Është promovuar dje në Akademinë e Shkencave libri më i fundit i ish-kryeparlamentarit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi. Ditari i tij politik “Përvoja ime në Partisë Socialiste” 1991-1996 mblodhi në sallën “Aleks Buda” miq dhe kolegë të prof.Pëllumbit. Libri përfshin shënimet e autorit nga viti 1991-1996, vite kur bashkë me kolegët e tij ka qenë në drejtimin e PS-së. Autori tregon se si iu desh t’i futej seriozisht politikës dhe të linte mënjanë, përkohësisht, interesat e tij studimore dhe të bëhej njeri i veprimit. Është thënë se “shënimet e tij nga ditarët janë gjithashtu, një dëshmi tjetër autentike se Serveti nuk ra pre e një ambicieje makiaveliane për pushtet dhe nuk ka ndarë një pikëpamje të tillë.
Tekefundit, kjo e ka ndihmuar të paktën në dy rrafshe kryesore; së pari, që të tërhiqej kur ai gjykoi se kjo ishte në interesin e ruajtjes së PS-së nga një përçarje e madhe pas farsës zgjedhore të 26 majit 1996 dhe gjendjes para zgjedhjeve vendore të 20 tetorit 1996 (edhe pse ishte i bindur se rreziku nuk vinte prej tij, por nga prirjet klanore lart në kokën e Partisë, nga joshja, nga piedestalet dhe pazaret e F. Nanos me pushtetin që e kishte burgosur). Pas fjalëve të rastit nga botuesja Irena Toçi dhe bashkëpunëtorë të tjerë që kanë kontribuar për botimin e librit, fjalën e mori vetë Pëllumbi, i cili falënderoi të pranishmit, miqtë e bashkëpunëtorët ndër të cilët, ish-presidentin Alfred Mosiu, kreun e Akademisë së Shkencave Muzafer Korkuti, Fatmir Toçin, Olta Xhaçkën, Artan Gaçin, etj.
AUTORI, POLITIKA DHE MORALI
“Është i veçantë libri. Unë e kam pasur metodë pune mbajtjen e ditarëve dhe skedave sepse e kam ndjerë në praktikë që ajo ishte një ndihmesë shumë e madhe jo vetëm për një studiues shkencor që është e domosdoshme, por unë e kam provuar dhe e them me bindje se është e domosdoshme edhe për një drejtues partie a institucioni. Këtë libër e quaj si mbyllje të të gjithë veprimtarisë sime botuese”, tha Pëllumbi. Ai shtoi se “që në fillim sidomos pas 1996-ës kur unë dhashë dorëheqjen dhe nuk isha më në pozita drejtuese të partisë, por pa u shkëputur asnjëherë dhe pa ndërprerë kontributin tim në parti, hartova një projekt për të përpunuar disa çështje kyçe të politikës, të filozofisë e në mënyrë të veçantë për të treguar se politika do moral”. Duke kuptuar përplasjen mes politikës e moralit, ai vetë shtoi se politika dhe morali janë të kundërt, por ndihmojnë njëratjetrën.
“Politika më e mirë është politika e moralshme. Kjo na ka munguar në mënyrë të ndjeshme prandaj dhe unë jam kujdesur që nëpërmjet shënimeve të mia, por edhe si më i moshuar që kam qenë me kolegët, në parti të ndikoja sadopak për raporte e marrëdhënie njerëzore. Një parti që nuk ka marrëdhënie njerëzore mes atyre që e përbëjnë atë nuk mund të jetë e suksesshme”, tha ai, duke shtuar se një parti që i mbyll gjërat, që i fsheh dobësitë e njërit apo tjetrit, në një moment të dhënë shkon drejt përçarjes. “Unë jam përpjekur që t’u dal përpara disa rreziqeve të tilla. Nuk e di se sa kam mundur ta arrij, por ama kur u binda se çdo qëndrim i imi i mëtejshëm në këto pozita do të thoshte përçarje e partisë, unë u tërhoqa nga drejtimi i saj dhe nuk pranova të isha as në këshillin drejtues, por duke qëndruar anëtar i partisë”, tha Pëllumbi për kohën kur la drejtimin e PS-së.
KRITIKAT
Gjatë promovimit Pëllumbi iu përgjigj edhe kritikave që i janë bërë. “Kryesorja nuk është lufta e brendshme. Gabimisht, ndonjë pa e lexuar librin nxitoi të thoshte se këtë e ka shkruar: Sovjetiku kokë e këmbë, këtë e ka shkruar marksisti i pandreqshëm, këtë e ka shkruar një agjent a poliagjent, një i rrjedhur apo një i plakur e i lënë mënjanë. Të gjitha këto unë ua fal atyre sepse realisht nuk e kanë kuptuar thelbin, as të punës sime në parti, as të këtyre ditarëve që po botoj. Unë u siguroj për ndershmërinë time, për seriozitetin me të cilin i kam ndjekur situata dhe për sinqeritetin e qëndrimin e sinqertë që kam mbajtur ndaj të gjithë atyre me të cilët kam mundur të bashkëpunoj”.
MARRËDHËNIA ME NANON
Ai iu rikthye edhe njëherë marrëdhënies me Fatos Nanon, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i PS-së. Sipas Pëllumbit, deri në vitin 1996 me Fatos Nanon që ishte në burg kam pasur marrëdhënie shumë të mira me ndonjë përplasje të vogël. “Komunikonim në formë letrash, nga anë e së shoqes që ishte më të vërtetë një person me merita të veçanta dhe ka luajtur rol të veçantë në këto komunikime. Për çudi pas zgjedhjeve të vitit 1996, më 1 korrik u përmbys gjithçka edhe në raportet tona. Është fakt që pas kësaj unë vazhdimisht kam pasur një lloj polemike me Fatos Nanon”. Pëllumbi tha se e ka shqetësuar fakti që tek partitë nuk përbëjnë një ansambël.
Sipas tij, kundërshtitë politike këtu quhen armiqësi personale për pasojë kjo përbën një pengesë shumë serioze që pengon kulturën e dialogut e pas 25 vitesh kjo është e tepërt. “Libri im është edhe një lloj apeli personal, nga përvoja ime se i duhet dhënë fund këtij sistemi politik sa nuk është vonë. Është fakt që partitë nuk do të kenë peshën që kanë, por sot kanë forcë e peshë të madhe. Është e domosdoshme, kultura e dialogut dhe bashkëpunimi. Ky ka qenë qëllimi im me botimin e ditarëve të viteve 1991-1996. Ndaj, edhe ndonjë njëanshmëri apo subjektivizëm është i përcaktuar nga koha që janë shkruar. Sa i takon Fatos Nanos ai shtoi se u burgos nga regjimi i Berishës dhe “në parti e shpallëm të burgosurin e parë politik për të sensibilizuar institucionet evropiane”. Megjithatë ai shtoi se është për të ardhur keq, që drejtuesit e PD-së së kohës, kishin mendimin se drejtimi më i mirë është drejtimi pa opozitë.
“Kjo është arsyeja pse u burgos kryetari. U bënë shumëçka për të na përçarë ne brenda përbrenda dhe kjo bëri që të thellohej, ndarja mes nesh që ishim në liri dhe Fatos Nanos që ishzëvendëte në burg. I vinin lloj-lloj letrash dhe lloj-lloj informacionesh. E them me bindje që gjithë ato mesazhe e letra na i dërgonte ne dhe thoshte filtrojini në kryesi. Ne kështu kemi vepruar dhe ky ka qenë bashkëpunim i mirë me Fatos Nanon dhe si kryesi. Atëherë bënim analiza, e çdo gjë ruhej në procesverbale”. Ai shtoi se PS ka funksionuar mirë edhe me kryetarin në burg dhe se ata janë përpjekur për lirinë e tij. Në këtë pikë, Pëllumbi vërejti se burgu ka efektet e veta, presionet e veta. “Fajin më të madh të Fatosit e lidh me mocionin e 1 korrikut të vitit 1996.
Mbas kësaj, duke na quajtur ne guralecë, në një qyp të mbushur me flori ku floriri i takon kryetarit dhe (ne) guralecët duhet të mënjanoheshim nga qypi. Që këtu me një ton ofendues për tërë atë punë që bëmë ne së bashku, me të tjerët. Sigurisht u përpoqa që të qartësoj Nanon, por çështja kishte shkuar larg, ishim drejt përçarjes, ishte bërë gati krijimi i një partie të re në Fakultetin e Shkencave dhe nëse do ngulja këmbë unë për tu zgjedhur kryetar dhe të largoja Nanon do ndodhte kjo. Por unë s’e kisha menduar ti zija vendin e kjo më ka shpëtuar, subjektivizma që mund të bëjë një njeri me ambicie karrieriste”, përfundoi ai. Në libër, Servet Pëllumbi zbardh letrat që i dërgoheshin Nanos në burg dhe letrat që ai vetë i dërgonte nga burgu partisë si edhe luftën e debatet politike të kohës.
Komentet