Dje në ‘Opinion’, kryeministri kishte marrë përsipër t’u shpjegonte disa grave pensioniste përse nuk ishin rritur pensionet, edhe pasi ai edhe qeveritë e tij, e kanë rritur ekonominë shqiptare me shumë se rajoni.
Teksa e dëgjoja, pyeta veten 1) i është mbushur mendja se di te shpjegojë ekonomi që kur Ogerta Manastriliu e vendosi në krye te Këshillit Shkencor apo pensionistet i duken të paditur sa që me pasionin që reciton “faktet”, mendon se mund t’i bindë?
Sokrati thotë: kur nuk përmirëson dot gjendjen, bëju “profesor”. Por meqë kësaj radhe profesori është edhe kryeministri, i kam disa këshilla për të.
Këshilla e parë për” profesorin”: Në ekonomi krahasojmë shifrat reale, jo nominale!
Pra, vërtet pensioni mesatar ishte 101 euro në 2013 dhe 183 euro në 2023, por për të arritur tek shifra reale e rritjes, duhet të marrim parasysh efektin e kursit të këmbimit (35% ) edhe efektin e inflacionit rreth 34% .
Shkurt, rritja reale e pensioneve ka qenë 0. Ndaj gruaja që merrte kemp nuk jeton më mirë sot me 20,000 lekë pension nga çfarë kishte jetuar ne 2013 me 12,000 lekë.
Këshilla e dytë për “profesorin”, jo çdo çështje shpjegohet me të njëjtat mjete propagande. Grafikët edhe argumentet që kishte zgjedhur, nuk adresonin çështjen që shqetësonte gratë në atë sallë, të cilat qartazi artikuluan se çmimet e shportës së tyre ishin rritur disafish me shumë se inflacioni .
Pensionistët konsumojnë një shportë me produkte inferiore, ose ndryshe produktet më bazike me çmimet me të lira të mundshme. Në periudha kur çmimet përgjithësisht tentojnë të rriten, çmimet e këtyre produkteve rriten me shumë sesa çmimet e produkteve normale. Ndaj e gjora grua këmbëngulte të dinte pse çmimet e ushqimeve që ajo konsumon çdo vit, rriten më shume sesa indeksi i inflacionit .
Kryeministri “profesor” dje kuptoi që pamundësia për të jetuar ka bërë që pensionistët të binden se:
1) Indeksimi nuk është rritje pensionesh.
2) Konsumojnë produkte inferiore që çmimet u rriten më shpejt e më shume sesa produkteve të tjera.
3) Vlerësimi i lekut ka ulur vlerën e parave që u dërgojnë fëmijët, duke ulur kështu burimin e dytë të të ardhurave të pensionisteve.
4) Bonusi i fundvitit ose pensioni i trembëdhjetë do të varet gjithmonë nga çfarë do të mbeten pa shpenzuar në arkën e qeverisë edhe si e tillë nuk ofron qëndrueshmëri, ndaj edhe nuk është zgjidhje.
Sikurse pensionistët, pjesa me e rëndësishme e elektoratit socialist kanë kuptuar që “Profesori” kryeministër nuk ka përgjigje për ta! Ekonomia “flluskë” që ka ndërtuar këto 12 vite nuk ia mundëson përgjigjet.
Pensionet nuk mund të rriten:
1) Pa adresuar me mjetet e duhura ndryshimet strukturore demografike.
2) Pa diversifikuar një orë e më parë strukturën sektoriale ekonomike të vendit.
3) Pa ndryshuar strukturën e taksave, të cilat i kemi përdorur herë si morfinë e herë si karamele për të ulur dhimbjet e një ekonomie që nuk prodhon rezultate për të gjithë..
Këshilla e tretë edhe e fundit për “Profesorin”: në ekonomi madhësia e byrekut nuk ka lidhje fare me sa konsumon pensionisti.
Arritja e vetme në mbështetje te tyre në këto 12 vjet është vendosja e pensionit social. Flisni vetëm për të.