Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbajtur fjalimin kryesor në sesionin plenar të nivelit të lartë të titulluar “Rivendosje e sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, që zhvillohet në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD), raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Pendarovski tha se nuk është e mundshme që të ketë një rivendosje të sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor si në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, gjë që sipas tij është një lajm negativ për rajonin.
Ai tha se që atëherë bota ka parë një ndryshim dramatik, duke shtuar se nuk vihet në pikëpyetje vullneti politik, por ka ndryshime ne interesat kombëtare të aktorëve.
“BE kuptohet që nuk është një gjendje të udhëheq e vetme, SHBA nuk do të dëshironte të udhëheq e vetme, ndërsa elitat rajonale nuk janë të interesuara. Do të doja të jem plotësisht i sinqertë me të gjithë pasi edhe unë jam pjesë e atyre elitave rajonale, nuk jemi të interesuar të bëjmë përpjekje për ndryshim real dhe thelbësor në shoqëritë tona”, tha Pendarovski.
Ai tha se rezultat i kësaj është se Ballkani Perëndimor mbetet prapa ekonomikisht në krahasim me BE-në, ndërsa përmendi edhe largimin e të rinjve nga vendet e rajonit.
“Ballkani Perëndimor ka 18 milionë banorë vetëm në letër, ndërsa në realitet ka 4 milionë më pak”, tha Pendarovski, duke shtuar se të rinjtë, që sipas tij janë fuqia më e mençur dhe dinamike, po e braktisin rajonin.
Mes tjerash, në panel diskutim morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. ndihmës sekretari në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, si dhe ish-komisioneri i BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Kujtojmë se dje dhe sot në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë mbahet Forumi i Prespës për Dialog me konferencën e titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”.