Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dekoroi me Urdhërin, “Nderi i Kombit”, Piktorin e Popullit, Sadik Kaceli (1914 – 2000). Kaceli është një nga mjeshtrit e pikturës shqiptare. I shkolluar në Francë, me rekomandime të piktorëve të mëdhenj të kohës në kryqendrën franceze, Kaceli solli në Shqipëri një frymë të re, europiane në pikturë.
Në muajt tetor-nëntor 2015, në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap një ekspozitë retrospektive e piktorit, ku shpalosej krijimtaria e tij e gjerë, që në kohën e vizatimeve. Pa dashur të përzihet me temat heroike të socrealizmit, Kaceli i mbeti besnik peizazhit dhe portretit.
Ashtu si pasioni amshor i Uliksit për të udhëtuar e njohur horizonte të reja… edhe artisti Sadik Kaceli udhëtoi drejt ëndrrës së tij, Parisit. Kryeqyteti francez i cili me shpërthimin e emocioneve deliruese për të përjetësuar çastin, dritën dhe ndjenjën e atij momenti të impresionistëve dhe pasimpresionistëve, u kthye në kryeqendrën e artit europian të gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Joshja nga letërsia romantike e Victor Hugo-s, e cila qëndronte si një vello poetike mbi krye të Parisit dhe mbrojtja historike që Napoleone III i bëri ekspozitës së parë të artistëve impresionistë të njohur ndryshe edhe si “Salon des Refusés” (Salloni i të refuzuarve), hapi një dritare të re për të gjithë artistët e rinj nga mbarë bota, të cilët dëshironin të studionin në Paris, duke u ndikuar dhe mësuar nga mjeshtrat më të shquar të kohës.
Këmbëngulja dhe vetëdija artistike ishin zërat brenda shpirtit të piktorit, të cilët e shpien drejt Parisit. Ndonëse preku ëndrrën e tij për të studiuar në kryeqendrën e artit dhe kulturës, Sadik Kaceli nuk hoqi asnjëherë dorë së frymëzuari nga subjektet me tematikë nga tradita, kostumet dhe peizazhet nga atdheu, Shqipëria, në krijimtarinë e tij artistike.
Në këndvështrimin retrospektiv të krijimtarisë së piktorit Sadik Kaceli, ai shfaqet në fillesat e tij me punime brendie dhe studime të mirëfillta të portretit dhe figurës së njeriut (një “vjedhës” mjeshtëror i mimikës dhe i shpirtit të modeleve të tij përmes psikologjisë që injektonte në portretet që realizonte). Artisti Kaceli, përpos qëndrimit dhe studimeve për pikturë në Paris, arriti që të gërshetonte në një pleurë të përbashkët të gjitha njohuritë dhe nocionet e reja që mori gjatë shkollimit në veprat e tij.
Qëndrimi në kryeqytetin francez do ta bënte artistin Sadik Kaceli jo vetëm mjeshtër në artet pamore, i cili më pas do të shënonte emrin e tij me germa të arta në historinë e artit pamor shqiptar, por edhe një vëzhgues brilant në përthithjen e elementeve dhe nocioneve të rrymave të reja të avant-gardes historiques (avangardës historike).
“Piqeras”, vaj në karton, 1969
Formimi artistik në Paris i veshi piktorit shqiptar mantelin e dijes, kulturës, prestigjit dhe përgatitjes së lartë profesionaleartistike, duke rrënjosur në të vlerat e një periudhe shumë të rëndësishme në formimin e tij. Sado i përballur dhe i gjendur midis rrymave të reja artistike dhe artistëve të mëdhenj, si Henri Matisse, artisti Kaceli nuk braktisi për asnjë çast të vetëm natyrën dhe personalitetin e tij artistik, duke iu përqasur pikturës përmes mendimeve dhe filozofisë të të bërit art.
Ndonëse i mahnitur nga rrymat e reja të pjesës së parë të avangardës historike, Sadik Kaceli mbeti në qenien e tij besnik i një tradite dhe arti, ku në pikturat e tij subjektet e ndryshme i ndërton sipas një mendimi dhe studimi sikur të ishte një skulptor… ky element thelbësor në krijimtarinë e piktorit Kaceli më bën të reflektoj se me sa guxim arrin të kundërshtojë parimet e artistëve impresionistë, të cilët flijuan formën gati në zhdukjen e saj, duke i dhënë përparësi eksplorimit të spektrit dhe lojës poetike të dritës.
Në leximin estetiko-historik, peizazhi në pikturën e Sadik Kacelit thërret paqësisht natyrën me të gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj, duke nxjerrë në pah ndërthurje gjurmësh piktoreske të një grupi artistësh në kapërcyell midis fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, të ashtuquajtur piktorët “e sinqertë”.
Një përzierje midis estetikës së pikturës romantiko-realiste të John Constable, Jean-Baptiste Camille Corot, Jean Désiré Gustave Courbet dhe forcës shpërthyese në pikturimin e dritës në pikturën impresioniste të Édouard Manet. Piktori Kaceli përshkoi me jetën e tij thuajse të gjithë shekullin XX.
Një shekull, i cili solli ndryshime rrënjësore gati-gati tronditëse me teoritë e reja mbi artet pamore dhe revolucionare në aplikimin e teknikave të reja në realizimin e veprave të artit, por piktori Sadik Kaceli mbeti i palëkundur dhe i ndikuar nga rrymat artistike bashkëkohëse që e rrethonin në rrugëtimin e tij drejt një evoluimi artistik të pandalshëm brenda llojit dhe stilit të tij personal.
Sadik Kaceli nëpërmjet artit të tij arriti të mbrojë konceptin e vijueshmërisë/vazhdimësisë të një arti të bukur, tradicional (sigurisht pa mohuar vlerat artistike të rrymave moderniste të kohës), ku shkrirja dhe ndërthurja midis të shkuarës tradicionale dhe të tashmes së re ngjizen përmes një procesi alkimie të ndërsjelltë, duke mos mohuar vlerat e njëra-tjetrës.
Stili i peizazheve të Sadik Kacelit mbart një larmi të gjallë përvojash dhe individualitet origjinal, duke krijuar brenda gjirit të pikturës së tij një vazhdimësi të traditës dhe të resë si një vlerë të qenësishme. Falë kësaj ndërthurjeje të ndërsjelltë midis parimeve të pikturës tradicionale dhe teorive të reja revolucionare të së tashmes, kufiri i gjatë, i padukshëm dhe i pandjeshëm në peizazhet e Sadik Kacelit, krijuan në kohë stilin dhe individualitetin e tij të patjetërsueshëm.
Largpamësia e Sadik Kacelit dhe lirizmi që ai shpreh në veprat e tij, materializon të vërtetën, hijeshon të tashmen dhe frymëzon të ardhmen. Dashuria për të pikturuar realitetin dhe natyrën është shumë e madhe dhe kjo është lehtë- sisht e dukshme. Në mënyrën sesi piktori arrin të gdhendë dritën, të interpretojë, të stilizojë dhe imponojë poezi pamore në mes të gjithë atyre masave piktoreske në kompozimet e peizazheve që realizon. Fryma “klasike” e të bërit pikturë do të ishte udhërrëfyesi i artit të Sadik Kacelit.
Frymë, e cila i dha piktorit jo vetëm mundësinë për t’u përsosur teknikisht gjatë viteve të studimit në Paris, por dhe e bëri krijimtarinë e tij origjinale, organike dhe me një individualitet të spikatur artistik. Gjatë viteve të qëndrimit në Paris, Sadik Kaceli sado që ishte në vorbullën e teorive të reja dhe ndryshimeve të rëndësishme në perceptimin interpretues dhe teknik të arteve pamore, mbajti një qëndrim luajal përballë atyre zhvillimeve “të trazuara” gati-gati groteske.
Mjafton të përmendim veprën “Dora Maar e ulur”, 1937, apo “Peizazh mesdhetar”, 1952, të piktorit spanjoll Pablo Picasso dhe kuptojmë sesi artisti Kaceli i ka qëndruar besnik doktrinës së pikturës së bukur, duke u treguar i kujdesshëm në implementimin e teorive të reja revolucionare në pikturën e tij. Sigurisht, është i vetëkuptueshëm […] pozicioni në të cilin u gjend piktori shqiptar.
Parisi dhe studimet në akademinë e arteve ishin të gjitha të reja për të. Në të vërtetë, piktori Kaceli jo vetëm do të mbetej brenda tij i frymëzuar pas studimit të formës dhe i joshur pas stilizimit, elemente këto të cilat mbështeten fuqishëm në pikturën akademike tradicionale, por udhëheqësi shpirtëror në përcaktimin e identitetit formues si artist do të ishte profesori i tij francez, Fernand Sabatté.
Megjithëse Kaceli kërkoi medoemos të ruante dhe të mbronte parimet e tij për pikturën, ai nuk mbeti aq i pandikuar nga stereotipet, atmosfera kulturore parisiene dhe rrymat e reja artistike që e rrethonin. Një aspekt shumë i rëndësishëm në hulumtimin e jetës dhe krijimtarisë artistike të Sadik Kacelit është dhe pjesëmarrja e tij në dy ekspozita në kryeqytetin francez, ajo e “Le salon d’automne” (Sallonit të vjeshtës) dhe “La 51e l’exposition pour les artistes indépendants international” (Ekspozita e 51-të e shoqërisë së artistëve të pavarur ndërkombëtarë).
Ekspozita këto ku Sadik Kaceli do të ekspozonte vepra me tematikë nga Shqipëria. Në të parën artisti prezanton një vepër tepër të arrirë artistikisht, “Përgatitje për dasëm”, dhe në të dytën ekspozon veprën në zhanrin e peizazhit, “Liqeni i Pogradecit”. Peizazhi do të ishte pikërisht zhanri, i cili do ta lartësonte maksimalisht krijimtarinë e piktorit Kaceli edhe për faktin sepse ai ishte një artist, i cili frymëzimin e përthithte dhe e gjente te natyra, te jeta e gjallë.
Piktura e Kacelit në lëvrimin e zhanrit të peizazhit do ta shpjerë vetë artistin drejt horizonteve të reja. Përdorimi i penelatave të shpejta, impulsive, guximi për të kapur dritën plot ngjyra bëjnë ndryshimin kyç në rrafshin krahasues të krijimtarisë së tij nga penelatat e qeta, të shtruara dhe me një disiplinë akademike që vërej në veprat e para, ku ai realizon disa brendi.
Dëshmi e këtij interesi për lëvrimin e peizazhit, artisti e shfaq në pikturimin e një serie të konsiderueshme peizazhesh me teknikën e bojërave të vajit nga Parisi dhe Franca, si: “Notre Dame”, “Collioure”, “Catedral de Chartres”, duke vijuar në vitet pas rikthimit nga Parisi në Shqipëri me përjetësimin e shumë këndeve, fushëpamjeve, atmosferave dhe freskive nga peizazhi shqiptar që aq shumë e dashuroi.
Peizazhet e Sadik Kacelit karakterizohen nga dinamika e formave plastike dhe vëllimeve, drita e fuqishme gati teatrale, lirshmëria në gërshetimin e penelatave të zhdërvjellëta, ku të gjitha bashkë krijojnë një larmi nuancash shumëngjyrëshe plot ndjenjë, nerv dhe estetikisht të paarritshme. Ndikimi i frymës franceze duket qartësisht në peizazhet e artistit.
Gjatë gjithë këtij transkriptimi të gjinisë së peizazhit në pikturën e Sadik Kacelit, natyrshëm rrjedh përfundimi se ai jo vetëm lëvroi të gjitha tipologjitë e peizazhit nga ai urban me katedralet e njohura të Parisit, si “Notre Dame” dhe “Catedral de Chartres”, “Ura e vjetër” (Ponte vecchio) e Firences, “Xhamia e Sinan Pashës” në ciklin e peizazheve nga Kosova, “Tirana e vjetër” me në qendër xhaminë e Et’hem Beut, rrugicat dhe monumentet historike të Krujës, Durrësit dhe Gjirokastrës, në atë të bregdetit të jugut me “Himarën e vjetër”, “Piqerasi”, “Lukova” dhe ato me liqenet e peizazhet malore, si: “Liqeni i Shkodrës”, “Driloni”, “Tarracat e Lukovës” etj. Peizazhi si gjini në pikturën e Kacelit arriti nivele të larta artistiko-profesionale.
Kaceli me njohuritë dhe përgatitjen e tij akademike gërshetoi në pikturën e peizazhit shqiptar vlerat më të mira të kohës, duke përzier në të jo vetëm një gamë të admirueshme ngjyrash, të cilat spikasin për pastërtinë dhe sinqeritetin e tyre, por në një pohim-mohim tendencat moderniste të pikturës perëndimore. Peizazhi në pikturën e tij nuk mbeti kurrsesi sipërfaqësor, por një shëmbëlltyrë autentike e natyrës.
Arti i tij në “portretizimin” e natyrës doli jashtë asaj që mund të konsiderohej thjesht përshkruese, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ai si një artist besnik kundrejt pikturës realiste gjatë gjithë krijimtarisë artistike kërkonte vetëm atë që shihte dhe prekte, duke i veshur peizazhet me emocionet, brishtësinë dhe shpirtin e tij. Përsosmëria me të cilën Kaceli iu përqas natyrës bën që sot të kemi një univers peizazhesh shumëngjyrëshe.
Fakti dëshmon se mënyra sesi Kaceli interpretoi këtë gjini, duke përdorur teknika të ndryshme nga bojërat e ujit, pastelet, temperat dhe bojërat e vajit, këto të fundit aq të dashura për artistin, konfirmojnë absolutisht largpamësinë dhe profesionalizmin e tij. Pa harruar gjithashtu se lëvrimi i gjinisë së peizazhit nga artisti tiranas shënoi një kthesë të rëndësishme në shkuljen e koncepteve donkishoteske sovjetiko-staliniste dhe rihapjen drejt dimensioneve të reja të kësaj gjinie në artin shqiptar pas viteve ’90.
Sadik Kaceli si karakter artistik arriti të ekuilibronte me mjeshtëri karakteristikat e pikturës së butë, fluide tipike romantike me atë të stilit të tij origjinal, të sinqertë dhe të vërtetë. Kaceli nuk besonte në përkufizimin e fjalës “krijimtari”, sepse ai shprehej: “Njeriu nuk krijon, por interpreton…”.
Pikërisht, interpretimi që Kaceli i bëri natyrës përmes pikturës së tij më bënë/na bënë të kuptoj/më se ai vërtet arriti ta konkretizojë/mishërojë këtë princip udhërrëfyes për të. Në thelb, peizazhi për Sadik Kacelin lindi, u rrit dhe vdiq me të si frymëzimi i tij i artë.
Komentet