Në orët e vona të 18 marsit, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, pas një dite të gjatë të bisedimeve të zhvilluara në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në fakt, ajo për çka janë pajtuar palët ka qenë një Aneks, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë marrë vesh më 27 shkurt në Bruksel.
Ndonëse në atë marrëveshje nuk parashihet njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, aty ka propozime për luftimin e disa pengesave që vazhdojnë të ekzistojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.
Në veçanti, në marrëveshjen e shkurtit bëhet thirrje për njohje të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, sikurse pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore.
Parashihet, po ashtu, që palët të kenë misione të përhershme diplomatike, të mos e pengojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së, dhe që Beogradi të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këmbim të kësaj, dega e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë do ta ketë statusin e saj të formalizuar.
Marrëveshja e shkurtit përkrah edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pa e përmendur asociacionin me emër.
Në tekst vetëm përmendet krijimi i “një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë dhe mundësia për ofrimin e shërbimeve në rajone specifike, përfshirë mundësinë e sigurimit të mbështetjes financiare nga Serbia dhe krijimin e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.
Çfarë do të thotë kjo?
Në disa aspekte, marrëveshja dhe aneksi përcjellës – nëse zbatohen plotësisht – mund të jenë pikënisje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kjo do të thotë një njohje de facto e shtetësisë së Kosovës, dhe afrim i të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.
Megjithatë, ekzistojnë edhe tri çështje kyçe:
Fillimisht, as aneksi, as marrëveshja, nuk janë të nënshkruara, çka rrit dyshimet për vlefshmërinë e tyre.
Së dyti, në aneks nuk përmendet shumë përtej nevojës që Kosova të nisë punën “menjëherë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Së treti, nuk ekziston shumë kërcënim për asnjërën palë nëse gjërat mbesin të pazbatuara.
Ashtu siç edhe një diplomat i afërt me këto çështje i ka thënë Radios Evropa e Lirë: “Karotat nuk janë shumë të shijshme dhe as shkopinjtë nuk janë shumë të rëndë”.
Çështja nëse nevojitet një nënshkrim i marrëveshjes, vazhdon të diskutohet.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka thënë qartë se ai nuk do të nënshkruajë asnjë dokument dhe ka shuar shpresat fillestare që kanë ekzistuar në Bruksel se marrëveshja do të nënshkruhet në një samit të BE-së, që është mbajtur javën e kaluar, në prani të të gjithë liderëve të BE-së.
Marrëveshja fillestare e Brukselit, e arritur nga të dyja palët më 2013, po ashtu nuk është nënshkruar, por të paktën në të janë vënë inicialet.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë pas takimit, shefi negociator i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka thënë se çfarëdo spekulimi nëse marrëveshja është apo jo e vlefshme, është “i pakuptimtë”, dhe ka pretenduar se dokumenti është zyrtar dhe obligues përmes njoftimit të bërë nga Borrelli në Ohër.
Lajçaku e ka pranuar, po ashtu, se është e mundshme që të arrihet pajtueshmëri për 12 pika të aneksit, mirëpo janë edhe gjashtë të tjera për të cilat palët nuk janë dakorduar.
Siç është përmendur më lart, theksohet se Prishtina duhet të nisë menjëherë punën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete se kur, shembull, mund të ndodhë njohja e përbashkët e pasaportave apo këmbimit të misioneve të përhershme.
A do ta bëjë Prishtina ndonjë hap pa marrë garanci për hapa reciprokë të Beogradit?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund t’ia atribuojë rritjes së tij politike qëndrimin kundër krijimit të çfarëdo asociacioni me bazë etnike, dhe shpesh e ka cituar nevojën për shmangie të një situate të ngjashme me atë në Bosnje-Hercegovinë.
Shefat negociatorë të të dyja palëve pritet të takohen sërish më 3 prill në Bruksel për të biseduar.
Kjo duhet të shërbejë si shenjë se marrëveshja do të funksionojë.
Të gjithë sytë do të jenë te Serbia për të parë se si do të sillet në nivel ndërkombëtar në muajt në vijim.
Në marrëveshje përmendet zotimi i Beogradit që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Testi i parë për këtë pikë do të jetë në samitin e Këshillit të Evropës që do të mbahet në Islandë në mesin e muajit maj – organizatë në të cilin Kosova ka vite që synon të anëtarësohet, por që Serbia reziston.
Megjithatë, çështje kyçe mbetet nisma për zbatim të marrëveshjes.
Aneksi bën thirrje për krijimin e një komiteti vëzhgues, të udhëhequr nga BE-ja, brenda 30 ditëve.
Mirëpo, në dokument nuk përmendet se çfarë fuqie do të ketë ky komiteti apo se kush do të jetë pjesë e tij.
Në Aneks, gjithashtu, përmendet se “çfarëdo dështimi për të përmbushur obligimet që dalin nga kjo marrëveshje, ky aneks, apo marrëveshjet e arritura në të kaluarën në kuadër të dialogut, mund të ketë pasoja negative për proceset e integrimit të këtyre dy shteteve në BE, si dhe në ndihmën financiare që e pranojnë prej BE-së”.
*Video: Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë tha se njohja reciproke është kyçe në rrugën drejt BE-së, pasi theksoi se BE-ja nuk pranon vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.
Kjo gjë mund të tingëllojë e ashpër, por në fakt nuk është.
Shtetësia e Kosovës nuk njihet as nga Bashkimi Evropian si tërësi dhe kjo gjë nuk pritet të ndodhë shpejt.
Për të arritur në këtë pikë, secili vend i bllokut evropian duhet ta njohë atë.
Në anën tjetër, bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE janë bllokuar për shkak të mospërshtatjes me politikat e Brukselit sa i përket luftës në Ukrainë.
Prandaj, asnjëra nuk ka shumë mundësi që të pranohet në BE në vitet në vazhdim dhe BE-ja ka hezituar që të ndalë ndihmat financiare për shtetet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të shqetësimeve se Kina dhe Rusia mund ta rrisin ndikimin në këtë rajon.
Përgatiti: Krenare Cubolli