Të kuptuarit e historisë, është një nga provat më të mëdha mendore dhe të intelektualitetit sipëror të çdo kombi. Përvoja e mijëvjeçarëve tregon skajëzime të kobshme, triumfe të përkohshme të subjektivizmit, deformime të monopolizuara politike. Megjithatë historia nuk e bjerr dot substancën e saj dhe karakterin shkencor të padyshimtë, pavarësisht koncepteve dhe ideve relativiste, shpesh dhe alternativiste.
Çdo histori në vetvete është e shumëfishtë. Rrafshet politike, ekonomike, luftarake, kulturologjike, mund të studiohen në vetvete, por matrica e sintezës dhe e sinkretizimit është e plotfuqishme, në mënyrë që të pjesshmet të modelojnë të plotën, me një besueshmëri të kriticizmit shkencor, për të treguar të vërtetën e patjetërsueshme. Kjo do të thotë, që shkenca e historisë ka një karakter konceptual të mirëfilltë dhe është shumë më tepër se sa faktografia, apo kronologjitë e fosilizuara. Kjo kërkon një seriozitet të jashtëzakonshëm, që shpreh shkallën e lartë të vetëdijes së çdo kombi, jo vetëm në lidhje me vetveten, por edhe me të tjerët, sepse karakteri universal nuk mund të shmanget. Duke mos qenë parime, ose postulate teorike këto që thashë më sipër, bëjnë që ne, shqiptarët, sidomos tani në Mijëvjeçarin e Tretë, nën ndriçimin e proceseve të mëdha botërore të globalizmit, të rifitimit me përpjekje të vazhdueshme të një demokracie autentike dhe zhvillimit, të konceptojmë dhe të shkruajmë historinë, larg falsifikimeve dhe mitizimeve të panevojshme, përtej mohimeve ekleziastike, duke vërtetuar kështu provën tonë më të madhe të emancipimit kombëtar dhe mbarënjerëzor.
Ideja për ta ringritur të rikonceptuar ngjarjen epokale të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare lidhet në substancë me europianizmin tonë modern, me zhvillimin e pandalshëm të kombit dhe të shoqërisë shqiptare, me optimizmin konceptual të të ardhmes të Shqipërisë të krejt historisë së saj, që ka skalitur identitetin dhe individualitetin tonë si popull, si kulturë dhe si qytetërim. Rikonceptimi i historisë së luftës nuk është fatalisht diçka e pamundshme, por absolutisht diçka e domosdoshme.
Shekulli XX është një shekull i madh dhe i jashtëzakonshëm edhe për ne shqiptarët. Fillimshekulli shpalli urbi et orbi Shtetin e Pavarur shqiptar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Kjo është Porta e Hapur për të gjitha ngjarjet deri në ditët e sotme, madje edhe për të gjithë ditët, që do të vijnë. Këtu është mbijetesa, madje dhe të tëra sekretet e vetëkuptueshme të zhvillimit dhe të së ardhmes.
Antifashizmi botëror është një kulturë e re dhe shumë e lartë e njerëzimit në shekullin XX. Lindja e fashizmit në Itali në vitin 1922 dhe e nazizmit në Gjermani më 1933, krijoi një situatë apokaliptike, nga më të rëndat dhe më katastrofiket në krejt historinë e njerëzimit. Benito Mussolini dhe Adolf Hitler qenë dykrenorja e përbindëshit, që kërcënoi gjithçka, që vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e kombeve, të qytetërimit europian dhe atij njerëzor me idenë absurde të perandorive totalitariste të spastrimit etnik dhe racor të një modelimi absurd dhe paranojak të një historie tjetër, të barbarizuar dhe të viktimizuar në sistem. Rreziku i fashizmit dhe i nazizmit nuk u kuptua që në fillim. Diplomacia europiane qe shpesh e plogët dhe respektonte konjukturat pa largpamësi. Këtë e vërteton Pakti i Munihut, tërë periudha para shpalljes zyrtare të Luftës së Dytë Botërore është deri diku një triumf ideologjik dhe fuqizim i paparë ndonjëherë i forcave ushtarake të agresorëve nazistë dhe fashistë. Midis konfuzioneve, paqartësive gjithsesi ndërgjegja e popujve po përpunonte një proces reagimi, duke mprehur instinktet e vetëmbrojtjes dhe duke kuptuar më në fund përmasat e llahtarshme të katastrofës.
Janë shkruar mijëra e mijëra libra për Luftën e Dytë Botërore, janë shfrytëzuar arkivat, por asgjë nuk është bërë në mënyrë shteruese dhe përfundimtare. Gjithmonë ka një cak të rifillimit, për të studiuar pambarimisht Luftën e Dytë Botërore. Kjo vlen dhe për historiografinë shqiptare, por edhe për historiografinë e huaj, që është marrë dhe merret me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këto rrethana, mund të them të vështira, Muzeu Historik Kombëtar ndërmori nismën për të bërë Projektin Muzeumologjik për ngritjen e Pavionit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo nismë pati mediatizim të jashtëzakonshëm dhe u shoqërua me debate nga më të skajshmet, por një gjë nuk u vu kurrë në dyshim, që Projekti Muzeumologjik duhej të sendërtohej patjetër. Muzeumologët e Muzeut Historik Kombëtar, Këshilli Shkencor pranë institucionit, akademikët dhe profesorët, specialistë të fushës, me një tendosje të pazakontë punuan për të bërë realitet përurimin e ekspozitës përfaqësuese të rezistencës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për afro tre muaj u punua në Arkivin e Shtetit, u shfrytëzua Arkivi i Muzeut Historik Kombëtar, një bibliografi shumë e pasur e botimeve dhe e shtypit të kohës në fondet e Bibliotekës Kombëtare, si dhe krejt literatura e botuar historiografike e të huajve për këtë çështje madhore.
Kështu u arrit që Projekti Muzeumologjik të pasurohet dhe të saktësohet, të shmangen subjektivizmat dhe politizimet e panevojshme, qoftë të majta dhe qoftë të djathta, për të arritur kështu te një përvojë e re institucionale për të bërë realitet këtë aksion muzeumologjik shumë të rëndësishëm dhe kryesor.
Antifashizmi Shqiptar është pjesë e Antifashizmit Botëror. Në mesin e shekullit XX, populli shqiptar me një vetëdije të admirueshme qe pjesëtar i një Aleance Botërore të Antifashizmit, ngjarje kjo që ndodh një herë në 2000 vjet.
Është hera e parë në histori që shqiptarët morën pjesë në një aleancë botërore të përmasave dhe të ngjarjeve kaq të thekshme dhe kaq sakrifikuese dhe madhështore.
Për të bërë më të qartë për vizitorët dhe studjuesit konceptin e këtij Projekti, nënvizojmë se muzeumologjia ka specifikën e vet, duke qenë një disiplinë shkencore e mëvehtëshme, ndonëse e pashkëputur nga historia, nga të gjitha disiplinat e saj përbërëse. Kategoria e historicitetit është jo thjesht kronologjike, por është ajo materie, që nuk pranon asnjë lloj amnezie qoftë kolektive, qoftë individuale. Respektimi i historicitetit është baza, paraqitja e dokumenteve autentike dhe e fakteve, është struktura, larg komenteve politike, apo retorikave butaforike, pasuria e madhe e relikteve të heronjve dhe pjesëmarrësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare përbën koleksionin më monumental dhe intim, që ka mbetur i amshuar, duke mbartur ekzotikën tragjike të ngjarjes të paharruar. Këtu dallon edhe muzeumologjia, këtu është autenticiteti i saj dhe vlerat. Muzeumologjia nuk është identike me librat historikë, që janë shkruar dhe do të shkruhen, por as thjesht me korpusin arkivor. Pikat e ndërlidhjes janë të pamohueshme, gërshetimi është mjeshtëria dhe thelbi i muzeumologjisë, dallimshmëria e saj disiplinore, ka kështu një karakter integrues të padyshimtë.
Disa kritere kryesore janë respektuar sipas logjikës së mësipërme: është synuar, që të paraqiten ngjarjet e veçanta dhe kryesore brenda gjithë ngjarjes madhore në kufijtë kronologjikë. Personalitetet politikë dhe ushtarakë janë vënë në një raport të vetëkuptueshëm me pjesëmarrjen popullore në luftën e armatosur, morale dhe intelektuale kundër fashizmit. Janë paraqitur foto të paretushuara dhe janë rivendosur të gjitha figurat antifashiste, të cilët janë likuiduar dhe janë mohuar për arsye politike, duke bërë kështu një akt sa moral edhe shkencor të respektimit të së vërtetës.
Është respektuar zhvillimi kronologjik. Është interesante, gjë, që nuk duhet harruar, se Lufta e Vlorës më 1920, kur shqiptarët i hodhën në det italianët, pati një reagim të çuditshëm nga ana e Mefistofelit të Fashizmit, Benito Musolinit, i cili siç dihet e mori pushtetin dhe eksperimentoi shtetin e parë totalitar fashist, më 1922. Musolini shkroi disa artikuj, ku çlirimin e Vlorës nga shqiptarët, e quajti më të rëndë se sa Kaparetoja, e disfatës së italianëve nga austriakët në Luftën e Parë Botërore. Mussolini profetizoi rikthimin në Shqipëri pra, që më 1920 konceptohet zanafilla e pushtimit fashist italian të 7 prillit 1939. Një dijetar i urtë, paqësor, si Sotir Kolea i shkruan një letër në frëngjisht shkrimtarit të madh, por që u bë ideolog i fashizmit, italianit Gabriele d’Anunzio, duke e kritikuar me guxim, se si ka mundësi një shkrimtar i famshëm si ai, të kërkojë pushtimin e Shqipërisë së vogël, kjo gjë e vë në dyshim lavdinë e shkrimtarit dhe është antinjerëzore dhe antihistorike.
D’Anunzio me një stil patetik të kobshëm Disfatën e Vlorës e metaforizoi me thënien “Tani Italia i ngjan një kori të madh të tredhurish, si një Sikstinë pa Mikelanxhelon”. Ai me honorarët e tij bleu 40 milion fishekë për të vrarë shqiptarët. Ky aspekt ndoshta episodik, i zgjeron konotacionet e tij. Intelektualët e shquar shqiptarë me shumë guxim e kritikuan lindjen e fashizmit që në zanafillë, qoftë atë italian, qoftë nazizmin gjerman. Të guximshme janë skicat e Nonda Bulkës në horizontin e një talljeje universale të dy diktatorëve të mëdhenj Duçes dhe Hitlerit. E habitshme është profecia e Migjenit të madh në parabolën gati surrealiste “Të korrurat”, ku tregon metaforikisht popullin, që mbjell grurë dhe befas mbijnë topat. Ironikisht njerëzimi do të hajë hekur, pra instrumentet tragjike të vdekjes. Migjeni vdiq një vit para pushtimit fashist të Shqipërisë. Por para se sa të buçiste pushka, mitralozi i Mujo Ulqinakut, Migjeni i parapriu me idetë e shkruara me një lakonizëm tronditës “miqësisë” të stërnipërve të ilirëve, të romakëve, që do të nënkuptonte pushtimin, për ta bërë Shqipërinë “Bregun e pestë të Italisë”. Edhe mendja e fuqishme e Fan Nolit e stigmatizoi fashizmin, por edhe liriku delikat universal Lasgush Poradeci kritikoi idetë e librit të Hitlerit “Main Kampf” dhe persekutimin e hebrenjve, që çoi në holokaustin e tmerrshëm. Të pafundme janë shkrimet e shqiptarëve në organet e shtypit brenda dhe jashtë Shqipërisë, kundër ideve fashiste, pa harruar dhe vetë depërtimin e ideve fashiste në Shqipëri, me shëmbëlltyra të qarta, madje dhe organizative. Lufta e Spanjës ku morën pjesë vullnetarë shqiptarë, personalitete të shquar, si Skënder Luarasi, Mehmet Shehu, Mane Nishova, Petro Marko, Teni Konomi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Xhemal Kada, Asim Vokshi, Urfi Agolli, Thimio Gogozoto, Dhimitër Kosta, Gjyzepina Shkupi etj., qe një parathënie e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore në vitet 1936-1938, një aspekt i armatosur ndërkombëtar i antifashizmit, ku shqiptarët reaguan trimërisht dhe sakrifikuan, larg çdo lloj indiference. Poema “Adelante Camarades” e shkruar nga antifashisti Mehmet Shehu e shpreh qartë këtë gjë. Mbretëria e Zogut ndodhet përballë rrezikut të pushtimit. Acarimet e mbretit Zog me Italinë, në vitet 1931-1933, kanë kuptimin e tyre. Por Paktet Politike të Shqipërisë me Italinë në vitet 1926-1927 qenë pararoja e pushtimit ekonomik për të përfunduar në pushtimin ushtarak më 1939. Ditari gati cinik i kontit Çiano, e shpjegon tërë strategjinë e pushtimit. Çiano, duke i treguar Mussolinit një gur minerali kromi nga Shqipëria, i tha atij fjalët proverbiale: “Ja, fiqtë e Kartagjenës!”. Nëse Roma e lashtë e mundi Kartagjenën, Italia fashiste nuk kishte asnjë skrupull për të pushtuar Shqipërinë. Mbreti Zog i bëri përpjekjet diplomatike për ta kundërshtuar një pushtim ushtarak të Shqipërisë, por faktet tregojnë, që ai nuk organizoi as rezistencën popullore. Më 5 prill, ai kishte drejtuar një thirrje demokracive perëndimore, ndërsa më 6 prill iu drejtua Antantës Ballkanike, por pa asnjë sukses. Ultimatumi i Mussolinit u artikulua nga armët e gjeneral Guzzonit. Në orën 5,30 të mëngjesit të 7 prillit 1939, të Premten e Shenjtë, Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 22.000 trupa të mbështetura prej 400 aeroplanësh, 300 tanke të lehtë dhe 12 anije luftarake. Shqiptarët bënë demonstrata të mëdha në ditët e mëdha të prillit dhe kërkuan armë, por armët nuk iu dhanë. Luftime të ashpra u zhvilluan në Durrës, ku spikati heroizmi i Mujo Ulqinakut, dhe i vullnetarëve si dhe një kontigjenti të vogël trupash, me Abaz Kupin si komandant i mbrojtjes së Durrësit. Ata që u vranë më 7 prill kundër pushtimit nuk do të harrohen. Rezistenca, ndonëse simbolike e popullit, u bë në të tëra pikat e zbarkimit. Italianët në Durrës lanë afro 400 të vrarë, kurse dokumentet thonë, që u vranë 700 italianë në krejt Shqipërinë. Jo i vogël qe edhe numri i shqiptarëve, që u sakrifikuan. Italianët, sipas studiuesit amerikan Fischer, u ndeshën në mungesën e veprimeve prej Zogut, Qeverisë dhe ushtrisë së tij. Në vend nuk kishte asnjë përpjekje serioze për qëndresë, as udhëheqje nuk kishte. Në këtë krizë përfundimtare Zogu veproi keq. Interesimi i parë i mbretit në atë ditë fatale ishte vetëm për shpëtimin e familjes së vet. Zogu thjesht nuk kishte energjinë e mjaftueshme të udhëhiqte një luftë të tillë. Është e qartë, se ai nuk besonte shumë në idenë e qëndresës. Fischeri merret dhe me aspektin grotesk të ditës së 7 prillit, duke thënë se një shembull veçanërisht trishtues qe një rrobaqepës i qytetit të Durrësit, i quajtur Reuf Xhuli, të cilin Andre Ryan e gjeti duke përgatitur flamuj italianë prej basme ditën, që italianët po shkelnin Shqipërinë. Një shkallë trimërie, të çuditshme tregoi ish kryeministri Mehdi Frashëri, i cili filloi të transmetonte në radio me iniciativën e tij sulme të forta në disa gjuhë të huaja kundër pushtimit të vendit si dhe t’i drejtonte paralajmërime Musolinit. Ai madje organizoi një numër të rinjsh të armatosur me revole. Por kur trupat e pushtimit arritën në portat e Tiranës ai kërkoi strehim në Legatën Turke, duke mos pranuar njëkohësisht të nënshkruante një deklaratë në mbështetje të italianëve. Filippo Anfuso, ndihmësi kryesor i Çianos i tha atij, ndërsa po shihte nga avioni brigjet e Durrësit “Në rast se shqiptarët do të dispononin një brigadë zjarri të pajisur mirë, ata mund të na kishin hedhur në Adriatik”. Çiano shënon në ditarin e tij “Nuk ka më Shqipëri të pavarur”.
7 prill 1939 është dita e parë e pushtimit fashist, por edhe dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Të Premten e Shenjtë u kryqëzua Jezu Krishti. Simbolika për shqiptarët qe pikërisht ky kryqëzim. Përtej rastësisë e Premtja e Shenjtë do të ishte jo vetëm vdekja e përkohshme e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe çasti i Ringjalljes së saj nëpërmjet luftës popullore. Ngjarjet që pasojnë më pas, lidhen me një përpjekje groteske për “fashistizimin e Shqipërisë” dhe kolonizimin e saj.
Lufta italo-greke është një tjetër akord i tragjedisë, tashmë ballkanike. Shqiptarët qenë kundër kësaj lufte. Askush nuk mund të krijojë mistifikime dhe alibira të kobshme historike. Faktet dhe dokumentet e vërtetojnë qartësisht këtë gjë. Atentati i djaloshit Vasil Laçi, kundër Viktor Emanuelit gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ka gjithashtu jo vetëm një simbolikë shqiptare, por edhe ndërkombëtare. Ndërkohë, reagimet e shqiptarëve kundër pushtimit qenë të shumanshme.
Ndër të parat çeta antifashiste në Europë qe ajo e Heroit Popullor dhe të lavdishëm Myslim Peza. Ndërkohë, si kudo në krejt kontinentin idetë komuniste kishin depërtuar edhe në Shqipëri. Grupet komuniste, të pafuqishme dhe me grindje me njëri-tjetrin nuk bënë dot asnjë lloj rezistence më 7 prill. Grupet komuniste arritën më në fund, nën trysninë e ngjarjeve dhe të ndërgjegjësimit për të krijuar më 8 Nëntor 1941 Partinë Komuniste Shqiptare. Ky është një moment historik shumë i rëndësishëm dhe i pamohueshëm dot nga askush. Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë konceptuan dhe nisën në mënyrë ilegale dhe të shumanshme organizimin e qëndresës popullore për çlirimin e Shqipërisë. Kjo dukuri nuk qe vetëm në Shqipëri, po në krejt kontinentin. Antifashizmi i PKSH është një gjë reale dhe e patjetërsueshme. PKSH ka meritën historike dhe rolin kryesor. Përveç komunistëve kishte dhe atdhetarë të tjerë, madje me bindje jo komuniste, të cilët nuk e donin fashizmin. Kjo situatë inkandeshente çoi në organizimin e Konferencës së Pezës në vitin 1942 si një nga kuvendet mbarëkombëtare më të rëndësishme, më vizionare, dhe më të mençura në krejt historinë e kombit shqiptar. Retrospektiva na ndihmon për të përafërsuar me Kuvendin e Lezhës së Gjergj Kastriot Skënderbeut më 1444, apo Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, që evokohen në substancë edhe tek Konferenca e Pezës. Dokumentet origjinale arkivore e paraqesin Konferencën e Pezës të paretushuar dhe ashtu si ka ndodhur në të vërtetë. Për të bërë më të plotë dhe më të kuptueshme fizionominë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kemi dy dimensione: dimensionin politik të ngjarjeve konceptuese dhe udhëheqëse të krejt Luftës si dhe dimensionin ushtarak të organizuar të luftës. Në dimensionin politik Konferenca e Labinotit, Kongresi i Përmetit dhe Mbledhja e Beratit kanë rëndësi vendimtare. Duke respektuar historicitetin janë dhënë nëpërmjet dokumenteve formimi i organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, aktet e themelimit dhe programet e tyre, si dhe Takimi i Tapizës dhe Mbledhja e Mukjes. Dokumentet autentike plotësojnë kuadrin historik, por gjithashtu nëpërmjet dokumenteve po autentike tregohet realisht roli konkret i armatosur i partizanëve, por dhe degradimi në kolaboracionizëm i shumë elementëve, të quajtur nacionalistë. Çuditërisht këtë gjë e tregojnë qartë dokumentet e oficerëve anglezë, që veproni në Shqipëri. Dimensioni ushtarak është diçka shumë serioze në organizimin e luftës, siç është krijimi i Shtabit të Përgjithshëm me komandant Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën, më pas Komandant i Përgjithshëm, krijimi nga çetat te batalionet dhe brigadat partizane. Këto përbëjnë edhe thelbin e gjithçkaje, kalimin në një fazë cilësisht më të re, të luftës së organizuar. Dokumentet e shtatmadhërive të ushtrisë italiane dhe asaj gjermane, që ekspozohen për herë të parë, janë dëshmia nga pika e kundërt e shikimit e asaj, që ndodhi në të vërtetë në Shqipëri. Karakteri masiv i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është i gjithmbarshëm në qytete, në fshatra dhe në krahina të largëta, nga Jugu në Veri. Shkëlqimi i trimërisë shqiptare tregon një vitalitet të habitshëm. Kjo gjë, u kuptua dhe u konfirmua ndërkombëtarisht dhe zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj, nga Anglia, SHBA dhe BS. Kjo njohje institucionale lidhet jo rastësisht me partizanët dhe të tërë strukturën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të drejtuar nga Enver Hoxha. Ky konfirmim është një rezultat, ka qenë një njohje e vështirë plot peripeci, por gjithsesi qe një njohje objektive dhe historike. Ushtria Nacionalçlirimtare tregoi aftësi të mëdha, kurajo dhe moral të lartë. Një tjetër akt i jashtëzakonshëm qe urdhri për kalimin e divizioneve dhe formacioneve ushtarake përtej kufirit shtetëror të Shqipërisë për të çliruar Kosovën dhe viset e tjera të Jugosllavisë deri në Vishegrad. Ky është një akt unikal në historinë e kombit shqiptar. Nuk janë lënë në harresë edhe kontributi i partizanëve minoritarë, të cilët kanë heronjtë e tyre të luftës, as inkuadrimi i popullsisë çame në formacionet partizane shqiptare, por edhe në ato greke të EAMI-it.
Komentet