterit gjenocidal të Serbisë. Këtu na vjen në ndihmë libri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”. Aty kuptojmë se themelimi i një aleance është shumëformësh, me shumë përbërës, afatgjatë. Sepse vetë marrëdhënia e aleancës është subjektivitet. Çka do të thotë se Amerika është aleate kur më parë është aleate Kroacia, Bullgaria, Gjermania, Austria, Britania. Duke rendur te maja e aleancës, ne shpallnim hapur sekretin e vesit tonë, mangësinë tonë të lartë publike, përtacinë tonë themelore në lidhje me shtetimin: punën e përditshme.
Dhe kësisoj, nga gabimi i lidhjes me majën e aleancës, e parë jo si marrëdhënie subjektive, por si objektivitet i pagabueshëm, ne kaluam në fajin e menjëhershëm, në idenë e “Ballkanit të hapur”. Duke ia hequr subjektin armikut, ne e kthejmë në fushë të ekzistencës sonë, në kusht të mundësisë sonë.
Do të më falni përsëritjen e njërës prej temave. Por, tanimë, në aspektin e armikut si i vetmi subjekt në gjeopolitikë, më duhet të përsëritem në lidhje me Ballkanin. Kjo do të thotë se ka rëndësi vendimtare se në ç’njësi gjeografike na hedh cinikisht gjeopolitika dhe si e sa ne i përgjigjemi pozitivisht këtij projektimi. Studjuesi Shqipërim Pula e risjell në vëmendje faktin se z. Murati lokalizon gabimin afatgjatë të diplomacisë sonë, anëtarësimin tonë të heshtur zyrtar në Ballkanin Perëndimor.
Por ç’është ky Ballkan, kjo njësi gjeografike që i ka shërbyer metaforës së “fuçisë së barutit” në kokën përtace të çdo evropiani, nëse në atë rajon të botës Serbia e ka nisur përherë luftën e shqiptarët asnjëherë? Zoti Murati ka ngulmuar prej vitesh në atë se nuk ka asnjë kuptim që shteti shqiptar të pranojë automatikisht e pa një fije reflektimi përkatësinë në Ballkanin Perëndimor.
Termi “Ballkan Perëndimor” u shpik në Francë në vitin 2000 nga po ata, që e kanë përmendur më shpesh nëpër histori se Ballkani është fuçi baruti. Kjo ide me autorë dashakeqë u pranua nga ne me lehtësinë e papërballueshme të indiferencës.
Ndërkombëtari i përhershëm vjen e na dëfton se të cilës përkatësi jemi. Por kur? Atëherë kur Sllovenia nuk pranon as përkatësi gjeografike me gadishullin e Ballkanit. Kur Kroacia shmang çdo lidhje me Ballkanin Perëndimor, sepse nuk mund të qëndrojë lehtësisht në gjeografinë e krimit të Serbisë. Ajo e kupton se hyrja në ndonjë linjë të paqartë do të krijojë paqartësi të reja. Dhe ja që Serbia organizon “Ballkanin e Hapur”, ku Shqipëria, me mangësinë e saj në subjekt, në përceptim e vetëdije, merr përsipër të zëvendësojë Slloveninë, madje të kërcënojë Kosovën.
Kjo e fundit na qenka një emër i mundshëm për të përmbushur gjashtëshen e domosdoshme të imagjinarit jugosllav për çdo Ballkan. E kërcënuar nga vetë Shqipëria, ndoshta ajo do të zëvendësojë Kroacinë tashmë evropiane, pra jashtëballkanike. Shteti shqiptar i kryeministrit Rama synon ta tërheqë me vete Kosovën në humnerën e desubjektivitetit.
Përmes shtetit substancial të shqiptarëve, Ballkani duhet të ruajë numrin e tij të përbërësve. Pasi i ka hequr Serbisë subjektin prej armiku, masën armiqësore ndaj ekzistencës së shqiptarëve, Republika e Shqipërisë dhe kryeministri i saj, duan ta përputhin Ballkanin me projektin e përhershëm serb të Jugosllavisë. Nostalgjia serbomadhe dhe jugosllave e armikut, lënda e subjektit të tij, në kushtet kur ne vetëfshihemi si subjekt, i ndihmon gjendjes morbide të ndërgjegjes evropiane, gjendjes melankolike. Melankolia, kjo gjendje e dobët e subjektit, që kaplon Evropën, krijohet prej zonave të paqarta të vetëdijes nëpër trevat e saj.
E një nga këto treva që e mundësojnë dobësimin e Evropës jemi ne shqiptarët. Tek lehtësojmë prodhimin e zonave të mbyllura me emra të famshëm të hapjes, “Ballkan i Hapur”, ne i kemi shtënë në tru Evropës se jemi projekt i hapur për rusët dhe goxha i paaftë për me qenë perëndimorë. Ky është përshkallëzimi.
E nisëm me heqjen e subjektit prej armikut dhe përfunduam me njësimin e një rajoni të tërë si Ballkani në projektin e sllavëve të jugut. Ia humbëm subjektivitetin të gjithë entiteteve publikë dhe armiqësorë, që prej armikut… deri tek aleati. Ngase kur shuam subjektin e armikut, me po të njëjtin akt ne e shtymë aleatin të mos na paraqitej më i tillë. Dhe ai na klasifikoi në kampin e sllavëve. Sepse ne nuk ditëm të përsërisim presidenten kroate në përcaktimin e saj të tetë viteve më parë: “Ne jemi Evropa Juglindore jo Ballkani Perëndimor”. Por si rëndom, ne nuk e zotëronim as reflektim e as perceptim. Ca kohë më pas, kryeministri i Shqipërisë do të shpallte bujshëm se ne (shqiptarët) jemi pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Z. Murati na sjell gjithnjë para gjendjen diplomatike shqiptare. Do të thotë se, përmes kryeministrit të tyre, shqiptarët jo vetëm e legjitimonin Ballkanin Perëndimor, por dhe se ky Ballkan ishte një projekt i hapur. E dihet se Ballkani mund të jetë i hapur vetëm në dy forma. Ose sipas linjës shqiptare, drejt perëndimit, ose sipas linjës serbe, do të thotë drejt Lindjes. Nga ana tjetër, dihet historikisht se një Ballkan në vetvete, i drejtuar nga Serbia, është projekt i mbyllur për shqiptarët. Dhe kështu, pasi Serbia ka mbyllur të tashmen, po i kthehem pyetjes së studjuesit Shqipërim Pula: “çfarë iu duhet për me mbyllë të shkuarën?”. Çfarë i duhet ende? Të vjedhë, të grabisë tërë të shkuarën autoktone shqiptare. Ta marrë për vete e me vete në humnerën e saj sllavo-imperiale? Duke e mbyllur të tashmen, duke vjedhur të shkuarën, ajo e bën fatale të ardhmen e shqiptarëve. Ky është projekti serb, subjektiviteti i armikut, të cilin përpiqemi ta harrojmë në mënyrë zyrtare
Librat e zotit Shaban Murati ndjekin pikë për pikë të gjitha simptomat e sëmundjes që mbartim si republikë e pavarur prej më shumë se një shekulli. Për këtë arsye nuk do të ka pasur asnjë promovim të tij në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe për këtë arsye ka pasur dy promovime në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Na duhet të kuptojmë se si krijohet subjektiviteti. Subjektiviteti i vetes, ja një temë që e kam trajtuar në aspektin e filozofisë, madje në një ligjëratë në fakultetin filozofik të Prishtinës, në vitin 2010. Subjektiviteti i një trupi qëndron te plaga e tij. Përse plaga? Sepse një trup është i ndërgjegjshëm vetëm te plaga. Aty ndjen trupi që është trup. Aty fuqizohet imuniteti si veprimtari e vërtetë e trupit, te plaga. Trupi ekziston te plaga.
Shqipëria e shëruar, republika e pavarësuar prej pazarit të fuqive, është trupi i sëmurë sepse nuk ka asnjë plagë, sepse përvetësoi amnezinë duke u kthyer në anestezik, anestetik. Pa ndjeshmërinë, pa dijen e fushës dhe lëndës, Republika londineze nuk ka asnjë ndjeshmëri sovrane dhe politike. Republika e Shqipërisë është një entitet anestezik, anestetik. Si trup i rehatuar, relativizon virusin, relativizon armikun, relativizon ekosistemin. Nuk sheh subjektivitet aleancash, por subjekt aleati. Nuk shquan subjekt armiku, por punon harresën e vetes. Ndaj dhe te plaga qëndron ndërgjegjia e një kombi. Pra, është krejt normale që Ministria e Jashtme e Kosovës, sado e paqartë të ketë qenë nëpër vite, duke qenë ministria e jashtme e plagës së kombit, ndërmerr nismën e promovimit të librave të ambasadorit Murati.
Të dimë po ashtu se ne jemi të plagosur krejt në Shqipëri, në Republikën Londineze, kjo do thotë tanimë se pikërisht dijen e zotit Murati duhet ta propagandojë Kosova në Shqipëri. Përgjithësimi i plagës është dija autoktone. Ky është sekreti strategjik: Shaban Muratin, Hysamedin Ferajn, Abdi Baletën, Enis Sulstarovën, Krenar Zejnon, e të tjerë që mund t’i harrojë tani, në Shqipëri duhet t’i bëjë të njohur Kosova. Projekti është i hapur. Të gjithë ethet e mendimit në Shqipëri duhet t’i ngjallë Kosova, ashtu siç po kthehet ajo në politikën e jashtme në model të organizimit të mendimit sovran në Shqipëri. Plaga e bën trupin trup.
Sot shqiptarët e republikës londineze, falë qeverisjes aktuale në Kosovë, po e kuptojnë se nuk e kanë zotëruar kurrë lëndën e qeverisjes dhe institucionit. Plaga është trupi. Kjo ka qenë dhe do të jetë teza ime bazë: Shteti amë është Kosova.
Le të jemi të kthjellët në ndërgjegje: studjuesit e llojit Murati janë vetëdije e Kosovës e lindur dhe e rritur në Shqipëri. Çdo njeri që ka punuar në Shqipëri për Kosovën është i lidhur me Kosovën jo në bazë të ideologjive perandorake, por i lidhur me Kosovën në bazë të një zbulimi personal gjatë të shkuarës së vet. Kështu që Kosovës i duhet të koordinojë ndërgjegjet personale, historike-familjare, që janë prodhuar rastësisht në Shqipërinë Londineze, për t’i kthyer në ushtrinë e vet cerebrale kombëtare. Kjo është detyrë e institucioneve të Kosovës.
Njerëzit duhet ta lexojnë faktologjinë. Ajo çka ndodh me plagën dhe cerebralin, duhet të ndodhë me studimin. Ekzistenca e mendimit të cilësuar strukturon trurin, dhe konsumon shumë më pak energji stomaku, mbijetese. Imperative është themelimi i fushës sovrane të dijes. Duhet të vendosen bashkë librat që kanë folur për veprimtaritë e heshtuara në mënyrë zyrtare nga institucione që kanë dashur të heshtin reflektimin historial.
Librat e kësaj natyre duhet të promovohen e të lexohen. Hysamedin Feraj ka shkruar ndoshta thirrjen më të fortë epistemologjike mbi të pafilozofuarën shqiptare. Le të vendosim në këtë rrafsh edhe të padiplomatizuarën shqiptare, që gjendet e shpërndarë në veprat e z. Murati. Sepse, siç kam pëlqyer të them më herët, duhet të zgjatojmë frazën e Marksit: diplomacia është shprehje e koncentruar e politikës, nëse politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë.