Dimër, 1952. Në një mëngjes gri, në një orë të pazakontë, u shfaq, duke qarë, nenia Sofije, gruaja e axha Cufit. Nuk ishte shqiptare. Ishte serbe, me një dashuri romanesh (m’i tregonte vetë, kur unë u rrita), me axha Cufin, në vitet ’30, në Sarajevë.
Atë mëgjes gri, ajo dha kumtin e arrestimit të axhës sonë, në të zbardhur të ditës.
Isha pak më shumë se 7 vjeç dhe për arrestime kisha dëgjuar tinzash, natën kur prindërit më dinin në gjumë.
Qetësia u prish. Baba vetëm mendohej.
Ne u bëmë me njollë në biografi që, sipas situatave politike, herë dukej, herë zhdukej…
Mars 1952. Axha Cufin e lanë tre muaj në burgun e Shkodrës. Derisa doli në gjyq.
Tri herë e shoqërova nenèn në atë vend, për ta parë axhën prapa hekurave.
Ishin dy palë hekura të ndara njëra nga tjetra, ku qëndronin dy policë.
Herën e fundit, axha më tha: -Vera, nuk besoj se do të jem më këtu…
Kaq. Orari mbaroi.
Axhën e çuan në burgun famëkeq të Burrelit, i dënuar me 25 vite heqje lirie për axhitacion e propagandë.
I kishte kaluar të 60-at…
24 nëntor 1959. Me rastin e 15-vjetorit të Çlirimit, u shpall një amnisti për të gjithë të burgosurit politikë, që kishin kaluar moshën 65 vjeç.
Gëzim në shtëpinë tonë. Nenia Sofije, që banonte vetëm në një dhomë, afër nesh, rrinte duke pyetur vazhdimisht, babën tonë:
-Tofik, po Cufi është gati 70… Del apo s’del?
Unë me hallën time Rabije shkuam tek burgu, sepse u hap me vrap lajmi që do t’i sillnin aty…
Më kot. Përkundrazi, një zyrtar i lartë me grada, iu përgjigj, tekstualisht, hallës: -Cuf Lohja nuk del kurrë…
U kthyem të dyja në shtëpinë tonë, shpresëhumbur…
25 nëntor 1959. Dikush nga fisi Lohjan erdhi e lajmëroi se Cuf Lohja, së bashku me disa të tjerë, është liruar dhe ka kanë kaluar natën jashtë në Burrel.
Skender Lohja, mësues në Burrel, e mori dhe e hypi në një kamion, që vinte në Shkodër.
Mbasdrekja e vonë dhe e ftohtë, e solli axhën në shtëpi, ku u sulëm të gjithë.
Jo, s’ishte e mundur të ishte Ai…
Axha im shtatlartë, gjithmonë me një bastun me dorezë të florinjtë, ishte kthyer në një trup dyfish, mbi një shkop, me një gjysëm pallto të dalë boje dhe me një fes të rrasur për kokë…
Natën vonë, u panë dy kërcinj të përcëlluar, ngjitur pas çorapeve të leshta….
Edhe ai vetë u çudit…
-Nuk i kisha kështu- mërmëriti…
26 nëntor 1959. Para se të shkoja në shkollë, vrapova të shihja axhën.
I veshur me kostum e kravatë, i pashëm, qëndronte i kthjellët, pranë sobës.
– Ty të pëlqen letërsia, më thanë?
-Shumë…
– Mirë… Sa të dalë pranvera, do të rrimë bashkë në oborr dhe do të diktoj gjithë ciklin origjinal të Gjeto Basho Mujit…
Ti vetëm do të shkruash…
Një javë priti e përcolli të afërm e miq…
Një javë nuk iu ndava.
Dhe pastaj, çdo ditë e gjeja të shtrirë si pashà në krevat…
Në përhumbje moskthyese…
Më 18 janar 1960, Axha i madh iku në heshtje…
Mori me vete edhe Gjeto Basho Mujin apo ndoshta Ai dëshironte të më tregonte jetën e Tij…
Këtë nuk e mora vesh kurrë.
Mora vesh më të hidhurën.
Baba më tha se kur e lanë për ta përgatitur, kishte parë se shpina e Tij kishte akoma fshikullat e kamxhikëve të burgut…

Rrefim sh.i bukur dhe i dhimbshem.usuf Lohja permwndet si atdhetar nga Nikolla Ivanaj.Ka qene ushtarak ? Sepse Nikolla Ivanaj .e permwnd kapiten Jusuf Lohja.Respekt.