Shkurt 2024 (Vështrim, në disa vazhdime – Pjesa 1)
Letra më e rëndësishme e shek. XX padyshim ishte letra “Szilard-Einstein”, një letër e vetme, një copë letre, por e cila do nxiste veprime, dhe brenda pak viteve do ta sillte “krijimin” e bombës atomike. Letra s’ishte plotësisht meritë e Ajnshtajnit, në fakt përmbajtja e letrës e kishte autorësinë e dyfishtë, nuk ishte meritë vetëm e Ajnshtajnit. Ndërsa ideja nuk pati qenë fare e tij!
Ai pati qenë dakord me idenë e letrës, e patën shkruar bashkë, dhe ai e pati nënshkruar, sepse ashtu qenë marrë vesh. Letra duhej ta kishte vetëm nënshkrimin e tij, gjoja ai ishte autori, dërguesi. Emri dhe nënshkrimi i tij në fund të letrës, e bënte “letër të tij” – qe përdorur emri i tij për ta bindur sadopak më lehtë Presidentin Roosevelt.
Sidoqoftë, meqë askush s’e dinte (përveç shkruesve, përveç dy miqve autorë), ndoshta letra dhe ishte njëfarëlloj “falsiteti”. Marrësit të letrës (dmth. Presidentit Roosevelt) i “shtirej” si letër e shkruar nga Ajnshtajni, duke e përdorur emrin e tij (gjoja si dërguesi i saj). Letra i drejtohej Presidentit shkurt “Sir”, dhe fliste tutje sikur gjoja Ajnshtajni po shkruante. Pra jo “fals” në kuptimin si diç e paqenë, dhe as si mashtrim, ishte letër reale – aq reale dhe e vërtetë sa do ta ndryshonte realitetin historik, ndoshta më shumë se asnjë letër tjetër e historisë.
Për realitetin e vitit 1939, dhe ishte një lloj “falsiteti”, sikur dhe që s’ishte – të dyja njëkohësisht. I bie sikur duhej pak “falsitet”, megjithatë, sepse ideatori i saj, përkundër meritave të veta në fushën e Fizikës, ende s’ishte aq i njohur, dhe as nuk e kishte prestigjin e Ajnshtajnit. Tekefundit ashtu pandehte ai vetë, si ideator letrash. Në rregull, prandaj dhe janë miqtë, Ajnshtajni do ta kuptonte brengën e mikut, e po ashtu dhe ai vetë do ia fillonte me të njëjtat brenga.
Letra pati qenë ide e fizikanit hungarez-amerikan, Leo Szilard, i cili e njihte Ajnshtajnin, ishin miq, kishin dhe afërsi kolegiale madje, ata veç kishin bashkëpunuar më parë. Ndërmjet viteve 1926-1930 Szilard pati punuar me Ajnshtajnin në zhvillimin e të njohurit “frigorifer të Ajnshtajnit”.
Dhe kështu, pas konsultimit me disa shkencëtarë (miq të vet, të Szilard), si dhe me aprovimin, me firmën e Ajnshtajnit, letra e tyre do i drejtohej Presidentit Roosevelt.
Pikërisht ajo letër do bëhej “nisma” e zhvillimit të bombës atomike. Historia e deshi dhe Ajnshtajni me mikun Leo Szilard e luajtën një rol vendimtar në inkurajimin e Presidentit Roosevelt për ta nisur programin masiv “Manhattan”, dhe për ta krijuar bombën e parë atomike. Më vonë Ajnshtajni qe penduar për nënshkrimin e tij, dhe për letrën në përgjithësi.
Sipas Linus Pauling (kimist amerikan, fitues i Çmimit Nobel për Kiminë, në v. 1954), Ajnshtajni qe penduar për letrën sepse ajo çoi në zhvillimin dhe rrjedhimisht në përdorimin e bombës atomike. Pauling do shtonte se Ajnshtajni vendimin e vet e kishte justifikuar si “rrezik më i madh nëse Gjermania naziste ta zhvillonte bombën e para”. Mikut të vet Ajnshtajni ia pati shprehur “mendimet” përmes korrespondencës, dmth. i kishte shkruar. Në letrën drejtuar atij, edhe pse Ajnshtajni e kishte përmendur “frikën që nazistët ta zhvillonin bombën” (si justifikim të pjesshëm), sipas Pauling, ai megjithatë letrën drejtuar Presidentit Roosevelt e kishte përshkruar si “gabim i madh i jetës sime”.
Në v. 1947 për revistën Newsweek Ajnshtajni qe shprehur “po ta dija se gjermanët nuk do t’kishin sukses rreth zhvillimit të bombes atomike, nuk do t’kisha bërë asgjë” (dmth. nuk do niste letër as gjë). Sipas Colin McEvoy, pak para vdekjes në v. 1955, Ajnshtajni do reflektonte mbi jetën e tij dhe e pati identifikuar keqardhjen e vetme më të madhe të jetës: rolin e tij në zhvillimin e bombës atomike. Si një pacifist që e kundërshtonte luftën, Ajnshtajni qe penduar thellë rreth “rolit” të vet lidhur me bombën.
Atëbotë, frika e të gjithëve rreth mundësisë së “parahapit” të nazistëve (me shkencat e atomikës), do ketë qenë e arsyeshme, e justifikueshme. Nga përspektiva e së tashmes mbase dhe fare lehtë e kuptueshme. Realisht, gjermanët s’ishin as afër me programin atomik, edhe përkundër frikës për spiunazhin, për vjedhjen e “tekniciteteve” nga ndokush, dhe apo për rënien e sekreteve në duart e nazistëve. Kuptohet, se dhe frika e spiunazhit ishte totalisht e arsyeshme. S’ishte çështje e “euforisë” por rrethanat flisnin për mundësi reale të spiunazhit.
Në vetvete, mjaft ironik është fakti që Klaus Fuchs pati spiunuar për sovjetikët. Fuchs ishte shkencëtar veteran i “Projektit Manhattan”, dmth. një gjerman, fizikan teorik gjerman i cili punonte në projektin. Ishte Fuchs ai që ia kaloi Bashkimit Sovjetik sekretet atomike të projektit amerikan. Vetëm 2-3 vite më vonë pas 1945-es, dhe dmth. (padyshim) falë spiunllëkut të Fuchs, edhe Stalini pastaj e “dredhonte mustakun” e bombës atomike.
Pra Fuchs mund t’u kishte ndihmuar dhe nazistëve, why not… Apo thjesht s’pati qenë e “thënë”, dmth. jo se do ishte e pamundur. Mbase fati, i bie se atëbotë për Fuchs më “simpatikë” do kenë qenë sovjetikët sesa nazistët, paçka se këta të fundit gjermanë, njësoj si dhe ai vetë.
Ndërsa Ajnshtajni vetë nuk pati punuar në “Projektin Manhattan”, ai njihej fort mirë me fizikanin J. Robert Oppenheimer (me udhëheqësin e “Projektit Manhattan”), por nuk do ishte i punësuar në atë projekt. Madje, në filmin “Oppenheimer” (shkruar dhe me regjinë nga vetë shkruesi, Christopher Nolan) paraqitej se Oppenheimer e viziton Ajnshtajnin për t’i diskutuar ca “formula të frikës” shkencore (të tjetërkujt), se shpërthimi atomik mund ta niste reaksionin zinxhiror të “copëtimit të çdo nukleusi” të mundshëm fizik, të çdo bërthame të ekzistencës sonë. Për fat të mirë, pra frika e tillë ishte diç si ekzagjerim ardhur në jetë nga pasaktësia, formulave u mungonte diç, s’e kishin atë saktësinë absolute shkencore.
Ajnshtajnit madje s’i qe dhënë as “besimi” i duhur nga autoritetet e kohës. I përcjellur dhe i shoshitur detajisht nga shërbimet sekrete, konsiderohej si “kandidat potencial” i jobesueshmërisë – me fjalë shkurt, kishin frikë mund t’ishte spiun ose, nëse ende s’ishte, mund t’bëhej. E kuptueshme dhe kjo, s’ka hyrë kush në kokën e Ajnshtajnit kurrë, dhe as në kokat e atyre të shërbimeve sekrete. Por mbase kështu pakashumë funksionojnë “mendjet” e kontra-spiunazhit, apo jo : )
S’ke si i beson 100% një “gjermani” ardhur jo dhe aq moti nga Gjermania, madje dhe shkencëtar i madh, super-shkencëtar, mund t’jetë më rrezikshmi spiun i Amerikës. Kështu që më mirë kujdes, kurrë s’duhet thënë kurrë. Ashtu-kështu koka e tij “gjigante”, ec e dije ç’bluhet brenda, ai vetë me një letër ia bëri mendjen dhallë Presidentit tonë, e bindi, me një letër u bë shkaktari i gjithë këtij “Projekti Kolosal”. Tani pothuaj sikur e gjithë Amerika është trazuar, secili frymor do jetë i angazhuar, projekt marramendës që s’ka njohur historia. Mirëpo atij vetë si “kokë misterioze”… na vjen keq, s’i besojmë bash 100%, sa më larg mega-projektit bërthamor.
Në v. 2017, në National Geographic thuhej se Ajnshtajni mund t’ketë kontribuar në mënyrë “klandestine” – gjoja ashtu nga xhepi i privatësisë mund ta ketë ndihmuar “Projektin Manhattan” me ekuacione e me formulash. Por ai nuk kishte njohuri për zhvillimin e bombës atomike, dhe nuk kishte asnjë ndikim rreth vendimit për përdorimin e tyre.
Se kontributi i tij me ekuacione shkencore, nëse t’ketë kontribuar, s’domend se për projektin do ishte ndihmë madhore, ndihmë e përtej ndihme. Tekefundit dhe vetë formula e tij “bazike”, ajo e famshmja e=mc2 i pati “zbardhur” çështjet themelore energjitike. Pa formulën e tij ndoshta s’do ishte nisur kurrë gjë e atomikave, derisa mençurinë e tij ta shpikte ndokush tjetër.
Ana tjetër, se nuk kishte “njohuri” rreth zhvillimit të bombës apo të “armëve bërthamore”, teknikisht e vërtetë, po aq sa dhe e “pavërtetë”. E vërtetë sepse, meqë nuk ishte i punësuar në “Manhattan”, zyrtarisht askush s’e pati njoftuar se vrapi teknologjik për bombën jo vetëm pati filluar por dhe ishte bërë diç si “vrap” i marramendshëm. Është e saktë që ai nuk dinte detaje, programi “Manhattan” ishte impenjim gjigant, aneskaj ShBA punonin fabrikat dhe sektore të panumërt, pa e patur as idenë se për çfarë punonin.
S’ishte nevoja ta njoftonte kush – Ajnshtajni mund ta ketë marrë vetë “me mend”. Nuk ishte fjala vetëm për energji bërthamore, vetëm për reaktorët. Letra e nënshkruar nga ai “sugjeronte” armatimin bërthamor, për ta parandaluar eventualisht kërcënimin nga nazistët. Do ishte absurd të mohohet vetë thelbi i letrës së nënshkruar nga ai vetë. Vetë thelbi i letrës ishte rreth “dijes së tij”, letra flet për “bombat atomike”, për potencialitetin e rrezikshëm të tyre, dhe për ngutshmërinë, për domosdoshmërinë e nisjes nga ShBA të një programi bërthamor. Dmth. jo për t’i shpenzuar milionat e miliarda kot, por për ta patur realisht dhe mundësinë e posedimit të një bombe të tillë.
Letra madje e cekë detajin “logjistik”, sipas letrës një bombë e tillë atomike do mund të transportohej vetëm me anije, jo dhe përmes rrugës ajrore, pasi tepër e rëndë. Përndryshe nëse nazistët t’na dilnin të parët me avancimet bërthamore dhe me “bombat”, ky opsion… mos pyet, dhe vetëm nga kërcënimi ideatik i përparësisë naziste bota s’do i kishte punët aq mirë. Për këto gjëra fliste letra, e nënshkruar nga ai vetë.
Ana e “tretë” se Ajnshtajni nuk dinte detaje rreth përdorimit pastaj të bombave në dy qytetet japoneze, kjo dhe e qartë. Për bombat pati vendosur Presidenti Truman, anise deri fare afër vendimit… as ai vetë s’e pati ditur 100% se do ishte e mundur. Ai madje ndodhej në Gjermani, në kthim e sipër e pati nisur mesazhin, ngjashëm me stilin “just do it… drop it” (gjuaje… dmth. atomiken e tmerrshme). Thuase na ishte një armë ordinere, diç si “tomahavk klasik” i Presidentit Bush për ta shpuar bjeshkën, për t’i mbushur tunelet e nëntokës me flakë e tym, për t’i çoroditur strofullat ku fshiheshin disa dhjetra o disa qindra terroristë të bin Laden.
Miku i Ajnshtajnit, ideatori i letrës, Leo Szilard që në v. 1933 e pati kuptuar se, nëse dikush mund ta ndërtonte një pajisje ku “copëzohen” atomet, ku 1 atom i copëzuar i lëshon 2 neutrone që vazhdojnë me goditjen dhe me copëzimin e 2 atomeve tjera, duke rezultuar tashmë në 4 neutrone që i copëzojnë 4 atome të tjera, më pastaj 8, 16, 32, 64 – mrekullia vetë, njëfarëlloj eksponcialiteti energjitik marramendës.
Copëzimi bërthamor (fisioni) ndodh kur një bërthamë atomike ndahet në dy sosh, më të lehta. Ndonjëherë kjo ndodh spontanisht, por nëse një neutron i “kontrolluar” e godet llojin e duhur të bërthamës, i bie se shkaktohet copëzim i qëllimshëm. Kur një bërthamë atomike copëzohet, lirohet sasi e madhe energjie, por po ashtu dhe diç tjetër, 1, 2, 3, 4 e më shumë neutrone. Dhe vetë matematikat më të thjeshta, fizikanit Szilard i flisnin se nëse mund të fillohet dhe të ruhet kontinuiteti, nëse ruhet vazhdimësia e “kontrolluar” e reaksionit zinxhiror bërthamor, sasia e energjisë së çliruar do t’ishte shumë e madhe. Pra njeriu do e kishte, si të thuash, një burim energjie të pashtershme.
Kjo fort bukur, sidoqoftë, Szilard e pati kuptuar dhe tjetrën – përdorimi i “copëzimit bërthamor” si mjet lufte, si krijim i ndonjë monstruoziteti prej bombe, do ishte gjëja më e tmerrshme që bota, fatlumnisht ende s’e ka parë as përjetuar. Ndoshta e vetmja gjë akoma më e tmerrshme sesa më e tmerrshmja si mendim që “zinxhirorja bërthamore” të përdorej në luftë, ishte mendimi se eventualisht nazistët mund ta kishin në duart e tyre këtë epërsi monstruoze.
Szilard i kuptonte gjërat sepse dhe i dinte, ishte sprovuar me lloj-lloj provash. Ai pati bashkëpunuar me shkencëtarin Enrico Fermi për ta ndërtuar një reaktor bërthamor nga uraniumi natyror. I patën kryer një seri eksperimentesh dhe patën ardhur në përfundimin se një reaksion zinxhiror me uranium natyror mund t’ishte i realizueshëm. Mirëpo u duheshin sasi të mëdha uraniumi, e po ashtu nëse ta gjenin një moderator të përshtatshëm (për ngadalësimin e neutroneve). Szilard më pas pati sugjeruar përdorimin e karbonit si një moderator (ngadalësues) për neutronet. Nëse t’i kishin materialet e nevojshme në sasinë e duhur, ai ishte i bindur se do t’kishin sukses.
Dihet se Fermi dhe ia pati dalur, më vonë do e krijonte reaktorin e parë në historinë e “bërthamave”, Fermi do kthehej në diç si legjendë e Fizikës Bërthamore. Gjithsesi, suksesit të tij lidhur me reaktorin mbase i kthehemi pak më vonë. Fermi ashtu-kështu “legjendë interesante”, ai madje e pati fituar dhe Nobelin “gabimisht”, qe shpërblyer me Nobel për diç që nuk e pati zbuluar. As mbuluar as “zbuluar”. Dhe madje s’pati marrë “mundin” as ta kthente (tjetër se ai i pati merituar ndoshta dhe 3 Nobela. Por, në kuptimin e korrektësisë… who cares, atë që s’e meritonte duhej ta kthente. Tekefundit ashtu ia bëjnë burrat e shkencës, bie fjala Galileo Galilei do e kishte kthyer Nobelin e fituar “gabimthi”, garant : )
Sidoqoftë, Szilard qe shqetësuar thellësisht me idenë që nazistët ta kishin eventualisht bombën atomike. Mendja s’e linte rehat, në fakt shkencëtarët gjermanë eksperimentalisht do ta coptonin atomin e Uraniumit në v. 1938. Dhe Szilard sakaq do ia fillonte me zilet e alarmit mes lidhjeve të tij personale, mes miqve shkencëtarë dhe të tjerëve që i njihte.
Pra, Szilard ishte i shqetësuar se edhe shkencëtarët gjermanë mund ta provonin të njëjtin eksperiment, siç ai dhe Enrico Fermi ishin duke provuar. Po ashtu, fizikani bërthamor gjerman Siegfried Flügge i pati botuar dy artikuj rreth shfrytëzimit të energjisë bërthamore. Njëri prej artikujve titullohej “Kann der Energieinhalt der Atomkerne technisch nutzbar gemacht werden?” (A është e mundur teknikisht që energjia nukleare të bëhet e përdorshme?) – publikuar në “Die Naturwissenschaften”, 1939.
Siç e cekëm më lart, fizikani Szilard e pati konceptuar reaksionin zinxhiror bërthamor që në v. 1933, do ta patentonte idenë në v. 1936. I shtyrë nga frikërat lidhur avancimin eventual të gjermanëve, në v. 1939 e mori vendimin për t’i shkruar letër Presidentit Roosevelt, ta paralajmëronte se rreziku mund t’vinte nga nazistët, se Amerika duhej të ndërtonte çfarëdo që mund të ndërtohej, dhe ta bënte gati si armë, përpara gjermanëve.
Mirëpo sipas tij, kush na ishte ai që t’i shkruante letër të tillë Presidentit, ndoshta as që do ta lexonte, pa le të ndërmerrte gjë konkretisht. Andaj i patën shqyrtuar gjërat me mikun e vet të famshëm, Ajnshtajnin. Më 2 Gusht 1939 letra iu dërgua Presidentit Franklin D. Roosevelt. Letra paralajmëronte se Nazi-Gjermania mund ta zhvillonte bombën atomike dhe sugjeronte që ShBA-të ta fillonin programin e tyre bërthamor, sa më parë t’ishte e mundur.
Letra si materie përmbajtësore, infot serioze dhe prestigji shkencor i Ajnshtajnit do e nxisnin Presidentin Roosevelt të vepronte. Do kishte disa “organizma” prararendës, dhe përfundimisht do rezultonte në nismën e “Projektit Manhattan”. Nga 2 Gushti 1939 (nga data e letrës) u deshën vetëm 5 vite, 11 muaj, 14 ditë dhe pajisja testuese e quajtur “Trinity” e ndriçoi qiellin, thuase e “tmerroi” dhe vetë shkretëtirën Alamagordo. Pas testit, sëshpejti do pasonte dhe përdorimi i bombës realisht.
Pra, pas letrës “Szilard-Einstein”, brenda një kornize të vogël kohore, impenjimi kërkimor shkencor dhe avancimet teknologjike do i sillnin bombat atomike si dhe, pa kaluar shumë kohë, edhe përdorimin e tyre në qytetet Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë.
– – – përmbajtja thelbësore e letrës – shkëputje, pjesërisht – – –
Disa punime të fundit nga E. Fermi dhe L. Szilard, që më janë komunikuar si dorëshkrim, më bëjnë të besoj në pritshmërinë që elementi Uranium mund të kthehet në një burim të ri dhe të rëndësishëm energjie, në të ardhmen e afërt. Disa aspekte të situatës (politike) që është krijuar, duket se kërkojnë vigjilencë dhe, nëse e nevojshme, veprime të shpejta nga ana e administratës suaj. Andaj besoj se është detyra ime t’i sjell në vëmendjen tuaj faktet dhe rekomandimet e mëposhtme:
Gjatë katër muajve të fundit ka dalur në pah – nëpërmjet punës së Joliot në Francë, si dhe të Fermi dhe Szilard në Amerikë – që krijimi i reaksioneve zinxhirore bërthamore në një sasi të madhe uraniumi është i mundur, nga të cilat reaksione do të gjeneroheshin sasi të mëdha energjie dhe sasi e madhe elementesh të rinj, të ngjashëm me Radiumin. Tani duket, pothuaj e sigurt, se kjo mund të arrihet në të ardhmen e afërt.
Ky fenomen i ri do çonte gjithashtu në ndërtimin e bombave, dhe është e imagjinueshme – anise kjo më pak e sigurt – që dmth. mund të ndërtohen bomba të një lloji të ri, jashtëzakonisht të fuqishme. Një bombë e vetme e këtij lloji, e transportuar me anije dhe e shpërthyer në një port, mund ta shkatërrojë fare lehtë gjithë portin, së bashku me një pjesë të territorit përreth. Sidoqoftë, bomba të tilla mund të rezultojnë shumë të rënda për transportin ajror. |…| Unë e kuptoj që Gjermania në fakt e ka ndalur shitjen e Uraniumit nga minierat çekosllovake, të cilat i ka marrë përsipër. Fakti që Gjermania ka ndërmarrë një veprim kaq të hershëm mund të kuptohet me arsyetimin se djali i Nënsekretarit Gjerman të Shtetit, von Weizsacker, është i atashuar pranë Institutit Kaiser-Wilhelm në Berlin, ku disa nga eksperimentet amerikane me Uraniumin janë duke u ritestuar (përsëritur).
– – – Sinqerisht i Juaji (Albert Einstein) – – –
Më 19 Tetor 1939, Presidenti Roosevelt i ktheu një përgjigje duke e falënderuar, dhe duke e informuar: “më janë dukur këto të dhëna aq të rëndësishme, sa e kam mbledhur një bord për t’i hetuar mundësitë e sugjerimit tuaj plotësisht, në lidhje me elementin e Uraniumit”.
Ca muaj më vonë, më 7 Mars dhe 25 Prill 1940, Ajnshtajni i dërgoi dhe 2 letra Presidentit Roosevelt, duke i bërë thirrje për veprim sa i përket kërkimit bërthamor. Szilard madje e pati hartuar dhe një letër të 4-t për Ajnshtajnin, letër ku i kërkohej Presidentit (si zakonisht, gjoja nga Ajnshtajni) që të takohej me Szilard, për t’i diskutuar politikat rreth energjisë bërthamore. Dihet se Roosevelt pati vdekur më 12 Prill 1945, vetë s’kam mundur të vijë tek infot nëse letra e datës 25 Mars 1945 pati arritur me kohë, dhe as nëse qe lexuar nga Presidenti.
Sidoqoftë, i alarmuar që nga “letra e parë”, Presidenti Roosevelt do ta autorizonte krijimin e “Komitetit Këshillimor për Uraniumin”. Ky komitet ishte fillimi i përpjekjeve të qeverisë, i administratës së Roosevelt për zhvillimin e një bombë atomike (anise nuk qe ndjekur patjetër “politika e zhvillimit të ndonjë arme”). Ky komitet do zëvendësohej nga “Komiteti Kërkimor i Mbrojtjes Kombëtare”, dhe më pas në v. 1941 nga “Zyra e Kërkimit Shkencor dhe e Zhvillimit”. Në Qershor 1942 do fillonte programi gjithëpërfshirës për zhvillimin e atomikave i njohur si “Projekti Manhattan” – program masiv i ShBA, nën udhëheqjen e fizikanit Oppenheimer, program që i ndërtoi bombat e para atomike.
| – – – vijon me Pjesën 2 – – –